Prof. Dr Selman Sheme/Shpërnguljet e dhunshme dhe sfida e riatdhesimit të popullsisë çame

664
Sigal


Me rastin e ditës së kujtesës, 69-vjetorit të gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë

Më 27 qershor mbushen 69 vjet nga akti final i shpërnguljes së dhunshme të popullsisë shqiptare të Çamërisë nga trojet e veta etnike. Dëbimi dhe përndjekjet e popullsisë çame, të shoqëruara me masakra të tmerrshme ndodhen gjate gjysmës së parë të shek XX, në vitet 1912-1914 pas nënshkrimit të Konventës Turko-Greke për këmbimin e popullsisë mes dy vendeve në janar të vitit 1923 në Lozanë dhe arriti pikën kulmore me ngjarjen e viteve 1944-‘45.

Gjatë Luftës I Botërore u dëbuan me dhunë për në Turqi rreth 10 mijë shqiptarë nga Çamëria ku pati edhe shumë të vrarë dhe të masakruar. Pas luftës vala e dëbimeve dhe terrorit të pushtetit grek ndaj kësaj popullsie u intensifikua edhe më shumë. Ministri shqiptar në Athinë Mit’hat Frashëri në janar të vitit 1925 njoftonte qeverinë e Shqipërisë se “38 katunde në Kostur dhe Follorinë, me afro 20 mijë frymë u përzunë me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe sot po mbërrijnë në Anadoll” (M.Frashtri, Athinë, për MPJ në Tiranë, No 69, 21 janar 1925). Por dëbimet me dhunë të shqiptarëve u intensifikuan më tej dhe më 31 gusht 1925 M.Frashri, në një tjetër raport për qeverinë shqiptare, theksonte se “shqiptarët myslimanë në Greqi ishin më 1922 afro 100 mijë. Prej tyre 35 mijë frymë u përzunë nga dy prefekturat e Kosturit dhe Follorinës dhe gati 20 mijë nga Janina, Preveza, Parga, përzënie çiltazi, ose tërthorazi kundër vullnetit të popullit, si dhe shpeshherë, me mëtime, me shtrëngime të zyrtarëve grekë (gjindarmë dhe myfti) ose më keq akoma me dru dhe shkop të gjindarmëve” (M.Frashëri, Athinë për MPJ në Tiranë No.8, Tiranë 31 gusht 1935).

Në periudhën 1920-1926 u përzunë me dhunë për në Turqi gjithsej 35 mijë shqiptarë nga 24 fshatrat e Kosturit dhe nga 14 fshatrat e Follorinës si dhe 55 mijë myslimanë të Epirit (Çamërisë), kryesisht nga rrethet e Janinës, Prevezës dhe Pargës (T. Selenica “Shqipëria më 1927”, Tiranë 1928, fq. 25). Pas shumë protestave, në formë të Memorandumeve dhe peticioneve të qeverisë së Shqipërisë dhe të vetë popullsisë së Çamërisë, në fund të viteve ‘20, dërguar Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në kohen kur kryetari i shtetit grek ishte arvanitasi Teodor Pangallos, përkohësisht u ndërprenë shpërnguljet e popullsisë shqiptare. Por kjo situatë nuk zgjati shumë. Duke shfrytëzuar Luftën Italo-Greke në vitet 1940-1941, regjimi ushtarak grek i gjeneralit Metaksa, përsëriti torturat, terrorin, internimet, shpërnguljet dhe shkatërrimin e pasurive të popullsisë shqiptare të Çamërisë.

Me gjithë shpërnguljet e dhunshme dhe vendosjen në vendbanimet shqiptare të kolonëve grekë të ardhur nga Azia e Vogël, (Rajoni i Izmirit), deri në fund të Luftës së II Botërore, krahina e Çamërisë mbeti një gjeohapësirë me përbërje etnike homogjene, ku mbi 82% te popullsisë e përbënin shqiptarët. Sipas statistikave greke të vitit 1937 Çamëria kishte 279 fshatra me një popullsi prej 112.619 banorë, nga të cilët 92.415 ishin shqiptarë, ndërsa 20.200 banorë ishin grekofonë. Kjo situatë demografike pësoi çrregullime të mëdha me ngjarjet që ndodhën në fund të Luftës II Botërore. Faza përfundimtare e spastrimit etnik të shqiptarëve nga krahina e Çamërisë ndodhi në gjysmën e viteve ‘40 të shekullit të kaluar. Nga 27 qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945 bandat kriminale të gjeneralit dhe kryetarit të partisë së djathtë greke EDES, Napolon Zervas bënë tmerre të papara mbi banorët shqiptarë të Çamërisë.

Gjate fushatës greke të spastrimit etnik u vranë mbi 2770 civilë, u plaçkitën e më pas u dogjën 68 fshatra dhe 5800 shtëpi .Si pasojë e këtij gjenocidi mbi 35 mijë shqiptarë të fesë myslimane u shpërngulën nga vatrat e tyre dhe u vendosën në shtetin amë, në Shqipëri. Gjatë emigracionit, mbi 2900 persona gjetën vdekjen si rezultat i mungesës së ushqimit dhe sëmundjeve të ndryshme.

Në nderim të këtyre viktimave të gjenocidit grek, me mbështetjen e PDIU-së në 19 qershor u inaugurua një memorial përkujtimor në fshatin Kllogjer të Sarandës.

Popullsia e emigruar u vendos kryesisht në qytetet Sarandë, Vlorë, Fier, Lushnje, Durrës, Elbasan, Tiranë në gjeohapësira me kushte natyroro-klomatike-tokësore të afërta me ato të Çamërisë.

Shpërngulja me dhunë e popullsisë shqiptare myslimane nga krahina e Çamërisë solli me vete riskun e ngushtimit etnik të trojeve shqiptare. Trojet e trungut etnik të rretheve Filat, Gumenicë, Margellic, Paramithi, Prevezë etj., të populluara me shumicë prej shqiptarëve u popullua nga kolonë grekë e vlleh të ardhur nga Malësitë e Murganës, Gadishulli i Atikës, Thraka Perëndimore etj.

Migrimet e dhunshme sollën ç’rregullime demografike pasi u shoqëruan me vrasjen dhe shfarosjen e mbi 5 mijë personave dhe shpërnguljen e gjithë popullsisë shqiptare myslimane që përbënte pjesën më vitale të krahinës.

Sot, rreth 300 mijë banorë me origjinë nga Çamëria jetojnë në Republikën e Shqipërisë dhe nga përllogaritjet rezulton se rreth 400 mijë të tjerë jetojnë në diasporë, më së shumti në Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke u mbështetur në regjistrimin grek të vitit 1951, i fundit ku jepen të dhëna për përkatësinë fetare dhe gjuhën amtare të popullsisë që jeton në Greqi, del se numri i popullsisë shqiptare etnike në krahinën e Çamërisë ishte 22.736 banorë (R.Clogg, “Historia e përmbledhur e Greqisë”, Tiranë 2004, fq.233. Po t’i referohemi të dhënave të Calendario Atlante De Agostini-2013, rezulton se sipërfaqja e Epirit (Çamërisë) është 9203 km² ndërsa popullsia arrin në 336.650 banorë.

Tre regjionet, ku shtriheshin deri në vitin 1944, hapësirat e trungut etnik të populluar me shumicë nga shqiptarët, Thesprotia, Preveza dhe Arta, kane një sipërfaqe prej 4213 km²  dhe një popullsi prej 169.260 banorë, me një dendësi mesatare prej 40 banorësh për km².

Në Epir shtesa mesatare vjetore e popullsisë është e vogël, rreth 0.3 % (2005-2012).

Epiri (Çamëria), pas Luftës II Botërore i është nënshtruar sistematikisht procesit të dezertifikimit demografik. Në dhjetëvjeçarët e fundit në Epir janë shpopulluar rreth 347 fshatra, të cilët aktualisht janë krejtësisht të braktisur. Për rrjedhojë dendësia mesatare e popullsisë është mjaft e ulët, 37 banorë për km². Ky tregues është 2.5 herë më i ulët se dendësia mesatare e Greqisë dhe rreth 3 herë më e ulët se dendësia mesatare e Shqipërisë. Në këto rrethana, sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore  të cilat kanë qenë të kultivuara apo kullota për bagëtinë , janë degraduar  dhe dezertifikuar.

Epiri, rajoni më i prapambetur dhe më i izoluar në Greqi.

Pas shkëputjes së Çamërisë nga trungu etnik dhe pushtimit të saj nga Greqia, proceset natyrore të zhvillimit ekonomik u ndërprenë. Ndryshimi i strukturës demografike të popullsisë, shpërnguljet masive dhe prishja e ekuilibrave në variablet, toka-puna-kapitali, ndikuan negativisht në zhvillimin ekonomik të krahinës, veçanërisht në gjysmën e dytë të shek XX. Në bazë të ligjit absurd të luftës mbahen në “sekuestro konservative” dhe u është dhënë në pronësi toka, fabrikat, punishtet, dyqanet, shtëpitë dhe gjithë pasuria e paluajtshme e  popullsisë çame , kolonëve grekë, të cilët janë të pamotivuar për zhvillimin e ekonomisë.

Sipas vlerësimit të Komisionit Shqiptar për rivendikimet, një strukturë e ngritur pranë Ministrisë së Jashtme në vitin 1941, pasuritë e shqiptarëve u grabiten në tre periudha: në periudhën e ndarjes së Perandorisë Osmane, pas Konferencës së Lozanës (1923) dhe me Ligjin e Luftës që sekuestroi pronat e shqiptarëve të Çamërisë. Pasuritë e shqiptarëve, deri në vitin 1941 arrijnë në 260 mijë hektarë, që përfshinin, fusha, livadhe, vreshta e kopshte.

Pasuritë e pretenduara të shqiptarëve, sipas të dhënave të Shoqërisë Komisionere, shoqate e të drejtës shqiptare, krijuar për të trajtuar rivendikimet e pasurive shqiptare jashtë vendit, e cila vepronte deri në vitin 1991, arrijnë në këto përmasa:

-Rreth 30 mijë ha, sipërfaqe bujqësore, arra, vreshta, ullishte;

-Rreth 65 mijë ha pyje;

-Rreth 108 mijë ha livadhe.

Këto pasuri natyrore, si dhe burimet potenciale njerëzore, janë faktor i rëndësishëm për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.

Sot Epiri është rajoni më i prapambetur dhe më i izoluar në Greqi, me lidhje të pakta ekonomike me rajonet e tjerë. Rajoni Qendror i Athinës dhe Rajoni Verior i Selanikut , që përbëjnë dy polet më të zhvilluara ekonomike në Greqi dhe qendrat gravituese të saj, i kanë kthyer shpinën Epirit.

 Epiri (Çamëria) ka pasuri të rëndësishme natyrore-klimatiko-tokësore ku mund të veçojmë sipërfaqet e konsiderueshme të tokës bujqësore, ujërat, pyjet, kullotat, resurset turistike, bimë mjekësore etj. Këto pasuri natyrore historikisht kanë favorizuar zhvillimin e bujqësisë , blegtorisë, peshkimit, artizanatit, tregtisë, veçanërisht fruit-kulturës, vitikulturës, ovikulturës etj.

Për të nxitur këto procese ekonomike tradicionale dhe për të siguruar një Zhvillim të Qëndrueshëm në të ardhmen është e domosdoshme që të vendosen ekuilibrat e nevojshëm në trinomin lokacional toka-puna-kapitali. Në këto rrethana një nga rrugët e zhvillimit të rajonit është riatdhesimi i popullsisë çame, prej 300 mijë banorësh, që jetojnë në Shqipëri, si dhe kthimi i pronave të tyre. Ky proces do të përmirësonte në mënyrë të ndjeshme situatën demografike dhe ekonomike të kësaj krahine. Shqiptarët e riatdhesuar do të ishin shumë të motivuar për zhvillimin e prosperitetin e krahinës dhe do të kishin vullnetin e duhur për të arritur këto qëllime. Ata do të integroheshin shumë shpejt në proceset e ndarjes shoqërore gjeografike të punës dhe do të kontribuonin në vendosjen e ekuilibrave të zhvillimit hapësinor-lokacional në raportet qendër-periferi.

Sfida për zhvillimin dhe integrimin subrajonal të krahinës së Çamërisë.

Në proceset e zhvillimeve të sotme, miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i “Rezolutës për Zgjidhjen e Çështjes Çame, për njohjen dhe mbështetjen e të gjitha të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi gjenocidin e spastrimin etnik, rikthimi i pronave, njohja e të drejtës së riatdhesimit etj” është një imperativë që do të nxisë fillimin e një procesi integrues ndërkufitar, subrajonal e më gjerë.

Sfida e zhvillimit rajonal dhe subrajonal, funksionimi i ekonomisë së tregut dhe integrimi europian e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin ndërkufitar, veçanërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor. Forma më e njohur dhe më e mirë e institucionalizimit të bashkëpunimit ndërkufitar është EURORAJONI.

Bashkëpunimi ndërkufitar përfshin ndërveprime të gjera, sektoriale dhe hapësinore në fushën ekonomike, sociale, politike etj., me qëllim mobilitetin e punësimit në rajonet kufitare, zhvillimin e turizmit dhe aktiviteteve të përbashkëta strukturore dhe infrastrukturore,  ekonomike etj.

Eurorajonet janë një model zhvillimi që hasën veçanërisht në vendet e Europës Perëndimore. Pas vitit 1990 , me mbarimin e Luftës së Ftohtë  dhe rënien e barrierave politike  proceset integruese që shoqëruan ato  krijuan kushte të favorshme për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkufitar.

Në kuadër të këtij procesi janë institucionalizuar dhe konkretizuar eurorajonet ndërkufitare  Gjermani-Poloni (Pomerani), Gjermani-Ceki (Sudetet), Austri –Slloveni – Hungari (Shtiri-Kishalfeld), Hungari-Kroaci-Bosnje (Danub-Drava-Sava), Maqedoni-Serbi-Bullgari (Morava-Pcinjë-Strumë) etj.

Bashkëpunimi ndërkufitar në një mjedis me kufij të hapur, midis Rajonit të Epirit në Greqi (Çamërisë), Rajonit Vlorë-Sarandë-Gjirokastër në Shqipëri dhe Rajonit të Puljas në Italinë jugore,që mund të quhet “Eurorajoni i Detit Jon” do të mbështeste fuqimisht zhvillimin ndërkufitar në këto hapësira periferike, kryesisht rurale të Shqipërisë dhe Greqisë.

Në këtë proces integrues të zhvillimit ndërrajonal do të ridimensionohej ndarja shoqërore gjeografike e punës, specializimi dhe shkëmbimi subrajonal.

Në kushtet e fragmentizimit të periferive tona territoriale, të faktorizimit politik, ekonomik dhe kulturor, institucionalizimi dhe konkretizimi i bashkëpunimit ekonomik ndërkufitar dhe përfshirja edhe e Çamërisë në projektet e komunellsit shqiptar në Ballkan do t’i paraprinte procesit të globalizimit dhe integrimit europian.