Prof. Rexhep Meidani/ Pastrimi fillon brenda shtëpisë!

689
A mund të gënjehen më qytetarët? Këto ditë, i ndodhur disa ditë larg Tiranës, pata mundësi që të takoja mjaft njerëz në zona me problematikë serioze ekonomike. Në këto takime e biseda, e ndjeva qartë pakënaqësinë, sidomos atë të lidhur me varfërinë dhe papunësinë, me rënien e standardit të jetesës dhe uljen e nivelit të konsumit, me paaftësinë e dukshme apo arrogancën mediokër në drejtim, me emërimet me gjoja konkurs ose “pompë konkursi”, por me rrënjë nepotike e partiake, diku dhe kleptokratike (!); me ecurinë e vagët në investime si ato në infrastrukturën rrugore (shembulli tipik, segmentet e lëna përgjysmë në autostradën Tiranë-Elbasan), me cilësinë e ilaçeve të pakontrolluara apo me data të ndryshuara skadimi, nga e cila po vuajnë mjaft të sëmurë, etj. Pikërisht këtë pakënaqësi shpreh dhe sondazhi i “Mjaft”. Sipas tij, gjysma e qytetarëve e vlerësojnë të përkeqësuar situatën ekonomike; ndërsa vetëm 13% e tyre mendojnë se gjendja është më e mirë dhe pjesa tjetër mendojnë se gjendja ekonomike ka mbetur e njëjtë; d.m.th., me fjalë të tjera, afro 87% flasin për përkeqësim ose stanjacion.
Nga vjen ky guxim në abuzimin publik?!
Nga ana tjetër, ekspozimi publik i mjaft aferave të abuzimit e korrupsionit në qeverisje e administratë vazhdon të shihet diku si guxim i mbrojtur i të abuzuesve, diku dhe me indiferencë, diku me përçmim. Ama, urrejtja bëhet evidente kur flitet për favore të familjarëve të funksionarëve të lartë të shtetit, për përftime projektesh me mjaft para apo për emërime në detyra të kësaj natyre, për tenderime në favor të kompanive, që ishin fillimisht pronë e politikanëve në qeverisje, për familjarë të thirrur nga jashtë që të ndërthuren me biznese të reja të huaja (qofshin ato krejtësisht të pa specializuar apo me bazë financiare të pajustifikuar), me miq e familjarë, që përftojnë të gjitha paratë e destinuara në projekte për shoqërinë civile, etj. Aspak normale, deri e paturpshme konsiderohet çdo mbrojtje në foltoren e kuvendit për veten e familjarët, qoftë dhe me formimit me gishta të shenjës së zeros! Po si shpjegohet ky guxim? Veçse me mbrojtje të fortë politike!…
Dekriminalizimi është pastrimi i vërtetë.
Ndërkohë që ky ishte perceptimi masiv, propaganda qeveritare e ka rritur intensitetin e vet. Gati-gati për t’i ngjarë asaj “medaljes ndërkombëtare” për ushqimin! Praktikisht, me tezën e “pastrimit” ka filluar fushata elektorale e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, të parakohshme ose në kohën e vet. Të parakohshme në se vendoset ose synohet që të realizohet dekriminalizimi i plotë i përfaqësimit politik në nivelin parlamentar, dhe më tej ai brenda partive politike, për t’u pasqyruar më tej edhe në nivelin vendor. 
Ndërkohë që flitet për “pastrim” dhe për suksese “madhore” në qeverisje, efektiviteti i saj mbetet mjaft problematik. Këtë dëshmuan dhe përmbytjet e fundit në fushën e pastrimit! Pra, ka ministri që flenë gjumë, ndërsa disa të tjera kanë rezultate, shumë shpesh, ose minimale, ose mediokër. Me to, pavarësisht “kokëfortësisë këmbëngulëse”, vazhdimi duket praktikisht i pakuptimtë. Për të ndryshuar, qoftë dhe diçka, vlen një këshillë e vyer e Çërçillit, sipas të cilës: “ti duhet të shohësh faktet, sepse ato të shohin ty”.
Pseudo-skanimi nuk është “pastrim”!
Nuk mungojnë shembujt që flasin për pseudo-skanime e jo “pastrime”; në ndonjë rast edhe për mbyllje sysh me dashje nga ajo, që ngjet brenda e rreth nesh, diku për gjumë e moskuptim, diku për paaftësi e mungesë energjie, diku dhe për interesa. P.sh., sipas biznesit përkatës, çmimi i naftës apo benzinës në Shqipëri, ka çuar në blerje të saj në zonat kufitare, vendet fqinje, duke goditur këtë biznes brenda vendit dhe favorizuar atë jashtë kufijve të tij. Nga ana tjetër, absurditeti arrin deri aty sa të paguhet, në mjaft raste, dy herë skanimi nga biznesi, ndërkohë që ky nga ky “skanim” kanë “shpëtuar” tone drogë duke kaluar lehtësisht kufirin; një rast ky i shëmtuar për ta ndërprerë dhe kontratën e skanimit!…
Pikërisht, kjo sjellje apo interferencë e tillë e bën pastrimin apo luftën kundër informalitetit relativisht të zbehtë. Këtë e zbulojnë dhe shifrat e buxhetit 2016 mbi të ardhurat shtesë si efekt i luftës ndaj informalitetit, që parashikohen afro 6 herë më të vogla sesa përllogaritjet e deklaruara në fillim të aksionit, në gusht 2015. Nga pritshmëria prej 430 milionë dollarë kjo luftë kundër informalitetit, sipas relacionit të projektbuxhetit, pritet të gjenerojë vetëm 70-72 milionë dollarë!…
Midis jo normales dhe zeros!
Por, le të kthehemi tek një histori humori, që ka filluar të qarkullojë edhe në Shqipëri. Sipas saj, një nga ministrat e kabinetit, të sulmuar dhe akuzuar publikisht, pas mjaft dështimesh, në vend të dorëheqjes, u këshillua të shkonte për vizitë tek doktori dhe të bënte një skanim të trurit, duke dyshuar për depresion. Pas skanimit, doktori, duke lexuar pamjet e përftuara, i tha ministrit: “z. ministër, kam dy lajme të hidhura për ju; së pari, sipas skanimit, unë shoh se truri i juaj ka dy anë, anën e majtë dhe anën e djathtë”. Ministri, i çuditur nga ky pohim, menjëherë e ndërpreu doktorin: “A nuk është kjo normale, doktor? Unë gjithmonë kam menduar se çdo tru ka dy anë!”…
“Pa dyshim”,- u përgjigj doktori- “Por, truri i juaj është krejt i pazakontë, sepse, në anën e majtë, unë nuk gjej asgjë normale, aty nuk ka asgjë të rregullt. Ndërsa, në anën e djathtë, nuk shoh asgjë, nuk ka pasur apo, ndoshta, nuk ka mbetur më asgjë”…
Ish- Presidenti i Republikës
Sigal