Prof. Tritan Kalo/ Bashkëfajësia nuk njeh kufij

572
Një mik i imi, gazetar i njohur dhe mjaft parimor më bëri mbrëmë një pyetje mjaft domethënëse se: “Cili do të jetë politikani i parë që do të ndëshkohet/burgoset nga zbatimi i Reformës në Drejtësi?”…Pa shume drojë ju përgjigja se: “Politikani i parë i cili duhet përfshirë në listën e zbatimit të Reformës në Drejtësi, si politikani më i korruptuar i këtyre 25 viteve tranzicioni, është vetë POPULLI SHQIPTAR.” Me mjaft dhimbje e trishtim njëkohësisht, më duhet te pohoj se POPULLI SHQIPTAR e përqafoj me dëshirë parullën e hedhur jo pa qëllim në fillimet e tranzicionit: “Bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”. Duke rënë pre e këtij mashtrimi perfid ai njëkohësisht u bë me vetëdëshirë “bashkëfajtor” në shkatërrimin thelbësor që pësoj ekonomia, shoqëria dhe politika e “mbarëvajtjes” së këtij vendi. A nuk ishim ne të gjithë që shkatërruam dhjetëra e dhjetëra objekte industrialë në të cilat punësoheshim, dhe mbi të gjitha që ishin ndërtuar me djersën dhe mundin tonë? A nuk ishim ne të gjithë që i vumë sopatën plantacioneve me mollë e agrume, nga të cilat ushqeheshim të gjithë si vepra të ish-diktaturës?

 A nuk ishim ne që miningastruam me mijëra e mijëra hektarë tokë pjellore anë e mbanë vendit, për të kënaqur egon tonë të të pasurit nën pronësi të një ngastre tokë, nga e cila shumica nuk mbajmë dot as veten jo më familjet tona? A nuk ishim ne që rrënuam dhjetëra e dhjetëra vepra ujitëse dhe kulluese, të cilat i shërbenin tokave tona dhe që sot qahemi apo vritemi me njëri tjetrin për ti ujitur a kulluar ato ngastrëza të përftuara nga rrënimi i punës kolektive? A nuk ishim ne që rrënuam jo pak institucione arsimore në të cilat edukoheshin fëmijët tanë, po ku edhe neve vetë na ishin hapur sytë e mendjes? A nuk hymë ne në tokën e tjetrit dhe ndërtuam shtëpi e objekte sikur të ishte tokë pa zot, e sot rropatemi për të legalizuar, pra për të ligjësuar vjedhjen tonë? A e menduam ne ndonjëherë se të yshtur drejt lëvizjes së lirë dhe duke bërë të tonën politikën e “tokës së zanum”, do të zinim nën vete njëkohësisht lirinë tonë për të mos u bërë bashkëfajtorë në këtë shpërfytyrim pronësor? 

“BASHKËFAJËSIA” jonë e provuar jo vetëm nga bëmat e mësipërme por edhe shumë të tjerave ndoshta më të rënda se ato, na bënë të ndihemi kokulur dhe gojëkyçur pra të fitojmë me të drejtë statusin e “BASHKËVUAJTËSIT”, kur për 25 vitë rresht u detyruam të “mbajmë” në kurriz me pak ose me shumë dëshirë këtë klasë “politi-qenësh”, të cilët në ndërkohë me jo pak edhe nga ne “bashkëvuajtësit”, kaluan nga statusi i “ish të brekëgrisurit dhe të pabuksit”, në statusin e pasunarit cipëplasur, te panginjshëm dhe të pandijshëm më për problemet e përditshme, që përjetojnë votuesit e tij. Shumicës prej nesh i është mbyllur goja e të kërkuarit llogari, ndaj këtyre “birbove dhe bëmave të tyre” pikërisht sepse edhe ne u bëmë pjesë e gjirizit, bashkëfajtor të shkatërrimit të vlerave morale, ekonomike, etike, profesionale, kulturore e historike që trashëguam, ose që ne vetë i ngritëm më mund, djersë e sakrifica të disa brezave. Pas “burgosjes”, apo me saktë vetë-ndërgjegjësimit të këtij populli, që ende jeton në një gjendje parademokratike, fillon e krijohet bindja e rritet shpresa se një ditë në këtë vend do të bëhet drejtësi. Nuk mundet në asnjë çast nga një popull i vetëkriminalizuar të lindë një klasë politike e “virgjër” ndaj krimit e korrupsionit. Iluzioni se kjo klasë politike “e ndërtoj e lumtur duke votuar unanimisht në Parlament me 140 vota TREKËMBËSHIN=Reformën në Drejtësi, ku do të varë veten, për bëmat e pafundme në këto 25 vite “zhagitjeje të tranzicionit tonë pseudo-demokratik”, nuk duhet të na vejë aspak në gjumë dhe të shohim ëndrra më sy hapur duke pritur, se ndonjë politikan i yni me dëshirë do të hedhë lakun e këtij litari në qafën e tij…..Batuta e famshme nga filmi “Duel i heshtur” jo me kot ka hyrë në historinë e zhargonit tonë të përditshëm, se: “Ajo puna e Komisarit (“e Reformës në Drejtësi” T.K.) ishte vetëm lojë”….Në ndërkohë duke pritur zbatimin e Reformës në Drejtësi ju uroj pushime të mbara bashkëkombësit e mi, që nuk mundeni të hiqni dorë nga makinat, pushimet jo pak të kushtueshme dhe kafetë e pafundme, DHE njëkohësisht të pranoni të mëkëmbeni dhe nënçmoheni përditë nga ata, që i votoni me zhurmë e të delezuar prej “bashkëfajësisë” suaj, duke mos reaguar aspak ose shumë pak për faktin rrëqethës, se jemi në fund të karvanit të zhvillimeve socio-ekonomiko-politike në Europë dhe jo vetëm, falë kësaj klase politike të korruptuar në çdo qelizë të qenies së tyre!!!!…
Sigal