Prof. Lisen Bashkurti: Plotfuqishmëria e Presidentit-Përgjegjësi e lartë shtetërore

828
Nga mediat dhe institucionet shtetëtore jemi njoftuar se në zyrën e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta ka arritur kërkesa e Ministrit të Evropës dhe Punëve të Jashtme, z.Ditmir Bushati për plotfuqishmërinë e delegacionit shqiptar në bisedimet me palën greke për delimitimin e kufirit detar midis dy vëndeve. Nisur nga kjo kërkëse dhe nga nevoja për një qëndrim kushtetues dhe ligjor, Presidenti Meta ka nisur konsultime me personalitete të larta, me njohuri e përvoje të gjatë në këto çeshtje.Ndërkohë po lexojme artikuj, komente dhe opinione nga me të ndryshmet.

1. Parimi kushtetues
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e jep Presidentit të Republikës atributin e garantit të unitetit të popullit dhe të mbrojtjes së Kushtetutës së vëndit. Në respekt të plotë me këtë detyrim kushtetues Presidenti Meta po fton për konsultime ish-presidentët e Republikës lidhur me negociatat për delimitimin e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo është e drejtë kushtetuese dhe veprim politik i drejtë.

2. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2009 mbi marrëveshjen ndërqeveritare Shqipëri-Greqi për delimitimin e kufirit detar
Në vitin 2009 Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë marrëveshjen e firmosur midis dy qeverive për delimitimin e kufirit detar Shqipëri-Greqi. Ndër të tjera ky vendim rrezoi marrëveshjen edhe për mungesën e aktit të plotfuqishmërisë së Presidentit të Republikës për delegacionin negociues shqiptar. Presidenti Meta po vepron në respekt të plotë të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese mbi dhënien e plotfuqishmërise për delegacionin negociues shqiptar me palën greke.

3. Ligji për plotfuqishmërinë
Dhënia e plotfuqishmërise bazohet tek ligji Nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shsiperisë”, Neni 6, Pika 3/b,c. Presidenti Meta po vepron në përputhshmëri me ligjin e mësipërm në Republikën e Shqipërise mbi detyrimin e tij për aktin e plotfuqishmërisë dhe procedurat e lëshimit të tij.

3. Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve, 1969
Në vetvete ky ligj bazohet në Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve (1969) e Kombeve të Bashkuara, e cila përcakton institucionet përfaqësuese ndërkombëtare të shteteve si dhe kompetencat e procedurat e pajisjes së tyre me aktin e plotfuqishmërisë. Presidenti Meta po vepron në respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare mbi vendin, rolin dhe procedurat që duhet të përmbushë lidhur me përfaqësimin e Republikës së Shqipërise në negociata për lidhje marrëveshjesh ndërkombëtare në emër të Shtetit Shqiptar.

4. Transparenca dhe gjithëpërfshirja si parime demokratike evropiane
Në Traktatin e Lisbonës të Bashkimit Evropian përcaktohen katër parime madhore të politikë-bërjes dhe vendimmarrjes në BE. Dy nga këto parime kanë të bëjnë me transparencën dhe gjithëpërfshirjen. Duke informuar opinionin publik dhe duke filluar konsultime gjithëpërfshirëse për rastin e negociatave për delimitimin e kufirit detar midis Shqipërise dhe Greqisë, Presidenti Meta po vepron në respekt të plotë të parimeve evropiane të politikëbërjes dhe vendimmarrjes transparente dhe gjithpërfshirjes. Duke respektuar Kushtetutën, ligjin e brëndshëm dhe të drejtën ndërkombëtare si dhe parimet evropiane të politikëbërjes dhe vendimmarrjes, Presidenti Meta mbron në thelb interesat kombëtare të Shqipërise, dialogun për zgjidhjen e problemeve me fqinjët, si dhe i shërben ruajtjes dhe zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro-greke bazuar në bashkëpunimin dhe interesat reciproke.
Sigal