Prof. Lisen Bashkurti: Albanofobia e Presidentit Ivanov gërryen themelet e Maqedonisë

708
Prof. Lisen Bashkurti 

Presidenti i Maqedonisë Ivanov refuzoi të dekretonte ligjin mbi përdorimin e gjuhës shqipe në nivel shtetëror në Maqedoni. Ky ligj buron nga Marrëveshja Kuadër e Ohrit e vitit 2001. Mbas një procesi të gjatë u poqën kushtet politike, ndëretnike, shoqërore, arsimore dhe kulturore që ligji të miratohej me një baze të gjerë mbështetje parlamentare. Miratimi i ligjit nga Parlamenti i Maqedonisë është një arritje e madhe për marrëdhëniet demokratike e ndëretnike në Maqedoni. Ky ligj është vlerë demokratike për shtetin dhe për mbarë shoqërinë në Maqedoni. Ai forcon themelet e unitetit politik, marrëdhëniet ndëretnike dhe kohezionin social brenda Maqedonisë. Miratimi i ligjit për gjuhën shqipe është fitore pa të humbur. Nga kultura, gjuha, edukimi nuk humbet askush, por përfitojnë të gjithë. Ligji reflekton tipikisht vlerat multikulturore të demokracisë Evropiane në mjediset Ballkanike. Kosova dhe Maqedonia bëhen kështu shtetet e para multilinguistike në Ballkanin Perëndimor. Vetëm një njeri është kundër këtij ligji: Presidenti i Maqedonisë Ivanov. Përfaqësuesi i garantimit kushtetues i unitetit politik deklarohet kundër ligjit. Autoriteti që lypet të kujdeset për zbatimin rigoroz të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit e shkel atë me dy këmbë. Institucioni që nevojitet të përkujdeset për marrëdhëniet ndëretnike prodhon albanofobi me qëndrimet e tij. Posti që do duhej të nxiste Europianizimin e vendit kthehet në doktrinat retrograde të së kaluarës. Ivanovi është remineshencë e pandryshueshme. Është kadavër e së kaluarës së errët. Është bartës i urrejtjes, frikës dhe armiqësisë ndëretnike në Ballkan. Koha e tij ka mbaruar për të mos u kthyer më kurrë. Ligji i gjuhës shqipe tanimë është miratuar. Ai do hyjë në fuqi brenda pak javësh, pavarësisht paqarave që zunë myk ndër tempujt e së kaluarës. Natyrisht kërkohet kujdes dhe vigjilencë e lartë. Ivanov nuk është i vetëm. Ai ka mbështetje brenda Maqedonisë deri në stepat e Azisë. Them kujdes e vigjilencë sepse në Ballkan është lehtë të provokohen kriza dhe është shumë vështirë të prodhohet paqe.
Sigal