Prof. Lisen Bashkurti: Presidenti Meta, garant kushtetues dhe mbrojtës i interesave të vendit

851
Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta e ka dërguar komunikimin institucional në Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme ndaj kërkesës së kësaj të fundit për pajisjen me autorizimin për plotfuqishmërinë për negociatat me Greqinë lidhur me marrëveshjen për delimitimin e kufirit detar dhe rregullimin e atij territorial midis dy vendeve. Me këtë komunikim institucional Presidenti Meta përmbushi detyrimin e Tij kushtetues dhe ligjor. Përveç komunikimit institucional Presidenti Meta doli edhe publikisht për informimin e opinionit mbarë shqiptar dhe më gjerë si dhe të mediave. Me këtë komunikim Presidenti Meta përmbushi një detyrim publik për informim e transparencë lidhur me çështje të interesit të lartë shtetëror. Në kushtet kur ekzekutivit i ka munguar dukshëm komunikimi transparent e permanent publik e mediatik për gjithë procesin e negociatave me Greqinë për çështjet madhore midis dy vendeve, dalja publike e Presidentit Meta e plotësoi këtë vakum informativ për publikun dhe median.
1. Garanti kushtetues
Së pari, në komunikimin me Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme dhe me opinionin publik dhe mediatik Presidenti Meta është mbështetur në mënyrë bazike te Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, lidhur me funksionet e Presidentit të Republikës. As më shumë dhe as më pak, pra pa tejkalime dhe pa mangësi Presidenti Meta u paraqit në lartësinë e shtetarit që mbron aktin më të lartë publik-Kushtetutën e Republikës. 

Së dyti, për vete specifikën e precedentit të rastit të negociatave Shqiptaro-Greke për delimitimin e kufirit detar Presidenti Meta iu referua edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë të vitit 2010 për hedhjen poshtë të marrëveshjes së firmosur midis qeverive të të dy vendeve të asaj kohe. Për Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vendit të vitit 2010 për hedhjen poshtë si anti-kushtetuese të marrëveshjes për delimitimin e kufirit detar Shqipëri-Greqi të firmosur nga qeveritë e dy vendeve të asaj kohe përbëjnë “vijën e kuqe” përtej të cilës nuk mund të veprojë askush. Mbështetja tek Kushtetuta e vendit dhe tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 për këtë çështje janë garancia e plotë për rolin e Presidentit për mbrojtjen e Shtetit Shqiptar dhe rendit të tij kushtetues. Më shumë dhe më qartë se çdo paraardhës i tij në atë zyrë Presidenti Meta shpaloset konsultativ, i qartë, i saktë dhe i vendosur për të luajtur rolin e Kryetarit të Shtetit. 
2. Mbrojtës i ligjit
Komunikimi i Presidentit Meta me Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme dhe opinionin publik dhe mediatik paraqiti disa kërkesa përmbajtësore dhe proceduriale edhe në çështje të politikës së jashtme dhe diplomacisë shqiptare. Kërkesat përmbajtësore për politikën e jashtme kanë të bëjnë me informimin e Presidentit mbi projekt-marrëveshjen, parimet, strategjinë, objektivat, prioritetet, opsionet alternative, avantazhet dhe disavantazhet e çdo opsioni të mundshëm dhe pasojat e tyre për interesat e vendit. Këto elementë tërësisht përmbajtësorë duhet të jenë në tryezën e Presidentit për shkak të rëndësisë kapitale si dhe për të evituar devijimet nga kurthet që mund të sjellin negociatat. Kjo kërkesë e Presidentit është e drejtë ligjore e tij që nuk lidhet me asnjë paragjykim. Lidhur me kërkesat përmbajtësore Presidenti i Republikës, z. Meta i ka kërkuar Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme edhe një relacion të hollësishëm për çdo gjë që lidhet me negociatat. Ky relacion nevojitet për t’i dhënë informacion shtesë Presidentit edhe përtej projektit të draft-marrëveshjes së palës Shqiptare. Nga përvojat e kaluara kemi mësime të hidhura në procese negociuese për shkaqe të ndryshme. Nisur nga këto përvoja Presidenti kërkon relacion të gjerë dhe të detajuar përveç draft- marrëveshjes. Edhe kjo kërkesë e Presidentit Meta është tërësisht ligjore. Kërkesat proceduriale të Presidentit Meta lidhen me formatin e ekipit negociator. Në këtë aspekt Presidenti Meta ka kërkuar tre elementë shumë të rëndësishëm dhe plotësisht të drejtë. 

Së pari, zgjerimi i bazës së institucioneve që duhet të kenë përfaqësues në ekipin negociator, duke përfshirë institucione shtetërore, institucione qeveritare, sigurie, ekonomie, akademike e profesionale. Kjo kërkesë është shumë e drejtë, sepse diktohet nga përmbajtja e negociatave, peshën politike dhe ekspertizë të së cilës nuk mund ta mbajë një numër i kufizuar institucionesh dhe një numër i pakët ekspertize. 

Së dyti, Presidenti ka kërkuar që të informohet edhe nominalisht lidhur me ekipin negociator. Edhe kjo kërkesë është shumë e rëndësishme dhe e drejtë. Teoria dhe praktika e negociatave jep mijëra raste suksesesh dhe dështimesh për shkak të individëve negociatorë. Historia, teoria dhe praktika e negociatave mijëra vjeçare dëshmojnë se jo çdo i votuar në politikën e brendshme mund të suksesojë në politikën e jashtme; jo çdo titullar i Ministrisë së Jashtme mund të jetë negociues i zoti; jo çdo diplomat zyrtar mund të njohë teknikat e pafundme e plot kurthe të negociatave; jo CD individ gëzon besueshmëri atdhetare, integriteti dhe profesionale për të përfaqësuar vendin në tryeza negociatash ndërkombëtare. 
Së treti, Presidenti Meta kërkon bërjen publike të ekipit negociator. Bërja publike e ekipit negociator është kërkesë e normë e diplomacisë publike në vendet e shoqëritë demokratike. Në këtë aspekt, me të drejtë Presidenti Meta lë të hapur shtegun dhe për konsultime apo angazhime të ekspertizës së huaj.
3. Kontribues për fqinjësinë e mirë dhe mbarë rajonin
Në letrën drejtuar Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme si dhe në komunikimin publik dhe mediatik Presidenti Meta ka përcjellë mesazhe të qarta dhe pa ekuivok në mbështetje të rëndësisë së dialogut politik e diplomatik për zgjidhjen e problemeve midis vendeve. Presidenti Meta ka çmuar në mënyrë të veçantë e me tone dashamirëse zhvillimin e marrëdhënieve Shqiptaro-Greke për dy vendet dhe mbarë rajonin. Z. Meta publikisht dhe me një gjuhë të zgjedhur diplomatike shprehu respektin e vlerësimin për Kryeministrin Grek, Cipras në marrëdhëniet midis dy vendeve. 

Komunikimi i Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta me Ministrinë e Evropës dhe të Punëve të Jashtme dhe dalja e tij për komunikim publik e mediatik lidhur me procesin e negociatave Shqiptaro-Greke për delimitimin e kufirit detar, zgjidhjeve të aspekteve të kufirit territorial e çështjeve të tjera erdhi si përmbushje e detyrimeve kushtetuese, ligjore dhe përgjegjësive politike të tij ndaj Shtetit Shqiptar dhe interesave publike. Gjithashtu komunikimi institucional e publik erdhi mbas një procesi konsultativ me personalitete të larta politike, publike dhe profesionale. Nga ana tjetër, kërkesat e Presidentit Meta të parashtruara në komunikimin institucional dhe publik synojnë gjithëpërfshirje më të madhe dhe transparencë më të plotë në çështje të politikës së jashtme dhe diplomacisë shqiptare, si parime të rëndësishme të politikë- bërjes dhe vendim-marrjes të modelit të qeverisjes Evropiane.
Sigal