Prof. Ilia TELO: Përse jemi të fundit ne Evropë?

591
Shqipëria ka një pozicion gjeografik shumë të favorshëm, se ndodhet në mes të kontinentit evropian. Është vend i privilegjuar se ka pasuri nëntokësore të shumta, si krom, nafte, bakër, hekur-nikel, etj. Ka kushte natyrore shumë të favorshme për zhvillimin e të gjithë degëve të ekonomisë, sidomos të bujqësisë dhe të turizmit. Shqiptarët janë një popull mikëpritës dhe shumë i zgjuar. Ky komb i ka dhënë botës njerëz të shquar si Nobelisten bamirëse Nënë Tereza, heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i cili mbrojti Krishtërimin në Evropë, shkrimtarin e shquar Ismail Kadare që aktualisht konsiderohet një nga shkrimtarët më të shquar në botë dhe shumë njerëz të shquar në shkencë, në art dhe në gjithë fushat e tjera. 

Me gjithë këtë, përsa i përket zhvillimit ekonomik, Shqipëria ka qenë dhe mbetet vendi i fundit në Evropë! Në këtë artikull jam përpjekur të tregoj arsyet e kësaj prapambetjeje dhe të sugjeroj masat që duhet të merren që edhe vendi ynë të zhvillohet ashtu si vendet e tjera evropiane. Në këtë jam nisur nga koncepti: “Se pa njohur të kaluarën, nuk mund të vlerësohet e tashmja dhe nuk mund të parashikohet e ardhmja”. Siç dihet pas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, territorit ku banonin shqiptarët, ashtu si vendet e tjera të Gadishullit Ballkanik, janë pushtuar nga Perandoria Osmane, e cila për 500 vjet nuk solli në këto vende asnjë zhvillim dhe përparim, në një kohë që në vendet e Evropës Perëndimore, ato vite zhvillohej me sukses kapitalizmi. Si rezultat i gjendjes së vështirë, gjatë sundimit osman, është shpërngulur në drejtim të Italisë, Greqisë, apo edhe vendasve të tjera rreth 1/4 e popullsisë. Një padrejtësi e madhe i është bërë kombit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha pasi, kur u krijua shteti shqiptar në vitin 1913. pjesa më e madhe e territoreve ku banonin shqiptarët, u lanë jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar. 

Në këto territore banonte dhe më shumë se ½ e popullsisë shqiptare. Nga viti 1913-1924 në Shqipëri janë ndërruar shumë qeveri dhe kjo mungesë e stabilitetit politik, sigurisht ndikoi negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit. Në vitet 1925-1939 në vendin tonë u vendos qeveria e kryesuar nga Ahmet Zogu, fillimisht si kryeministër, pastaj si kryetar i Republikës dhe më vonë si mbret. Gjatë këtyre viteve janë bërë hapa të rëndësishme përpara, në krijimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Është bërë punë e mirë për miratimin e një legjislacioni bashkëkohor, janë marrë masa për vendosjen e rendit, për investimin e kapitalit të huaj, etj. Me gjithë këtë dhe gjatë sundimit të mbretit Zog, Shqipëria mbeti vend i prapambetur se u zvarrit dhe nuk u zbatua plotësisht reforma agrare. Një pjesë e madhe e popullsisë mbeti analfabete dhe gjendja e bujqësisë dhe industrisë ishte e prapambetur. Në vitin 1939, kur Italia fashiste pushtoi vendin tonë, mbreti Zog, pasi mori thesarin e shtetit, u largua nga Shqipëria. Në Luftën Nacional Çlirimtare vendi ynë pati dëme të konsiderueshme, në raport me numrin e popullsisë. Mjafton të përmendim faktin se numri i dëshmorëve ishte rreth 28 mijë, u dogjën rreth 30% e shtëpive të qytetarëve, etj. Pas çlirimit, në vendin tonë, ashtu si dhe në shumë vende të Evropës Lindore dhe Juglindore, u vendos regjimi komunist diktatorial, i cili u përmbys pas 45 vjetësh. Në vitet e para të regjimit të kaluar, është bërë një punë e madhe për riparimin e dëmeve të luftës, u bënë shtetëzimet, u realizua reforma agrare, filloi zhvillimi i industrisë dhe u rrit punësimi i njerëzve në sektorin shtetëror, etj. 

Në ekonomi, ashtu si dhe në fushat e tjera, u zbatuan parimet e gabuara: “Politika në plan të parë“, “Mbështetje në forcat e veta”, etj, që sollën pasoja negative në zhvillimin e vendit. Për zhvillimin e bujqësisë u bënë bonifikime, u rrit aftësia ujitëse e tokës, u ndërtuan fabrikat e plehrave kimike, etj. dhe këto ndikuan në rritjen e prodhimit bujqësor. Në bujqësi u ndoq rruga e gabuar e kolektivizimit, ku ky proces u krye me dhunë dhe jo me bindje, siç propagandohej atëherë. Kjo ka varfëruar shumë fshatarët, sidomos ata të zonave malore të vendit. Në bujqësi planifikimi ka vendosur një strukturë të papërshtatshme të zhvillimit, që solli uljen e efektivitetit ekonomik në këtë sektor. Një punë e madhe është bërë për zhvillimin e industrisë, ku janë ndërtuar shumë ndërmarrje në të gjithë qytetet e vendit dhe u punësuan një pjesë e madhe e burimeve të punës. Janë ndërtuar disa vepra të rëndësishme të nivelit evropian si hidrocentralet dhe u bë elektrifikimi i të gjithë fshatrave të vendit. Në degën e industrisë u zbatua politika e gabuar e përparësisë së zhvillimit të industrisë së rëndë dhe u mohuan treguesit e rëndësishëm të efektivitetit ekonomik dhe të fitimit. Një punë e madhe është bërë në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë. Qysh në vitet e para u zhduk analfabetizmi dhe u hapën shkolla në të gjitha fshatrat e vendit. Për herë të parë u hapën shkolla të larta dhe u themelua Akademia e Shkencave. Me gjithë atë, politizimi i arsimit dhe vendosja e trekëndëshit revolucionar “edukim – punë prodhuese – përgatitje ushtarake” dëmtoi shumë cilësinë e arsimit. Në shëndetësi në vitet e para, u morën masa për zhdukjen e sëmundjes së malaries dhe tuberkulozit, u hapen institucione shëndetësore në gjithë vendin për mbrojtjen e shëndetit të popullsisë. 

Në vitet e izolimit të vendit dhe për t’u mbrojtur nga “armiqtë imperialistë dhe revizionist”, u dha prioritet mbrojtjes së vendit, duke ndërtuar qindra mijëra bunkerë dhe shumë objekte të tjera ushtarake, duke gllabëruar një pjesë të madhe të fondeve të buxhetit të shtetit, gjë që pengoi zhvillimin e degëve të tjera të ekonomisë. Pas vitit 1990 dhe në vendin tonë, ashtu si në vendet ish socialiste të Evropës dhe të ish Bashkimin Sovjetik, u shemb regjimi komunist diktatorial, u vendos demokracia dhe ekonomia e tregut të lirë. Në këtë transformim të rëndësishëm, shteti nuk ka luajtur rolin e duhur. Shumë procese u bënë spontanisht dhe shteti jo vetëm që nuk i drejtoi këto ndryshime, por në disa raste nuk ishte në gjendje që t’i evidentonte saktë ato. Gjatë këtyre viteve u shkatërrua një pjesë e madhe e pasurisë kombëtare. (U prishën një pjesë e ndërmarrjeve industriale dhe materialet e tyre u shitën si materiale rikupero me çmime të ulëta, por paratë nuk kanë shkuar në arkën e shtetit, u prishën dhe shkatërruan mbi 200 mijë hektar me pyje, u prishën plantacionet e pemëve frutore në të katër anët e vendit, u ngritën dhe lulëzuan skemat piramidale, toka u nda sipas parimit komunist të tokës për frymë, vetëm për popullsinë që banonte në territorin e fshatit, dhe pronarët e vërtetë në shumë raste, nuk morën pronat e tyre. 

Epërsia e ekonomisë së tregut po vërtetohet dhe në ekonominë e vendit tonë. Pas vitit 1990 po zhvillohen ato degë të ekonomisë që janë rentabile, kapitali i huaj po luan rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit tonë. Sipas të dhënave të përllogaritura, pas vitit 1990, ka emigruar rreth 35% e popullsisë për një jetë më të mirë. Emigrantet gjatë këtyre viteve, kanë dërguar pranë familjeve të tyre remitanca të konsiderueshme, të cilat luajtën rol pozitiv në kapërcimin e vështirësive të përkohshme. Me qellim qe te zhvillohet ekonomia dhe të rritet mirëqenia e popullsisë dua te theksoj dy detyra të rëndësishme të qeverisë dhe të mbarë shoqërisë shqiptare. Detyra e pare është ulja e informalitetit dhe e korrupsionit. Faktet tregojnë se ne vendin ton te ardhurat e buxhetit janë me pak se 30 për qind krahasuar me prodhimin e brendshëm bruto, ku në vendet e tjera ky tregues është mbi 40 për qind. Kjo situatë detyron qeverinë që për çështjet sociale (ku përfshihen dhe pensionet e ndihma ekonomike) të shpenzojë vetëm 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, në një kohë që mesatarja evropiane është 28 për qind. Është kjo arsyeja që duhet të mbështet lufta kundër informalitetit dhe korrupsionit. Detyra e dytë është drejtimi shkencor i ekonomisë. Akademia e Shkencave, institucionet mësimore e shkencore dhe studiuesit të japin kontribut më të madh për zhvillimin e shpejtë të ekonomisë, por organet ligjvënëse dhe vendimmarrëse të kërkojnë ndihmën e këtyre institucioneve. 

Vitet e fundit vendi ynë u bë anëtar i NATOS dhe, në vitit 2014 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi njëzëri dhënien e statusit Kandidat i BE dhe disa ditë me vonë Këshilli Evropian i dha Shqipërisë statusin e kandidatit të BE. Tani vendi ynë synon të hapë bisedime më qëllim që të bëhet anëtar i Bashkimin Evropian. Ky është një prioritet që përfshihet në Programin e Qeverisë (2013-2017). Edhe opozita nga ana e saj, ka mbështetur anëtarësimin e vendit tonë në BE. Tani vendi ynë duhet të realizojë reformat e nisura, sidomos ato prioritare me qëllim që të hapen negociatat për anëtarësimin e vendit në BE. Në mënyrë të përmbledhur, pas vitit 1990 dhe deri kohët e fundit, vendi ynë ka përfituar ndihma financiare nga BE përmes programeve të ndryshme mbi 1,9 miliardë euro. Disa arritje pozitive dhe programet e partive politike për të ardhmen, premtojnë se vendi ynë do të zhvillohet ekonomikisht dhe do rritet mirëqenia e të gjithë grupeve të popullsisë. Le të shpresojmë për këtë se shpresa vdes e fundit! Unë si qytetar i këtij vendi shpresoj se Shqipëria jonë e dashur do të zhvillohet dhe do rritet mirëqenia e brezave që do vijnë.
Sigal