Prof. Zamira Çavo: Dy fjalë për z. Basha

586
E kuptoj dëshirën tuaj për të folur çdo ditë. Në fund të fundit është e vetmja gjë që po bëni. Por nuk kuptoj se si çdo ditë përsëritni të njëjtat fraza dhe bëni të njëjtin gabim në diskursin tuaj; recitoni të njëjtat fjalë edhe pse e kanë humbur përmbajtjen e tyre me kohë. Sigurisht si çiklistët edhe ju e dini se, nëse nuk pedaloni vazhdimisht mund të rrëzoheni, por ama duhet të mendoni edhe pak më shumë për inteligjencën e atyre që u dëgjojnë. “Ka ardhur fundi i qeverisë së krimit dhe korrupsionit,” “sot është fundi i tyre” e të tjera gjepura si këto që kemi pesë vite që i dëgjojmë nga goja tuaj! Z Basha, si nuk gjetët asnjëherë një argument që të bëheni i besueshëm në publik? Si nuk gjeni një ide politike që t’ju bëjë bashkë si opozitë në betejën tuaj politike? Vërtet mendoni se me shfaqje dramatike-komike do bëni opozitë? Mirë që nuk keni një vizion të qartë politik, por të paktën një lider duhet të ketë busullën e tij të orientimit politik! Juve ju mungojnë të dyja. E dini pse? Sepse gjuha juaj politike është tejet e varfër, sepse argumentet tuaja politike janë të vaktë (edhe kur mezi gjenden), sepse impostimi tuaj publik është gati komik, sepse ju nuk po dini të ngrini një ekip ku serioziteti dhe jo sharjet e mallkimet të zënë vendin kryesor! 

Z. Basha, Shqipëria ka nevojë për një Opozitë reale, të fortë e me vizion. Ju nuk mund ta drejtoni këtë Opozitë. Janë të mjaftueshëm vitet për ta vërtetuar këtë! Me ju dhe opozitën tuaj, Rama dhe qeverisja e tij e kanë jetën të gjatë në kurrizin e shqiptarëve. Dhe mos më thoni se “përse merrem me ju dhe jo me Ramën”. Merrem me ju dhe ua kërkoj publikisht dorëheqjen nga drejtimi i Opozitës politike, pasi jam e bindur se ka ardhur koha e “dhënies llogari”. Ju as nuk mund të kërkoni llogari, por as nuk dini ta bëni këtë.
Sigal