Prof. Inordinar Alqi NAQELLARI/ A duhet të bëhet monopol i Bankës Qendrore euro dhe dollari?

59

*Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

 Monedha zyrtare  në Shqipëri është leku, i cili kryen gjithë funksionet e tij, si mjet pagese, mjet këmbimi, rezervë vlerash etj.. Krahas lekut  qarkullojnë edhe një sërë monedhash të vendeve të tjera si euro, dollarë, franga, paund, denarë etj.. Pavarësisht se, leku është monedhë zyrtare rolin si mjet pagese,  mjet këmbimi apo si mjet i pagesave të shtyra e luajnë edhe monedhat e tjera, veçanërisht euro dhe dollari. Kjo do të thotë se në tregun shqiptar praktikisht nuk kemi një monedhë zyrtare të shtetit shqiptar por kemi tri të tilla, lek, euro dhe dollarë.  Me euro, brenda territorit shqiptar, më shumë sesa me lekë, mund të blesh  toka, apartamente dhe mjete të tjera kryesore pa kurrfarë kufizimi. Në këtë mënyrë valuta nuk përdoret thjesht për të bërë transaksione me vendet e tjera, për importe, por përdoret edhe si mjet pagese për të mira dhe shërbime brenda vendit. Ky rol i saj që i është lejuar prej Bankës Qendrore dhe prej Qeverisë shqiptare ka një sërë pasojash negative për ekonominë shqiptare. Para se të shpjegojmë pasojat negative do japim strukturën e kërkesave për valutë.

Valuta kërkohet prej:

-Të gjitha firmat e huaja që operojnë në Shqipëri fitimet e tyre i nxjerrin jashtë jo në lek por në valutë. Keni parasysh që në Shqipëri të gjitha kompanitë e telefonisë mobile janë të huaja, Vodafon, AMC, Eagle, Plus etj.. Këto nxjerrin me qindra milionë euro jashtë Shqipërisë në formë të fitimeve.

-Kompanitë e huaja në sferën e prodhimit dhe të shërbimit, në fushën e prodhimit dhe të eksportimit të materialeve të gatshme dhe të përpunuara. Kompani të tilla të huaja janë me qindra ku dominojnë kompanitë greke, italiane, turke, gjermane etj..

-Qytetarët shqiptarë që kalojnë pushimet jashtë Shqipërisë.

-Qytetarët shqiptarë që kanë investuar valutën e tyre në bankat jashtë territorit të Shqipërisë.

-Qytetarët shqiptarë që kanë investuar apo investojnë kapitale në vendet e tjera.

-Të gjitha shërbimet e qeveritarëve dhe të biznesit jashtë territorit të Shqipërisë.

-Qytetarët që kërkojnë të blejnë të mira që tregtohen në valutë.

– Bankat e huaja që veprojnë në Shqipëri nxjerrin jo vetëm fitimet e tyre, por edhe investojnë në produkte të ndryshme bankare apo direkt në biznese të huaja jashtë territorit të Shqipërisë.

– Kompanitë e importeve, etj..

Të gjitha këto kërkesa ndikojnë në rritjen e kërkesës për valutë. Kjo rritje e kërkesës ndikon drejt për drejtë në zhvlerësimin e lekut shqiptar. Banka e Shqipërisë ka miratuar kurse fleksible, për pasojë ajo nuk ndërhyn në rastet e zhvlerësimit të saj. Por edhe nëse do të ndërhynte nuk do kishte dot force që ta përballonte tregun sepse ajo nuk posedon valutë më shumë se 4.7 muaj importe.

Pasojat negative të lejimit të qarkullimit si para zyrtare të euros dhe dollarit.

Së pari, duke futur valutën në qarkullim, me të drejtën e mjetit të pagesës pa kufizim, me kurs këmbimi fleksibël, rritet në mënyrë artificiale kërkesa për valutë. Çmimi i apartamenteve në Shqipëri reklamohet në euro dhe asnjëherë në lek. Kështu qytetarët janë të detyruar ti drejtohen tregut të valutës për të bërë këmbimet përkatëse. Duke pasur parasysh që në një vit shiten me mijëra apartamente sasia e kërkuar e valutës rritet në mënyrë të dukshme duke ndikuar në zhvlerësimin e monedhës vendase. Krahas këtij produkti, kemi një sërë produktesh të tjera që tregtohen në valutë si, toka, automjetet, tarifat e pagesës së studentëve në universitetet private, pagat e nje sërë punonjësve të ndërmarrjeve të huaja që operojnë në Shqipëri, etj..

Së dyti, duke futur valutën në qarkullim fragmentarizohet tregu monetar, ku një pjesë e zë leku, një pjesë e zë euro dhe pjesën tjetër e zë dollari. Ku shikohet ky fragmentarizim? Ky fragmentarizim shikohet në strukturën e depozitave dhe atë të kredive. Nëse do t’i referohemi të dhënave të Bankës Qendrore kemi këtë pamje:

Raporti midis depozitave ne lekë dhe depozitave në valutë është thuajse 50% me 50%. Kjo do të thotë se valuta ka fituar prioritet ndaj lekut shqiptar në krahasim me disa vite më parë. Sa i përket kredisë kemi raportin e përafërt 60% të kredive në valutë dhe vetëm 40% të tyre në lekë. Kjo tregon se subjektet ekonomike janë të prirur të marrin më shumë kredi në valutë për arsyet e mësipërme por edhe për arsye të tjera ndër të cilat përmendim normën e ulët të interesit.

Së treti, Banka e Shqipërisë në këto kushte nuk mund ta kontrollojë dot tregun monetar. Duke mos kontrolluar dot tregun monetar ajo nuk arrin të kontrollojë dot as normën e inflacionit i cili është edhe objektivi i saj kryesor i tanishëm dhe i perspektivës. Pse nuk e realizon dot këtë objektiv? Arsyeja është se ajo aplikon instrumente monetarë indirekt që kanë të bëjnë me lekun dhe jo me valutën. K6shtu ajo vepron  dhe ndikon në treg me normën bazë të interesit të lekut. E ul ose e rrit atë sipas konjukturave të tregut në funksion të realizimit të objektivit të saj kryesor. Çfarë është vërejtur prej ndërhyrjeve të Bankës Qendrore në treg. Është vërejtur se ajo nuk e kontrollon dot inflacionin. Nga viti 2009 dhe deri sot ajo e ka ulur normën e REPO-ve nga 6.25% në 3%. Këtë e ka bërë që të rriti paranë në qarkullim me synim të rritjes së kërkesës agregate nga rritja e kredive  në lekë për investime. Ky veprim do ndikonte në rritjen e normës së inflacionit. Pra BQ ka aplikuar një politikë monetare ekspansioniste pasojë e së cilës në një ekonomi normale është rritja e inflacionit. Në Shqipëri jo vetëm që nuk është rritur kërkesa agregate po është ulur edhe norma e inflacionit. Sot që ne diskutojmë norma e inflacionit është 1%, nga 1.7% që ka qenë një muaj më pare. Megjithëse BQ ka ulur normën bazë të interesit subjektet ekonomike nuk janë të  interesuar të marrin kredi në lekë por janë të interesuar ta marrin në valutë. Kjo sepse norma e interesave të valutës është më e ulët se norma në lek.

Banka Qendrore  e Shqipërisë përcakton normën bazë të interesit (REPO) të lekut, por jo atë të valutave kryesore, të euros dhe të dollarit. Normën bazë të euros e përcakton BQE(Banka Qendrore Europiane) dhe normën bazë të dollarit e përcakton Feed, ose Banka Qendrore e SHBA-ve. Në këtë mënyrë duke mos përcaktuar dot normat e tyre të interesit , që i kanë shumë më të ulëta se leku e bën këtë të fundit jo konkurrues përball këtyre valutave. Norma bazë e tyre sot është 0.25 dhe 0.5% nga 3% që është e lekut. Që këtu fillon agresioni dhe superioriteti i tyre ndaj lekut. BQ vazhdon të tentoj ta uli atë duke shpresuar që ta bëj lekun konkurrent sa i përket normës së interesave, por harron se ulja në 4% e normës së depozitave bën përsëri më atraktive valutat e tjera sesa lekun. Ulja e normës së lekut ndikon dhe ka ndikuar negativisht në depozita sepse së fundi ato janë frenuar. Shikoni muajt e fundit deklarimet e Guvernatorit, janë frenuar depozitat dhe kreditë në nivele të pa arritura asnjëherë. Ky frenim i detyron subjektet ekonomike të kryejnë vet transaksione direkt me bankat për të blerë Bono Thesari që janë më të sigurta sesa depozitat pranë Bankave tregtare.

Pasojë tjetër e këtij fenomeni është edhe ulja e Kërkesës Agregate. Ulja e saj frenon dhe nuk stimulon Ofertën Agregate, për pasojë në Shqipëri sot kemi një ekonomi në stanjacion. Ekonomia jonë ka qenë e tillë që pas vitit 2008. Agregatët monetarë nga 2009 e deri sot tregojnë qartë gjendjen e ekonomisë pavarësisht deklarimeve të INSTAT se ka pasur rritje ekonomike.

Në këto kushte Banka Qendrore nuk mund ta kontrollojë dot tregun. Por a ka mundësi në të ardhmen ta kontrolloj atë dhe t’i japi rolin e duhur lekut shqiptar? Po ka mundësi por duhet që të bëhen një sërë ndryshimesh strukturore dhe ligjore.

Së pari, të ndryshojë objektivi kryesor i Bankës Qendrore. Si i tillë të jetë ruajtja e kursit të këmbimit me synim rritjen ekonomike.

Së dyti, duhet të krijohet një Bankë Tregtare me kapital tërësisht shtetëror, e cila të mbështesë çdo veprim të Bankës Qendrore.

Së treti, kursi i këmbimit të jetë fiks me kufij të sipërm dhe të poshtëm dhe i kontrollueshëm plotësisht nga Banka Qendrore.

Së katërti, Bankat tregtare të ndërpresin në mënyrë graduale depozitat me afat dhe kreditë në valutë. Të mbajnë vetëm llogari transaksionesh.

Së katërti, të ndalohet dalja e valutës jashtë Shqipërisë në formën e kredive bizneseve të huaja apo drejt Bankave Tregtare në formë depozitash sepse rritet dukshëm koeficienti i pasigurisë së kthimit. Në këtë rast nuk ka asnjë detyrim Qeveria të mbështesë depozituesit, ose vetë ASD sepse nuk është e lidhur me një sistem ndërkombëtar mbështetës.

Së pesti, euro, dollari etj., të bëhen monopol i Bankës Qendrore dhe ajo të përcaktojë kurset e këmbimit të saj. Kurset e këmbimit të jenë të diferencuara. P.sh. për biznesin, për importet transaksionet të kryhen nga bankat e nivelit të dytë dhe euro të këmbehet 1euro = 140 lekë. Për qytetarët që duan të kalojnë pushimet jashtë vendit, për firmat e huaja që nxjerrin fitimet e tyre në valutë të jetë kurs më i lartë p.sh 1euro = 500 lekë. Duke kontrolluar dhe diferencuar kurset Banka Qendrore do ta bëjë jo vetëm valutën të vlerësueshme por edhe vetë lekun shqiptar. Euro duhet të konsiderohet dhe të vlerësohet njësoj si ari.