Protestat dhe ndryshimet në Uashington do ta kthejnë Ramën nga “peshkatar” në “peshk të madh”

871
Prof. Dr. Kastriot Islami
Prof. Dr. Kastriot Islami në intervistën për gazetën “Telegraf” skicon çfarë është Rilindja Socialiste dhe cilat janë karakteristikat e eksponentëve të saj. Ndërsa ftesën e kryministrit Rama ndaj Nanos dhe personaliteteve socialistë, Prof. Islami pohon se kjo është një tallje e radhës e kryetarit të PS. Edi Rama. Prof. Islami pohon se reforman në Drejtësi është bërë nga Fondacioni “Soros”, jo nga administrate e SHBA dhe ka qëllim, që t’i mundësojë kryeministrit Rama, të kontrollojë Drejtësinë, siç ndodhi edhe në Rumani.
Sipas Prof. Islamit, “Rilindja nuk është as socialiste dhe as e majtë, ajo është antisocialiste. Rilindja është një sekt i rrezikshëm me cilësitë e mësipërme që po shkatërron vendin dhe po i detyron shqiptarët të emigrojnë. Kur të zgjohen nga gjumi socialistët dhe të ndërgjegjësohen të gjithë demokratët, do të kuptojnë se çfarë ka ndodhur realisht në kohën e qeverisjes së Rilindjes dhe shumë prej tyre do t’ju vijë turp”.
Prof. Dr. Kastriot Islami në intervistën për gazetën “Telegraf” skicon çfarë është Rilindja Socialiste dhe cilat janë karakteristikat e eksponentëve të saj. Ndërsa ftesën e kryeministrit Rama ndaj Nanos dhe personaliteteve socialistë, Prof. Islami pohon se kjo është një tallje e radhës e kryetarit të PS. Edi Rama. Prof. Islami pohon se reforma në Drejtësi është bërë nga Fondacioni “Soros”, jo nga administrate e SHBA dhe ka qëllim, që t’i mundësojë kryeministrit Rama, të kontrollojë Drejtësinë, siç ndodhi edhe në Rumani.
-Prof. Kastrioti, si e shpjegoni ftesën e Edi Ramës për bashkëpunim me Nanon, Pëllumbin, etj?
– Rilindja s’ka qenë, s’është dhe s’do të mund të jetë asnjëherë projekti im politik. Për rrjedhojë, s’kam përgjigje për pyetjen tuaj, sepse për më tepër kjo ftesë fiktive e qesharake është një çështje e brendshme e Rilindjes, që s’më intereson. Nga jashtë, do të thoja se kjo është tallja e radhës që do të duhej të hidhej me neveri nga ata që ju drejtohet dhe e gjithë kjo bëhet thjesht për të zhvendosur vëmendjen nga zullumi që po këputet, duke u trashur.
– A i ka mbetur më identitet socialist, Partisë Socialiste?
– Rilindja është antisocialiste, ajo ka përdorur votën e socialistëve dhe vazhdon ta përdorë atë, duke u tallur me ta, ndërkohë që naiviteti i disa prej tyre është i paimagjinueshëm e për të ardhur keq. Identiteti i Rilindjes përcaktohet nga I) korrupsioni i kupolë së saj drejtuese për pasurim të paligjshëm; II) lidhja e krimit me kupolën e saj për të mbajtur pushtetin; III) kanabizimi i vendit për pasurimin e kupolës së Rilindjes dhe skllavërimin e qytetarëve; IV) nga bashkëpunimi me klanet mafioze dhe trafikantët e heroinës dhe kokainës; V) angazhimi i të gjithë strukturave të saj për blerjen e votave dhe kërcënim i votuesve; VI) kalimi me koncension në duart e klientelës së saj të të gjithë shërbimeve, të tilla si arsimi, shëndetësia, uji, dritat, e tjerë; VII)monopolizimi i të gjithë bizneseve dhe falimentimi i bizneseve të vogla e të mesme; VIII) vënia në kontroll e biznesit, medias, shoqërisë civile dhe më së fundmi edhe i drejtësisë; IX) eliminimi i alternativave brenda Rilindjes dhe tentativat për shkatërrimin e opozitës e të gjithë kundërshtarëve; X) kompromentimi i ambasadorëve kryesorë dhe zyrtarëve të lartë në Bruksel që merren me Shqipërinë. Këto janë disa nga “cilësitë” që do të shërbenin për të skicuar identikitin e Rilindjes. Nga ana tjetër, ekipi i Rilindjes është ndërtuar me individë që plotësojnë disa kritere: a) paaftësia; b) aftësia për mashtrime dhe gënjeshtra, c) servilizmi ndaj eprorit dhe arroganca ndaj vartësve e kolegëve; d) shthurje e familjes dhe promovim i pervesitetit në të gjithë llojet e marrëdhënieve; e) lidhje me nomeklaturën e lartë komuniste; f) aftësi për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme.
– Sa e Majtë është qeverisja e Rilindjes Socialiste?
– Rilindja nuk është as socialiste dhe as e majtë, ajo është antisocialiste. Rilindja është një sekt i rrezikshëm me cilësitë e mësipërme që po shkatërron vendin dhe po i detyron shqiptarët të emigrojnë. Kur të zgjohen nga gjumi socialistët dhe të ndërgjegjësohen të gjithë demokratët, do të kuptojnë se çfarë ka ndodhur realisht në kohën e qeverisjes së Rilindjes dhe shumë prej tyre do t’ju vijë turp që kanë jetuar atë kohë duke mbështetur apo votuar Rilindje, apo akoma më keq duke qëndruar indiferentë. Unë ndjehem i qetë se ka mbi 10 vjet që e paralajmëroj për këtë rrezik dhe për çfarë po i ndodh, por edhe i shqetësuar që nuk kam mundur ta parandaloj. Tani ndjehem mirë se gjithçka kam deklaruar po vërtetohet dhe qytetarët çdo ditë e më shumë po bashkohen me qëndrimet e parashikimet e mia. Dhe kjo më bën optimist.
– Prof. Islami, si është e mundur, që ambasadorët e SHBA, dhe BE, por edhe disa ambasadorë të shteteve kryesore të BE në Tiranë, ende janë në mbështetje të politikës së kryeministrit Rama, sidomos pas skandaleve të korrupsionit, inkriminimit dhe akuzave që ministra të qeverisë së Rilindjes janë të implikuar në Trafikimin Ndërkombëtar të Hashashit?
– Rilindja është zgjatim banal i establishmentit global; kjo është arsyeja e parë që shpjegon këtë realitet. Por ky zgjatim banal shqiptar i establishmentit global, ashtu si edhe në vende të tjera të globit, ka marrë orientimet, që, nëse dikush nuk është i rreshtuar me interesat e tij, të përdoret të gjithë mënyrat e mjetet e kompromentimit; dhe kjo është arsyeja e dytë që i jep përgjigje pyetjes suaj. Arsyeja e tretë lidhet me strategjinë e veprimeve të këtij zgjatimi banal për të kompromentuar opozitën, për të blerë çdo opozitar dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë për t’i ndotur të gjithë pa përjashtim, bazuar në teknologjinë që të “gjithë janë njëlloj të korruptuar, njëlloj përgjegjës, njëlloj përgjegjës, njëlloj të ndotur”, që publiku të mos dallojë të mirën nga e keqja, të mos mbështesë asnjë dhe kështu të mpihet, të paralizohet e të mos reagojë. Ky nuk është konspiracion, por një strategji e përpunuar me shumë kujdes dhe implementuar me konsekuencë.
– Si është e vërteta: Është administrata e Presidentit të SHBA, apo Fondacioni “Soros”, që është iniciator, dhe ka projektuar dhe zbaton Reformën në Drejtësi në Shqipëri?
– Rumania është një nga rastet tipike të veprimit të reformës në drejtësi. Është vendi ku janë goditur dhe eliminuar politikisht tri kryeministra të majtë. Media rumune dhe shumë politikanë rumunë deklarojnë se Reforma në Drejtësi ka qenë pjesë e strategjisë së Fondacionit Soros për të mbajtur në pushtet njerëzit e prej zgjedhur prej tij, duke i pastruar atyre rrugën drejt pushtetit nga të gjithë kundërshtarët, përmes një gjuetie shtrigash, që është realizuar duke vendosur drejtësinë e reformuar nën kontroll. Sipas tyre, asnjë “viktimë” të drejtësisë së reformuar nuk ka pasur nga individët e mbështetur nga Soros. Për shembull, dy kryeministrat të majtë që janë goditur nga drejtësia, Adrian Nastase dhe Viktor Ponta, thuhet nga media se janë goditur nga DNA (homolog i SPAK-ut shqiptar) për t’i hapur rrugën një kryeministri të majtë të mbështetur nga Soros, ndërkohë që edhe kryeministri i tretë i PSD rumune (i majtë), pasi kjo parti fitoi zgjedhjet e fundit, duke qenë anti-Soros, nuk është lejuar të marrë postin e Kryeministrit, pasi rezulton i dënuar nga DNA. Le të presim efektet e reformës në drejtësi edhe në Shqipëri për të kuptuar më mirë se cili ka qenë objektivi real i kësaj reforme. Shenjat e deritanishme janë fatkeqësisht prolog i një situate të ngjashme me Rumaninë, mos qoftë e vërtetë.
– Çdo të thotë politikisht ky fakt për Shqipërinë?
– Ngjashmëria e Shqipërisë me Rumaninë, për çdo aspekt të reformës në drejtësi, duket e çuditshme. Në Shqipëri s’ka më vetëm dyshime, por ekzistojnë fakte se drejtësia e reformuar po vendoset nën kontrollin e Ramës.
– Sa vërtetësi politike dhe praktike ka ndjesia që kanë shqiptarët, se SHBA (nëpërmjet FBI) dhe BE-ja do të vijnë në Shqipëri dhe do të luftojnë korrupsionin, me pjesëmarrjen e tyre në instrumentet e reja të Drejtësisë?
– Fatkeqësisht drejtësia e reformuar po vendoset nën kontrollin e Ramës dhe nëse kjo situatë nuk do të ndryshojë ndjesia e shqiptarëve do të rezultojë e gabuar. Unë shpresoj që në muajt në vijim situata të ndryshojë dhe Rama nga kontrollues i drejtësisë të përfundojë një objekt i drejtësisë, nga peshkatar të përfundojë në peshkun e madh. 
– Prof. Islami, kush e ka penguar dhe përse deri më sot ngritjen e institucioneve të reja të Drejtësisë dhe Gjyqësorit, të parashikuara nga Reforma në Drejtësi?
– Beteja e opozitës ka qenë për të mos lejuar Ramën të vendosë nën kontroll personal drejtësinë, që ta përdorë më vonë për gjueti shtrigash kundër opozitës dhe çdo kundërshtari të tij. Në këtë betejë të vështirë dhe të pasuksesshme, opozita ka pasur në krah vetëm Komisionin e Venecias, i cili ka mbajtur një qëndrim parimor dhe të standardeve demokratike. Për këtë arsye, ndryshimet kushtetuese në funksion të reformës në drejtësi, janë në një farë mënyre në respekt të kërkesave/orientimeve të Komisionit të Venecias, ndërkohë që ligjet e reformës në drejtësi dhe zbatimi i saj janë kryer në mënyrë të njëanshme e deri antikushtetuese nga maxhoranca, duke i lejuar Ramës të hedhë të gjithë hapat për ta vendosur drejtësinë në kontroll. Të gjithë betejën që ka bërë opozita për një reformë drejtësie që nuk lejon Ramën të vendosë nën kontroll drejtësinë, Rama me median që kontrollon dhe zyrën e dizinformimit në Kryeministri e ka paraqitur si pengesë të vendosur nga opozita, apo si vonesë që e ka shkaktuar opozita. E vërteta është se reformën në drejtësi e ka zvarritur, duke u përpjekur ta vendosë drejtësinë e reformuar nën kontroll. Me gjithë përpjekjet e paimagjinueshme të opozitës, Ramës i ka mbetur edhe një hap ta vendosë drejtësinë e reformuar nën kontroll të plotë. Pavarësisht se dyshoj shumë, shpresoj që heshtja e ambasadorëve kryesorë të mos rezultojë si mbështetje për kapjen e drejtësisë nga Rama dhe në momentin final Rama të zhgënjehet. Për më tepër, që duket se gjërat në Uashington po ndryshojnë në disfavor të Ramës, ndërkohë që shqiptarët e revoltuar në ekstrem kanë filluar të fitojnë besimin për ndryshim.
– Sa kushtetuese është Prokurorja e Përkohshme?
– Gjithçka që thuhet për postin e Prokurores së Përkohshme nuk ka të bëjë aspak me emrin konkret, ndonëse personi konkret mund të mos kishte ofruar emrin e saj për një akt antikushtetues dhe në një ceremoni zgjedhjeje që do të mbahet mënd për keq. Si një akt me legjitimitet të dyshimtë. Si një veprim që mund të çojë në cenimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Nga ana tjetër, opozita u shfaq shumë e vonuar, ajo do të duhej të kishte reaguar që në momentin kur dispozitën ligjore të dyshimtë, juristët hileqarë të Ramës e futën tinëzisht në ligjin për prokurorinë në momentin, kur opozita ishte në protestën e pranverës së vitit 2017 dhe e miratuan në mënyrë të njëanshme.
– Cili duhet të jetë roli dhe koha e saj në atë post të përkohshëm?
– Përgjigjet e këtyre pyetjeve jepen qartësisht në Kushtetutë, prandaj zgjedhja e saj është antikushtetuese dhe veprimet e saj janë nul. Ky është një zullum që nuk do ta ketë jetën e gjatë.
-A duhet të japë dorëheqjen kryeministri Rama, derisa ministri i tij akuzohet për bashkëpunim me Krimin në Trafikimin Ndërkombëtar të Hashashit?
– Së pari, Rama duhet t’i hapte rrugë drejtësisë për heqjen e imunitetit të Tahirit. Mbrojtja që Rama i bëri Tahirit ishte një veprim që përbën një fakt më shumë për lidhjet e Ramës me Tahirin në çështjet e kultivimit të kanabisit dhe të narkotrafiqeve. Së dyti, nga informacionet e medias, por edhe nga një analizë racionale e të gjithë veprimeve të kohëve të fundit të Ramës e Tahirit rezulton se Rama mbron Tahirin se është i kërcënuar nga Tahiri, pra se Tahiri, duke u zhytur mund të marrë me vete edhe Ramën. Së treti, heshtja e disa Ambasadorëve të rëndësishëm për çështjen Tahiri dhe veprimin e Ramës për t’i mbyllur rrugën drejtësisë kanë vënë shumë pikëpyetje edhe për pavarësinë politike të drejtësisë së reformuar. Dhe për t’ju përgjigjur drejtpërdrejtë pyetjes suaj do të thoja: Rama nuk jep dorëheqje’ por detyra e opozitës është ta detyrojë të dorëhiqet. Si dhe kur opozita do ta realizojë këtë objektiv që e ka deklaruar’ na mbetet ta shikojmë.
– Prof. Islami, sot, a mund të pohohet se kryetari i PD zoti Basha gaboi në marrëveshjen parazgjedhore të 2017-s me kryeministrin Rama?
– Qëndrimet e opozitës të drejtuar nga Basha lidhur me zgjedhjet e 25 qershorit 2017, pra më konkretisht qëndrimet e opozitës para marrëveshjes, me marrëveshjen e bërë dhe ato parazgjedhore pra pas marrëveshjes dhe para zgjedhjeve të 25 qershorit, morën përgjigje nga votuesit e djathtë në zgjedhjet e 25 qershorit. Rezultati i 25 qershorit ishte kryesisht e në masën më të madhe për shkak të blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve nga regjimi i korruptuar, kriminal e kanabist i Ramës; gjë e vërtetuan edhe të gjithë faktet e provat e palës italiane për klanin mafioz të Habilajve ku rezulton i implikuar edhe ish-ministri i brendshëm Tahiri. Një pjesë e demokratëve nuk e mbështetën marrëveshjen e 18 majit 2017, të cilës Rama nuk i qëndroi, ndërkohë që Basha u detyrua nga ndërkombëtarët ta pranonte për të zgjedhur të keqen më të vogël. Askush nuk është në gjendje të pohojë sot me saktësi se çfarë do të ndodhte nëse PD nuk do të ishte futur në zgjedhjet e 25 qershorit 2018 dhe si do ta vlerësonin/gjykonin/analizonin demokratët një vendim të tillë dhe pasojat e tij, ndërkohë që ndërkombëtarët deklaruan për herë të parë në këto 27 vjet që “do të njihnin rezultatin edhe nëse opozita nuk do të merret pjesë”. Nuk është e lehtë përgjigja lidhur me pyetjen nëse ishte e gabuar apo jo marrëveshja? Çfarë hapësirash kishte për të mos e bërë marrëveshjen, apo për ta bërë më mirë atë? A mund të kontrolloheshin përmes një marrëveshjeje politike veprimet e Ramës për të tjetërsuar rezultatin zgjedhor? Si u detyrua Basha të bënte marrëveshjen dhe cilat ishin kushtet e panegociueshme që ju vendosën? Dhe nëse kishte mundësi e hapësirë t’i negocionte, apo refuzonte ato? Besoj se në të ardhmen transparenca e munguar do t’i lejojë t’i jepet një përgjigje më e plotë dhe më e saktë ndaj pyetjes komplekse që ju shtroni dhe që unë u përpoqa ta fragmentoja për ta bërë më të qartë.
– Të shumta janë akuzat politike ndaj PD dhe kryetarit të saj, për opozitë të dobët ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama. Cili është mendimi juaj për politikën opozitare të deritanishme të PD? Ku gabon dhe ku duhet të përqendrohet?
– Kjo është një çështje e brendshme e strukturave të PD dhe opozitës dhe nuk është etike që unë të merrem publikisht. Për më tepër. që unë i kam pasur apo m’i kanë krijuar sa herë i kam kërkuar të gjithë hapësirat për të dhënë opinionin tim.
– Të shumtë janë kritizerët ndaj PD-së edhe për aleancën opozitare me LSI. Po, ju, çfarë mendimi keni?
– Një pjesë e kritikave vijnë nga shtabi i dizinformimit dhe propagandës së Ramës dhe këto duhen trajtuar si veprime diversioniste për të penguar bashkimin e opozitës dhe veprimet e saj për goditjen e Ramës. Kurse lidhur me “kritikat” (po i quaj kështu meqë ju i quani të tilla) që vijnë nga brenda opozitës gjykoj se të gjithë aktorët drejtues dhe faktorët e opozitës, duhet të analizojnë dhe të debatojnë pa paragjykime (duke bërë ndoshta edhe testime e sondazhe) për të gjithë opsionet lidhur me koalicionet e mundshme, konform hapësirave të lejuara nga Kodi Zgjedhor për maksimalizimin e suksesit zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme. Sa i suksesshëm do të jetë opsion i zgjedhur nga drejtuesit aktualë të opozitës së bashkuar do ta tregojnë votuesit, por detyra paraprake e të gjithë forcave opozitare është t’i ofrojnë votuesve opsionin elektoral që ata mirëpresin apo ndryshe do të thotë forcat opozitare të paraqesin opsionin që ju garanton rezultatin më të mirë elektoral përballë kundërshtarit. Mundësitë janë të shumta dhe prej tyre duhet gjetur, analizuar, diskutuar, përzgjedhur me efikasja dhe më tej duhet marrë vendimi përfundimtar. Tre janë mundësitë teorike: 1) PD kërkon të fitojë e vetme maxhorancën që duket një objektiv jo shumë i lehtë për t’u realizuar për të mos thënë i pamundur, sidomos përballë makinerisë së korrupsionit, krimit dhe narkotrafiqeve që blen vota e kërcënon votuesit; 2) PD vendos të dalë së bashku në zgjedhje me LSI e aleatët e tjerë, por kjo do të kërkonte një ndërgjegjësim të të gjithë votuesve demokratë dhe të LSI, si dhe të aleatëve të tjerë, për të votuar pa firo këtë koalicion paraelektoral; 3) PD dhe LSI dalin më vete për t’ia lënë votuesve të tyre marrjen e vendimit të bashkëqeverisjes. Secili opsion ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. 
– Protesta e 27 janarit 2017, çfarë impulsesh solli në politikë? Cilat duhet të jetë këtej e tutje strategjia opozitare e PD-së?
– Protesta tregoi se ekziston një revoltë e madhe qytetare kundër qeverisë Rama, por dha edhe shenjat e shpresës për t’ia lënë në dorë drejtimin e kësaj revolte opozitës. Protesta tregoi se revolta ka përfshirë shumicën e shqiptarëve për shkak të gjendjes tejet të rëndë, ekonomike të familjeve dhe katastrofike të bizneseve. Për shkak të papunësisë, sidomos të të rinjve. Të varfërisë ekstreme në rritje. Për shkak të rënies drastike të fuqisë blerëse. Për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit galopant, lidhjes së pushtetit me krimin, pastrimit të parave nga njerëzit me pushtet dhe trafiqeve të drogës nga klanet e familjet mafioze të lidhura ngushtësisht me kupolën qeverisëse. Protesta tregoi gjithashtu se qytetarët nuk e durojnë më arrogancën e pushtetit, konkretisht të Kryeministrit e të ministrave të tij. Dhunimin e tyre tallës. Dhunën e tyre plot cinizëm. Indiferentizmin e qeverisë për tu marrë me hallet e shqetësimet e qytetarëve. Dhunën verbale të narkoanalistëve dhe sharjet e shpifjet e medias klienteliste të Ramës, e cila paguhet me paratë e pista të korrupsionit, krimit dhe drogës. Dhunën që ushtrohet çdo ditë e çdo natë mbi cilindo që është opozitar apo kundërshtar i kryeministrit apo klientelës së tij. Dhunën që ushtrohet në televizione çdo ditë e çdo natë dhe në faqet e shtypit të shkruar. Në protestë kishte, përveç aktivistëve partiakë edhe shumë qytetarë, me ndjeshmëri partiake të të gjithë spektrit por edhe nga zona e gri e elektoratit.
– Çfarë duhet bërë në vijim Opozita dhe PD-ja?
– Nisur nga fakti që revolta do të vazhdojë të rritet, sepse keqqeverisja do të thellohet, atëherë opozita duhet të ndërtojë një strategji për të rritur shpresën. Një revoltë e drejtuar nga një opozitë shpresëdhënëse do të rriste me shpejtësi madhësinë dhe intensitetin e veprimit për largimin e kësaj qeverie. Konkretisht opozita duhet të punonte në disa drejtime. A) Ndërtimi i një dokumenti që adreson në mënyrë të thjeshtë e konkrete të gjithë shqetësimet, hallet e problemet e qytetarëve; ku dokument do të pasqyronte të gjithë problemet që do të dilnin gjatë një dialogu me qytetarët dhe zgjidhjet e thjeshta për secilin prej tyre. B) Ndërtimi nga opozita dhe veçanërisht nga PD i një ekipi inspirues dhe që ngjall besim se do mirëqeverisje vendin dhe do të adresonte hallet e problemet e qytetarëve. C) Forcimi dhe plotësimi i organizimit elektoral, me të gjithë përbërëset e tij, partiake, të të rinjve, të grave, i forcimit të lidhjeve me shoqërinë civile, me komunitetet e ndryshme, me profesionistët e intelektualët, me biznesmenët dhe fermerët, me pensionistët e të papunët, me njerëzit në nevojë dhe shtresat e margjinalizuara, e tjerë e tjerë. D) Hartimi dhe diskutimi i një platforme të bashkëpunimit politik e elektoral me synim ndërtimin e një koalicioni fitues në përballjen e ardhshme elektorale dhe që qëndron në themel të krijimit të maxhorancës qeverisëse. E) Ngritja e një ekipi, me ekspertë vendas e të huaj, për hartimin e një strategjie të marketingut politik e elektoral. F) Ngritja e një ekipi me ekspertë vendas dhe lobues të huaj për të sensibilizuar kancelaritë perëndimore për realitetin shqiptar; për ti furnizuar në mënyrë të përditshme me lajme dhe informacione mbi gjithçka ndodh në Shqipëri. G) Synimi i të gjithë këtyre veprimeve do të ishte rritja e shpresës ndaj opozitës dhe besimit se gjendja mund të ndryshojë nën drejtimin e alternativës opozitare.
1
Indentiteti i Rilindjes Socialiste
-Korrupsioni i kupolë së saj drejtuese për pasurim të paligjshëm; – – Lidhja e krimit me kupolën e saj për të mbajtur pushtetin;
– Kanabizimi i vëndit për pasurimin e kupolës së Rilindjes dhe skllavërimin e qytetarëve;
– Nga bashkëpunimi me klanet mafioze dhe trafikantët e heroinës dhe kokainës;
– Angazhimi i të gjithë strukturave të saj për blerjen e votave dhe kërcënim i votuesve;
– Kalimi me koncension në duart e klientelës së saj të të gjithë shërbimeve, të tilla si arsimi, shëndetsia, uji, dritat, e tjerë;
– Monopolizimi i të gjithë bizneseve dhe falimentimi i biznesve të vogla e të mesme;
– Vënia në kontroll e biznesit, medias, shoqërisë civile dhe më së fundmi edhe i drejtësisë;
– Eleminimi i alternativave brënda Rilindjes dhe tentativat për shkatërrimin e opozitës e të gjithë kundërshtarëve;
– kompromentimi i ambasadorëve kryesorë dhe zyrtarëve të lartë në Bruksel që merren me Shqipërinë.
2
Karakteristikat e rilindasve socialistë:
-Paaftësia;
– Aftësia për mashtrime dhe gënjeshtra,
– Servilizmi ndaj eprorit dhe arroganca ndaj vartësve e kolegëve;
– Shthurrje e familjes dhe promovim i pervesitetit në të gjithë llojet e marrëdhënieve;
– Lidhje me nomeklaturën e lartë komuniste;
– Aftësi për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme.
Intervistoi: Jakup Gjoca
Sigal