Prof. Dr. Xhevat LLOSHI / LARTËSIMI I SHQIPES PËR ARDHMËRINË

1376
Sigal

Me rastin e 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe

Gjuha është një dukuri shoqërore, por ka një rrjedhë të mirëfilltë natyrore. Këto dy anë dalin ballas kundrejt njëra-tjetrës kur gjuha nis të shkruhet. Me mundime të gjata dega kryesore e rrjedhës së gjallë i nënshtrohet një drejtimi, në të cilin pastaj lëvrohet, zgjerohet, pasurohet, lëmohet dhe shndërrohet në mjetin e përsosur për mishërimin e kulturës së shkruar dhe përbërësin e pazëvendësueshëm të identitetit kombëtar. Këtë rrugë e ka përshkuar edhe shqipja jonë, prandaj nuk do të ishte përjashtim, që do të vinte dita kur edhe ajo do të fitonte trajtën, të cilën shkurt tashmë e quajmë gjuha standarde. Kjo ka ndodhur si një ecuri e gjatë historike, por ka edhe një cak, nga i cili e quajmë se ka, si të thuash, datëlindjen. Ky cak u takon dyzet vjetëve më parë dhe do të mbetet në histori si Kongresi i Drejtshkrimit.

Ndonëse në studimet tona nuk i është kushtuar aq vëmendje shtëllisjes konkrete të përpunimit dhe përdorimit të gjuhës në fushat shtetërore e publike, por më shumë pikëpamjeve të autorëve jo të paktë, që janë marrë me këtë fushë, sot në këtë përvjetor kemi mundësinë të japim gjykime të mbështetura mbi përvojën e dyzet vjetëve të fundit.

Rilindja Kombëtare çështjen e gjuhës e vuri në qendër të programit të vet jo vetëm sepse ajo ishte simboli madhor i kombit, por edhe sepse vendosja e shqipes si gjuhë zyrtare ishte hapi i parë dhe shenja vendimtare e pavarësisë. Kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit nisi luftën për një shtet shqiptar, problemi i gjuhës për këtë shtet doli që në hapat e parë të saj. Nevoja e një alfabeti të vetëm të shqipes, e cila si zgjidhje përfundimtare u arrit në Kongresin e Manastirit, nuk u shtrua me forcë në fund të shek. XIX vetëm për shkak të shqetësimit që sillte prania e shumë alfabeteve, por në radhë të parë sepse shteti shqiptar, që tashmë po projektohej në horizont, nuk mund të konceptohej pa një alfabet të vetëm. Nuk mund të përfytyrohet një shtet, dokumentacioni i të cilit të përpilohet me alfabete të ndryshme. Me fjalë të tjera, ishte shtysa imperative për një gjuhë zyrtare, që përcaktoi edhe njësimin e alfabetit.

Shqipja e shkruar e Rilindjes nuk ndoqi traditën e shkruar të shekujve të mëparshëm për arsye të njohura të gjendjes nën një sundim të gjatë të huaj. Ajo u rinis nga shumësia dialektore e kohës dhe përmes mjaft luhatjeve e përpjekjeve individuale arriti në vija të përgjithshme te dy variante letrare kryesore, me pikënisje toskërishten dhe gegërishten, të nënkuptuara si tërësi të mëdha. Hapin e mëtejshëm deri te një gjuhë e shkruar kombëtare rilindësit ia lanë së ardhmes, kur shqiptarët të kishin formuar shtetin e vet. Thirrjet ngulmuese për ta futur shqipen në administratë, në gjyqe, në shkolla etj., tingëllojnë gjithnjë e më me forcë në shtypin shqiptar në prag të pavarësisë. Njëkohësisht vërehen sprova për t’i përpunuar konkretisht mjetet gjuhësore. Dokumentet e qeverisë së Ismail Qemalit në nëntor 1912 në Vlorë shënojnë hyrjen në fuqi të një varianti në funksionin shtetëror. Akti i shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor është teksti i parë i një qeverie shqiptare.

Shqipja u vendos si gjuhë zyrtare më 23 shtator 1913. Sado jetëshkurtër që qe Qeveria e Vlorës, menjëherë pasi shpalli shqipen si gjuhë zyrtare të shtetit shqiptar, e nisi punën me krijimin e disa komisioneve për njësimin e terminologjisë ushtarake, të shërbimit postar etj. Ecuria u ndërpre dhunshëm me fillimin e Luftës së Parë Botërore. Gjatë dy viteve të fundit të kësaj (dhjetor 1916 – nëntor 1918), pjesa më e madhe e territorit shqiptar ndodhej nën pushtimi austrohungar me qendër Shkodrën. Austro-Hungaria gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 kishte qenë fuqia e madhe e kohës, me këmbënguljes e së cilës (natyrisht, brenda interesave të saj perandorake), u pranua në nivel ndërkombëtar Shqipëria si shtet i pavarur. Është e vërtetë, që kjo ishte Shqipëria e cunguar, por pa këtë, pas Luftës I Botërore nuk do të kishte një atdhe të shqiptarëve, sepse atë do ta kishin fshirë përgjithnjë fuqitë shoviniste ballkanike. Gjithsesi, Austro-Hungaria shpresonte në fitoren e luftës, pas së cilës Shqipëria do të vijonte jetën si shtet i pavarur dhe, dëshiroj ta theksoj me forcë, se edhe në ato kushte të luftës botërore, ajo si pikë të parë për atë shtet vinte zgjidhjen e çështjes së gjuhës standarde. Tashmë e dimë fare mirë dhe nuk ka nevojë të zgjatemi, se për këtë u mblodh Komisia Letrare, e cila synonte caktimin e standardit të shkruar mbi bazën e dialektit të mesëm, të folmes së Elbasanit.

Nga këta pak rreshta për një ecuri historike të gjatë del e qartë se domosdoshmëria e standardit gjuhësor ishte shoqëruese si e projekteve për shtetin e pavarur sghqiptar, ashtu edhe kur ai u ngrit si realitet politik. Në po ato vija siç ishin pranuar në Shkodër, Kongresi Pedagogjik i Lushnjes (shkurt 1921) vendosi pranimin e dialektit të Elbasanit në shtypjen e teksteve shkollore. Më 1922 u dha urdhri, i cili në janar 1923 doli si vendim i kryeministrisë, që të përdorej “gjuha zyrtare” në shkollë e në administratë, duke qenë një variant mbi bazë dialektore të mesme, por ecuria ka qenë e ndërlikuar dhe çështja e gjuhës zyrtare në thelb u shkri në çështjen më të gjerë të gjuhës standarde. Që prej asaj kohe kemi të trashëguar ngatërrimin terminologjik, i cili në ditët tona është e mira të mënjanohet, duke e dalluar qartë gjuhën zyrtare nga gjuha standarde, nga gjuha letrare, nga gjuha e njësuar e kështu me radhë.

Kongresin e Manastirit dhe Komisinë Letrare të Shkodrës mund t’i quajmë si institucione parashtetërore, që dhanë argumente dhe zgjidhje konkrete për vendimet e mëpasme shtetërore. Pavarësisht nga ndërlikimet e kuptueshme, në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore shqipja ka pasur një variant standard, që ka funksionuar si gjuhë zyrtare; për më tepër, ai funksionoi edhe në trevat e Kosovës, ku përcaktoi zhvillimet e mëpastajme pas përfundimit të Luftës II Botërore. Në atë  periudhë shteti shqiptar ndoqi një politikë elastike, madje liberale kundrejt gjuhës standarde.

Gjatë pesë vjetëve të Luftës II u bë fakt edhe politizimi i çështjes gjuhësore. Nuk ka filluar “lufta për pushtet brenda gjuhës” pas Luftës II Botërore, por përkundrazi, gjatë asaj lufte nisi përdorimi i zgjidhjeve gjuhësore në shërbim të luftës për pushtet. Dhe kjo nuk është ndërprerë as në ditët tona, por nuk dëshiroj të zgjatem në këtë drejtim. Sidoqoftë, krahas rrjedhës natyrore dhe nevojës shtetërore e kulturore për gjuhën standarde, kështu u shtua në këtë ndërthurje edhe faktori politik. Procesi historik, bashkë me diskutimet e viteve të fundit, nganjëherë të ashpra dhe pa asnjë bazë të mirëfilltë shkencore, megjithatë dëshmojnë bindshëm, se gjuha standarde vlerësohet si një arritje madhore e zhvillimit të shqipes, për të cilën është luftuar dhe luftohet, sepse përbën një lartësi të re, me vlera të jashtëzakonshme në jetën e kombit.

Kongresi i Manastirit përmbylli një etapë të gjatë përpjekjesh e pështjellimesh, por rëndësia e tij e posaçme ishte se hapi një etapë të re; zgjidhja e tij ishte për të ardhmen dhe i qëndroi kohës. Edhe Kongresi i Drejtshkrimit dyzet vjet më parë përmbylli një etapë të gjatë përpjekjesh e pështjellimesh, por rëndësia e tij e posaçme është se hapi një etapë të re; zgjidhja e tij ishte për të ardhmen dhe i qëndroi kohës.

Është e natyrshme që të studiohet edhe më tej shkencërisht e paanësisht procesi që solli deri te Kongresi i Drejtshkrimit, si edhe të përmirësohen disa zgjidhje, siç e ka parshikuar Rezoluta e vetë Kongresit. Kurse në rastin e sotëm jubilar mjaftojnë pak fjalë për të treguar se në vitet e para pas Luftës II për zgjidhjen e çështjes gjuhësore nuk u ndërmor ndonjë veprim vendimtar. Institutit të Shkencave iu vu detyrë të punonte në atë drejtim. Rregullat drejtshkrimore (1948, 1951) dhe Fjalori i gjuhës shqipe (1954) të punuara nga Instituti i Shkencave merrnin parasysh të dyja variantet letrare, ndërsa prof. K. Cipo si për gramatikën shkencore, ashtu dhe për gramatikën shkollore (të dyja më 1949) zgjodhi toskërishten letrare, duke e argumentuar këtë me arsye gjuhësore e kulturore-historike.

Me dy sesionet shkencore të Institutit të Shkencave të vitit 1952 zu fill një politikë gjuhësore e importuar nga gjuhësia sovjetike, ndërsa më tej gjuhësia jonë u orientua më fort drejt studimeve në kuadrin e institucioneve, sesa në caktimin e menjëhershëm të një norme letrare të njësuar nëpërmjet ndonjë forumi shkencor. Lëvrimi i të dy varianteve në letërsinë artistike, në botimet shkencore, pjesërisht në përkthime e në publicistikë vijoi si më parë. Kësaj gjendjeje i përgjigjen edhe rregullat drejtshkrimore të vitit 1956, të cilat përmbajnë në rastet e nevojshme, edhe udhëzime për format e gegërishtes.

Dy momentet vendimtare për të shkuar te Kongresi i Drejtshkrimit ishin hartimi i projektit të ri të drejtshkrimit më 1967, me prirjen drejt një forme gjuhësore, dhe Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (prill 1968), e udhëhequr nga kryefjala “Një komb – një gjuhë letrare kombëtare”. Ishin këto dy platforma për kodifikimin e statusit të një varianti gjuhësor, që shërbyen si mbështetje institucionale të politikës së planifikimit gjuhësor. Kongresi i Drejtshkrimit ishte sanksionimi i tyre, pas një diskutimi të gjerë, duke mundësuar marrjen e vendimeve shtetërore përkatëse.

Pas dyzet vjetësh ne shohim se gjuha standarde është një realitet funksional. Megjithatë, bashkë me përmbysjen e regjimit monist njëzet vjet më parë, u shfaqën edhe përpjekjet për një përmbysje gjuhësore, e cila si hapin e parë do të godiste Kongresin e Drejtshkrimit. U përvijua një grup i kufizuar militantësh aktivë në fushën e planifikimit gjuhësor, të cilët kanë bërë dhe bëjnë çmos që të shtien në duar monopolin ligjor si të vetmit standardizues. Nga sa ceka shkurt më lart, kjo do të thotë se ka përpjekje për t’u kthyer në gjendjen kur nuk kishte asnjë standard, nja tetëdhjetë vjet prapa. Pa u hyrë komenteve të hollësishme, e theksoj se kjo do të thotë të goditet vetë shteti shqiptar, t’i vihen atij pengesa në rrugën e përparimit, pa përmendur atë që e kam thënë shpesh, se kjo çon deri te përçarja kombëtare e modelit të sllavëve të jugut pranë nesh. Ai model përbën një provë historike, se lakmia për standarde të ndryshme të gjuhës është lajmëtare e sajimit të identiteteve të ndryshme kombëtare drejt shkëputjes së mëpastajme si shtete të veçanta

Kombi shqiptar e ka sot një gjuhë standarde dhe e ka tejet të nevojshme në rrethanat, kur është i shpërndarë në disa shtete. Kombi shqiptar e ka të domosdoshme një gjuhë zyrtare për shtetin shqiptar. Kombi shqiptar po i plotëson gjithë kërkesat e veta publike me gjuhën standarde. Kombi shqiptar paraqitet në marrëdhëniet me shtetet e tjera, duke përdorur një gjuhë standarde.

Të gjitha këto janë rrjedhim i drejtpërdrejtë i vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit. Ai e ngriti shqipen në lartësinë e këtyre detyrave. Në rrethanat kur në Ballkan tashmë janë dy shtete shqiptarësh, ka shpresa të plota, pavarësisht nga përpjekjet për hir të interesave të disa grupeve të caktuara, se në ecurinë e mëtejshme do të ndodhë afrimi jo vetëm sepse jemi historikisht i njëjti komb, dhe sepse orientimi ynë i sotëm është i njëjtë ndaj Europës së Bashkuar, por edhe sepse kjo u shërben interesave mbarëkombëtarë. Zgjidhja është duke ndjekur një strategji kombëtare në kushtet e dy shteteve shqiptare dhe këtë domsdoshmërisht e shoqëron jo zbatimi i thjeshtë në trevat shqiptare, por edhe lëvrimi e pasurimi i përbashkët i mëtejshëm i gjuhës standarde.

Proceset e sotme janë bërë më të ndërlikuara, për shkak se afrimi me legjislacionin europian, duke e quajtur hyrjen në BE dhe në NATO zhvillimin më madhor në jetën e shtetit shqiptar, ka lindur probleme krejt të reja. Gjithashtu ndikojnë edhe zhvillimet e sotme të teknologjisë elektronike dhe varësia gjithnjë më e madhe nga komunikimi elektronik ndërkombëtar. Anglishtja ushtron trysni të madhe edhe si gjuhë e globalizimit.

Ndërkaq, vërej me kënaqësi se nga ana e shtetit nuk ka pasur ndërhyrje të drejtpërdrejta dhe, në mënyrë pak të papritur, gjendja mund të krahasohet me politikën ndërmjet dy luftërave botërore. Kohët e fundit madje kemi një fakt pozitiv, që nxënësit në të dy anët e kufirit politik ndërmjet shqiptarëve do të mësojnë me të njëjtën abetare. Megjithatë, heshtja institucionale deri më tash për të përkujtuar qoftë vetëm simbolikisht 40-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit është një tregues jo pozitiv për konsekuencën e politikës shtetërore në këtë lëmë.

Shqipja e ka të ardhmen përpara, sepse dyzet vjet të shkuara u ngrit në lartësinë për të ardhmen.

Kombi shqiptar nuk ka nevojë për abetare të ndryshme, për drejtshkrime të ndryshme, për gramatika dhe fjalorë me baza dialektore të ndryshme. Kombi shqiptar nuk ka nevojë për fjalorë dygjuhësh shqip-shqip, ose po ta shpreh ndryshe, nuk ka nevojë të përgatisë përkthyes ndërmjet dy gjuhësh si të huaja nga shqipja në gjuhën shqipe, sipas shembullit nga kroatishtja në serbishten dhe anasjelltas. Shteti shqiptar nuk ka nevojë ta paraqesë Kushtetutën e tij në dy standarde të ndryshme. Në sallat dhe në zyrat e Bashkimit Europian do të përbënte shfaqjen e hapur të frymës antieuropiane prania e dy përkthyesve për dy standarde të shqipes dhe kërkesa që dokumentet përkatëse për shqipen të ishin dypalëshe. Në mjedisin e veçantë të shqiptarëve në Maqedoni shpallja e standardit si të deklasuar dhe kallja e një standardi tjetër do ta minonte Marrëveshjen e Ohrit, sepse do të ndillte pyetjen ogurzezë: Për cilën gjuhë tuajën keni pretendime? Sheshoni një herë grindjet tuaja, pastaj kërkoni marrëveshje me të tjerët.

Kongresi i Drejtshkrimit u dha përgjigjen e qëndrueshme shkencore dhe të çmueshme kombëtare gjithë skenarëve, që do të ishin rrjedhojë e zhvillimeve të panevojshme, të cilat i përmenda në paragrafin e mësipërm.

Kundërshtarëve të Kongresit të Drejtshkrimit u ngarkoj pikërisht barrën, se përgatisin një skenar ogurzi, duke arritur deri aty, sa të botojnë gazeta për të deklasuar standardin, i fajësoj se duan dy standarde të ndryshme: për Tiranën dhe për Prishtinën. Nuk kam asnjë dyshim se këta dyzet vjet e kanë provuar që tashmë kanë dështuar dhe vetëm dështimi i pret në të ardhmen. Por përndryshe qëndrimi i tyre do të çonte edhe në një përleshje, se nga cila anë do të shkonin shqiptarët e Maqedonisë. Dhe me aq sa jam në dijeni, ka pasur përpjekje të nëndheshme për ta hapur rrugën e këtij skenari.

Përvjetori i dyzetë i Kongresit të Drejtshkrimit dëshmon se zgjidhjet e miratuara prej tij në tërësi i kanë qëndruar kohës. Tashti po bëhet pothuaj gjysma e periudhës së shtetit të pavarur shqiptar, gjatë së cilës ai ka në përdorim një gjuhë standarde dhe jo thjesht një gjuhë zyrtare. Por nuk dëshiroj që në këtë përvjetor të përdoren tone ngadhënjimtare. Kjo është historia jonë, si gjithmonë e ndërlikuar, me kundërshti e probleme, të cilat, për mendimin tim, janë pjesë përbërëse e procesit, madje edhe ato kanë pjesën e tyre në mbarëvajtjen e përparimin e tij.

Më lejoni të përmend një të dhënë nga studimi i gjuhëve të tjera. Gjuha standarde përcakton edhe standardizimin shtetëror. Del se dokumentet standarde kursejnë deri në 70% të kohës dhe perceptimi i tyre është nëntë herë më i shpejtë sesa i teksteve jostandarde. Anasjalltas, deklasimi i standardit dhe përpunimi i diçkaje mbi një bazë tjetër do të kërkonte shpenzime të jashtëzakonshme kohe dhe mjetesh financiare për një popull jo të madh siç jemi ne. Në epokën e globalizimit elektronik destandardizimi do të thotë vështirësim i komunikimit, kundërshtim i përparimit teknologjik, obskurantizëm, rënie nga lartësia e arritur historikisht, mesjetë. Zërat mesjetarë do të mbeten shkretanë në hapësirën gjithëshqiptare.

Rregullat e drejtshkrimit dëshiroj t’i quaj si një farë kushtetute të shqipes standarde. Është provuar se ndryshimet e shpeshta të kushtetutave sjellin pështjellime në jetën shtetërore e politike. Ndërsa shembulli i Kushtetutës së SHBA vërteton se qëndrueshmëria është një e mirë e paçmueshme për jetën e vendit. Për analogji, drejtshkrimi i shqipes ka nevojë vetëm për amendamente të shtrira në kohë dhe për asnjë lloj kongresi tjetër. Le t’i kremtojmë dhjetëvjeçarët e ardhshëm të Kiongresit të Drejtshkrimit.

Shqipja e standardizuar e ka të ardhmen përpara në një rrugë pasurimi, lëvrimi e përsosjeje. Tradita tashmë dyzetvjeçare e bën atë solide dhe e ndihmon që të mos perceptohet si diçka e vjetruar, përkundrazi, të përvetësohet si mjet i shkëlqyer i përbashkësisë kombëtare, i identitetit dhe i kulturës së shqiptarëve në kohët e reja.