Prof. Tritan Kalo: “Republika e Re” e bazuar mbi një retorikë të vjetër……

738
Klimën socio-politike të një vendi e oksigjenon, e shëndosh dhe i hap perspektivë një debat i hapur idesh e veprimesh konkrete midis Opozitës dhe Mazhorancës, dje, sot dhe nesër….Prej më se tre javësh në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, opozita e sotme po ashtu sikundër edhe opozita e djeshme, ka ngritur një “çadër fushimi” së cilës i kanë vënë emrin “Çadra e Lirisë”, “në shenjë pakënaqësie ndaj politikave të Mazhorancës së sotme dhe kërkesës për mbajtje te zgjedhjeve të drejta dhe te ndershme….Nuk besoj se në të janë strehuar ATA që bënë katrahurën e zgjedhjeve të Majit 1996…Emërtimi “Çadra e Lirisë” më ka sjellë ndërmend këto kohë një frazë të famshme të aktorit Beb Shiroka në filmin “Çifti i lumtur”: “Mos e ndrydhni Rininë si pula nën kosh!”, që në rastin konkret mundet mjaft mirë të perifrazohet si: “Mos e ndrydhni Lirinë si dhe Ardhmërinë e vendit nën çadër!”…Çadra është nocion i së përkohshmes dhe jo i qëndrueshmërisë, ajo është simbolizuese e individëve eremitë, fiseve nomade, njerëzve në nevojë pas fatkeqësive natyrore ose gjatë krizave humanitare apo edhe për strehimin e ushtrive si një emergjencë jetese, POR ajo kurrë nuk personifikon një dëshirë strehimi permanent, një nocion ndërtimi të së ardhmes aty ku ajo vendoset. Të simbolizosh LIRINË me një ÇADËR, është pak të thuhet që është i paarrirë si mendim, si krahasim, si simbol me vetë këtë Liri. Liria e ka thelbin e qëndrueshmërisë në freskinë, gjallërinë, optimizmin dhe vijueshmërinë që ajo i jep dëshirave dhe përpjekjeve për ndërtimin e një Shoqërie plotësisht Demokratike, ndaj ajo për asnjë çast nuk mundet të angështohet, të ndrydhet apo të asfiksohet në brendinë e një çadre, sado e madhe qoftë ajo….Me një ritual disi të bezdisshëm, kreu i opozitës apo edhe të ftuar prej tij në atë çadër dalin e flasin gjëra të shumë dëgjuara prej 26 vitesh në këtë “Republikë të Vjetër”, në të cilën shumica e tyre kanë qenë aktorë aktivë të skenës së saj politike. Për ASNJË moment të vetëm nuk kam dëgjuar prej gojës së tyre një reflektim, një “mea culpa” për ndodhitë e shumta aspak pozitive ne ngecjen tonë të pas 31 Marsit 1991, në udhëkryqin e tranzicionit të Demokratizimit të një Shoqërie post-diktatoriale. Kanë ndodhur shumë dukuri negative në këto 26 vjet: 1/3 e popullatës ka marrë udhët e dhimbshme të Emigracionit, mbi 5000 objekte ekonomike dhe industriale u rrënuan, u shkatërruan me qindra shkolla, çerdhe, qendra shëndetësore apo spitale, me mijëra kilometra kanale ujitëse dhe kulluese si dhe dhjetëra ujëmbledhës u fshinë nga harta, pasuritë publike u përvetësuan nga një përqindje e vogël e popullatës deri dje “ish brekëgrisur” si të gjithë ne, thesari i Shtetit Shqiptar u vodh për herë të dytë në historinë e tij 100 vjeçare, vendi u dogj jo pak por dy herë më 1991 dhe më 1997, kursimet e shqiptarëve u “aspiruan” nga skemat mashtruese piramidale, mijëra nëna u mbuluan me të zeza dhe mijëra fëmijë mbetën jetimë, pati 26 të vdekur e rrënime të shumta në Gërdec, 4 të vrarë në mes te ditës dhe në mes të Tiranës më 21 Janar, zgjedhjet te ne vidhen e manipulohen rregullisht, udhët ndërtohen me kosto marramendëse, etj, etj….Në 13 vite të drejtimit të vendit dhe në 13 vite të qëndrimit në opozitë, a nuk ndjetë ju të strehuarit e “Çadrës së Lirisë” ndopak përgjegjësi për bëmat e mësipërme??? Mirë përgjegjësi për të kaluarën nuk keni, po së paku një vizion të qartë, inspirues e mobilizues për të ARDHMEN e votuesve tuaj dhe të gjithë Shqipërisë a nuk keni vallë? Flitet për “Republikë të Re”, punë e tyre se si e emërtojnë të ardhmen tonë, por unë si qytetar jo symbyllur e mëndje shpëlarë i këtij vendi dua të di, se mbi çfarë themelesh dhe, se cilët do të jenë ndërtuesit e kësaj ardhmërie?

1- Në “Çadrën e Lirisë” shfaqen, fjalosen e bërtasin po ATA individë të “Republikës së Vjetër”, përgjegjës për problematikën e shumtë të “Demon-kratizimit” te vendit në këto 26 vite. Këtyre personave do t’u besohet përsëri infrastruktura drejtuese e të katër “Pusht-shteteve”: Legjislativit, Ekzekutivit, Gjyqësorit dhe atij Lokal në “Republikën e Re”?

2- Një pjesë e madhe e këtyre individëve “brekëgrisur i gjeti dita dhe milionerë i zuri nata”. Ndodhitë e bëmave të tyre korruptive duhen ditë, muaj, në mos vite, për t’u treguar. Janë po këta individë “që lajnë duart e ndërgjegjes” në atë çadër, ata, të cilët do të na frymëzojnë përsëri NE për ta shkundur në favor të tyre votën më 18 Qershor 2017?

3- Një pjesë jo e vogël e fjalim-mbajtësve në “Çadrën e Lirisë” i kanë ngritur me duart e tyre flamujt e shumicës së Partive apo të Koalicioneve politike dhe ndoshta ndër xhepa e tyre kanë disa tesera partish, duke filluar më së pari nga ajo e PPSH-së. A mundet NE t’u besojmë përsëri këtyre karakteri-opatëve dhe besëprerëve politikë?

4- A ka ndonjë program politiko-ekonomik të detajuar ky ekip, që do të marrë përsipër ngritjen dhe funksionimin e “Republikës së Re”? 

a- Çfarë do të bëhet për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen madhore të PRONAVE? b- Si do të reformohen me themel Aftësitë mbrojtëse të vendit si dhe Siguria jonë e brendshme? Si do ta Reformojmë me themel Sistemin tonë të superkalbur dhe superkorruptuar të Drejtësisë, meqenëse nuk jemi për “Wetting-un” si dhe për funksionimin e “OMN-së”, Dhe në fund të fundit, a do të ketë ndonjëherë një Sistem të Drejtësisë që do të japë Drejtësi në këtë vend? Si do të përmirësohet cilësia e mësimdhënies në të gjitha nivelet e dije-nxënies apo do t’u rikthehemi Universiteteve kioska, që vetëm cilësi nuk sollën në tregun e dijes e, mbi të gjitha, prodhuan “analfabetë funksionalë” e shpërndanë mbi 11.000 diploma false? Si do të ruhen dhe shtohen më tej pasuritë tona etno-kulturore, të lashta sa vetë njerëzimi? Si do të shfrytëzohen me racionalitet dhe jo barbarisht pasuritë e pafundme tonat nëntokësore si; nafta, kromi, bakri, bitumi etj? Si do të përmirësohet niveli i ofrimit të kujdesit shëndetësor ndaj popullatës me mashtrimin e “Shëndetësisë Falas” apo me kontributin e gjithsecilit prej nesh? Si do të rivendoset besimi i humbur i pacientëve për Sistemin tonë Shëndetësor Publik, dh si rivendosen urat e komunikimit e mirëbesimit pacient-mjek/personel shëndetësor? Si do të shërohet plaga e rekrutimeve bazuar mbi nepotizmin dhe militantizmin në hallkat e Administratës Publike, ku në shumicën e periudhës së pas 31 Marsit 1991, ju vu shqelmi “Meritokracisë” për t’u zëvendësuar me “Shkërdhatokracinë” (D. Agolli)? Si do të seleksionohen përfaqësuesit e popullit në vendin ku flitet me mend (Parla-ment), që të mos detyrohemi të nxjerrim më pas për turpin tonë ligje për “Dekriminalizimin” e tij? Si do tua marrim dhe t’ia kthejmë taksapaguesve tanë pasuritë e përftuara nëpërmjet korrupsionit e vjedhjeve të pasurive publike prej mijëra e mijëra “myteberëve politi-qenër”, të cilët e kanë drejtuar këtë vend këto 26 vitet e fundit? Si do t’i mbyllim problemet e lëna pezull me fqinjët tanë sikundër janë: mosnjohja e Kosovës nga Serbia, plotësimi i të drejtave të Shqiptarëve në Preshevë-Medvegjë e Bujanovc, po për shqetësimet ekzistencialiste të Shqiptarëve në Maqedoni. A është apo jo ende në fuqi Ligji i Luftës me Greqinë, a është kryer gjenocid mbi popullatën Shqiptare të Çamërisë dhe a e kanë ATA të drejtën legjitime të rikthehen në vatrat e tyre amtare etj? Si do t’i jepet përgjigje Çështjes së pazgjidhur të Bashkimit të Kombit Shqiptar në bazë të Aktit të Shpalljes së Mëvetësisë së 28.11.1912. Me retorikën e pakuptimtë e nanuritësh, se Bashkimi Kombëtar do të ndodhë në Bashkimin Evropian, në Bruksel, në Kancelaritë e atyre vendeve që iniciuan dhe krijuan këtë plagë historike Kombëtare të copëtimit të trojeve tona amtare, APO do të jemi ne vetë Shqiptarët që gradualisht do ta korrigjojmë këtë krim të bërë prej tyre ndaj Kombit tonë, po aq të lashtë sa vetë Njerëzimi? Më së fundmi, si dhe sa do të përmirësohet jetesa e Shqiptarëve për të mos e parë më Emigracionin si të vetmen mundësi mbijetese dhe mbrothësimi të tyre?……”REPUBLIKA E RE” nuk është gjë tjetër veçse thjesht një retorikë boshe, një retorikë e vjetër e dalë nga goja a atyre individëve të kompleksuar prej bëmave të së djeshmes. NËSE vërtet synohet të ngrihet një “Republikë e Re”, ajo duhet ngritur jo vetëm duke reflektuar mbi gabimet e së shkuarës prej Drejtuesve të Opozitës së sotme, POR mbi të gjitha edhe duke reflektuar edhe mbi gabimet e Mazhorancës së sotme, të cilat edhe ato nuk janë të pakta si: PPP-të dhe Koncesionet e shumta në fushën e Shëndetësisë Publike, Konsiderimi i importimit të plehrave si importimi i “mbetje të gjelbërta, po aq të vlerta sa gruri, sheqeri dhe kafja”, Vijimi dhe thellimi i tenderëve dhe koncesioneve korruptive sikundër paraardhësit e tyre, “Gjelbërimi” i gjithë vendit me Cannabis sattiva, Mos heqja e frikës për manipulimin e Zgjedhjeve apo shitblerjen e votës…NËSE nuk do të pastrojmë nga udha e jonë e ARDHMËRISË “gjëmbaçët” e hedhur në të prej keqpërdorimit të Pushtetit, nga “Pusht-shtetarët” e djeshëm dhe të sotëm, së paku hapeni Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për qarkullimin normal në të të njerëzve dhe mjeteve!!!…LUFTA POLITIKE zhvillohet e bëhet më e besueshme vetëm e vetëm brenda Institucioneve të ngritura për këtë qëllim, pra brenda në PARLAMENT, dhe jo kurrsesi në rrugë, sepse jemi një Republikë Parlamentare dhe në Parlament duhet diskutuar me mendjen në vendin e duhur, si qytetarë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për të djeshmen, të sotmen dhe ardhmen tonë…Jo më kot disa herë këto ditë në “Çadrën e Lirisë” u theksua se: “Nga Lufta veç ai largohet që është lindur tradhtar”, ndaj dhe “Betejat, luftërat” në Demokraci bëhen jo në rrugë por në Tempullin e saj, në Parlament!!!!
Sigal