Pse e botova letrën e Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës!

604
Ilir Demalia

Letra drejtuar Enver Hoxhës nuk ka lidhje me mbrojtjen e së motrës.

Së pari, për t’ju përgjigjur pyetjeve se nga e kam marrë këtë letër, apo “konspiracioneve” të Ismail Kadaresë, se këto letra duket sikur kanë dalë nga kasaforta e Enver Hoxhës apo Nexhmie Hoxhës dhe Sigurimit të Shtetit, po iu përgjigjem: kjo letër është marrë nga Arkiva e Shtetit si dokument i deklasifikuar dhe nuk përbën asnjë sekret. I vetmi “sekret” është se studiues, historianë apo më saktë, rrëmues-rrënues arkivash, si dhe gazetarë dhe pseudo-intelektualë me kulturën e manipuluesit dhe jo të studiuesit e të kërkuesit të së vërtetës i përdorin arkivat në mënyrë të njëanshme, për t’i shërbyer njerëzve të regjimit politik, kulturor të dje-sotmes, ndër të cilët kampioni është Ismail Kadareja.

Këtë letër dhe të tjera, kisha kohë që i disponoja. I kanë dhe të tjerë, dhe sigurisht i kanë parë edhe manipuluesit të biografisë së Kadaresë kur kanë rrëmuar në arkiva për “Kadarenë e denoncuar”.

Mendova që ta nxjerr këtë letër, jo pse nuk e kuptoj kontekstin, se si e kur është shkruar, por mbi të gjitha si reagim ndaj kësaj kulture të së dje-sotmes, duke qenë se Ismail Kadare, prej vitesh nuk bën gjë tjetër, por në mënyrë të përhershme dhe të vazhdueshme, tjetërson duke manipuluar marrëdhëniet e tij me regjimin komunist, si njeriu që ka mbajtur mbi kurriz “Peshën e kryqit” në diktaturë, dhe së fundi, në intervistën e “De Welt”, na tregon edhe se si regjimi Hoxhës i kishte përgatitur arkivolin.

E botova edhe si reagim ndaj gjithë atyre pseudo-intelektualëve të djeshëm dhe të sotëm që, në vend që të thonë të vërtetën, heshtin apo e mbështesin këtë manipulim, si duket nga komplekset e të kaluarës së tyre. Sepse jam i bindur që janë të shumtë ata që e dinë se si kanë qenë realisht marrëdhëniet e Ismail Kadaresë me regjimin dhe vetë, diktatorin Hoxha. Atë e tregojnë, jo vetëm këto letra që kam botuar unë, por e tregon vepra e tij, publicistika e tij dhe qëndrimet e tij gjatë regjimit komunist.

Unë qëndrimet e mija ndaj Kadaresë, nuk i kam shprehur sot, por që që në gushtin e 1990-s, publikisht në intervistën e “Zërit Amerikës” kam thënë: Ismail Kadare nuk mund të jetë një Havel për Shqipërinë, se ai ka thurur himne për partinë dhe Enver Hoxhën.

Kam shkruar vazhdimisht, se kujt i shërbeu ai me talentin e tij, për marrëdhëniet e tij me pushtetin si dje dhe sot, për rolin e tij si intelektual dhe shfrytëzimin që i bën dhe i ka bërë ai pushteteve në shërbim të së keqes. Linku më poshtëm është një shkrim për disa pyetje që i drejtohen Kadaresë. http://perqasje.com/…/ilir-demalia-sjell-ismail-kadarene-k…/

Zhgënjyes ishte për mua qëndrimi i shumicës së njerëzve të medies pas botimit të letrës (në ndryshim nga njerëzit e thjeshtë që e komentuan atë në rrjete sociale) për të kuptuar më mire gjithë situatën dhe manipulimin. Kadare lëshoi menjëherë ushtrinë e sahanlëpirësve të tij dhe të regjimit duke ri manipuluar letrën dhe qëndrimet e tij. Në vend që të hapej nje debat (që duhet të ishte hapur me kohë), jo vetëm për qëndrimet politike dhe marrëdhëniet me pushtetin dje dhe sot të shkrimtarit, por edhe për veprën e tij letrare, media mundohet të na e tregojë këtë letër dhe gjithë marrëdhënien e tij me shtetin diktatorial të Enver Hoxhës si një marrëdhënie ku shkrimtari ka qenë gjatë gjithë kohës me gijotinën mbi kokë.

Letra drejtuar Enver Hoxhës nuk ka lidhje me mbrojtjen e së motrës. Dosja e së motrës ishte mbyllur ne vitin 1978 me një këshillim dhe, po në këtë vit është thirrur Kadare në Komitetin e Partisë së Tiranës nga Xhelil Gjoni për t’i treguar rreth së motrës. Letra drejtuar Enver Hoxhës shkruhet në prill të 1980 nga shkrimtari Ismail Kadare. Pasi Kadare i kishte drejtuar letër qeverisë, siç del edhe nga letra e Manush Myftiut dërgur Ramiz Alisë, shkrimtari Ismail Kadare i drejtohet Enver Hoxhës për të zgjidhur problemin e daljes jashtë shtetit siç dhe u zgjidh me urdhër të Enver Hoxhës. Për këtë i kujton edhe një herë shërbimet e mëdha që i ka bërë partisë, veçanërisht diktatorit me lartësimin e figurës së tij dhe për të treguar se sa besnik është, i thotë se i ka mbyllur derën të motrës dhe i ka thënë të gjithë fisit të veprojë kështu. Kjo tregon vërtet kohën e tmerrshme që kemi jetuar, por edhe se çfarë intelektualësh kemi pasur, që e hyjnizuan këtë regjim, sepse regjimi nuk ishte vetëm Enver Hoxha.

E pamoralshme, turpshme për këtë media dhe për këtë varfërim intelektual, për raportin me të vërtetën që pamë në këtë rast si shumë herë të tjera.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur në vendin tim në vendin tënd, është pikërisht kjo media që i shërben bandave politike si shpërblim financiar nëpërmjet krimit ekonomik të pushtetarëve. Është pikërisht kjo media që po i shërben të keqes nëpërmjet manipulimit duke paraqitur të keqen, vjedhjen, abuzimin me pushtetin, krimin vulgaritetin kulturor, letrar si model suksesi.

Letra e Manush Myftiut për çështjen Ismail Kadare për filmin “Gjenerali ushtrisë së vdekur” që do xhirohej në Francë ndihmon që të kuptohet më e qartë e gjithë marrëdhënia e Kadaresë me shtetin diktatorial dhe vete diktatorin. http://perqasje.com/…/une-jam-i-mendimit-ta-dergojme-ismai…/

Bashkangjitur, Relacioni që Isamil Kadare i dërgon Komitetit Qendror lidhur me botimin e librit “Dimri madh” në Jugosllavi më 21.3.1980

Relacion
Lidhur me botimin e romanit “Dimri madh” ne Jugosllavi.

Më 17 mars 1980 studiuesi Kosovar Hasan Mekuli kërkoi një takim me mua për të më parashtruar një kërkesë të Shtëpisë botuese jugosllave “Prosvjet” të Beogradit, e cila ka ndërmend të botojë të përkthyer në serbokroatisht romanin “Dimri i madh”.

Qëllimi i takimit të Hasan Mekulit me mua, ishte që të merrte vesh, nëse unë si autor do të isha dakord që tekstit të romanit t’i bëhej ndonjë shkurtim prej Shtëpisë botuese “Prosvjet”. Para ca kohe Shtëpia botuese franceze “Fayard” më njoftoi se ishte në traktativë me jugosllavët për botimin e “Dimrit te madh” në serbisht. Me sa duket, përpara se të vendosë përfundimisht për të bërë një kontratë, Shtëpia botuese jugosllave kërkon të dijë, nëse autori do të lejojë të bëhet ndonjë heqje në tekst. Shtëpia botuese “Fayard”, në bazë të marrëveshjes me autorin, nuk lejon të bëhet asnjë shkurtim dhe prandaj botuesit jugosllavë kanë vënë si ndërmjetës Hasan Mekulin, për të nxjerrë lejen e shkurtimit direkt nga autori.

Kërkova nga Hasan Mekuli të informohem se për çfarë shkurtimesh bëhet fjalë, dhe ai tha se është fjala vetëm për disa pasazhe që kanë lidhje me Jugosllavinë. I thashë paraprakisht duke ruajtur rezervën që përgjigjen e saktë t’ia jap më vonë, se mund të diskutonim po t’ishte fjala për pasazhe apo fragmente fare të shkurtër, të cilat do t’i tregohen konkretisht autorit. Hasan Mekuli tha pastaj se pas botimit në serbo-kroatisht, bëhej i mundur dhe botimi i romanit “Dimri i madh” në Kosovë.

Mendimi im si autor është që, në qoftë se shkurtimet janë të tillë që s’prekin asgjë në thelbin e romanit (pasazhet për Jugosllavinë nuk zënë më shumë se 2 ose 3 faqe), ato të pranohen.

Sidoqoftë për përgjigjen përfundimtare pres mendimin tuaj.

Tiranë, më 17 mars 1980
Ismail Kadare
Sigal