Pse trazohemi kaq shumë kur flasim për politikë e politikanë?

622
Sigal

Çapajev Gjokutaj

Sa herë postoj ndonjë gjë për politikën, shfaqen edhe komentues që humbasin toruan dhe shkelin etikën. Shajnë majtas e djathtas, ndezin motorët e gjuhës së urrejtjes, paçka se presupozohet që diskutimi bëhet mes miqsh, qoftë dhe virtualë. Mbrëmë njëra nga komentueset, emigrante përtej oqeanit, arrinte deri aty, sa nuk i mjaftonte përbaltja e bashkëbiseduesve, por i kthehej edhe vendit të të parëve dhe e quante, jo atdhe, por halédhe. Duhet të jetë rëndë e të ketë probleme serioze me veten, mendova, për sa kohë përdhos gjëra të shenjta si dheun ku të ka rënë koka dhe popullin mes të cilit je rritur e ke krijuar identitetin tënd. Pastaj, lashë mënjanë rastin skandaloz e nevrastenik dhe nisa të vras mendjen: Pse trazohemi kaq shumë kur flasim për politikë e politikanë? Mund të jetë punë modeli, thashë. Që nga vitet 1920, kur në nahijen tonë u shfaqën partitë politike, e deri më sot, politika ka qenë, jo aq ndeshje alternativash, sa përpjekje për t’i mbyllur gojën kundërshtarit. Me çfarëdo lloj mjeti: me vaj recini, plumba, shpifje, kërcënime, dëbime e internime, para dhe gjithfarë aletesh të tjera, në çdo rast safí politike. Dhe ne, populli i thjeshtë, kur shohim modele të tilla, gati të përjetshme, kreshpërohemi e ndyjmë gojën, se politika kështu e dashka. Por mund të jetë edhe punë psikologjie, thashë. Politika është si puna e sportit, më shumë se mendimin nxit emocionet. Dhe atje ku hyn tifozllëku, merr fund arsyetimi e argumentimi dhe shpesh fillon sherri e shamataja. Acarimi ynë sa herë flasim për politikë mund të ketë edhe motive materialiste, thashë pastaj. Fatkeqësisht, për gati një shekull biznesi më fitimprurës në skërkat tona ka qenë dhe mbetet politika. Të rreshtuar në skalione të kësaj apo asaj force politike jemi sulur të marrim pushtetin e të bëjmë plaçkë. Secili sipas takatit: Kush ndonjë tender a koncesion, kush ndonjë post a vend pune e kush ndonjë thes miell. Huq i lashtë. Tëpkë si bashibozukët qëmoti. Dhe me që sipërmarrja e prodhimi gjallojnë të mekëta e anemike si bari në hije, me që mbetemi vend i varfër dhe të mirat nuk mjaftojnë për të gjithë, i sulemi njëri-tjetrit si bisha bishës. Po ku ta dish, prirja për t’u acaruar sa herë flitet për politikë e politikanë, mund të ketë edhe arsye të tjera, që mendja ime nuk i shquan dot.

( Nga cikli “Selanik e tatëpjetë” )