Prof. Tritan Kalo: Udha e gjatë për Demokraci

269
31 Mars 1991 – 18 Qershor 2017…Në harkun kohor midis këtyre dë datave qëndron një ëndërz e përjetuar por jo e realizuar në udhën e gjatë për Demokraci….Janë të gdhendura përjetësisht në kujtesën time këto dy data, 1- sepse më 31 Mars 1991, në avjonin e linjës Paris-Bari-Tiranë të “Air France” isha i vetmi pasagjer në segmentin e dytë të kësaj linje, që po bëja një udhëtim të pa planifikuar sepse atë ditë për herë të parë votohej PLURALIZMI dhe i hapej udha Shqipërisë për DEMOKRATIZMIN e jetës së vendit, pas një marazme 45 vjeçare diktatoriale, dhe 2-sepse më 18 Qershor 2017, është e para herë në këto 26 vite zhagitjesh “demon-kratike”, që nuk e kam yshtjen e “shkundjes” së votës time për asnjë nga forcat politike konkuruese në Zgjedhjet Parlamentare të radhës, jo për solidaritet me mungesën e “çadristëve”, të cilët nuk dinë saktësisht se çfarë kërkojnë dhe që përpiqen me elementë politikisht të konsumuar të prodhojnë një “Politikë=Republikë të Re”, por sepse nuk mundem të bëhem më “bashkëfajtor” i një sistemi politik pseudodemokratik jo të vlertë për principet e standartet e mija për Demokracinë dhe Barazinë sociale…..Kanë rrjedhur shumë ujra nga ajo ditë, nga 31 Marsi i 1991-it, kohë e mbushur me shumë ngjarje si për vendin njëkohësisht edhe për jetën time familjare, profesionale e shoqërore….Kam përjetuar shumë momente të gëzuara, por edhe jo pak zhgënjime sidomos nga individë, të cilët i mendoja të ishin jo ata që dolën, pas heqjes së maskave të hipokrizë të cilën ato mbanin për konformizëm para 31 Marsit 1991…Kjo periudhë më mundësoj të njoh vërtetë me kë rrethohesha në mjedisin tim profesional, politik dhe atë shoqëror. Ndërkohë bindesha dita-ditës se mbetej e plotvlertë thënia e Rilinasve tanë e pas 28 Nëntorit 1912-ës, se: “Shqipërinë e bëmë, tani le të bëjmë Shqiptarët!” Kanë kaluar afër 105 vite nga ai Nëntor i largët, por ne ende nuk u bëmë sikundër duhej të ishim bërë për këtë tokë të begatë, për këtë bukuri hyjnore që na është dhuruar nga Perëndija!!!….IDEALIZMA gjithmonë më ka yshtur në udhën e trasuar nga J. Kennedy: “Miq të mi amerikanë, mos pyesni çfarë mund të bëj vendi juaj për ju, pyesni ju çfarë mund të bëni për vendin tuaj”, dhe kam menduar e vepruar vetëm që ti jap më të mirën time këtij vëndi, kësaj shoqërie, profesionit tim të bekuar të mjekut dhe mbi të gjitha familjes, thelbit të ekzistencës sime dje, sot dhe nesër…Kurdoherë kam qënë, jam dhe do të mbetem sikundër është shprehur J. Kennedy: “Një idealist pa iluzione”…Ndër këto vite pak kam kërkuar dhe shumë pak kam marë prej këtij kontributi, POR në asnjë moment nuk jam penduar se kam ecur në këtë udhë plot mundime, plot përpjekje, plot privacione sepse në fund të fundit sikundër thuhet në një këngë të këngëtares sime të preferuar Celine Dion: “Les derniers sont les premiêres dans nôtre realité, Nous serons princes de l’éternité!” (Të fundit janë të parët në realitetin tonë, ne do të jemi princër të përjetësisë!)…Në 61 vitet e jetës që bart mbi shpinë kurdoherë kam patur si Yll Polar maksimën Latine se: “Homen est nomen.” (Njeriu është emër), sepse pas nesh mbetet vetëm emri, kujtimi ynë, gjurmët e lëna në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe unë dua që tre vajzat e mija të ndihen kurdoherë krenar për babanë e tyre, sikundër unë ndihem çdo sekondë krenar për të dy prindërit e mi….Ajo çfarë kam urryer përherë në jetë është KONFORMIZMI, sepse “Konformiteti është burgosësi i lirisë dhe armiku i rritjes.” (J. Kennedy). Një qëndrim i tillë nuk të bën të mbrothësosh materialisht, nuk të lejon të ngjitësh shkallët e merituara të karrierës profesionale dhe shoqërore, sepse ti nuk u “fshin këpucët” apo u bën “elozhe/furçe” atyre që ke mbi krye në shumicë me koefiçent inteligjence nën mesataren, sikndër bëjnë shumë nga kolegët e mi apo pseudointelektualët tanë, POR një qëndrim i tillë të lartëson në sytë e popullit dhe të përjetëson në kujtesën historike të tij…Mëngjesin e 18 Qershorit 2017 me siguri do të jem duke gjerbuar kafenë buzë Liqenit Artificial, mëndjekthjellët por shpirtërisht i vrarë, megjithatë plotësisht i bindur për atë që kam vendosur të bëj, duke përsëritur në mëndje disa vargje nga poema e Theofan Stilian Nolit “Anës lumenjve”:

“….ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
…Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.”

NDOSHTA” grigja” e jonë së shpejti do ta rigjejë udhën e humbur për ardhmërinë e saj, drejt një PLURALIZMI të ri, atij të vërtetë dhe jo të këtij “pseudopluralizmi demon-kratik” që po jetojmë këto 26 vite, të projektuar e dirigjuar nga Ramiz Alia dhe PPSH-ja si dhe të jetësuar nga “mercenarët” e tij, drejt një SISTEMI DEMOKRATIK të drejtuar prej forcave politike dhe elementëve të pa ndotur në këto 26 vjet zhagitjesh “Demon-kratike”. Do ta rigjejë udhën që në foltoren e Parlamentit të jenë bijat e bijtë e saj më të lëçitur, më të iluminuar, më punë dhe atdhedashës, e jo aradha “yeswomen” apo “yesmen” të rreshtuar në ato lista nga dora e “Padrinove” të Partive të sotme politike. Do ta rigjejë udhën për një Shqipëri të shanseve të barabarta për të gjithë, dhe jo të një Shqipëri me hendeqe kaq të thella sociale, ku “ish brekëgrisurit” e djeshëm “të pa bukë i zuri dita, milioner i gjeti nata”, ku injorantët e shumtë “të betonuar” me diploma e tituj shkencorë të pavlerta, na rrinë mbi krye e na shesin moral dhe na japin direktiva. Do ta rigjejë udhën për një Shqipëri ku çdo krim do të ketë më së fundmi ndëshkim. Do ta rigjejë udhën për një Shqipëri ndryshe nga kjo e sotmja, ku hymë në proçeset e Demokratizimit të vendit dhe ende pas 26 vjetësh NE mbetëm po ish-pronarë. Do ta rigjejë udhën për një Shqipëri ku RINIA tia besojë ecurinë në jetë studimit dhe punës, e jo “shkuma-party”, servilizmit apo kurrizpërklujes para “Padronëve partiakë”, që ajo të mos e shohë udhën e kurbetit si të vetmen mundësi punësimi e prosperimi. Do ta rigjejë udhën për një Shqipëri ku të mos vlerësohet si i suksesshëm i korruptuari, hajduti, krimineli, tenderisti, konçensionisti, drogaxhiu, i paftyri, sahanlëpirësi dhe i pabesi. DHE mbi të gjitha do ta rigjejë udhën për një Shqipëri ku bashkëkombasit e mi të pastrojnë një herë e mirë trurin nga “hashashi” biologjik dhe ai politik, duke menduar, punuar dhe vepruar si qytetarë të denjë për të begatuar e lartësuar Kryezonjën e Ballkanit, Nënë Loken SHQIPËRI!!!….Duan apo nuk duan ATA që e shpërfytyruan politikisht-ekonomikisht-shoqërisht këtë vënd në 26 vitet e fundit “Ndryshimi është ligji i jetës. Dhe ata që shikojnë vetëm të shkuarën ose të tashmen, është e sigurtë se e humbasin të ardhmen.”(J. Kennedy)….. Quo vadis Shqipëria ime!!!