Prof. Rexhep Qosja: Parlamenti i Popullit apo i shfrytëzuesve të tij

517
– Vijon nga numri i djeshëm –

Autoritarizmi
Jemi turrur që qeverisjen ta bëjnë sundim sulltanor! Deshëm s’deshëm, u pajtuam a s’u pajtuam, kundërshtuam a s’kundërshtuam jo vetëm me fjalë, po edhe me protesta e demonstrata nuk mund të mos e pranojmë se në Shqipëri dhe në Kosovë, domethënë në jetën kombëtare shqiptare, vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tej bazat sociologjike dhe psikologjike për ngadhënjim të autoritarizmit. Për këtë arsye edhe shumë e shumë kohë demokracinë tonë do ta shënojnë këto të këqija: despotizmi, nepotizmi, korrupsioni, populizmi dhe totalitarizmi, i kuptuar, jo si trajtë, po si sasi e fuqi e pushtetit, mediet e kolonizuara, gjyqësori i kolonizuar, pasiguria politike, shtetërore e jetësore e prodhuar prej dallimeve të mëdha midis të pasurve e të varfërve e të gjitha këto duan të thonë se shtetet tona janë shtete të kapura, të privatizuara prej oligarkisë politike, të shumtën e kohës, si po shihet, të ndërsalduar me një pjesë të oligarkisë ekonomike e financiare.

Kuvendi hesht e keqbërësit bëjnë çka duan
Jemi turrur të bëjmë çka s’duhet të jenë, as Kuvendi, as shteti! Në qoftë se Kuvendit të një shteti, 47 qytetarë – shkrimtarë, piktorë, studiues shkencorë e intelektualë të tjerë i dërgojnë shkresë për padrejtësitë, keqpërdorimet dhe korrupsionet partiake që kanë ndodhur e po ndodhin në një institucion të lartë siç është Akademia e Shkencave dhe e Arteve të atij shteti e ai i shpërfill plotësisht (qoftë edhe pa një përgjigje pohuese, mohuese a mospërfillëse nga një komision i tij) si të mos ishin gjallë nënshkruesit e asaj ankese, atëherë ky s’është Kuvend i popullit, por i shfrytëzuesve (eksploratorëve) të tij! Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije, me të dhëna të shkruara se në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të atij shteti, që ka 24 anëtarë, 12 prej tyre janë pranuar në të duke qenë funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë të djeshëm e të sotëm, në kundërshtim me çdo parim ligjor e demokratik, e ai bëhet i shurdhër për këto të dhëna, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit, por i shfrytëzuesve të tij të paskrupuj intelektualë dhe politikë! Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije, se në Akademinë e Shkencave e të Arteve të atij shteti po vazhdojnë të pranohen si anëtarë të saj funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë, pa arritje shkencore e profesionale, siç ka ndodhur në vitet e pas luftës dhe siç ndodhi para disa muajsh në Akademinë tonë, e ai bëhet i shurdhër për këtë të vërtetë, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit, por i oligarkëve të pakoncept për drejtësi, për ligjësi e për demokraci. Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije, se disa funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë, përpos rrogës si funksionarë, marrin rroga edhe si “pedagogë” në disa universitete, kurse shumë studiues shkencorë me vite presin punë e ai nuk bën asgjë për ndalimin e këtyre shpërdorimeve, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit, po i shfrytëzuesve të tij të pandërgjegje e të paskrupuj! Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije prej organizatave qytetare dhe medieve se një funksionar i lartë partiak e shtetëror, përpos rrogës së funksionarit merr rrogë edhe për mësimdhënie, jo të një, po të katër lëndëve në universitet duke marrë 49 mijë euro në vit, kurse intelektualë të shquar me doktorata e vepra shkencore bredhin rrugëve pa punë dhe ai Kuvend nuk bën asgjë për ta ndalur turrin shfrytëzues të këtij arrivistie të shumë arrivistëve të pangopshëm, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit po i shfrytëzuesve të tij të pandërgjegje elementare profesionale e sociale! Në qoftë se Kuvendi i një shteti e di dhe pajtohet që zyrtarëve të niveleve të ndryshme u lejohet të marrin pagesa për pjesëmarrje edhe në mbledhje të bordeve, këshillave, komisioneve, jurive të ndryshme të mbajtura në kohën e orarit zyrtar, atëherë ky nuk është Kuvend i popullit, po i eksploratorëve të tij të pandërgjegje e të pa etikë elementare. Në qoftë se ky kuvend mbyll sytë para fakteve, se përfaqësues të qeverisë e të ministrive, të institucioneve të ndryshme shtetërore, madje edhe të presidencës, në forma komisionesh, grupesh e ekipesh zëvendësojnë zyrat e sallat e institucioneve shtetërore me vende turistike malore e bregdetare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, përgjatë gjithë vitit, me shpenzime të stërmëdha akomodimi e mëditjesh, të paarsyeshme, të paarsyetueshme e të kundërshtueshme nga çdo logjikë normale, atëherë ky nuk është Kuvend i popullit po i shfrytëzuesve të pashpirt të pasurisëe të jetës së qytetarëve të Kosovës. E të tjera. A do të jenë të këtillë edhe Kuvendet që do të krijojnë zgjedhjet e 11 e 25 qershorit të këtij viti? Do të shohim, do të shohim.

Dobësimi i lidhjeve shpirtërore
Jemi turrur të shpërfillim përbashkësinë tonë! Është një e keqe më e madhe se të gjitha të këqijat politike e administrative, që e sundojnë jetën tonë të sotme politike. Në të vërtetë në këtë të keqe të madhe janë përmbledhur, janë bashkuar dëshpërueshëm dhe pikëllueshëm, pasojat e të gjitha atyre të këqijave që i quajmë politike, partiake. Dhe, kjo e keqe e madhe mund të quhet ndërprerja e lidhjeve shpirtërore midis njerëzve, që duket e nuk duket, që fshihet e tregohet, që mbulohet e zbulohet, që shpjegohet e s’shpjegohet. Dallimet e mëdha, gjithnjë e më të mëdha midis të varfërve dhe të pasurve, të pasurve të pasuruar shpejt e lehtë, në të vërtetë paligjshëm, duke qenë në pozita politike e shtetërore, trajtimi i pabarabartë i dinjiteteve qoftë prej individëve pushtetarë qoftë prej institucioneve politike e shtetërore, gjasat e pabarabarta për punësim dhe gjasat e pabarabarta për trajtim me kohë e drejt nga gjyqësori, padrejtësitë e shumëllojshme në të gjitha fushat e jetës, nepotizmi i përshtrirë dhe i përthelluar aq sa as në shoqëritë më patriarkale nuk shquhet me aq përmasa, privilegjet që aq lehtë dhe pameritueshëm u dhurohen disave dhe shpërfilljet që aq pamëshirshëm u bëhen disa të tjerëve, shkëlqimet pseudoborgjeze në njërën anë dhe pezmatimet e nxitura prej atyre shkëlqimeve në anën tjetër – të gjitha këto bëjnë që lidhjet shpirtërore midis njerëzve të varfërohem, të tëhollohen, të dobësohen, të këputen. Fryti më i zi i dobësimit, të mos them i këputjes së këtyre lidhjeve shpirtërore, janë përpjekjet për ndarjen e kombit shqiptar në dy kombe: në kombin shqiptar dhe në kombin kosovar! Kontribut posaçërisht i zi këtyre përpjekjeve po u jepet sot prej disa gjuhëtarëve të Akademisë sw Shkencave e të Arteve të Kosovës e disa bashkëmendimtarëve të tyre! E një popull, e një komb, gjatë historisë, e kanë mbajtur pikërisht ato lidhje të quajtura shpirtërore, të frymëzuara, të ushqyera, të krijuara prej së mirës madhështore që i themi Vlera të përbashkëta, të përmbajtura në Sistemin e vlerave. Por, pikërisht këto vlera të përbashkëta, pikërisht ky Sistem i vlerave është rrënuar e po rrënohen nën trysnitë e shumëllojshme politike e partiake. Pa lidhje shpirtërore midis njerëzve nuk ka Përbashkësi të vërtetë. Këputjet e lidhjeve shpirtërore midis njerëzve e kjo domethënë dobësimet e Përbashkësisë sonë mund të prodhojnë të papritura të ndryshme që kur e kur mund të shprehen tragjikisht. Është koha të mendohet për parandalimin e tyre. Është koha të mendohet për parandalimin e të gjitha atyre që u thanë më lart.
Sigal