Prof. Zamira Çavo: Na lodhët!

537
Ia arritët qëllimit: Na lodhët! 25 vjet që bëni sikur po vriteni me njëri tjetrin, 25 vjet që e mashtruat popullin dhe bëtë si iu desh qejfi me të! 25 vjet që na vodhët të ardhmen dhe na rropët lëkurën! 25 vjet që po na lini pa atdhe! 25 vjet që na detyruat të mendojmë si të ikim nga vendi ku kemi varret e të parëve! 25 vjet që na ngritë buzëqeshjen që ju të qeshnit me ne! Dhe sot kërkoni të na bëni dhe idiotë! Mirë e keni! Sot na shtyni të dëgjojmë se si i bëni presion njëri tjetrit. Sot po na mbushni mendjen se jeni të ndershëm, se po përpiqeni për drejtësinë, se e doni Vettingun. Sot po na detyroni të merremi me zënkat tuaja më shumë se me hallet tona! Bravo, ju qoftë! Por mos harroni: Nuk jemi idiotë dhe pse shpesh jemi treguar të tillë. Ndoshta duhet ajo pika e fundit që të derdhet gota e mbushur plot! Po si ka mundësi, që bëtë si bëtë dhe i zhvlerësuat institucionet e shtetit? Kush do të besojë më në institucionin e Presidentit? Ia dolët ta shndërronit në gaztor këtë institucion. Po parlamentin kush e beson? Po si ka mundësi që Kryetari i Kuvendit i kërkon Presidentit të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të arrestuar një person, i cili është përfolur për lidhjet e tij me krye parlamentarin? Kujt doni t’ia shisni si ndershmëri këtë paçavure të rëndomtë të presioneve personale? Po si ka mundësi që kryeministri rri dhe hesht kur ministrat e kabinetit të tij, i dalin jo vetëm kundër, por edhe e akuzojnë vetëm, sepse janë ministra të një partie tjetër? Jo me falni harrova, kryeministri cicëron ose facbukon me orë të tëra për magjitë e Rilindjes . Pastaj bëni sikur iu dhemb shpirti për fatet e vendit. 
Nxirrni lakenjtë tuaj të llomotisin e t’ua bëjnë mendjen çorbë njerëzve. Madje bëjnë seriozin para kamerave dhe jashtë tyre na nxjerrin gjuhën. Dhe e dini kush është më e bukura? Kujtoni se ne nuk i njohim lakenjtë tuaj, ashtu si ju njohim ju. Kujtoni se ne harrojmë bëmat e tyre dhe tuajat. Kujtoni se nuk i njohim Sekretarët, anëtarët e kryesive tuaja, zëvendësit dhe zëdhënësit tuaj!? Këtu gaboni ju! I njohim shumë mirë, por kemi heshtur dhe pritur që të vijë momenti i duhur.
Po si e katandisët këtë vend, në një vend ku ligjin nuk e bën vetëm i forti, por e bën maskarai, ai që bën të ndershmin e ai që të vret e të zhduk duke të rrahur shpatullat?! Arritët të bëni një shtet që t’u shërbejë vetëm juve dhe një popull që ju pasuroi deri në brezin e shtatë! Bravo, ju qoftë! Dhe tani doni të na bëni idiotë! Por nuk jemi idiotë, jo! 
Provoni në këto zgjedhje të dilni pa koalicione. Provoni të dilni vetëm si parti! Dhe do ta shikoni se çfarë meritoni! Madje mirë do ishte që Komisioni Qendror i zgjedhjeve të mos jua lejonte koalicionet parazgjedhore. Provojeni një herë veten dhe pastaj ai që fiton le të bëjë dhe koalicionin. Por Mjaft më me 1 prill-ë, me 21 janar-ë, me Gërdec-ë me… 
Na lodhët! Duhet fare pak që ajo pika të derdhet dhe pastaj… Pastaj fjalën e ka populli!
Sigal