Prof. Dr. Shenasi Rama/Thirrja për bojkotimin e zgjedhjeve: Rivlerësimi i një nisme qytetare

618
Sigal

Ndryshe nga zgjedhjet kuvendore të viteve të mëparshme, në zgjedhjet kuvendore të vitit 2013, thirrja për bojkotimin e zgjedhjeve fitoi një masivizim të dukshëm e disi të papritur. Kësaj here, në mbështetje të thirrjes për bojkot, dhe të përpjekjes për delegjitimimin dhe mospranimin e sistemit doli një grup shumë cilësor e me emër të njohur analistësh, profesionistësh, dhe aktivistësh të shoqërisë civile. Duke filluar me iniciativën e tyre, në mënyrë sporadike, dhe duke qenë e pranishme në media, si në internet ashtu edhe në shtypin e përditshëm dhe në emisionet e ndryshme në radio apo në televizion, kjo nismë e njohur me shumë emra të ndryshëm si  “Vota e Bardhë”, “Anti” “Futi Vizë Votës,” Vëri Kryqin Votës” apo “Grise Votën” u bë njëra nga çështjet kryesore të fushatës.

Me mbarimin e zgjedhjeve dhe me fitoren e koalicionit të drejtuar nga Edvin Rama dhe Ilir Meta, thirrja për bojkot u trajtua ex post facto si një thirrje absurde. Njerëz nga të gjitha shtresat dhe nivelet filluan të sulmojnë e të godasin thirrjen për bojkot dhe ata që e mbështetën si njerëz që nuk kuptojnë se çka ndodh në shtetin shqiptar.  Përtej aspektit të trajtimit naiv e thjesht utilitar të rezervuar nga paria e Tiranës, këtu shtrohen pesë pyetje që duan përgjigje. Së pari, kush ishin dhe nga vijnë njerëzit që bënë thirrje për bojkot? Së dyti, a ka një bazë teorike që e justifikon një qëndrim të tillë politik? Së treti, pse bojkoti ishte një problem kaq i madh për parinë e Tiranës? Së katërti, a ishte efektive kjo nismë qytetare? Së pesti, çka duhet bërë tani që mbaruan zgjedhjet?

Thirrja për bojkot: Evoluimi i një nisme qytetare

 

Në shtetin shqiptar ka paradokse politike dhe sjellje të shoqërisë civile që shpjegohen me manipulimin e kontrollin e individëve dhe të formacioneve të caktuara nga paria, nga segmente të interesuara të huaja, e nga struktura që kanë agjenda ideologjike e të tjera. Shembujt nuk mungonin edhe në këtë fushatë. Një ndër shembujt e spikatur ishte protesta e organizuar kundër Erdogan në Tiranë. Njerëz që nuk protestojnë se pinë ujë të përzierë me mbeturinat e gjirizeve, protestojnë pro e kundër kryeministrit të Turqisë.

Prandaj, Thirrja për Bojkot, kjo iniciativë qytetare që ishte krejtësisht e menduar, e filluar, e mbështetur dhe e organizuar nga shqiptarët në shtetin shqiptar e në mërgatën politike shqiptare në vende të ndryshme meriton vëmendje e rivlerësim të thelluar. Ia vlen të ndalem pak mbi bojkotin, dhe të flasë për individët e që e mbështetën si dhe për motivet e tyre e sistemet e bindjeve ideologjike.

Thirrja për bojkotim të zgjedhjeve është një nga format e protestës qytetare që mbështetet në refuzimin e shtetasit për të legjitimuar drejtuesit e shtetit duke i njohur si të tillë. Në parantezë, duhet thënë se gjatë periudhës së tranzicionit ka pasur bojkotim të ndjeshëm të zgjedhjeve. Mirëpo ky bojkotim ka ardhur si pasojë e sjelljes individuale. Në disa zgjedhje ka pasur bojkotim të organizuar të zgjedhjeve dhe rasti më i spikatur është tërheqja nga zgjedhjet e PS në vitin 1996. Mirëpo në nivelin e shoqërisë qytetare, bojkotimi i zgjedhjeve dhe kërkesa për mospranimin e sistemit apo të hedhjes poshtë të alternativave ka qenë më shumë një thirrje e hedhur në shkrime se sa një nismë që ka ngjitur në publikun e gjerë.

Baza Teorike e Thirrjes për Bojkot

Baza teorike e Thirrjes për Bojkot është shtjelluar në librin tim Përrallat e Tranzicionit Shqiptar. Argumenti që parashtrohet në libër është i thjeshtë dhe buron nga teoria e formuluar aty, por mbështetet edhe në teorinë elitariste të Harold Lassvvell dhe në punimin e Murray Edelman, Përdorimet Simbolike të Politikës. Ky është themeli teorik dhe jo romani i Jose Saramago, siç spekuluan kalemxhinjtë e llapaqenerisë mediatike të Tiranës.

Cili është argumenti? Argumenti është se ka dy lloje realitetesh në të cilat ekziston shoqëria shqiptare. Këto dy realitete janë të papajtueshme,mirëpo bashkëjetojnë si uji i kripur me të ëmblin në një estuar. Cilat janë dhe si bashkëjetojnë këto realitete?

Realiteti tjetër është realiteti i njerëzve që nuk kanë më as shpirt me jetue. Mirëpo parisë i duhet vota e shqiptarëve. Politika dhe procesi zgjedhor e bën këtë të mundshme.  Dhe kjo bëhet përmes procesit të marrëzisë kolektive. Retorika politika ofron një realitet që nuk është, që nuk mundet me kenë, që nuk ekziston kurrkund. E megjithatë, njerëzit janë të dëshiruar me gjetë kuptimin e jetës së tyre. Politika dhe lidhja me politikën ua jep atë kuptim të jetës. Politika dhe politikanët i ndihmojnë me e interpretue në mënyrë logjike realitetin alogjik.

Mirëpo zgjedhjet shërbejnë kryesisht me i ba njerëzit e vegjëlisë me u dukë të plotfuqishëm. Krijimi i bindjes se janë ata që vendosin është një proces që mbështetet pikërisht në mitet, në simbolet dhe në zgjedhjet. As Edi Rama, as Sali Berisha e as Ilir Meta nuk munden me kenë gabim për mbështetësit e tyre. Edhe kur ua fusin sa krahu, edhe kur sjellin Kastriot Islamin, apo vënë llumin e botës si deputetë, kur kapen duke vjedhur, apo me kurva nuk janë gabim. Heronjtë nuk munden me kenë gabim, sepse “lëre se ashtu ishte një punë.’

Gjithçka çka bëjnë këta politikanë është e padiskutueshme, e drejtë dhe e duhur. Ky është niveli më i lartë i marrëzisë kolektive. Njerëzit nuk kanë më asnjë element të pavarur apo ideologjik me gjykue një sjellje të tillë. Të gjithë dështimet e tyre ia kalojnë palës tjetër, shteti bëhet objekt që duhet arritur me çdo kusht dhe njerëzit e arrijnë këtë përmes politikanëve që adhurojnë. Ky është edhe objektivi i mbajtjes në fushatë, pa ndërprerje, i shoqërisë shqiptare.

Ndërkohë, realiteti i njerëzve nuk ka ndërrue aspak. Ata janë e do të jenë të papunë, ma të varfër, ma të mjerë, ma të pambrojtur, ma të shfrytëzuar, ma të skllavënuem, ma të ndarë, ma të manipuluem. Por nuk ka rëndësi. Ashtu si dikush e jeton jetën si tifoz i Bajernit, apo i Milanit, duke e ndjekur skuadrën e zemrës dy herë në javë me një satelit ashtu edhe dikush e jeton politikën. Mirëpo, në të dy rastet, politika e vërtetë është në para. Pronari i satelitit, që ta blen votën 40 euro ti merr paratë ditë për ditë. Politikani që ta blen votën 40 euro, vjedh shtetin, e përmes shtetit ty, sepse shteti është i yti, dhe borxhi i shtetit është borxhi i jot, me thasë.

Kjo është edhe logjika pse duhej bojkotuar sistemi. Në shtetin shqiptar duhej të dilte dikush që të thonte se ky realitet është kriminal. Se ju jeni banda. Se nuk e pranojmë sundimin tuaj. Se ju mendoni për vete e jo për popullin. Se doni të na shfrytëzoni e se na urreni, na përbuzni, na trajtoni si kafshë, na përdhunoni e na shisni. Ju mund ta bëni këtë se unë nuk kam se çka iu bëj, por ama votën time nuk ua jap ju. Sepse ju jeni llumi i botës, llumi i shoqërisë shqiptare, gjarpërinj e hyena, fatkeqësia kombëtare që na ka ra e nuk po dimë se si me iu heqë qafe. Por skllav me dëshirë nuk bëhem. Ky ishte edhe synimi i fushatës për bojkot.  Dikush duhet me e dhanë një shembull dhe është meritë që, edhe pse vijnë nga rrugë të ndryshme, këta të rinj e të reja e dhanë këtë shembull. Realiteti që ata shohin, edhe pse ende nuk duket se e interpretojnë si duhet, është realiteti me të cilin duhet të përballemi e gjejmë rrugën e zgjidhjes. Bojkotimi i zgjedhjeve ishte i domosdoshëm sepse zgjedhjet nuk ishin zgjidhja.  Prandaj edhe ata që i dolën kundër bojkotit ishin vegla të parisë, njerëz pa ndërgjegje shoqërore, të përdorur e të shitur, e njerëz të mjerë që janë për tu mëshiruar.