Prof. Dr. Ymer Çiraku: Dritëro Agolli, zëri i kohës dhe i popullit të vet

853

 

 

 

Dritëro Agolli, me veprën e tij
letrare është bërë zëri i kohës dhe i popullit të vet. Ai është tashmë një
legjendë e gjallë e mjeshtrit të përpunimit artistik të fjalës shqipe, me fijet
e arta e të kulluara të së cilës, ka endur në mbi gjysëm shekulli, një gjerdan
veprash të shquara, të cilat kanë zënë vend të merituar në panteonin e vlerave
kombëtare. Në krijimtarinë e tij, renditen deri më tani mbi 30 vepra letrare,
disa prej të cilave, janë vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe janë
botuar në disa gjuhë të botës. Numërohen mbi 150 shkrime e studime letrare,
përfshi dhe vepra monografike, të fokusuara në funksion interpretimi mbi këtë
krijimtari të pasur, ku nuk mungojnë edhe kritikë e studiues të shtypit të
huaj, që kanë vrejtur e vlerësuar, sidomos në disa nga romanet e tij, penelata
të atij niveli artistik, të krahasuara denjësisht edhe me ato të mjeshtrave të
shquar botërorë – sidomos të zhanrit të satirës e humorit.

 

Universi agollian

 

Në tërë këtë univers letrar të
tejskajshëm – për nga moria dhe kontraversi i ngjarjeve të pasqyruara, të
situatave dhe personazheve, shquhet qartazi e i dalluar profili i këtij
shkrimtari, ndjekës i konceptit dhe i frymës naimiane – mbi misionin dhe
natyrën humaniste e sublimuese të letërsisë, si akt iluminimi e sakrifice për
të tjerët. Prandaj, dhe nuk është e rastësishme, kur poeti shkruan diku në stil
apelitiv se:

Poeti hesht, kur hesht dhe
perëndia…,

Çdo hall të botës vetes ia ngarkon…

Vështruar integralisht, krijimtaria
e këtij krijuesi, përfshin brenda saj një pasuri të begatë me vjersha e poema,
me tregime, novela e romane, drama e përkthime, publicistikë dhe ese, fabula
dhe mbledhje e përpunime këngësh antologjike popullore. Pa e tepruar, mund të
pohojmë se tashmë kjo vepër ka arritur të jetë një bibliotekë e tërë, e cila,
përveç kohës së madhe e mundonjëse të shkrimit, vazhdon të transmetojë kënaqësi
të madhe leximi.

 

“Hipotekë” e pasur vlerash

 

Në gjithë këtë hipotekë
pasur vlerash, lexuesi do të përjetojë lirikat dhe baladat, do të njihet me
sagën shqiptare të burokracisë së famshme ala zylojane, me arketipin e atyre
karaktereve unikalë, rezistentë, të fortë, të paprekur e të palatuar nga ojnat
urbane – të vendosur në mjediset e virgjëra antropologjikë, të cilët, nuk dinë
të përthyhen as lehtësisht e as skematikisht nga mokrat e ideologjive (si p.sh.
tek libri aq i njohur: Zhurmërat e erërave të dikurshme), apo që
dëshmojnë sjellje të pashëmbullta qëndrese e deri groteske në marëdhëniet mes
tyre (romanet: Njeriu me top, Arka e djallit). Do të njihet ky lexues
gjithashtu me besimin e patundur të shkrimtarit tek prania e përhershme në jetë
e njeriut të mirë (në kuptimin humanisto – filozofik e jo thjesht
politik të këtij njeriu), do të shijojë – me harmoninë elegante të shqipes –
ligjërimin e mjaft poetëve të shquar të botës, përkthyer mjeshtërisht prej tij,
ku dallohen veçmas ata aq të njohurit si: Robert Bërnsi, Bagricki e Pol Elyari.
Duke e vështruar krijimtarinë tejet të pasur të D. Agollit, me larmi stilesh e
zhanresh letrare, mund të formulohen e të bëhen shumë qasje interpretimi rreth
saj, çka e sugjerojnë veprat me kualitet të lartë. Kjo vjen pasi vepra e
tij, nuk përcillet në struktura lineare, si konceptualisht – ashtu edhe
stilistikisht. Përkundrazi, ajo është polikromatike dhe me kryqëzime ndikimesh
nga traditat e mëdha dhe nga risitë poetike.

 

Motivi i udhës dhe udhtarit

 

Tërheq vëmendjen, sidomos në poezinë
e tij, shfaqja konstante e motivit të udhës, e udhëtarit. Këtë e ka
vrejtur edhe kritika e kohëve të ndryshme, por është mjaftuar duke e spieguar
atë kryesisht si pasojë e raporteve aktive që manifeston heroi lirik me jetën,
ose, e shfaqur si një prirje dominante në këto tekste agolliane, e modelit të
letërsisë së angazhuar. Rruga, udhëtimi, lëvizja e përhershme në aktualitet dhe
në histori, janë motivi kaq i shpeshtë e pothuaj obsesional, aq sa e ndeshim të
stampuar dhe në shumë tituj librash, që nga ai i pari Në rrugë dola (1958),
e duke vazhduar më pas në librat e tij të tjerë. Pa rënë në kurthin e
influencës që mund të ketë pasur tek shkrimtari sindromi i kohës për artin e
angazhuar, duhet treguar vëmendje për ta arsyetuar e për ta spieguar më thellë
këtë zinxhir të pandalur të metaforës së udhëtimit, që si dukuri estetike, kaq
frekuente dhe në larmi formash e kumtesh poetike, i ka shoqet e rralla në
letërsinë shqipe. Në këtë rast, besojmë se kemi të bëjmë me rishfaqjen – apo
rimarrjen e natyrshme por edhe të guximshme të arketipit universal odisejan të udhëtimit,
ardhur qysh prej veprave të Homerit, sa i lashtë – aq dhe modern ky motiv, që
në fakt, dëshmon prirjen e shtegtimit dhe kërkimit të përjetshëm të njeriut,
drejt të panjohurave e mistereve, brenda e rrotull tij. Ky lloj udhëtimi
centrifugal e centripetal, pra, së brendshmi (drejt thelbit metafizik të
njeriut), dhe së jashtmi (drejt hapësirave të pafundme që e rrethojnë
atë e ku ai ka një mision të caktuar), krijojnë gjithë atë atmosferë sovrane
poetike, ku shndërrijnë e thurren artistikish: si detaje nga më jetësoret,
ashtu dhe ato nga më të çuditshmet e më grotesket. Në këtë udhëtim të tij
poetik, Agolli nuk harron të zbresë edhe tek protoletërsia/paraletërsia shqiptare,
pra, tek kënga popullore, si për t`i zgjuar e rifunksionalizuar këto bukuroshe
të fjetura,
perla të lirikës shqipe. Komplekse e shumëdimensionale shfaqet
kjo krijimtari edhe për faktin se në aspektin estetik, megjithë besimet dhe
utopitë e kohës, shkrimtari dinte t`i gjente hapësirat për ta shprehur lirinë
artistike në veprat e tij, të cilat, prandaj edhe vazhdojnë t`i qëndrojnë
kohës.

 

Referencë e vlerësuar intelektuale

 

Përveç kontributit në letërsi,
Dritëroi mbetet sot edhe një referencë e vlerësuar intelektuale, në shoqërinë
shqiptare. Protagonistë e pjesëmarrës të formacioneve, të lobingjeve e
komuniteteve të ndryshme, në çaste të problematikave aq të shpeshta kritike të
jetës sonë, kanë qenë të vëmendshëm të presin të dëgjojnë – edhe se çfarë
mendon e çfarë do të thotë për to shkrimtari, qytetari dhe shqiptari Dritëro
Agolli. E kanë çmuar dhe e çmojnë fjalën e tij, sepse në ato gjykime, ai ka
prirjen ta shohë e të reflektojë paanësisht mbi të vërtetën,
pamvarësisht se cilës bindjeje politike apo çdo bindjeje tjetër do t`i
shërbente kjo e vërtetë, qoftë edhe sikur ajo të ishte përkundër bindjeve të
veta. Kanë vlerësuar integritetin dhe dinjitetin se si ai ka qendruar përballë
proceseve social-politike nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria, ku nuk ka munguar
të dëshmojë njerëzisht – zhgënjimet dhe kurajon e tij të paepur e të sinqertë
qytetare. Në këtë 85 vjetor të lindjes, shprehim vlerësimin, por edhe urimin që
pelegrini Dritëro të vazhdojë të endet edhe për shumë vite në shtegtimin e tij
letrar, për të mbërritur tek shenjtëria e fjalës së shkruar shqipe, e asaj
fjale, që siç e thotë bukur në një nga vjershat e tij, ajo i ikën m`u atij
çasti, kur i duket se e arriti. Dhe kjo, doemos, është sjellje dhe zakon i
shkrimtarëve të shquar e të magjepsur prej strukturave nebuloze të letërsisë së
pambërritur, një marrëdhënie specifike kjo mes tyre (pra krijuesit dhe fjalës
së shkruar), që tek e fundit, nxit kërkimin e parreshtur, pra, punën krijuese –
për të realizuar vepra me vlerë, në besim e në nderim përulës të lexuesit. Për
tërë vlerat humaniste, kombëtare e universale që i përcjell krijimtaria aq e
pasur letrare e D. Agollit, i drejtoj me bindje të palëkundur Senatit të
nderuar të Universitetit të Tiranës, propozimin për t`i akorduar këtij
personaliteti të shquar titullin: Doktor Honoris Causa.

 

Oponencë për dhënien e titullit: Doktor
Honoris Causa
shkrimtarit D. Agolli, nga Senati i UT

Sigal