Prof. Servet Pëllumbi/  Revanshi i injorancës…

619
Sigal

Bota sot ndeshet edhe me variante të tjera të përplasjes së qytetërimeve, që janë jashtë skemave te S. Huntingtonit dhe kanë trajtën e revanshit të injorancës. Madje dhe në vendet me demokraci të zhvilluar. Në çdo hap e në lloj-lloj mjedisesh (jo vetëm në shkolla, universitete, e qarqe akademike) ndeshemi me atë që quhet krizë e “nivelit mesatar” pa te cilin njerëzimi nuk mund të funksionojë normalisht. Polarizimi po thellohet edhe në fushën e formimit dhe të edukimit të njerëzve, sidomos të brezit të ri. Vihet re një tkurrje e dukshme e kulturës, sidomos e asaj humanitare Mjafton të vëzhgosh nivelin e gjuhës që përdoret ne komunikimet përmes rrjeteve sociale dhe internetit! Ankesat janë mbarë botërore Realisht po ndodh një ndarje shqetësuese midis progresit të shpejtë teknologjik, sidomos në fushën e informacionit dhe të komunikimit (fryt i disa mendjeve gjeniale që meritojnë admirim) dhe nevojës që këtij progresi t’i përgjigjet edhe zhvillimi i trurit të njeriut. Duket sikur po shkohet njëanshmërisht vetëm drejt një civilizimi teknogjen. Është fakt empirik, lehtësisht i vëzhgueshëm që përdorimi pa kriter (sidomos nga fëmijët e adoleshentët ende të paformuar) i kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera teknike (smartfonëve etj) që sa vijnë e shtohen, apo i rrjeteve të ndryshme sociale, që janë mishërimi i logjikës formale, po ndryshon strukturën e të menduarit dhe të njohjes së botës, sidomos raportet midis reales dhe virtuales, vetëdijes dhe pavetëdijes, besimit dhe njohjes, sociales dhe personales, kulturës humanitare dhe shprehive profesionale dhe kanë shtruar nevojën e përpunimit të një kuptimi të ri të jetës. Po kështu, sot mund të konstatosh me lehtësi virtuozitet, në përdorimin e mjeteve të reja teknike, që nxënësve e studentëve u merr gati gjithë kohën pas shkollës e që reduktohet në lodra apo “qyfyre” me njëri- tjetrin dhe prindër që kënaqen me “shkathtësimin dhe angazhimin” e fëmijëve të tyre. Fatkeqësisht nuk kuptohet se kështu po gatuhet një lloj i ri injorance me pamje mashtruese. Mbase me te drejtë, autorë të ndryshëm e quajnë këtë pa ngurrim debilizim të nxënësve dhe studentëve. Ndërkaq, funksioni edukativ në shkolla ka filluar të quhet i kapërcyer. Për studimin e njohurive filozofike as që bëhet fjalë. Botimi i librave po njeh një bum të vërtetë, kurse leximi i tyre, sidomos nga të rinjtë shkon poshtë e më poshtë… Puna ka ardhur deri aty, sa reformimi i arsimit që ndërmerret herë pas here, nuk mund të jetë i suksesshëm nëse nuk fillohet nga reformimi i gjithë shoqërisë së sotme.

Në këtë këndvështrim, kërkohet që të ndryshoje mënyra dhe shpejtësia e të menduarit, “baza filozofike” e tij, si dhe mënyra e të vepruarit, përderisa për njeriun çështje kryesore bëhet jo ndryshimi i botës që e rrethon, por ekzistenca personale, formimi i vetëdijes vetjake për jetën. Për njeriun e sotëm kjo u diktuaka nga faktorë madhorë që e vënë atë para një numri gjigand lidhjesh të ndërsjella, në sajë të të cilave bota për të bëhet më pak e qëndrueshme, pra më pak e kapshme dhe më pak e njohshme, gjë që vetvetiu rrit kërkesën për një lloj të ri misticizmi, apo dhe për zëvendësimin e botës reale me atë virtuale. Në këtë rast i’ a vlen të kujtojmë domethënien e fjalës së urtë të A. Ajnshtajn: ndryshimi i vetëm në mes injorancës dhe zgjuarsisë është se zgjuarsia ka kufij!Fakte e vëzhgime të shumta sociologjike e psikologjike provojnë se hasen gjithnjë e më shpesh njerëz, shumica të rinj, që notojnë në një lloj konfuzioni ideor e kulturor, që besojnë e komentojnë ëndrrat, që shtien fall, besojnë në ekzistencën e fantazmave, që u frikohen magjive apo që besojnë se shpirtrat e të afërmve të vdekur sillen rreth tyre dhe lozin rolin e “engjëllit mbrojtës” për ta, duke provuar se injoranca nuk ka kufij! Është për të ardhur keq që prirje të tilla, sidomos kur mungojnë si në rastin tonë faktorët amortizues (shoqëria civile, studimet sociologjike, ndikimi i opinionit publik e mediave), fillojnë e bëhen joshës e dominues dhe fatkeqësisht shoqërohen me ulje të ndjeshme të kërkesës për shkencën, pra dhe për arsimin, për kulturën. Thënë ndryshe, ne jetojmë sot në një epokë të vrullshme papërcaktueshmërish në rritje dhe paradoksesh që i japin vetë epokës doza të forta vulgariteti e primitivizmi, që nxiten nga “kultura masive” sikur të ishin moda më mbresëlënëse. Tipar karakteristik i epokës së sotme, është bërë kështu mungesa e një kulture filozofike, pa folur për respektim të traditave dhe të dialogut në procesin emancipues të demistifikimit të jetës shpirtërore. Në këtë fushë, shqetësimet që tani janë bërë serioze. Është e natyrshme që në një shoqëri demokratike pluraliste të ketë bashkëveprim të kulturave filozofike, gjë që mund të shoqërohet me qasje këndvështrimesh mbi botën, veçse kjo duhet realizuar përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Kjo, sepse kultura filozofike në këndvështrimin tim do parë si një lloj adoptimi nga ana e njeriut që kërkon vendin e tij në bote, që ndeshet me realitetin, që çmon jetën e vet shpirtërore, lirinë si dhe mundësitë e zhvillimit të vet. Realisht ky duhet të jetë edhe mekanizmi metodologjik që lidh kulturat, formimin dhe edukimin e brezit të ri me teknologjitë informacioniste dhe shkencën në përgjithësi.NobelistiPaul Krugman në faqen e tij në New York Times (24.06.2013), tërheq vëmendjen për rrezikun e lënies mënjanë të këtij bashkëveprimi te kulturave. Ka ardhur momenti, shkruan ai, kur teknologjitë informacioniste dhe forca punëtore e huaj të kërcënojnë e madje të minojnë pozitat e fuqisë punëtore të kualifikuar, në vend që ta bëjnë gjithnjë e më të kërkuar. Pasojat duken të parëndësishme në hapat e para, por realisht, si pa e kuptuar, në vend të ecjes përpara i hapet rruga bërjes së njerëzimit arkaik dhe asocial, injoranca fillon të trokasë në derë dhe nuk mjafton të gënjesh veten duke thënë se jeton në “Epokën e internetit!” Arsimi i lartë, që relativisht vonë u shndërrua në instrument për zhvillimin e kapitalit njerëzor, vëren P. Krugman, po e humbet këtë rol gati plotësisht. Terren pjellor për lulëzimin e neomisicizmit, shoqëruar si tek ne me shitblerje diplomash të arsimit të lartë nga Universitete private qe mbijnë si kërpudhat…!Ndërkohë, kultura demokratike edhe në rrafshe te tjera nuk po u përgjigjet dot sfidave të globalizimit dhe veçorive të zhvillimit të sotëm.Intoleranca politike, sociale, nacionale e fetare po merr dimensione tepër shqetësuese, madje dhe në vendet me demokraci të zhvilluar. Disa fakte konkrete: Në Europë janë shtuar aktet e vandalizmit ndaj pakicave fetare dhe të përdhosjes së vendeve të kultit, të varrezave, ikonave. Intoleranca ndaj emigrantëve po merr forma tipike për mentalitetet fashiste. Po miratohen ligje të posaçme kundër emigracionit (Zvicra, Franca, Gjermania…). Sipas Raportit të Byrosë së Instituteve Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut, për vitin 2012 ka rritje të veprimtarisë kriminale në këtë fushë: në Gjermani u regjistruan 414 krime të tilla, në Britaninë e Madhe 1543 etj. Akte përdhosjeje u regjistruan edhe në Bosnjë, Kosovë, Kroaci, Hungari etj.Gjithsesi edhe në vendet e zhvilluara vihet re një lloj pasioni ndaj mëkatit dhe duket sikur njerëzimi është i etur për mëkate, por që në të vërtetë ia imponojnë rrethanat apo dhe klerikë. Ndërsa elita drejtuese të papërgjegjshme, për të fituar kapital për vete, nuk ngurojnë të përhapin dhe ushqejnë koncepte mistike, antishkencore e madje fondamentaliste, që përpos të tjerave përdhosin dhe etikën e shkencëtarit, që me të drejtë është quajtur një nga arritjet e mëdha të civilizimit. OKB-ja i kërkon Vatikanit të marrë masa ndaj pedofilisë në radhët e priftërinjve (shkurt 2014); kurse Shoqata Amerikane e Psikiatërve e shpall pedofilinë si një orientim seksual (për ta përligjur). Shqetësuese janë bërë kërkesat liberale për të çliruar në mënyrë totale individin nga konvencionet shoqërore, me arsyetimin se raportet seksuale socializohen dhe përgjegjësia e individit njerëzor ndaj fëmijëve, kafshëve apo ndaj të vdekurit nuk u sjell këtyre të fundit vuajtje. Kështu përligjet hapja e rrugës edhe për legalizimin e pedofilisë, zoofilisë, nekrofilisë etj. Politikanët në vende europiane, tregohen shpesh “fanatikë”, mbase me të drejtë, për të mos lënë që vajzat e gratë myslimane të mbulojnë kokat me shami, ndërkohë që angazhohen për paradat e giejve, për martesat e tyre dhe për të fituar të drejtën për të birësuar fëmijë! E gjitha kjo paraqitet si luftë për më shumë liri shpirtërore, por realisht çon në shkatërrimin e gjinisë njerëzore, në degradim të popujve për t’i lënë pa kombësi, pa fe, pa gjini, pa familje duke i shndërruar në një masë që varen nga SMS-të dhe “ekspertët” e “shpirtit të pavdekshëm”! Në këtë rrafsh, ndihet përsëri braktisja e kulturës filozofike që sintetizon në vetvete paradigma dhe vizione planetare, që e shohin njeriun dhe njerëzoren si masë të të gjitha gjërave, për të cilat njerëzit e planetit Lindje-Perëndim, në gjuhë të ndryshme duhet të flasin për të njëjtën gjë. Ndërkaq, tërheq vëmendjen apeli që Zhak Atali i bën në bllok Perëndimit, duke i kërkuar që “në luftën e madhe ideologjike” të mos investohet për përplasjen midis qytetërimeve, por për bashkëveprim në mes tyre, sepse në formën e tij më të mirë, është në gjendje të mësojë prej qytetërimeve të tjera të mrekullueshme të botes”.  Mbetet që të ritheksohet, se për shumë nga çështjet me të cilat ndeshemi sot në epokën e globalizimit, nuk ka nevojë të shpiken filozofi të reja që shpesh disintegrojnë, por thjesht duhet t’u kthehemi filozofëve të mëdhenj që nga lashtësia deri sot, që lehtësisht mund të përditësohen me anën e metodologjisë komperative dhe të bëhen pjesë aktive e kulturës filozofike integruese bashkëkohore. Gjithsesi, kujdes nga revanshi i injorancës!