Prof. Sami Repishta: Mirënjohje për Frank Gj. Shkrelin

811
Paraqitja në publik me këtë vëllim të gazetarit, transmetuesit të programeve radio-televizive dhe analistit politik shqiptaro-amerikan, Frank Gj. Shkreli ashtë nji eveniment me randësi për botën kulturore shqiptare dhe sidomos për shqiptaro-amerikanët, qoftë për materialin që kemi para nesh, qoftë për autorin që e përgatiti. Frank Gj. Shkreli, i lindun në nji fshat të zonës së Ulqinit (ish-Jugosllavi), njihej në mesin tonë si nji i ri me nji të ardhme premtuese që në fillim. Me 1969, ai emigroi në Itali dhe ma vonë në Shtetet e Bashkueme me familjen e tij. Ai ashtë nji shembull i dhimbshëm i turmave shqiptare që u detyruen me u largue nga trojet e veta stërgjyshore e me marrë rrugët e mërgimit – të ‘kurbetit’ të mallkuem- të breznive të maparëshme. Familja e tij ka qenë viktimë e ngjarjeve të randa e shpeshherë shkatërrimtare të jetës në vendin e lindjes – lëvizje e çvendosje të imponueme nga jeta e vështirë e nga trazimet akoma ma të vështira. Kjo e kalueme ka lanë gjurmët e pashlyeshme në mendjen e tij. Me origjinë nga “bajraku” i Shkrelit, Malësi e Madhe, Shkodër, krahinë e njohun për qëndresën e banorëve të saj në përpjekje me mbrojtë votrat e tyne, familjet, tokët që e ushqejshin, burrat e Shkrelit u vranë, u sakatuen, u dërmuen nga kamba shtypëse e agresionit sllav sa herë që gjendja ndërkombëtare trazonte jetën paqësore të banorëve fatzezë dhe sa herë që sundimtari i huej – sidomos halldupi i Anadollit që e shtypi për pesë shekuj të gjatë, kalonte nëpër ato vise “mik i paftuem” ose “anmik iluftuem”, e mizor për natyrën e tij. Mas ikjes tij, Shkreli filloi nji jetë ma të qetë, kur malsori nuk u vra ma me urdhën të “pashës” e të sejmenëve të tij; toka nuk u zaptue nga “spahijtë” e “jeniçerët” dhe kur fëmija u rrit pa përjetue lufta e ekspedita ndëshkimore. Por, vetëm për nji kohë të shkurtë! Me 1939, erdhi pushtuesi italian, e i hueji u dynd me ushtri , “mik i paftuem!” Përleshjet gjakësore u rritën çdo ditë me humbje jete, e pasunie. Kur i hueji u largue me turp, e pritej dita e lirisë e shpëtimit, fati e deshti që Shqipëria të bie nën kambën e Moskovit sllav, pa kondita, pa rezerva. Nji valë urrejtje mbuloi vendin, e në Shkrelin e Frankut u vranë burrat, u internuen gratë e fëmijtë, u dogjën shtëpitë, e arat e bukës mbetën shkret ose u banë pronë kolektive e shtetnore…! Uria u ba “buka e përditshme”, terrori zevëndsoi qetësinë e vendit e vrau qytetarin kudo që ai e kundërshtoi. Legjone të tana u lëshuen pa mëshirë mbi kurriz të nji popullsie qe nuk gjeti shteg tjetër veçse rrugën e mërgimit, largimin nga shtëpia, katundi, bajraku e atdheu i dhunuem. “Refugjatë” pa dëshirë, të padëshiruem, shpesh të përbuzun, turmat e çveshuna e të uritura morën rrugët e botës që nuk i njihshin, në kërkim të nji jete të re, që zakonisht as të kënaqë as të lehtëson! Frank Gj. Shkreli e familja e tij përfunduen në kampe refugjatësh të Italisë dhe ma vonë arritën në New York City, SHBA, ku Franku, djalë i ri, u gjet para nji situate të re, të panjohun, por që premtonte nji të ardhme ma të mirë. Dhe ashtu doli! Baba Gjeto, nana Mrikë, vllau dhe dy motrat që e shoqnojshin i u vunë punës në vendin e ri, me hov të ri e shpresa të mëdha që fatmirësisht nuk i zhgënjyen. Franku nuk u shkurajue! Punë e arsim: dy mjetet ma efektive për sukses, u banë të dy krahët e fortë që e ngritën atë në sferat ma të nalta të shoqënisë së re amerikane, që Franku përqafoi, përkrahu dhe shërbeu me pasion dhe aftësi shëmbullore. Frank Gj. Shkreli ashtë pa dyshim shëmbulltyra e “refugjatit endacak” që,“…andrronte me qenë i lirë!”, simbas premtimit të zonjës “Liberty!” – dhe që arriti me sukses me qenë i lirë, dhe me punue për lirinë e të tjerëve, ne vendet ku Liria quhej krim dhe ku u dënue randë….! Kontaktet e para, Franku, besimtar me bindje, i mori me klerikët katolikë shqiptarë në New York City. Aty gjeti këshillin e fjalën e mirë. Aty gjeti prehjen shpirtënore, në Kishën Katolike Shqiptare dhe në qendrat e veprimit katolik. Franku gjeti përsëri familjen e madhe që humbi në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, e përqafoi dhe e ndihmoi atë me aftësitë e tij si editor i revistës “Jeta Katolike”.Studimet e bame në Kroaci në kolegje katolike, studimet e klasikëve, dhe religjion e filozofi, dhanë frytet e para. Frank Gj. Shkreli fitoi mendjet dhe zemrat e lexuesve! Viktimë e terrorit komunist, ai pyeste veten: “Si ashtë e mundun që njeriu të damtojë njeriun, vlla e motër, kështu?” Me ndihmue këte të mjerë, të shtypun, të vorfën, u ba “leitmotivi” i djaloshit Frank. Duhej arsimi. Franku filloi kurset në kolegjet e Hunter-it dhe Lehman-it të New York City-s, dhe u shque me shkrimet e tija në buletinin kolegjor, “Meridian” kryesisht me kritikat e tija për regjimin komunist. I inkurajuem, ai themeloi “The Albanian Youth in Exile” (Rinia Shqiptare në Mërgim) dhe e transformoi atë në nji tribunë të hapun për të rinjtë, ndonëse përkohësisht. Sepse, në vitin 1974, ai mori kontakt me “Zërin e Amerikës”, ”a life changing opportunity”, siç e quen ai, një moment që ndryshoi jetën e tij. Atëherë, fati i parë pruni të dytin: fejesën me zonjushën 19 vjeçare Victoria Markgjonaj, vajzë e nji familje katolike anti-komuniste që kishte njohë të gjitha peripecitë e mërgimit të dhunshëm në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi. Franku e quejti “the most lucky moment!” –momenti më me fat- dhe ashtu doli! Tashti me familje, dhe i punësuem në administratën amerikane, i paisun edhe me arsim të naltë pranë George Washington University (Washington,DC.), Franku ishte i përgatitun për punën që i kërkohej. Hap mbas hapi, ai u ngjit në shkallët ma të nalta tëUSIA (Information Agency). Nga folësi në radio ma parë, ai u ba editor, producent programi, dhe përgatitës i programit shqip në “Zëri i Amerikës”, përfshirë detyrën e shefit të shërbimti shqip të VOAs, si dhe për programet botënore të kësaj agjencie, kryesisht drejtue botës së atëhershme komuniste. Tani, ai i dedikoi jetën profesionale administrimit dhe mbikëqyrjes se programeve në fushën e transmetimeve ndërkombëtare, në bashkëpunim me qindra gazetarë nga Europa e kontinente të tjera. Numri i bashkëpunëtorëve të tij dhe gazetarëve që ai mbikëqyrte, arriti shifrën mbi 250 persona të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme europiane. Ai ka shërbye si drejtor, nën-drejtor, këshilltar në nivele të ndryshme të USIA. Roli i tij ka qenë veçanërisht i randësishëm dhe i çmuem, gjatë periudhës së Luftës së Ftohët dhe viteve të luftës në Ballkan (1991-1999), që përfshinë edhe vitet e agresionit millosheviqian në Kosovë. Tue folë për plotësimin e pikësynimeve strategjike dhe objektivave të detyrës së tij, ai shprehet: ”Jam shumë krenar për shërbimet e mia në Administratën Amerikane!” Ka qenë gjatë kësaj periudhe që Frank Gj. Shkreli zgjanoi me sukses programet e “Zërit të Amerikës” për Europën Qendrore dhe atë të programit shqip. Njikohësisht, ai transformoi me sukses programet transmetuese radiofonike televizive në disa gjuhë, përfshirë programin televiziv shqip, që kemi sot. Për nji reformim ma të plotë, si Drejtor për Europën, gjatë luftës ballkanike të viteve 90-ta, ai hapi programet për Bosnjën dhe Maqedoninë. Kjo ka qenë periudha kur nji grup i kufizuem udhëheqësish serbë treguen kriminalitetin e tyne të pa përmbajtun për asgjasimin e boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës. “Lajmet ma te besueshme janë dhanë nga “Zëri i Amerikës”, gjatë asaj kohe. Nuk ka dyshim se kontributi i dhanun nga USIA – e posaçërisht nga “Zëri i Amerikës” ka qenë esencial për rrëzimin e sistemit komunist në Bashkimin Sovietik dhe në Europën lindore. Gjatë kësaj periudhe, Franku ka qenë i angazhuem thellësisht në çdo vendimmarrje të veprimtarive të “Zërit të Amerikës” për Bashkimin Sovjetik dhe Europën lindore, si drejtues i Drejtorisë për Euro-Azinë pranë VOA/USIA. Mbas nji karriere të admirueshme dhe shërbimi shëmbullor prej 30 vjetësh. Në vitin 2003, Franku doli në pension. Por ai mbeti aktiv, me konsultime dhe me shkrime, në organe të ndryshme. Ma vonë, me 2005-2007, ai u emnue Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, organizata ma efektive e lobimit në Washington, D.C.Si njohës i mirë i kryeqytetit amerikan, ai përdori të gjitha burimet e tija në shërbim të kauzës së shqiptareve – kudo në Ballkan – me aftësi e pasion të veçantë. Gjatë shërbimit të tij, Frank Gj. Shkreli ka qenë edhe përkthyes, interpretues, pranë Departamentit të Shtetit, Departamentit të Mbrojtjes, Bankës Botënore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Departamentit të Drejtësisë, të Thesarit e të tjera institucione të qeverisë amerikane. Ndërkaq, ai ishte caktue anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit për të vizitue Shqipërinë, në mars/prill 1991, mbas rivendosjes së marrëdhanjeve diplomatike midis dy vendeve tona me mision për të hapur ambasadën amerikane në Tiranë, mbas pothuej nji gjysëm shekulli -nji vizitë që ai e ka përshkrue si tepër emocionale dhe e trishtueshme për nga gjëndja e mjerueshme në të cilën e gjeti vendin e të parëve, mbas pothuaj nji gjysëm shekull sundimi komunist. Në mirënjohje për veprimtarinë e tij të dallueme, ai fitoi ndër të tjera, edhe dekoratën “Thomas Jefferson Fellowship Award” të dhanë nga USIA. Po nga pikëpamja emocionale, dekorata ma e prekshme për Frankun ka qenë titulli “Qytetar nderi” i komunës së Shkrelit, Malësi e Madhe, Shkodër (Shqipëri)…”dekorata ma e çmueshme”. Simbas tij, “nuk ka nderim ma të madh se ky dekorim” u shpreh ai. E gjithë veprimtaria e Frank Gj. Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga disa ide qendrore, si bosht i filozofisë se jetës tij. Besimi në Zotin, dhe besnikëria për Kishën Katolike Apostolike Romane Shqiptare, zanë vendin e parë. Binomi “Fe e Atdhe” i trashiguem nga popullsia katolike shqiptare që në kohët ma të vjetra, e sidomos që në ditët e lavdishme të epokës skënderbegiane, ashtë frymëzimi i tij. I dyti, dhe i pandashëm, ashtë shërbimi për Atdheun – në rastin e tij: Shqipëria dhe Amerika. E treta, ashtë nji përpjekje koshiente dhe konstante me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri dhe kudo që ajo paraqitet. Dhe këtë e ka ba me bindje absolute!E kaluemja e Frank Gj. Shkelit në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes së tij në Shqipëri dhe në ish-Jugoslavinë, tragjedia e popullit shqiptar sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfënia, shtypja, paditunia masive dhe poshtënimi i psuem si “shqiptar” në nji shtet sllav, kanë lanë gjurmët e tyne të thella tek i riu Frank, dhe nuk janë sherue asnji herë…! Ato janë “lehtësue” me veprimtarinë e tij në luftë me padrejtësitë e jetueme, me vështirësitë e kalueme. Ashtë kjo “frymë” që lexohet në çdo rresht që ai ka shkrue, në çdo fjalë që ai ka folë, në jetën private dhe atë publike, me zanin e tij të fuqishëm e me pendën e tij të fortë. Frank Gj. Shkreli ka qenë dhe mbetet përherë nji figurë e plotë e veprimtarit që ka punue dhe akoma punon, si nji misionar! 
Ridgefield, CT. USA Sami Repishti, Ph.D. Nandor, 2015 Pedagog në pension
Sigal