Prof. Rexhep Meidani/ Në respekt të Fridrih Ebertit dhe trashëgimisë së tij

589
Pikërisht këto ditë fondacioni i Fridrih Ebertit (Friedrich Ebert Stiftung- FES), zyra e Shqipërisë, festoi 25-vjetorin e saj, në nderim dhe të figurës së tij. Vetë fondacioni është një trashëgimi e presidentit Ebert dhe një nga fondacionet më të vjetra në Gjermaninë republikane. I krijuar më 1925, ai ka, sot, zyrat e tij dhe zhvillon projekte mbi 100 vende të botës, me objektiv kryesor: promovimin e demokracisë, edukimin politik dhe fuqizimin e kapaciteteve intelektuale në brezin e ri, përfshirë dhe bursa studimi; nxitjen e mbështetjen te mirëkuptimit e kooperimit ndërkombëtar, etj. Në vitin 1933, nazistët bënë çmos ta “zhduknin” emrin dhe kujtimin e tij dhe nxorën edhe FES jashtë ligjit; kurse në vitin 1947 fondacioni e rifilloi aktivitetin e tij mbështetur në ide e vlera bazike të demokracisë sociale, brenda përafrimit socia-demokrat, moderues e njerëzor të Fridrih Ebertit. 
Angazhimi në politikë 
Eberti, në moshë tepër të re, në pamundësi financiare, nuk e vazhdoi më tej shkollën dhe u bë shalëpunues. Shumë shpejt, ai iu bashkua lëvizjes social-demokrate e sindikaliste – në krahun revizionist për një reforme graduale kushtetuese. Edhe pse e kishte lexuar veprën e Marksit dhe Engelsit, ai nuk shfaqte shume interes mbi marksizmin dhe luftën e klasës apo parimet ideologjike të tij. Atij nuk i interesonin diskutimet ideologjike, por çështjet praktike e organizative, aksionet konkrete të lidhura me kushtet e punës dhe jetës së punëtorëve dhe, mbi të gjitha, përmirësimi i vazhdueshëm i tyre në planin social e moral. Në sajë të kontributit të tij sindikalist e socialdemokrat, në vitin 1905, Eberti u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Social-Demokrate (SPD). Në këtë detyrë ai e ripërtëriti administratën partiake dhe futi daktilografimin, por dhe sistemin e regjistrimit (që në kushte ilegaliteti, nuk ishte bërë më parë nga frika e kontrollit policor në mjedise e banesa). Më 1913, Eberti zëvendësoi August Bebel-in si kryetar partie dhe një vit më vonë fitoi një vend në parlament (Reichstag) si përfaqësues i SPD-së. Nën drejtimin e tij, SPD-ja e rriti ndikimin e vet në politikën gjermane në periudhën më kritike të historisë së Gjermanisë. Në 3 gusht 1914, ai mbështeti rritjen e buxhetit të luftës; madje një pozicion i tillë u ndesh dhe në parti të tjera socialiste në Evropë, duke nxjerrë në pah ndjesitë nacionaliste të kohës mbi bindjet internacionaliste. Si socialdemokrat i moderuar ai mbështeste Burgfrieden apo politikën e paqësimit të partive politike në trajtimin e çështjeve kryesore gjatë luftës, pikërisht për t’u përqendruar në përfundimin e suksesshëm të saj. Nën këtë trysni ideore e kohore, ndryshe nga koncepti internacionalist, Eberti i dha një mbështetje të pakushtëzuar “atdheut” (“Vaterland”), në vend të adoptimit të një politike të qartë kundër luftës. Por, me gjithë këtë mbështetje ndaj qeverisë, ai dhe partia e tij shiheshin si revolucionarë të rrezikshëm nga komanda e lartë ushtarake perandorake dhe anëtarët e qeverisë…
Çarja e partisë 
Eberti, edhe pse i parë si rrezik për elitën ushtarake dhe të djathtët, me politikën e tij ekuilibriste e unifikuese nuk arriti ta mbajë partinë e bashkuar. Teza e tij fillestare ishte “uniteti në uniformitet”, por më tej në kushte më pak të favorshme ai përshtati tezën konformiste të “unitetit në diversitet”. Megjithatë, nën trysninë e ngjarjeve të kohës, në mars 1917, u shkëput nga SPD-ja një fraksion i krahut të majtë, që formoi Partinë Social-Demokrate të Pavarur (USPD), të orientuar kundër luftës dhe buxhetit të saj. Një shkëputje tjetër nga SPD-ja ishte grupimi, që formoi Partine Komuniste Gjermane (KPD). Të majtët e shkëputur nga SPD-ja ishin për revolucion social, ndërkohë që Ebert dhe partia e tij kërkonin ndërtimin gradual të një demokracie parlamentare. Ende në mes të luftës, Partia Katolike e Qendrës, Partia Demokratike (më parë Partia Progresive) and Socialdemokratët formuan të ashtuquajturin koalicion të “ngjyrave”(e Zezë, e Kuqe dhe e Verdhë (e Florinjtë), sipas ngjyrave të revolucionit liberal të vitit 1848), apo ndryshe koalicionin e Vajmarit. Me rolin aktiv të Ebertit, në tetor 1918, u krijua një qeveri e re e drejtuar nga Maksimiliani, princi i Baden-it, e mbështetur nga tri partite e mësipërme. Po ashtu, Eberti, i bindur se Gjermania nuk kishte nevojë për thyerje revolucionare për të kryer një reformë demokratike parlamentare, bëri gjithçka për ta shmangur një revolucion të tillë. Në bisedë me kancelarin Maksimilian, atij i atribuohet dhe sentenca: “unë e urrej revolucionin, e konsideroj atë një mëkat”. 
Revolucioni dhe zgjedhjet 
Megjithatë, revolucioni i nëntorit 1918 ndodhi. Për shumicën e gjermanëve ai nuk lidhej fare me republikën, demokracinë e socializmin, por me një qëllim të vetëm – paqen. Këtë gjë nuk e garantonte më dot perandori (kajzeri) Wilhelm II dhe qeverisja e tij. Në fakt, revolucioni nisi 3 ditë para amnistisë dhe triumfoi në Berlin më 9 nëntor. Në këtë kohë, kolegu i Ebeertit, Philipp Scheidemann, në ballkonin e Rajshtagut shpalli krijimin e republikës, pa u konsultuar me Ebertin dhe kancelarin Max von Baden. Për këtë shpallje të njëanshme Eberti i tha kolegut të tij se nuk e kishte “atë drejtë të shpallte republikën”. Sipas Eberit, kjo e drejtë i takonte vetëm një asamble kombëtare pas zgjedhjeve… Pas kësaj shpalljeje, Maksimiliani, po atë ditë, duke ushtruar autoritetin e tij, i kërkoi Ebertit ta zëvendësonte në detyrën e kancelarit. Në vetvete, ky ishte një “revolucion nga sipër”. Sidoqoftë, duke iu nënshtruar kësaj rrjedhje ngjarjesh, ndryshe nga ajo që ai mendonte fillimisht për të modeluar një monarki kushtetuese me anë të një regjence, një revolucion i tillë si një “fait accompli”, e detyroi Ebertin që të formonte, më 10 nëntor, një qeveri me përfaqësues të SPD-së dhe USPD-së- të ashtuquajturin Këshill të Përfaqësuesve të Popullit, të mbështetur tek Këshilli i Punëtorëve dhe Ushtarëve. (Ky i fundit pretendonte se fliste në emër të Republikës Gjermane, edhe pse zgjedhja e tij ishte relativisht arbitrare, dhe vetëm në uzinat dhe regjimentet në Berlin e rreth tij). Por, Eberti, për të fuqizuar legjitimitetin e qeverisë, ishte më se i vendosur që të zëvendësonte sa më shpejt fuqinë e këtyre këshillave me një parlament të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe demokratike. Për më teper, ai parapëlqente një qeveri të moderuar koalicioni dhe jo një regjim socialist të plotfuqishëm. Edhe në atë periudhë tepër të vështirë, të rëndësishme ishin disa reforma sociale, përfshirë asistencën e të papunëve, ditën 8-orëshe të punës, votimin universal për çdo qytetar mbi 20 vjeç, të drejtën e organizmit të fermerëve e zyrtarëve të shtetit, moshën e punës, përfitimet në rast sëmundje e invaliditeti, etj. Po ashtu, u morën vendime të rëndësishme për lirinë e shtypit, ushtrimin e fesë, lirinë e fjalës, amnistinë e të burgosurve politikë, etj. Zgjedhjet e janarit 1919 i dhanë koalicionit “trengjyrësh” një shumicë prej 85%. Në krye të qeverisë së parë të republikës u vendos Scheidemann. Funksionimi i mëtejshëm i asaj qeverie u mbështet tërësisht në vendimmarrjen parlamentare dhe në kushtetutën e re gjermane – Kushtetutën e Vajmarit. Po në këtë kohë, me votat e 3 partive të koalicionit, Eberti u zgjodh presidenti i republikës. Ai, i mbështetur nga Hugo Preuss, një profesor i të drejtës kushtetuese, dëshironte ta ndryshonte arkitekturën organike të Rajhut, por shtetet gjermane (Länder) i rezistuan fuqishëm idesë së një “shteti unitar” (Einheitsstaat) në mbështetje të federalizmit dhe shtetit gjerman federal. Ndërkohë, edhe grupimet e forcat, që konsideroheshin si kolona të Gjermanisë së mëparshme mbetën të paprekura. 
Mbrojtja e Republikës 
Vitet e para të Republikës së Vajmarit u shoqëruan me konflikte të njëpasnjëshme deri luftë civile gjakderdhëse, të nxitur nga të majtë e komunistët, ish shokë të Ebertit, nga njëra anë, dhe “perandoristët” apo ruajalistët apo forcat e djathta, nga ana tjetër. Një situatë e tillë e bënte tepër të vështirë reformimin dhe transformimin e thellë të republikës, por dhe punëtorët nuk ishin të gatshëm që ta mbronin me armë republikën e brishtë demokratike. Kjo e detyroi Ebertin dhe mikun e tij Gustav Noske (ministër të mbrojtjes) që të gjenin mbështetje tek grupet e vullnetarëve – Freikorps, kryesisht të përbërë nga oficerë të ushtrisë së mëparshme. Siç u pa me shtypjen e revoltës komuniste, trupa të tillë më shumë urrenin komunizmin se donin të mbronin republikën. Sidoqoftë shtypja me armë e revoltave, edhe pse të pashmangshme për kohën, e bënë Ebertin, jo rrallë një figurë kontroversale për të majtën. Nuk duhet harruar se edhe shtresimi ushtarak e administrata e vjetër, pronarët e tokave dhe industrialistët, luajtën rolin e tyre në jetën politike-sociale të kohës duke e bërë të pamundur çuarjen përpara të revolucionit të tipit bolshevik. Në zgjedhjet parlamentare të 6 qershorit 1920, koalicioni trikolor e humbi shumicën. SPD-ja humbi, po ashtu, pozitat kyçe në qeverisje duke e bërë gjithnjë e më të vështirë orientimin, manovrimin unifikues e moderues të presidentit Ebert. Kjo humbje elektorale lidhej ngushtë me imponimin e Traktatit të Versajës, që për Ebertin ishte një pengesë serioze në rimëkëmbjen e Gjermanisë. Një nga pasojat e këtij traktati, përveç imponimit të reparacioneve të luftës, ishte grushti i shtetit (Kapp Putsch) i 13 marsit 1920 kundër republikës prej nacionalistëve radikalë për restorimin e monarkisë. Në fakt, një ngjarje e tillë e tronditi rëndë ëndrrën e Ebertit për pajtim kombëtar, përfshirë dhe atë midis ushtarakëve e social-demokratëve. Një goditje tjetër fatale ishte pushtimi francez i territorit të Ruhrit, më 1923. Në kushte të tilla, Eberti mbështeti rezistencën masive dhe grevën e përgjithshme në Ruhr, kundër kontrollit ushtarak të huaj. Por, me që Gjermania po vuante ekonomikisht nga një grevë e tillë, u hoq dorë prej saj; aq më tepër që dhe inflacioni kishte arritur përmasa tepër të rrezikshme. Po në atë kohë, Adolf Hitler, gati e morri pushtetin në Bavari. Vetë kancelari i pavarur Wilhelm Cuno, që gëzonte besimin e presidentit Ebert doli i pafuqishëm në përballje të një krize të kësaj përmase. Ishte më tej Gustav Stresemann, i Partisë së Popullit (të qendrës së djathtë) që mori kontrollin e situatës si kancelar i ri. Bile, fillimisht Eberti hezitoi për emërimin e tij, por më tej i dha të gjithë mbështetjen e nevojshme presidenciale, edhe pse kancelari i tij u zhvendos shumë djathtas në qeverisjen e tij. Nën trysninë e SPD-së, Eberti ndikoi në dorëheqjen e kancelarit në nëntor 1923. 
Vendosmëri deri në fund 
Presidenti Eberti u detyrua që t’i shfrytëzonte relativisht shpesh fuqitë kushtetuese të situatave të emergjencës, edhe pse ato, në një mënyrë apo tjetrën, krijonin ambiguitete shoqëruese. P.sh. gjatë vitit 1924, ai i ushtroi ato fuqi mbi 134 herë. Edhe pse tepër i vendosur dhe punëtor i jashtëzakonshëm, ai krijoi përgjithësisht një raport të dobët me publikun, në mënyrë të veçantë me median. Megjithatë, Eberti si president e politikan arriti ta garantonte mbijetesën dhe unitetin e republikës, por pa arritur që ta eliminonte federalizmin e saj. Po ashtu, në atë kohë të vështirë, inflacioni u fut nën kontroll me anë të një reforme monetare, ndërkohë gjetën zgjidhje dhe mjaft çështje të reparacionit, sidomos me propozimin amerikan për reduktimin e tyre. Edhe evakuimi i Ruhrit u bë çështje kohe. Slogani politik dhe jetësor i Ebertit, por dhe i partisë së tij ishte: “të gjithë pushtetet të gjithë popullit” në kundërshtim me sloganin e të majtës ekstreme: “të gjithë pushtetin këshillave të punëtorëve”. Për të, gradualizmi dhe reformat, jo revolucioni, mund ta çonin përpara çështjen e demokracisë, zhvillimin ekonomik-social të Gjermanisë së pas luftës. Me gjithë moderimin e dukshëm të Ebertit, e djathta gjermane, duke mos e honepsur politikën e tij social-demokrate, edukimin fillestar dhe origjinën punëtore të Ebertit, nisi një fushatë diskriminimi, fyerjesh e shpifjesh kundër presidentit social-demokrat; ndërsa e majta, nga ana e saj, e akuzonte atë për tradhëtim të revolucionit. Po ashtu, i “veshën” atij, pa qenë fare përgjegjës, dhe traktatin e urryer të Versajës. Me pak fjalë, ai akuzohej nga e majta si “tradhtar i klasës punëtore”, ndërsa nga e djathta si “tradhtar i atdheut”. Bile, u arrit deri aty sa një gjykatë gjermane mori vendimin absurd ndaj Ebertit me akuzën e kryerjes së një tradhtie të lartë, të paktën, sipas saj, në kuptimin legal (gjatë luftës ai kishte mbështetur grevën e punëtorëve të një uzine prodhimi municionesh, kur në luftë kishte nevojë për to)… Në ato ditë, para kalimit të çështjes në apel, në kushte stërlodhje, tensioni e emocioni të madh, ai iu nënshtrua një operacioni të vonuar apendiciti, që çoi dhe në vdekjen e parakohshme, në moshën 54-vjeçare. Por, nderimi popullor në varrimin e tij tregoi që ai e kishte fituar betejën me armiqtë e tij. Pas vdekjes së Ebertit, në detyrën e presidentit u zgjodh një lider i kohës së luftës në Komandën Supreme – Paul von Hindenburg. Ai qëndroi në atë detyrë deri në vitin 1934. Ishte ky i fundit që me pafuqinë e tij moshore e shëndetësore i hapi portat e pushtetit Hitlerit dhe falangave të tij… 
Ish-Presidenti i Republikës
Sigal