Prof. Zamira Çavo: Ja kujt i shërben harresa kombëtare

543
Nuk e di kujt i ka lindur ideja e ndalimit të shfaqjes së filmave të periudhës totalitare, por për një gjë jam e sigurt; Ky njeri ose këta njerëz kanë frikë nga vetja e tyre në rastin më të keq dhe në rastin më të mirë përpiqen të tërheqin vëmendjen e opinionit nga situata aktuale duke i shërbyer kështu në një mënyrë banale, padronëve të tyre! 

Filmat e periudhës totalitare mund të mos kenë sharmin e filmave të sotëm të kinematografisë botërore, por ato bartin në vetvete një histori, një plejadë aktorësh brilant, një moral që edhe pse i politizuar i reziston kohës, pasi përçon vlera dhe jo antivlera! Ato filma, në bardhezi-në e tyre, janë pjesë e jona që nuk nxit përçarje, që përpiqet të edukojë një moral dhe një dashuri, të cilën e kemi harruar! Në fund të fundit ato filma janë fondi ynë i artë i kulturës… të tjerë nuk kemi më fatkeqësisht!

Ndaj ndjehem e revoltuar në këtë hap tjetër që po hidhet në shkatërrimin e çdo gjëje tonën! Kujt i shërben të flasësh sot sërish për komunizmin kur ka mbi një çerek shekulli që e kemi lënë pas dhe situatat që po kalojmë shpesh janë edhe më të këqija se ajo kohë? Kujt i shërben harresa jonë kombëtare? 

Miq, një filozofi e shprehur në “modernizmin liberal” nga ka përçarë, na ka shtyrë në armiqësi mes nesh, na ka ndarë duke na etiketuar; liberalë apo komunistë, socialistë apo demokratë, malokë apo qytetarë, verior apo jugor… dhe ne kemi rënë pre e kësaj filozofie nga e cila kanë përfituar vetëm batakçinjtë, ata që në vend të dashurisë kanë mbjellë urrejtjen mes nesh. Ndaj jam e revoltuar me këtë ide që i shtohet zullumit të antishqiptarizmës sonë!

Kinematografia shqiptare mbart një histori, një plejadë aktorësh brilant dhe përçonte vlerat e moralit, bashkimit dhe kulturës .
Sigal