Prof. Dr. Shenasi Rama/Kush do ta bëjë opozitën?

595
Sigal

Problemi themelor me te cilin përballen shqiptarët nuk është aq qeverisja Rama-Meta, por mungesa e një opozite politike serioze, ideologjike, programatike, dhe me synim marrjen e qeverisjes ne zgjedhjet e ardhshme politike. Në këtë pikë, një opozitë e tillë nuk ekziston dhe, po u vazhdua kështu, nuk ka gjasa që të ndodhë. Paradoksi është se në politikën shqiptare mungon kovergimi i katër elementëve që e bëjnë të mundshme daljen e një alternative të tillë serioze: ideologjia, udhëheqësia, struktura partiake dhe mobilizuese dhe mendësia e popullit.

Katër elementët e një opozite të shëndoshë

Ideologjia e duhur për të bërë opozitën sot e mot, por edhe për të drejtuar shtetin është kombëtarizimi. Këta që do të qeverisin nuk janë kombëtaristë. Këta që qeverisën deri dje nuk janë kombëtaristë. Këta që morën flamurin e kombëtarizimit, dolën kakarecë e sharlatanë dhe janë krejtësisht të diskredituar. Mirëpo, diskreditimi i tyre nuk duhet e nuk mund të jetë diskreditimi i ideologjisë dhe i vlerave të pazëvendësueshme që ajo ideologji përçon.  Udhëheqësia e duhur për të bërë opozitën sot e mot, por edhe për të drejtuar shtetin nesër duhet të përbëhet nga politikanë që nuk janë të korruptuar, që nuk janë të blerë e të shitur, që nuk janë të njollosur nga qeverisja kriminale e tranzicionit. Këta që do të qeverisin janë ata që qeverisnin deri dje. Këta që qeverisën deri dje janë llumi i botës, hajna, cuba, gangster, mashtrues, klani i Zemunit, Trusti i Gështenjave të Tropojës,  Orta e Jeniçerëve, Çeta e Lavatriçeve dhe strukturat e tjera oligarkike, kriminale e mafioze. Udhëheqësia e opozitës duhet të bëhet nga njerëz që janë të përkushtuar ndaj popullit e ndaj shtetit të tyre e jo nga politikanë me dosje, me dosje krimi, që kanë mbushur dosjet kundër shqiptarëve, apo që duan të luajnë lojën politike me dosjet kundër shqiptarëve.  Struktura partiake dhe mobilizuese e duhur për të bërë opozitën duhet të jetë një strukturë e mbështetur në ideologjinë dhe bindjen se besnikërinë e parë e të pandryshueshme anëtari apo simpatizanti i partisë nuk e ka ndaj kryetarit të partisë, apo kryetares, por ndaj shtetit. Politika bëhet për ta bërë shtetin e gjendjen më të mirë, për të gjetur rrugën e duhur e jo për të përdorur njerëzit në rrugë, si mitingashë,  për qëllimet e një individi. Struktura partiake, pra, duhet të jetë dytësore e në hije të jetës personale të individëve, që mund të jenë mësues, profesionistë, punëtorë bujq, e në profesione të tjera, por që bashkëpunojnë për të bërë më të mirën për të gjithë shqiptarët. Koha e sistemit parti-shtet ka kaluar, por tek ne koha e shtet-kombit ende nuk ka filluar.  Mendësia e popullit do të jetë vendimtare në përcaktimin e të ardhmes së opozitës. Këta që qeverisin ishin në qeverisje. Këta që qeverisën nuk kanë lënë gjë pa bërë për ta zvetënuar, korruptuar, katandisur që të mendojë vetëm për bukën e gojës dhe të jetë tërësisht i varur prej tyre. Zgjedhjet e fundit, kur votat u shitën, u blenë, u vodhën, apo u dhunuan, treguan se kemi zbritur një a dy shkallë më poshtë nivelit ku kemi qenë. Shenjat e degradimit, që po përjetohen, janë të frikshme dhe duhet bërë një përpjekje titanike për të ndërruar rrugë. Opozita e vërtetë do të jetë ajo që do t’u kthejë njerëzve dinjitetin e respektin për veten, duke punuar në radhë të parë për të ndërruar mendësinë e tyre.  Zgjidhja e vërtetë është në ndriçimin e mendjes së popullit dhe në krijimin e bindjes se ka zgjidhje, se ka shpresë dhe se ka mundësi që të bëhet më e mira për shqiptarët. Opozita e vërtetë do të tregojë se strukturat partiake, ideologjia dhe udhëheqësia e opozitës janë në funksion e në shërbim të arritjes së objektivave të ndërtimit të një shoqërie moderne e normale, e cila të krijojë siguri të jetës e të nderit, mundësi për zhvillim, e begatim, me sisteme të edukimit, të mbrojtjes shëndetësore, të kujdesit për fëmijët e të moshuarit.

A mund të bëjnë opozitën partitë ekzistuese?

Në këtë pikë, ideologjia e duhur është kombëtarizimi. AK-ja është partia që e ka përqafuar atë ideologji, mirëpo trajtimi që i ka bërë ka qenë jorealist, populist, i ngarkuar me nota sharlatanizmi të theksuar dhe pa profesionalizmin që pritej. Dështimi i një politikani nuk është dështimi i ideologjisë. Por do të ishte e pafalshme që të lejohet një individ, që të mbajë peng opozitën e ideologjinë e saj. Njerëzit i bashkëngjiten një ideologjie dhe nuk e kanë pronë të tyre. Ideologjia ka jetën e vet dhe në rastin tonë, kombëtarizimi është ideologjia e natyrshme, e nevojshme, e dobishme dhe e pashmangshme.  Në drejtim të udheheqësisë dhe të strukturës, nga ana e vet, Sali Berisha mban peng të Trustit të Gështenjave masën e madhe të njerëzve, që e dinë se kush janë këta që do të qeverisin dhe që duhej të ishin opozita e vërtetë. Qeverisja e degjeneruar dhe e stërkorruptuar e tij dhe e strukturave dhe e individëve, që nuk lanë gjë pa bërë, për të mbushur thesin me para, për 100 vjet duhet të gjykohet e jo të durohet e anashkalohet. Mirëpo Edi Ramës dhe Ilir Metës iu duhet një Sali Berishë e një PD e dobët, që do t’i mbajë në pushtet për nja 16 apo më shumë vjet. Kështu kanë punuar deri tani e kështu duan të punojnë. Por kjo nuk duhet lejuar që të ndodhë, sepse kjo është thjesht zgjatja e agonisë kombëtare. Përpjekja e ethshme e Berishës, për të imponuar një njeri të familjes në krye të PD-së dhe për të mbajtur shqiptarët peng, duke thënë se do të bëjë opozitën do të intensifikohet në ditët e ardhshme. Sali Berishës nuk i duhet një opozitë për shqiptarët, atij i duhet një mbrojtje për familjen e për Trustin dhe kjo mbrojtje vjen nga prania në politikë dhe nga kontrolli mbi popullin. Marrëveshja që ai ka bërë me Metën e Ramën do të respektohet dhe as atij e as familjes nuk do t’i hyjë gjemb në këmbë. Sepse këta janë paria e Tiranës dhe ia ruajnë shpinën njeri tjetrit. Prandaj Berisha e PD-ja nuk mund të bëjnë opozitën e vërtetë, atë që duhet, atë që iu shërben shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre. Sali Berisha dhe të gjtihë të tjerët në PD janë të kapur, të degjeneruar, të zvetënuar, hajna e cuba të kategorisë më të fundit. Nuk ka det që i lan krimet e tyre dhe nuk mund të vihet ujku të ruajë delet e të bëjë opozitën për të mbrojtur shqiptarët. Sepse si Sali Berisha, ashtu edhe të gjithë të tjerët janë vegla të Trustit të Gështenjave. Ata janë aty për të mbrojtur interesat e familjes e jo të shqiptarëve. Nuk duhen lejuar që ta bëjnë këtë, sepse ky do të ishte një krim që nuk do të na e falin brezat e ardhshëm.  Mendësia e popullit, që duhet për të bërë një opozite të shëndoshë e jo një opozitë mitingjesh, si kjo që po nis të përvijohet, është mendësia e qytetarit me bindje të qarta civile, patriot e atdhetar, e që i njeh të drejtat dhe detyrat e veta dhe i kupton shtrëngesat që vë ligji. Mendësia që na duhet është mendësia e qytetarit që nuk bie pre e manipulimit për interesa personale të individëve të caktuar, që i shmanget parullave populiste, që kërkon substancën e jo vetëm formën, që nuk voton për numrat e për ngjyra e parti, e që nuk bën tifozllëk.  Mendësia që na duhet për të bërë opozitën është mendësia e katundarit fisnik  shqiptar, ai që vë nderin mbi gjithçka, ai që e kupton se të keqes duhet me i thanë ndal, që nderon e respekton rregullin e ligjin, që kërkon zbatimin e ligjit që duhet të jetë mbi gjithkënd e gjithkund.

Kush duhet ta bëjë opozitën?

Opozitën duhet ta bëjë një masë shqiptarësh që përqafon ideologjinë kombëtariste. Kjo masë e fragmentarizuar shqiptarësh sot mbështet parti interesash, nuk sheh zgjidhje, dhe e ka mbyllur gojën, edhe pse e dinë mirë se çfarë krimi po luhet mbi kurrizin e shqiptarëve. Kjo masë e shpërndarë në të gjithë shtresat e shoqërisë jo vetëm e kupton se ky realitet është absurd, por edhe se ky realitet është kriminal, i qëllimtë dhe i stisur në atë mënyrë që të mos lejojë që të rebelohet kush. Por këta nuk e hapin gojën, sepse kanë frikë. Niveli i terrorizimit të shoqërisë shqiptare ka arritur në nivele të tilla, sa që njerëzit nuk guxojnë as të mendojnë e jo më të flasin dhe frika është me e prekshme në këtë grup, se sa në cilindo grup tjetër. Mirëpo, për këto që hyn në politikë, ky është grupi i elitave të vërteta dhe i individëve me influencë lokale, e nesër edhe kombëtare që do të bëjnë ndryshimin. Zhgënjimi i pritshëm nga qeverisja “Rameta” do t’i bindë të bëhen më aktivë. Këta janë çelësi i organizimit të opozitës, sepse këta ndërmjet parisë sunduese dhe popullit. Këta e përçojnë ideologjinë, sjelljet, normat dhe vlerat e parisë në popull, por këta mund të bëjnë influencimin e popullit në mënyrë që të përvijohet ndarja me të shkuarën. E në të njëjtën kohë, këta janë grupi më i madh dhe më i ndjeshëm, grupi që mund të bëjë ndryshimin. Problemi kryesor është se si me ia nxjerrë frikën këtyre njerëzve, që pavarësisht se ku jetojnë, në fshat apo në qytet, kanë edukimin, ndjeshmërinë, dhe receptivitetin për të kërkuar ndryshimin. Këta janë zyrtarët e niveleve të ulëta në atë e në këtë sistem, njerëzit që vijnë nga familje me tradita, tregtarët e reshperët që duan të jetojnë me nder, mësuesit dhe mjekët e ndershëm, oficerët dhe policët e edukuar, njerëzit me bindje morale të qëndrueshme e që i praktikojnë në jetën e tyre, atdhetarët dhe patriotet, pasardhësit e familjeve patriotike e të dëshmorëve të kombit.

Në vend të përfundimit

Opozitën nuk mund ta bëjnë ata që kanë dështuar, apo ata që janë të kriminalizuar. Opozita e vërtetë duhet të fillojë e duhet të jetë e mbështetur tek kombëtarizmi si ideologji. Opozita e vërtetë duhet të jetë e mbështetur tek shqiptarët patriotë e shembujt si figura e ndritshme e Myslym Pashajt. Opozita e vërtetë do të vijë pas një periudhe të gjatë pune e reflektimi nga ana e intelektualëve dhe mbi të gjitha e të rinjve. Opozita e vërtetë duhet të shkëputet nga trashëgimia e sharlatanëve dhe e banditëve politikë, si Sali Berisha dhe të punojë për të kthyer dinjitetin e nderin shqiptarëve fisnikë. Sepse, në fund të fundit, këta që na qeverisën e që do të qeverisin, janë këtu me një projekt afatgjatë. Nuk ka zgjidhje të lehta, rruga është e mundimshme, por opozita duhet me kenë morale, kombëtariste, e përkushtuar, në shërbim të popullit dhe mbikëqyrëse e qeverisjes së parisë së Tiranës, por në interes të kombit. Koha ka ardhur për të pyetur kush do ta bëjë e në cilën anë do të jetë secili, edhe ti që e lexon këtë shënim.