Prof. Tritan Kalo: Triumvirati “Jakobin” i Tiranës

714
Përse na duhet të bëjmë zgjedhje parlamentare? Përse na duhet të mbajmë me taksat tona një Parlament me 140 deputetë, sekretarë, asistentë, nëpunës të ndryshëm, roje, shoferë, korrierë, etj.? Përse duhet të paguajmë një Administratë Shtetërore e cila emërohet dhe shkarkohet sipas oreksit të drejtuesve apo bashkëdrejtuesve të Mazhorancave Qeverisëse? Përse na duhet një President i zhveshur nga kompetencat? Përse na duhen Gjykatat dhe Prokuroria, kur janë drejtuesit e këtij triumvirati të cilët përcaktojnë si fajtorët po ashtu edhe të pandëshkueshmit prej tyre? Përse na duhen gjithë ato Parti Politike ku parazitojnë dhjetëra e dhjetëra drejtues e administrues të tyre? Përse na duhet Reforma në Drejtësi, “Veting”, Dekriminalizimi i Parlamentit etj, etj….Në fund të fundit përse na duhet vetë Qeveria dhe e gjithë ajo lukuni nëpunësish që ushqehen e pasurohen në piramidën e saj?… mjafton që ata, ata të tre RAMA-META-BASHA (“Triumvirati i Tiranës”) të mblidhen, të diskutojnë, të merren vesh dhe të vendosin për gjithçka. Ata mjaft pak shqetësohen nëse ne kemi apo jo “besim në ta” apo “teknikisht jemi të bindur” për mirë vullnetin e tyre politik. ata pak brengosen për mirëqenien tonë, përderisa vetë nuk mbajnë mend se sa pasuri të tundshme apo të patundshme kanë …Me këtë rast ata na bënë të rikujtojmë Klubin e Famshëm të Jakobinëve në Paris të 1789, si dhe tre më të famshmit e saj: Robespier, Marat e Danton…”TRE Jakobinët” tanë le të vendosin vetë se cilin prej tyre ATA do të përfaqësojnë, “të pa korruptuarin, republikanin apo tiranin”, si dhe të na i kursejnë nervat e financat tona, boll të traumatizuara këto 26 vite zhgaravitjesh pa fund “Demon-kratike”…Mahi apo hajgare prej jush kemi shumë kohë që dëgjojmë… Rroftë “Revolucioni i çadërzuar!!!”…Rroftë “Republika e Re” e drejtuar nga Triumvirati ynë!!!…Rroftë bataku, këneta, zhuli e llumi ynë politiko-socialo-ekonomik!!!…Flini o Shqiptarë të hashashizuar, apo tejskajshmërisht të militantizuar…Quo vadis Shqipëria ime?!
Sigal