Prof. Sami Repishti: “Paçi uratën e Perendisë!”

889
Promovimi i librit të Frank Gjeto Shkrelit “DEMOKRACIA NUK PRET/ Fjala Përshëndetëse në bashkëbisedimin e mbajtur në selinë e Vatrës në New York, 21 prill 2018 nga Prof. Sami Repishti
I nderuar z. Kryetar,Të nderuem kolegë e miq të Vatrës dhe kolegut Frank Gjeto Shkreli. Ju falënderoj që më jepet sot mundësia me thanë dy fjalë të mira për kolegun tim Frank Gjeto Shkreli. Siç thotë edhe emni ai vjen nga katundi i Shkrelit. Unë vij nga Repishti, të dy pjesë e rrethit Koplik, Shkodër, rreth 2-3 orë distancë me kambë. E kam kushëri. simbas zakonit të maleve tona… Kërkoj falje që gjendja e ime shëndetsore nuk më lejon sot me qenë këtu e me nda së bashku kënaqsinë tonë për celebrimin e punës së frytshme të këtij kolegu aktiv e të çmuem. Kanë kalue shumë vjet që nga dita kur unë njoha Frankun rastësisht gjatë nji vizite në zyrët e “Zërit të Amerikës”. Paraqitjen e bani kolegu i ynë i përbashkët, Dr. Elez Biberaj, dhe të tre kaluem nji dreke pune që, për fatin e mirë, krijoi premisat e nji shoqnie të sinqertë dhe të nji bashkëpunimi të frytshëm. Ishin vitet e veprimtarisë sonë aktive në shërbim të kauzës për të gjithë ne: për pavarësinë e Kosovës. Cili shqiptar që mban këtë emën me krenari guxonte me mohue kontributin e vet për nji kauzë të shenjtë, siç ishte pavarësia e Kosovës? Na, të gjithë na, ishim “kosovarë” që nga Tivari deri në Prevezë, si thotë kanga e vjetër. Shumë ujë ka rrjedhë nen urë; shumë gjak ashtë derdhë; e shumë djersë ka shkue rrke si rrjedhim i punës së madhe e të përbashkët në shërbim të Nanës Kosovë. Nga ata që u dalluen ka qenë Frank Gj. Shkreli në cilësinë e tij si drejtor i seksionit euro-aziatik në “Zërin e Amerikës” për vite të gjata dhe kushtim të plotë. Ma parë kam shkrue: “Paraqitja në publik e gazetarit dhe transmetuesit të programeve televizive të analistit politik shqiptaro-amerikan, Frank Shkreli, ashtë nji eveniment me randësi për botën kulturore shqiptare, dhe sidomos për ne, shqiptaro-amerikanët. Ashtu ashtë edhe sot. Jetëshkrimi dhe veprimtaria e këtij personaliteti që u lind në nji fshat të vogël e arriti pozita të nalta në administratën amerikane ashtë tregimi ma i mirë i përgatitjes, aftësisë, dedikimit dhe ndershmënisë intelektuale të Frank Shkrelit. Arsim e punë kambëngulëse kanë qenë dy krahët që lehtësuen fluturimin e Frankut në sukses, dhe e ngritën ate në sferat e nalta amerikane. Sot, ai thotë me mburrje:”Jam shumë krenar për shërbimet e mia në Administratën amerikane”. Në vitin 2003, Franku doli në pension që do të thotë ma shumë kohë me shkrue. ”E gjithë veprimtaria e Frank Gj. Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga tri ide kryesore, boshti i filozofisë së jetës tij;
E para: Besimin në Zotin, feja e krishtenë; 
E dyta: Shërbim për atdheun Nanën Shqipëri, që për atë përfshinë të gjithë hapësinën shqiptare në Ballkan, Me nji pikë qendrore: Epoka e lavdishme skenderbegiane. “Fe e Atdhe”.
E treta; Përpjekja koshiente dhe konstante me mbrojtë demokracinë liberale amerikane, dhe me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri, dhe kudo që ajo paraqitej.
E kaluemja e Frankut në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi, tragjedia e popullit shqiptar, sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfnia, shtypja, paditunia masive dhe poshtënimi i pësuem si shqiptar në nji shtet sllav kanë formue karakterin e tij, dhe kanë lanë gjurme të thella tek i riu Frank Shkreli, pa u shërue asnji herë. Lexoni “Demokracia nuk pret” e do ta kuptoni. Ky tubim u pagëzue nga organizatorët si “bashkëbisedim” dhe për këtë unë i përgëzoi plotësisht. Ashtë nji term që përmbledh shokë e miq me mendime të ndryshme por me qellime të përbashkëta. Si akt krijimi, kjo inisiativë ashtë jashtëzakonisht e randësishme dhe i ka mungue bashkësis sonë këtu në Amerikë për shume vjet. Ka ardhë koha kur elementë pozitivë dhe të ndërgjegjshëm të mblidhen me njeni-tjetrin me shqyrtue gjendjen tonë këtu si komunitet dhe atë të hapësinës shqiptare, sepse ka nevojë urgjente për nji orientim që e kërkon e nuk e gjen. Kjo hapësinë përfshinë të gjithë ata që me ndërgjegje dhe lirisht bukën e quejnë bukë,dhe besën shqiptare e mbajnë besë shqiptare. Aty ashtë Shqipëri, pavarësisht nga ndeshtrashat politike e ndasitë kufitare. Uroj që organizatorët të inkurajohen, të ndihmohen dhe të shpërblehen me bekimet tona për këte punë me vlera të pa përshkrueshme. Këtu ashtë Shqipëria e jonë, kjo ashtë Shqipëria e jonë! Le ta ndërtojmë simbas konditave të vendit shoqëninë tonë shqiptaro-amerikane, të lirë, të denjë dhe të aftë me ndihmue vëllaznit e motrat tona kudo që janë, në të gjitha fushat, kryesisht në gjuhë shqipe e arsim. Dhe ma në fund, si thonte Noli i madh: “Paçi uratën e Perendisë!”
Sigal