Prof. Dr. Zamira Çavo: Përse i paguaj taksat?

827
Sigal

Paguajmë shumë taksa, aq shumë sa në fund të muajit mbetemi me xhepat bosh. Po përse i paguajmë?
-Për të paguar biletat e politikanëve, që shëtisin botën me paratë tona e që në shumicën e rasteve shajnë vendin e mallkojnë popullin tek të huajt!
-Për të paguar paratë e deputetëve, që edhe kur shkojnë në Parlament, nuk ngrenë as gishtin për të përmirësuar jetën tonë, pale që ka shumë që as nuk shkelin fare aty! Apo, për t’i mbajtur me dieta e qira banese, se helbete janë “fukarenj” e lodhen për ne!
-Për të paguar qindra nëpunës, që vetëm punë nuk bëjnë në administratën publike, por ama dinë të rregullojnë mjaft mirë punët e tyre!
-Për të paguar Ministrinë e Kulturës, apo Institutet e famshme të studimeve për t’ia lënë serbit të markojë si të tijën lahutën në UNESKO e t’ia lërë grekut fustanellën!
-Për të paguar kompanitë, që ndërtojnë rrugët sot për t’i prishur nesër!
-Për të dëmshpërblyer pallatet e ndërtuara pa leje të Bashës, apo x dhe y politikani!
-Për të paguar edhe për ata që nuk paguajnë e që në fund të fundit legalizohen, falen apo amnistohen!
-Për të paguar koncesionaren e check up-i t, që pastaj të paguajmë për çdo kontroll mjekësor! Apo, për të paguar medikamente të skaduara!
-Për të paguar tenderët e pafund, që shkojnë më shumë në xhepat e drejtuesve, se sa në objektin e caktua! Apo, për unazat me diamante, që mbajnë në gisht shumë drejtuese në Administratën Publike? ( Se thuhet tashti nuk marrin më para të thata nga tenderët, por i duan në vlera të tilla).
Dhe na thonë se jemi vend i varfër… Joo, jemi të pasur, madje shumë. Jemi të pasur, sepse kemi ngritur me taksat tona pasurinë përrallore të një klani politiko-ekonomik! Ndërsa ne rrime numërojmë qindarkat në fundin e muajit!