Publicisti Nazarko: “Bllokimi i ARMO-s, është akt i qëllimshëm për interesa individësh”

510
Sigal

Publicisti Shpëtim Nazarko  e cilëson të paprecedentë bllokimin që segmente të shtetit po i  bëjnë  punës në  rafineritë e përpunimit të naftës në Fier. Ai u solidarizua me protestën e punonjësve, ndërsa me shqetësim shprehet se nga kjo situatë po shkaktohen humbje miliona dollarëshe. “Nga ana parimore ky është sektori i vetëm që mund t’i japë bukë Shqipërisë. Shqipëria importon 600 mijë ton naftë dhe eksporton 1 milion ton. Nga gjithë kjo manovër që është akt kriminal, ne humbim gati 500 milionë dollarë. 500 milionë dollarë janë pensionet e Shqipërisë. Në të vërtetë është problemi më i rëndë që ka vendi?- tha Nazarko. Për Nazarkon, forcën nuk po e tregon shteti por segmente të caktuara të tij që po  në ditët e fundit të tyre po kërkojnë të përvetësojnë nga kjo pasuri. “Në momentin që shteti bën presione të këtij lloji do të thotë që nuk është i pari i vendit, kryeministri, por dikush në prapaskenë bën budallaqe. Struktura kriminale, që duke shikuar se kjo është gropa më e madhe e pasurisë kombëtare, mendojnë se në rrëmujë e sipër të marrin plane të reja. Është histori shumë më tepër se sa shtetërore”- tha Nazarko. Në këtë linjë ai e vlerëson më se normale ekzistencën e një  linjë komunikimi të kryeministrit  me biznesmenin Rezart Taçi pasi  bëhet fjalë për një pasuri të shqiptarëve. “Do të isha kurioz të pyesja nëse kryeministri i Shqipërisë a mban një linjë direkte me pronarin e kësaj rafinerie? Linjë direkte do të thotë që ata, kapitalistët, duhet të kenë drejtpërdrejtë lidhje me shtetin. Nuk mundet që pasuria më e madhe kombëtare e shqiptarëve të menaxhohet nga ca furgona tatimore apo nga ata që e kuptojnë se kryeministri ka lënë shëndenë e mundohet të zhvatin pjesët e fundit që i kanë ngelur shtetit shqiptar”,- tha Nazarko. Shpëtim Nazarko përforcon këtë qëndrim të tij me faktin se, Rezart Taçi, është një biznesmen shqiptar që të gjithë kapitalin e tij e investon në Shqipëri dhe nuk nxjerr asgjë jashtë vendit. Është i vetmi burim, i cili gjendet në duart e një pasaniku shqiptar, i cili sido që të jetë natyra e tij është një biznesmen që i lë paratë e veta brenda shtetit.