“Prona tek i zoti, sipas Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare”

140

Shoqata Kulturore Atdhetare “Dukati”–Dega Tiranë dhe Durrës përshëndet redaksinë e gazetës “Telegraf” për pasqyrimin e vazhdueshëm të problemeve të pazgjidhura mbi pronësinë. Problemet që trajtohen në këtë shkrim preokupojnë rreth gjysmën e popullatës së krahinës së Dukatit (Dukat, Tragjas, Radhimë e Orikum). Kjo masë e konsiderueshme pronarësh që tokat i trashëgojnë nga të parët e tyre, prej vitesh protestojnë lidhur me zaptimin e tokave nga zbatimi i ligjit 7501. Pronat e tyre janë “sekuestruar” me instalimin e shtetit komunist në vitet ‘46-‘58. Fillimisht me kullotat e më pas me tokat bujqësore për formimin e fermës shtetërore në Dukat (sot Orikumi). Më tej sekuestrimi de fakto vazhdoi me kolektivizimin e detyruar të bujqësisë, duke “firmosur me vullnet të lirë” dhënien e tokës bujqësore, bagëtitë, kafshët e mjetet e punës dhe gjithccka tjetër. Pronarët me banim në qytet nuk e kanë nënshkruar dokumentin e “dorëzimit vullnetar” të tokës në kooperativë, por ajo arbitrarisht u bë pronë kolektive. Shpërbërja e fermave dhe kooperativave bujqësore u bë më 1991 me ligjin famëkeq 7501, sipas të cilit toka bujqësore do të ndahej sipas frymëve midis fshatarëve që punonin dhe banonin në kooperativë, duke mos respektuar as statutin tip të kooperativave që theksonte: Në rast të shpërbërjes së kooperativës, secili pjesëtar merr pasurinë e tij të paluajtshme. Komisionet e tokës e zbatuan këtë ligj (7501) vetëm në zonën perëndimore (fushore dhe bregdetare), ndërsa në pjesën tjetër të vendit, ligji u shpërfill, duke shkuar toka tek i zoti. Në vitin 1991, si gjithë të tjerat edhe kooperativa e Dukatit u shpërbë, por prona(toka) e atyre që në këtë vit nuk ndodheshin në fshat i u nda të tjerëve, duke ua zaptuar arbitrarisht pasurinë atyre. Akoma më tepër e kishin këtë të drejtë absolute ata që nuk kishin firmosur për kolektivizimin e tokës së tyre. Në këtë mënyrë shteti i ri postkomunist, u soll ndaj kësaj shtrese më keq se shteti komunist. Për këtë veprim arbitrar degët e shoqatës Dukati në Tiranë, Durrës, Vlorë e Orikum, vazhdojnë të kërkojnë tokat e tyre qysh prej vitit 1991, duke kërkuar urgjentisht zbatimin e neneve të Kushtetutës mbi pronësinë, për t’i dhënë fund një herë e mirë kësaj masakre që po shkatërron me themel pronën private të tjetërsuar me ligjin 7501. Kushtetuta që kemi sot, ka edhe ndihmën e drejtpërdrejtë të Komisionit të Venecias, sanksionoi tre nene shumë të rëndësishme për pronësinë:

-Neni 41 – “Pronë private njihet ajo që është e fituar me trashëgimi, dhurim, blerje …..

-Neni 42 – “Tjetërsimi i pronës mund të bëhet vetëm për nevoja publike kundrejt një shpërblimi të drejtë.

-Neni 181 -“Kuvendi i Shqipërisë brenda 2-3 vjetëve të ndryshojë të gjitha ligjet për pronësinë, që kanë dalë para kësaj Kushtetute në përputhje me nenin 41.

Për të gjithë ata qytetarë që kanë minimumin e formimit kulturor, është e qartë si drita e diellit se Kushtetuta është ligji më i lartë i Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë në një shtet ligjor, ligjet që bien në kundërshtim me Kushtetutën, emërtohen si “anti kushtetues” dhe nuk duhen respektuar. Në këto kushte, kur Kuvendi i Shqipërisë ka mbi 10 vjet rresht, që nuk është marrë dhe nuk ka pasur dëshirë të merret me nenin 181 të Kushtetutës, duke e lënë vendin në një kaos të plotë institucional nga pikëpamja e pronësisë. Si këta dy kryetarë Kuvendi, ashtu dhe Njësh-at përkatës që u kthyen në sundimtarë të vërtetë të postkomunizmit, nuk kanë lëvizur as gishtin për të rregulluar këtë kaos, të cilin e sajuan vetë nën drejtimin e R.Alisë që dekretoi edhe ligjin 7501. Por Shqipëria s’mund të mbahet peng përjetësisht nga veprimet e këqija të disa individëve, kushdo qofshin. Për tërë bregdetin jugor Vlorë-Sarandë, ku futet edhe krahina e Dukatit, qysh në vitin 1993 Parlamenti ka nxjerrë një ligj të veçantë për zhvillimin e zonave turistike dhe KM në zbatim të këtij ligji ka nxjerrë dy vendime (VKM 321 dhe 108) së bashku me hartën që jep vijën kufizuese të zonës së zhvillimit të turizmit. Në këtë hapësirë, e gjithë toka, sot e sidomos në perspektivë, shërben për troje ndërtimi dhe zhvillimin e agroturizmit. Në përmbajtje të këtyre dokumenteve është e theksuar qartë se këto toka nuk janë për misër e grurë, por ato marrin një vlerë të re si zonë turistike. U bënë vite që vendi ynë monitorohet nga Këshilli Europës. Ky institucion si dhe disa nga ambasadat më të rëndësishme të Europës (Angli, Gjermani, Danimarkë, etj.) dhe të SHBA-ve, që kanë theksuar qartësisht se, pranimi në bisedimet për anëtarësimin në BE, nuk mund të bëhet pa plotësuar 12 kushtet nga të cilat njëri është ai i rregullimit përfundimtar i problemeve të pronësisë sipas Kushtetutës. Pavarësisht se në fushatën e fundit elektorale krahu i majtë nuk e përmendi asnjëherë kthimin e pronave sipas Kushtetutës, në Konventën e Shkodrës (PS-LSI) u vu theksi në domosdoshmërinë e kthimit të pronës tek pronarët e vjetër (jo ish-pronarë),që iu është mohuar kjo e drejtë për mbi dy dekada. Në fjalimet elektorale të të dy krahëve është premtuar publikisht se fermerëve do t’iu legalizohet dhe hipotekohet toka bujqësore. Këtë premtim, shteti mund dhe duhet ta mbajë vetëm për atë pjesë të tokës që në vitin 1945 nuk ka qenë në pronësi private, por është fituar nga tharja e kënetave. Të gjithë tokat që kanë pasur pronarë, siç u përmend në fillim të këtij shkrimi, do t’iu kthehen pronarëve të ligjshëm me hir a me pahir. Ata (pronarët) kanë vetëm një detyrë, të sanksionojnë me vendime gjyqësore saktësinë e pronave të trashëguara.

Është fakt, që në këtë kaos ligjor mbi pronësinë patjetër që ka mbivendosje të shumta, pronari i ligjshëm (i vjetër) dhe pronari i ri (përfituesi nga ligji 7501). Për zonën turistike, pritet së shpejti që, Kuvendi i ri të miratojë amendimin e ligjit për tokat bujqësore në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit. Ky ligj do të kthejë tokën tek pronari i ligjshëm, i cili ka çdo të drejtë mbi të.

Shoqata Dukati për 20 vjet rresht, me të gjitha format ligjore ka sensibilizuar të drejtën e njohjes dhe kthimit të pronës. Natyrisht, brenda komunitetit janë edhe qindra familje, të cilat nuk kanë pasur ose kanë pasur pak tokë dhe mund të dëshirojnë tokën e përfituar nga ligji 7501, që i përket bashkëfshatarëve të tyre me banim në qytet. Ata edhe mund të protestojnë, por tokën e tjetrit s’kanë për ta gëzuar, ajo do t’i kthehet të zotit shumë shpejt. Do të ishte e ndershme dhe morale që ky kalim (i pronës tek i zoti) të bëhej me mirëkuptim. Krahina e Dukatit, historikisht nuk ka pasur “cuba” për të zaptuar pronën e tjetrit, sepse ato mbroheshin me jetë.

Ne kurrsesi nuk duam konflikte. Përkundrazi, kërkojmë me ngulm rregullimin ligjor sipas Kushtetutës dhe mbështetjen e Pushtetit Vendor që ky proces të realizohet sikurse është vepruar në të gjithë zonën veriore dhe lindore të vendit përfshirë edhe Tiranen, apo edhe siç po veprohet në të gjithë fshatrat e bregdetit që nga Palasa deri në Ksamil. Prona nuk fitohet as me mitingje dhe as me mashtrime dhe as me ligje që Kushtetuta i ka hedhur poshtë me kohë, por që mbahen në fuqi me forcë nga segmente të inkriminuar të pushtetit postkomunist. Pushteti vendor në Orikum, ka në dispozicion një hapësire të quajtur Vallto. Në të kaluarën, kjo hapësirë ishte e pyllëzuar dhe ishte pronë e dukatasve dhe shërbente për të gjitha familjet dukatase për të nxjerrë material ndërtimi, si trarë, kashtë, etj. Fshati këtë pronë e ruante me “bekshi” dhe askush nuk guxonte për të prerë abuzivisht lëndë. Pushteti Vendor ka për detyrë ta ruaj këtë hapësirë nga kthimi përsëri në xhungël. Kjo sipërfaqe prej rreth 450 ha në Vallto është një pasuri që duhet ta posedojë Pushteti Vendor për të realizuar kompensimin fizik të pronave në Dukat të zëna nga objektet publike, ose edhe për të trajtuar me tokë gjithë ata që nuk kanë trashëguar tokë nga të parët e tyre. Ne insistojmë për kthimin e tokës pronarit që e ka trashëguar dhe njëherësh i bëjmë thirrje shtetit që të zgjidhë këtë katrahurë sa nuk është vonë, në të kundërt pasojat do jenë të paparashikuara. Këto toka i përkasin vetëm atyre që përcakton kushtetuta çdo zgjidhje tjetër është anti kushtetuese. Shteti mund të rrijë e të bëjë sehir këtë përballje fizike dhe mbivendosje pronësie. Nga të dhënat e institucioneve përkatëse, mbi 6000 persona janë vrarë për probleme pronësie këto 20 vjet, rreth 60% të proceseve gjyqësore bëhen për probleme pronësie dhe siç lexojmë në gazetën “Telegraf” të dt. 05.07.2013 artikullin “Në Orikum vepron ligji i xhunglës” të tilla protesta janë bërë, bëhen, dhe për fat të keq, do të vazhdojnë të bëhen për sa kohë që në shumë institucione e persona VIP sundon mendësia e sistemit komunist, e kushtetutës së vitit 1976, të cilët do të na mbajnë me sa duket, edhe për shumë vite të tjera larg Europës, e cila nuk të qas në derë po nuk u solle si europian, duke zbatuar ato standarde që ajo i ka të shenjta.

Degët e shoqatës Dukat në Tiranë e Durrës