Pronat, shkurtohen afatet për marrjen e dokumenteve

Qytetarët do të aplikojnë në filialet e Postës dhe, 15 ditë më vonë, do të marrin përgjigjen nga Arkivi po me postë 

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave vendosi të shkurtojë kohën e përgjigjeve për kërkesat që lidhen me dokumentet e pronës. Në një deklaratë për shtyp, Arkivi njoftoi se tashmë do të nevojiten 15 ditë për të marrë një përgjigje lidhur me dokumentet pronësore. “Pas revolucionit në shërbimin e dokumenteve në sallë për studiuesit, me anë të dy aplikacioneve online të prezantuara para pak ditësh, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të përmirësojë edhe shërbimet për kërkesat pronësore dhe biografike për qytetarët, duke nisur nga data 1.9.2017”, theksohej në një deklaratë. Afati standard i përgjigjeve për kërkesat biografike do të bëhet 15 ditë nga 23 që ka qenë deri më sot, sërish nëpërmjet parimit ndërkombëtar arkivor të “kërkimit me pagesë”. Pra, qytetarët do të aplikojnë nga çdo cep i Shqipërisë në filialet qendrore të Postës Shqiptare dhe 15 ditë më vonë do të marrin përgjigjen po me postë për kërkesat biografike.

Ndërkaq, prej datës 1 shtator 2017, futet edhe aplikimi me procedurë të përshpejtuar, që mund të bëhet pranë Arkivit Qendror Shtetëror, ose Arkivave Shtetërore Vendore, ku ruhet dokumentacioni. Procedura e përshpejtuar bëhet me tarifë të diferencuar nga procedura standard dhe përgjigja jepet: 5 ditë nga çasti i aplikimit për kërkesat pronësore dhe 3 ditë nga çasti i aplikimit për kërkesat biografike joshkollore. Brenda një dite pune do të jepet përgjigja për kërkesat biografike shkollore.

“Këto ndryshime vijnë në shërbim të qytetarëve, të cilët kanë arsye objektive, për të marrë një përgjigje të shpejtë, duke ruajtur njëkohësisht parimin ndërkombëtar arkivor të kërkimit me pagesë. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka ruajtur tarifa të njëjta prej më shumë se 10 vitesh, edhe pse shumica e tarifave zyrtare në vend janë rritur prej asaj kohe. Po ashtu, janë tarifa të njëjta me vendet e tjera për shërbimin arkivor. Tarifat standard të aplikimit janë 500 lekë për kërkesat biografike dhe 1500 lekë për kërkesat pronësore, ndërsa për procedurën e përshpejtuar janë 4000 lekë për kërkesat biografike dhe 10 mijë lekë për kërkesat pronësore”, theksohet në deklaratë.

Për zgjidhjen e problemeve të pronësisë shumë shqiptarë shfrytëzojnë dokumentet që ndodhen në Arkiv dhe i përkasin një periudhe të hershme kohore. Për shkak të rrëmujës dhe shpeshherë abuzimeve me pronën, dokumentet e Arkivit ndihmojnë në saktësimin e pronësisë.