Prof. Ismet Elezi / Trashëgimia kulturore juridike e shtetit të pavarur kombëtar shqiptar (28 Nëntor 1912)

1054
Sigal

Në kuadrin e 100 -vjetorit të Pavarësisë Kombëtare

Krijimi i shtetit të pavarur kombëtar shqiptar, një shekull më parë, ishte ngjarja më madhore në historinë kombëtare shqiptare. Me këtë fitore u kurorëzuan lëvizjet për liri e pavarësi, programi i rilindësve tanë të mëdhenj Naum Veqilharxhi, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Zef Jubani, si dhe e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) për organizimin e kryengritjeve të armatosura me përhapjen e idesë iluministe të arsimit e të kulturës kombëtare.

Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar nuk lindi nga hiçi, por mbi bazën e traditës së lashtë shtetformuese, duke filluar nga shteti ilir (shteti IV-II) para e.r., shteti i Arbërit (shek.XII), shteti i Skënderbeut (shek.XV), Pashallqet e Janinës të Ali Pashë Tepelenës në Jug (shek.XVIII-XIX), të Bushatllinjve në Veri (shek.XVIII), të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878).

Rrethanat historike në të cilat u mblodh dhe zhvilloi punimet Kuvendi i Vlorës për shpalljen e pavarësisë kombëtare ishin jashtëzakonisht të vështira, për arsye se pjesa më e madhe e viseve shqiptare ishte e pushtuar nga ushtritë e huaja italiane, greke, serbe, franceze etj.

Në një raport të publikuar nga amerikani Howard James flitet për tragjeditë e shqiptarëve të Jugut nga tetori i vitit 1913, ku ishin djegur ose hedhur në erë mbi 300 fshatra me 35 mijë shtëpi dhe kishin mbetur pa strehë mbi 330 mijë veta. Sipas llogaritjeve të tij, ishin vrarë, therur me thikë, me bajonetë ose djegur plot 20 mijë burra, gra e fëmijë nga andartët grekë, bashkë me ata të Spiro Milos.Një gjendje tragjike ishte në Kosovë, ku u masakruan e u vranë nga serbët dhjetëra mijëra njerëz të pafajshëm dhe u dëbuan me forcë nga trojet e tyre etnike mijëra të tjerë, ashtu siç kreu gjenocid edhe krimineli Milosheviç në vitet 1998-1999. Viti 1913 kujtohet edhe për Konferencën e Londrës, e cila vendosi padrejtësinë më të madhe historike për kombin shqiptar, duke i ndarë shqiptarët në pesë shtete. Pavarësisht nga kjo gjendje tepër e trazuar dhe e rëndë, patrioti i madh, intelektuali e diplomati i shquar Ismail Qemali, së bashku me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Luigj Gurakuqin, etj. arritën të përballojnë rreziqet e sfidat dhe të mbledhin Kuvendin Kombëtar, i cili vendosi shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ismail Qemali, i udhëhequr nga idetë e rilindësve i vuri ato në themel të krijimit të shtetit të ri të pavarur kombëtar, zbatoi filozofinë e Sami Frashërit se “Dy gjëra duhen në këtë jetë: E drejta dhe Fuqia” (lexo – shteti). E drejta pa fuqi, si dhe fuqia pa të drejtë është si një krah i vetëm”. Njëkohësisht filloi të realizoheshin idetë e shprehura prej tij në veprën “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” për formën e qeverisjes së vendit, organizimin e shtetit të ri, kompetencat e organeve qëndrore e vendore, ndarjen dhe balancimin e pushteteve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Këto ide u konkretizuan që në aktet e para juridike të Qeverisë së Vlorës, si një trashëgimi kulturore juridike me vlerë. Shteti i sapokrijuar nuk mund të kryente dot funksionet e tij pa të drejtën, pa ligje, që të rregullonin marrëdhëniet juridike në fushat e jetës. Gjithashtu Ismail Qemali, duke qenë edhe vetë jurist, e dinte shumë mirë se e drejta, ligjet, nuk mund të zbatoheshin pa shtetin, pa autoritetin dhe forcën e shtetit. Pikërisht për këto arsye, duke patur si udhërrëfyes këto ide të unitetit të shtetit me të drejtën, bashkë me krijimin e shtetit të pavarur, krijoi edhe të drejtën pozitive shqiptare. Edhe e drejta pozitive shqiptare nuk lindi nga hiçi, por si rezultat i traditës juridike të lashtë – i së drejtës zakonore shqiptare, e cila mbijetoi e nuk u asimilua nga ligjet e sundimtarëve të huaj dhe u trashëgua brez pas brezi në traditën gojore deri në kohën e re. Gjithashtu e drejta pozitive lindi mbi bazën e Statuteve të qyteteve – komune (fillimet e shek.XIV) të Shkodrës, Durrësit, Tivarit, Drishtit, Budvës etj. të ndërtuara sipas modelit të statuteve të qyteteve të Italisë. E drejta pozitive e shtetit shqiptar që me fillimet e saj, me aktet e para juridike u përgatit dhe u vu në zbatim në trajtën e kanoneve, me orientim krejtësisht europian, duke u ndarë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë osmane. Për këtë qëllim më 10 maj 1913, u shpall “Kanoni i Zhurisë” (Kanuni i Jurisë), datë e cila shënon ditën e drejtësisë që përkujtohet çdo vit në Shqipëri, i botuar në gazetën “Përlindja e Shqipnies” Vlorë 1913, dhe ribotuar nga autori me komente në “Jeta Juridike” N.1/2007, f.4-18, i hartuar me një bukurshkrim të mahnitshëm nga dora e Luigj Gurakuqit dhe shkruar në bashkëpunim me ish ministrin e drejtësisë së qeverisë së Ismail Qemalit, Pertef Poga, e bashkëpunëtorë të tjerë. Miratimi dhe hyrja në fuqi e Kanunit të Jurisë kishte rëndësi të madhe, sepse hodhi themelet e organizimit gjyqësor të shtetit të pavarur shqiptar, duke i dhënë fund sistemit osman të kadinjve, siç shprehej Zef Jubani dhe kërkonte programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kanuni i Jurisë përmban në strukturën e tij parathënien me gjashtë pjesë e 30 nene. Mund të vërehet se 30 nenet e Kanunit të Jurisë janë formuluar me një teknikë ligjore të lartë, që do ia kishin zili kodet e tanishme, sidomos disa nene të Kodit Penal. Në parathënie jepet nocioni i veprës penale si veprim që prek të drejtat e njeriut, jetën, lirinë dhe pronën e tij. Me rëndësi është ndarja e fajeve (lexo veprave penale) në tri kategori sipas modelit të kodeve penale perëndimore: në dëme (kundërvajtje), faje të vështira (delikte) dhe faje të shëmtimeve (krime). Përsa i përket dënimeve për veprat penale, Kuvendi i Vlorës adoptoi përkohësisht ligjin penal osman, derisa të hynte në fuqi Kodi Penal i shtetit shqiptar (1928). Në Kanunin e Jurisë realizohet lidhja organike e kuptimit të fajit (veprës penale) me mënyrën e gjykimit të tij. Një vend kryesor në Kanun zë organizimi gjyqësor me pranimin e sistemit të jurisë. Ndër masat e para të shtetit të ri shqiptar ishte organizimi i gjyqeve (1913), sipas të cilave u krijuan gjykatat e shkallës së parë të nënprefekturave, që ishin kompetente për gjykimin e çështjeve civile dhe kundërvajtjeve e delikteve, ndërsa krimet gjykoheshin nga juria. Kjo u zbatua vetëm një herë për një çështje në Elbasan dhe më vonë juria u suprimua, për shkak se populli ynë ishte i papërgatitur për të plotësuar qëllimet e gjyqit me juri. Sigurisht, në ato rrethana historike në të cilat ndodhej vendi, kur nuk mund të sigurohej zbatimi i plotë i Kanunit të jurisë, ishte i përligjur edhe veprimi i së drejtës zakonore tradicionale për konflikte civile e penale. Gjithsesi, Kanuni i Jurisë, si akti i parë juridik i shtetit të pavarur shqiptar është me rëndësi historike për sistemin e drejtësisë penale, në veçanti për organizimin, funksionimin dhe procedurën gjyqësore të gjykatave shqiptare në tërësi. Në kanun i kushtohet vëmendje edhe prokurorisë e avokatisë.Pome aq rëndësi historike në fushën e administratës së shtetit të ri shqiptar, është edhe “Kanuni i Përtashëm i Administratës Civile të Shqipnies” më 22 nëntor 1913 (botuar në “Përlindja e Shqipnies”, Vlorë 25-30 nëntor 1913). Duke u udhëhequr nga idetë e Pashko Vasës për një administratë gjithëpërfshirëse në këtë akt juridik u hodhën themelet e administratës së re civile dhe të organizimit të saj në shtetin shqiptar të sapokrijuar, sipas modelit të administratës së shteteve perëndimore, bazuar në parime demokratike. Kanuni quhej i “Përtashëm” për arsye se do të vepronte për një kohë të caktuar derisa të stabilizohej shteti dhe të miratohej një ligj i ri nga organi kompetent që do të vendosej. Në kanun përcaktohej struktura e administratës civile: “Shqipëria asht e ndarë në një a më shumë qarqe katundare dhe cilido qark numërohet një krahinë (art.1)”. Më tutje flitet për kufijtë ku vepronte prefekturat dhe qendrat qeveritare. Me hollësi shpjegohen kompetencat e Këshillit të Prefekturës, të administratës së prefekturës e të prefektit. Me rëndësi të veçantë është sanksionimi në Kanun i parimit filozofik të Monteskies, të parimit të ndarjes së pushteteve, ku thuhet se: “Prefekti asndonjëherë nuk do të mund të përzihet në punët e drejtësisë dhe të përdorë influencën e tij mbi gjyqet, që po shqyrtohen nga gjykatorët, po, në qoftë se trajton ndonjë paudhësi në sjelljen dhe veprimin e gjykatësve ose kupton pavleftësinë e keqpërdorimet e nëpunësve të drejtësisë, atëherë me anën e Drejtorit të Drejtësisë, a të inspektorit ose drejtpërdrejt lajmëron Ministrinë e Drejtësisë” (Art.16).Siç shihet, Kanuni vë në baza parimore juridike ndarjen e pushteteve, raportet e prefektit (administratës civile) dhe më tutje edhe të nënprefektit me organet e drejtësisë, me pushtetin gjyqësor e prokurorinë. Në Kanun përcaktohen qartë statusi juridik i administratës civile të shtetit, përbërja dhe kompetencat e saj për çdo organ në veçanti. Gjithashtu flitet për sistemin e zgjedhjeve. Merita e Qeverisë së Ismail Qemalit ishte se menjëherë sapo u krijua shteti i pavarur mori masa për të ndërtuar një administratë civile të re, të shkëputur nga ajo e perandorisë osmane.

Meritë tjetër e madhe ishte vendosja e raporteve të drejta mbi baza parimore të ndarjes së pushteteve, duke siguruar pavarësinë e pushtetit gjyqësor nga ndërhyrjet e ekzekutivit. Këto vlera kulturore juridike të Kanunit të Përtashëm ruajnë aktualitetin e tyre përsa i përket respektimit të parimit kushtetues të ndarjes e balancimit të pushteteve, ndërmjet pushtetit legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor, që përbëjnë problem shqetësues edhe në kohën e tanishme. Ky Kanun së bashku me Kanunin e Jurisë mbeten si monumente të trashëgimisë kulturore juridike të qeverisë së Ismail Qemalit dhe në 100 -vjetorin e Pavarësisë kombëtare ruajnë jo vetëm vlera historike por edhe aktuale për drejtësinë shqiptare e për administratën e re. Trashëgimia kulturore juridike e shtetit të pavarur shqiptar, për shkak të rrethanave politike që u krijuan nga Lufta Ballkanike, Lufta e Parë Botërore, kur Shqipëria u bë shesh luftimesh si dhe për shkak të dorëheqjes së Qeverisë së Vlorës e të largimit nga Shqipëria të themeluesit të shtetit të pavarur e të së drejtës pozitive – Ismail Qemalit, pësoi goditje të fuqishme. Tradita juridike kombëtare shqiptare u rivendos vetëm pas Kongresit të Lushnjës (1920 – 1922), kur u miratuan Statuti i Lushnjës (1920) dhe zgjerimi i Statutit të Lushnjës (1922). Këto Statute hodhën bazat e rindërtimit e të konsolidimit të shtetit dhe të së drejtës pozitive shqiptare. Trashëgimia kulturore juridike nga shteti i pavarur shqiptar në kushtet e sotme të pluralizmit ka arritur nivele të pakrahasueshme me të kaluarën dhe synon të kapërcejë sfidat që ka përpara dhe të arrijë standardet europiane.