Prof. Lush SUSAJ: Mërzitja dhe mesazhi i mungesës së Kadaresë

622
Inaugurimi i shtëpisë së restauruar të Ismail Kadaresë u bë këtë vit, në 80- vjetorin e lindjes së tij në Gjirokastër. Në këtë eveniment, si gjithkund dhe si gjithmonë morën pjesë politikanë e shtetarë të shumtë, që mbushën ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave të javës me fjalimet, me deklaratat dhe me porositë e tyre stresante e të panevojshme për Kadarenë dhe për gjithë njerëzit e tjerë të shkollës, kulturës dhe letërsisë së këtij vendi. Në këtë inaugurim të mbingarkuar me politikan e zyrtarë të lartë mungonte më kryesori, mungonte i zoti i punës. Kjo mungesë ishte një reagim që pritej e që u prit shumë mirë nga njerëzit e ditur të këtij vendi, madje nuk ishin të pakët ata që ironizuan me shprehjen “dasmë pa dhëndër”. Në të vërtetë, Ismail Kadareja mungoj jo se nuk donte të vinte apo nuk kishte mjete financiare për të udhëtuar, apo nuk e kishte marrë malli për njerëzit dhe truallin ku mësoi të ecë e të flasë. Parë në dimensionin historik dhe kohor, dihet dhe pranohet nga të gjithë fakti se Ismail Kadareja është vazhdimësia më e mirë e kulturës dhe letërsisë sonë, është emri dhe vepra më përbashkuese, është niveli më i lartë i dijes dhe kulturës sonë kombëtare. Për këtë arsye, vepra e madhe e Ismail Kadaresë nuk duhet të trajtohet si një fragment apo si një krijimtari e vetmuar, apo sikur ka lindur në një vend të zbrazët ku nuk kishte të tjerë para tij e ku nuk do të ketë të tjerë pas tij. Zbrazëti dhe vetmi e tillë, as nuk ka ekzistuar dhe as nuk mund të ekzistojë. Në lidhje me këtë realitet, në prill të vitit 2013, në një analizë mbi identitetin Europian të Shqiptarëve, Ismail Kadare shkruan: “Letërsia e hershme shqipe, letërsi dygjuhëshe, shqip e latinisht, si në shumicën e vendeve evropiane, u zhvillua në të njëjtin nivel për gati tre shekuj. 

Emra të mëdhenj të saj, si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani i botonin veprat e tyre dygjuhëshe në kryeqendrat kulturore evropiane, për t’i sjellë fshehtazi në Shqipëri, ku shkrimi dhe shtypshkrimi shqip ishin të ndaluara”. Kështu që krijimtaria e Ismail Kadaresë, si dhe e gjithë krijimtaria jonë letrare dhe kulturore, nuk janë dhe nuk mund të trajtohen si rastësi apo si fenomene vetmitare, përkundrazi janë ngjizur e zhvilluar në vazhdën dhe shtratin e një krijimtarie të njohur dhe më të hershme që për fatin e mirë të këtij vendi, nuk është shembur dhe nuk është shkëputur kurrë nga Europa, madje nuk është shuar as në ditët më të vështira të pushtimeve dhe diktaturave që kemi kaluar. Ismail Kadare, në këtë situatë politike dhe ekonomike të vendit, me këtë keqadministrim të sigurisë dhe potencialeve ekonomike e kulturore, nuk mund të ndihet i qetë, as i lumtur dhe as i plotë edhe sikur në këtë përvjetor të rikostruktoheshin dhe të ndërtoheshin 1000 banesa e muzeume të tilla në Gjirokastër, as po të shkonin për ti vizituar gjithë politikanët dhe shtetarët e Shqipërisë dhe të botës. Kjo për faktin se Ismail Kadareja dhe çdo kontribuues dhe krijues tjetër i madh apo i vogël i këtij vendi, janë pjesa më e ndjeshme ndaj hajnisë, hipokrizisë, varfërisë dhe çdo sjellje tjetër që shkakton përçarje, vetmi, harresë dhe njëanshmëri. Ata punojnë dhe jetojnë me një qëllim të vetëm, të shohin zhvillimin dhe përparimin shoqëror e kulturor të vendit të tyre. Ismail Kdareja dhe kontribuuesit e tjerë të letërsisë dhe kulturës, më shumë se askush tjetër, duan një zhvillim të balancuar e të gjithanshëm të vendit, duan të njëjtin kujdes dhe investime restauruese dhe përkujtimore edhe për krijimtarinë dhe banesat e harruara e të rrënuara të Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Martin Camajt, Ali Asllanit, Vasfi Semimit, Frederik Rreshpes dhe Havzi Nelës. Nëse inaugurimi dhe përvjetori do të bëhej me më pak politikanë, me më pak mediatizim, me më pak shpërdorime, njëanshmëri e sjellje të tjera hipokrite, jam i bindur se Ismail Kadareja do të vinte që të festonte 80 vjetorin e lindjes në Gjirokastër, sepse kishte mall dhe pafundësi motivesh të tjera për të ardhur. Në të tilla kushte, ata që e njohin fisnikërinë, shpirtin dhe veprën e Kadaresë, e din fort mirë faktin që përpara se nisej për në Gjirokastër, do të bënte një vizitë tek trualli dhe shtëpia e Gjergj Fishtës, e cila, ndonëse e harruar dhe e rrënuar, njëlloj si shtëpia dhe trualli orëmadh i Kadaresë, i bën dritë e nder çdo shqiptari. 

Në një kohezion e realitet të tillë, shtëpia e rikonstruktuar e Ismail Kadaresë, në ditën e parë të inaugurimit, do të priste më shumë shkrimtarë, artiste, lexues e mësues nga e gjithë Shqipëria dhe shumë më pak politikanë e pushtetarë, realisht të paftuar e shumë pak të dëshiruar nga i zoti i shtëpisë që diti ti refuzoj me mungesën e tij. Kjo ndodhi, sepse Ismail Kadareja, në asnjë ditë të jetës dhe veprës së tij, nuk është bërë dhe nuk mund të bëhet pjesë e heshtjes dhe nënshtrimit ndaj hipokrizisë, fiktivitetit, antivlerës, keqpërdorjes dhe veprimeve të gabuara shtetërore me efekte varfëruese, shkulturuese e përçarëse. Në këtë kontekst, me kujtohet analiza e akademikut Rexhep Qosja, me titull: Pse shqiptarët nderojnë gjysmanalfabetët dhe mashtruesit, në të cilin shkruan se: “Robëria e gjatë shumëshekullore, nën Perandorinë Otomane e, mandej nën regjimet absolutiste dhe tiranike të përbëra prej satrapësh që mendojnë se-politika është kurvë, pushteti është pasuri, atdheu është pronë, e kanë vrarë pavarësinë e mendimit dhe pavarësinë e nismës në shpirtin tonë!. Për këtë arsye ne e pranojmë ose në eufori, ose në heshtje edhe sjelljen më shpërfillëse të njerëzve të politikës; për këtë arsye ne vihemi në mënyrë të përkorë edhe në anën e regjimeve shtypëse, edhe në anën e regjimeve mashtruese; për këtë arsye ne nderojmë edhe gjysmanalfabetin, edhe mashtruesin politik; për këtë arsye për të nesërmen politike ne më shumë punojmë duke e ëndërruar atë se duke e ndryshuar të tashmen. Harrojmë se ata që duan t’i sendërtojnë ëndrrat më parë duhet të zgjohen”. 

Në këtë këndvështrim, askush më mirë se Ismail Kadareja, nuk i ka shërbyer nevojës më të madhe të kohës, zgjimit dhe reagimit shoqëror e politik ndaj regjimeve mashtruese, ndaj ligësisë, shpërdorimit dhe injorancës. Askush më mirë se Ismail Kadare nuk i ka shërbyer nderit dhe dinjitetit kombëtar, rritjes së unitetit dhe bashkëpunimit kulturorë e shoqëror të gjithë hapësirës, ku jetojnë e punojnë popullsia shqiptare. Në këtë mënyrë, asgjë që lidhet me emrin, jetën dhe me veprën e Ismail Kadaresë, përfshirë edhe përvjetorin e 80-të dhe rikonstruksionin e shumëpritur e të vonuar të banesës së tij, nuk mund të përdorën për përfitime politike e as për imazh, në një kohë, kur varfëria ka arritur në limite të paimagjinueshme e kur vendi përngjan me një kantier të rrënuar nga hajnia e ngatërresat e panevojshme, të neveritshme e të pashembullta për vendet dhe botën demokratike. Askush nuk duhet të mendoj se Ismail Kadareja mund të ndihet mirë kur shef dhe dëgjon se edhe pas këtyre 25 viteve të mbushura me sajesa e ngatërresa mes veti, përsëri nuk ka qarkullim të mirëfilltë të vlerave, as të projekteve shoqërore dhe as të elitave politike, juridike, kulturore dhe ekonomike të vendit. Në psikologji thuhet se, vëzhgimi dhe analiza psikologjike e ngjarjeve, na ndihmon për t’i kuptuar më mirë ato. Për këtë qëllim na vjen në ndihmë teoria e Niçes, i cili (në vitin 1882) argumentonte se: “Analizojini motivet tuaja më thellë, ju do të gjeni që askush nuk ka bërë ndonjë gjë kryekëput për të tjerët. Të gjitha veprimet janë të drejtuara nga vetja, çdo shërbim i bëhet vetes, çdo dashuri është dashuri për vetën. Gërmoni më thellë e do të zbuloni se ju nuk i doni ata, çka ju doni janë ndjesitë e këndshme. Kështu që a mund t’ju pyes sërish : përse dëshironi që të me shërbeni ?- sepse ju do të bëheni edhe më i famshëm”.

Në këtë kontekst, një analizë e tillë do të na shërbente për të kuptuar më mirë qëllimin e vërtetë të gjithë atyre që tentuan apo që do të tentojnë për të përdorur, politizuar dhe mediatizuar me tepri të tilla evenimente me rendësi dhe gjithpërfshirje kombëtare. Na shërben për të kuptuar qëllimin e vërtetë të atyre që guxojnë të flasin pa shpirt e pa tru për Kadarenë, të atyre që tentojnë të mbajnë fjalime e deklarata politike e elektorale nga “Shtëpia muze” e Kadaresë apo që duan ta paraqesin atë dhe veprën e tij si një produkt të rastësishëm të një humnere e zbrazëtie imagjinare apo që duan ta paraqesin Kadarenë si të vetmin, apo si të parin e të fundit në historinë e gjatë e të mundimshme të gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe. Ismail Kadareja është shumë më tepër nga ajo që imagjinojnë politikanët, shtetarët dhe mediat servile. Ismail Kadare është vazhdimësia më e mirë, është plazma më identitare dhe më vitale e farës sonë. Është përbashkuesi më i mirë i vlerave, aftësive dhe kontributeve tona kombëtare. Është analiza dhe zëri më frymëzues në betejën tonë të përjetshme, për zhvillimin dhe përparimin politik dhe shoqëror të botës shqiptare.
Sigal