Prof. Dr. Shenasi RAMA/Teoria e hijes në politikë: kush do ta bëjë opozitën?

658
Sigal

Shenja më e rrezikshme dhe më e pamohueshme e sundimit të shtetit nga një parti e caktuar është përpjekja e suksesshme e asaj partie për të krijuar opozitën e vet. Kur sistemi është një oligarki politike e financiare, që mbështetet në struktura policore e kriminale, kjo është edhe më e dallueshme. Kur kësaj përpjekjeje i bashkëngjiten edhe strukturat e shoqërisë civile dhe të medias, atëherë gjendja është e rëndë. Kur shoqëria bie pre e kësaj loje, atëherë gjendja është e pashpresë. E vërteta për politikën e Tiranës, gjendja me të vërtetë duket e pashpresë. Në këtë pikë, duket sikur jemi pikërisht në atë fund të lojës, kur luan macja me miun. Në këtë moment kritik, partia sunduese dhe eksponentët e saj, nën dyshen Rama-Meta po kërkon që të ndikojë fuqimisht, me vendosmëri, me një strategji e objektiva të qarta mbi opozitën. Me një shumicë kushtetuese, dhe me të paktën 20 deputetë nga “kundërshtarët” që kanë bërë, gjendja e opozitës është katastrofike. Problemi i tyre nuk është më Sali Berisha, sepse ky tashmë është i fiksuar në ruajtjen e familjes, edhe pse e di se ku do të shkojnë gjërat, po nuk bashkëpunoi luajalisht me këta që fituan. Aq më shumë që Saliu është pjesë e pazarit që këta bënë dhe, megjithëse ia rrasën humbjen shpejt e pa mëdyshje, e pak më shumë se pritej, çka e la pa frymë, prapë e rren mendja se ia kanë lënë vrimën nga ku mund të dalë nga gjendja. Problemi i tyre kryesor është që në krye të opozitës të dalë dikush që është i përdorueshëm, i manipulueshëm, i kontrollueshëm, i varur prej tyre, dhe që është partner, besnik, pjesëtar i parisë jeniçere-martalloze të Tiranës.

Teoria e Hijes në politikën shqiptare formulohet kështu. Le të jetë si të jetë opozita, për sa kohë që ata hedhin vickla, bëjnë sherr kot, por janë pjesë e parisë, ne mirë i kemi punët. Hija nuk është njeriu që ec. Ajo është në trajta formë e në përmbajtje diçka krejt tjetër, sepse i duhet të marrë formën e terrenit, në varësi nga burimi i dritës. Mirëpo, shpejtësia me të cilën ec hija, zmadhimi apo tkurrja e saj, varen nga njeriu i vërtetë. Kur hija e jote është opozita e jote, dhe kur je i vetëdijshëm për këtë, je i fituar. Paria e Tiranës luan me hijet në mur. Asaj i duhet një opozitë që të jetë hija e saj në mur. Asaj i duhet një hije si Saliu, që, edhe kur erdhi në pushtet, nuk ua preku asnjë qime, por ama, asnjë qime në hundë, që të paktën t’i bënte të tështinin. Sepse, në fund të fundit, Saliu është dhe ka qenë i tyre, pjesë e parisë së Tiranës, është në tavë, me lugë në brez, e me një tufë vrasësish rreth e rrotull që bëjnë sherr kot, e jo më t’ua prekësh “haletë me leka” që i kanë vjedhur këto tetë vjet. Këtyre iu duhet një opozitë, si kjo e Saliut. Një opozitë, që të jetë në gjendje të kontrollojë masat e popullit dhe t’iu bëjë magji me premtime idiote e boshe, t’i mbajë varur për plane e projekte që askush më mirë se Luli i Berishës nuk e tha “ai që të ka mundur të mund prapë.” Harroi Luli të thoshte se si shkuan këto zgjedhjet e fundit në Tiranë e Kavajë, dhe se fitoren ia detyronte Ilir Metës dhe Xhaxhi Hysni Milloshit dhe se sa para ka vjedhur e për çka mbahet peng. Ky zotnia tjetër, Olldashi thotë fitojmë në vitin 2015. Nejse, me i ra shkurt këto janë dy prestigjiatorë që duan të bëjnë magji, d.m.th. t’i hedhin hi syve popullit të shkretë që shkon sa nga shiu në breshër, e nga breshëri në shi, dhe militantëve “demokratë,” d.m.th atyre që ndjekin këso hijesh të hijes. Këta i duhen parisë. Paria e ka listën e gjatë të krimeve të  shërbëtorëve të Saliut e të shumë ustallarëve të tjerë. Sa të duan të hyjnë në lojë, dalin ‘tymçe’ dhe as hijen nuk e bëjnë dot. Por nejse.  Ja një histori e shkurtër e hijeve në tranzicion. Ramiz Alia e donte PD-në si hije që të mblidhte kundërshtarët. Saliu dhe të tjerët e përmbushën misionin. Kur deshi, t’ia fuste stërkëmbëshin ustait, këta i bënë gjëmën. Dhe e kthyen në hije prapë. Kur deshi të fuste spica, Ilir Meta e rrasi në një komisariat, ku firmosi diçka. Por Saliu është mjeshtër dhe, duke e ditur se nuk dot me hije, bëri aleanca me të gjithë, dhe Gramoz Ruci, në të vetën e Fatos Nano në të vetën, vazhduan lojën e hijes me Saliun. Tani që këta dolën, jo thjesht fitimtarë, por dërmëtarë, d.m.th që i dhanë ‘dërmën’ hijes, duhet ta rikrijojnë atë. Sepse, kush merret me gjithë këtë “pis milet” që nuk do të durojë vjedhjet e korrupsionin, mashtrimin e krimin, sepse Pjetër Arbnori do të mbahet mend për një gjë, kur tha se “këta nuk janë socialistë, këta janë specialistë.” Natyrisht, nuk ishte puna tek zhvoshkja e misrit apo shirja në lëmë, por specialist në “rruajtjen e në kruajtjen” e thesarit të shtetit e të pasurisë kombëtare. Dhe këta kanë një uri, që një zot e din! Edhe çimkat, që rrinë gjashtë vjet pa pirë gjak dhe e derdhin gjakun që pinë, duke shkuar në atë vrimën e drurit, dikur pushojnë. Por këta nuk do të pushojnë, sa ta mbushin, ashtu siç thuhet në Sheraton, “halenë me leka.” E nga do të dalin këto leka? Një zot e din, por këta janë të uritur dhe, për dreq, e kanë edhe oreksin e madh.  Nejse, këtyre iu duhet një opozitë hije.
Tani kanë nisur lojën me pasqyra e tallen me shqiptarët e shkretë, që e kanë humbur toruan, si ajo delja që e sheh se po e presin në fyt. Hedhin shashka e tymçe mediatike, që po i konfondojnë e ngatërrojnë njerëzit e shkretë. Ja një shashkë.  “Nxirrni e hiqni spiunët nga opozita!” Po kë të heqësh? PD-JA u mbajt nga Sali Berisha, duke përdorur dosjet! Këta na dalin të gjithë spiunë. Teza tjetër është të persekutuarit të dalin më vete! Po kush janë të persekutuarit, more aman. Këta hëngrën, “ruajtën e kruajtën”, thesarin e shtetit për tetë vjet të tjera. Dhe u përdorën si deshi Saliu. Çfarë kredibiliteti kanë? Zero. Teza tjetër është të bëjmë një parti ‘diversante’, me demokratët militantë! Po çfarë militantësh? Militanti ka vlera dhe vdes për ideologjinë e vet. Këta janë për një vend pune e një kafshatë buke. Janë edhe ca teza të tjera, që janë hedhur në tregun politik mediatik, sepse këtë verë para se të nisim lojën, duhet të kemi edhe hijen gati.
Që të mos më thonë se nuk ka alternativa të tjera, do të kisha thënë se shkrimet e mia dhe të kolegëve si Grid Rroji, Valbona Karanxha, Ledjan Prifti e të shumë të tjerëve në blogun Rrethi i Ferrit (shinasi.Ëordpress.com) të japin zgjidhjen e vërtetë. Por duhet të mësohen njerëzit të lexojnë e jo të shullehen në diell. Ashtu digjet lëkura e nxihesh kot e digjesh, por nuk e gjen zgjidhjen. Shkurt e shqip, zgjidhja është kombëtarizmi dhe ndërtimi i shtetit komb. Këta që e kanë mendjen tek dhjamosja e tek mbushja e “halesë me leka” kanë trup dhe prandaj duan hije. Kombëtarizmi është një sistem vlerash, që del nga shpirti i popullit dhe shpirt nuk ban hije. E keqja ban e kërkon hije, sepse e mira i mbulon njëlloj të tanë dhe e mira e shqiptarëve dhe opozita e vërtetë është ajo që do të mbështetet, si mbi një shkëmb, mbi vlerat e vërteta e shpirtin e popullit shqiptar.