Prof. Dr. Myqerem Tafaj/ Pse po mënjanohen fakultetet e mësuesisë nga kualifikimi i mësuesve?

513
Sigal

Mësuesit po ankohen për rritjen e ndjeshme të kostos së kualifikimit të vazhduar për shkak të rritjes abuzive të tarifave të kurseve të kualifikimit (mbi 4 000 apo 5 000 lekë). Gjithashtu, është rritur, në mënyrë tërësisht abuzive, numri i krediteve që u kërkohen mësuesve, në kundërshtim të hapur me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Sipas kuadrit ligjor në fuqi, mësuesit duhet të kryejnë një trajnim treditor i konvertuar në 18 orë kualifikimi (6 orë në auditor dhe 12 orë punë e pavarur) ose një kredit të ngjashëm me kreditet që përdoren në studimet universitare (ECTS).

Ndërkohë, roli i fakulteteve të mësuesisë në realizimin e procesit të kualifikimit thuajse është injoruar tërësisht.
Ky zhvillim është i padëshiruar dhe do të ketë ndikime negative afatgjatë në gjithë sistemin tonë arsimor.
Reforma e studimeve universitare në mësuesi dhe e kualifikimit të vazhduar të mësuesve, e nisur në vitin 2010, kishte në epiqendër të saj fakultetet e mësuesisë të universiteteve publike. Kjo nuk do të thotë që të mos shfrytëzohet edhe oferta komplementare, e akredituar, e subjekteve private, qofshin fakultetet e mësuesisë të shkollave të larta private apo të agjencive private. Argumentet janë të shumtë. Këtu po përmend vetëm më kryesoret prej tyre.

Shqipëria ka 12 fakultete të mësuesisë në universitetet tona publike: Katër fakultete të Universitetit të Tiranës, fakultetet e mësuesisë të Universitetit të Shkodrës, Universitetit të Durrësit, Universitetit të Elbasanit, Universitetit të Korçës, Universitetit të Vlorës, Universitetit të Gjirokastrës, Universitetit të Arteve dhe Universitetit të Sporteve. Këto fakultete kanë traditë të pasur mbi 30-vjeçare në  kualifikimin e vazhduar të mësuesve. Fakultetet e mësuesisë së Universitetit të Tiranës dhe të ish Instituteve të Larta Pedagogjike drejtonin, në bashkëpunim me kabinetet pedagogjike, kualifikimin e vazhduar të të gjithë mësuesve në arsimin parauniversitar. Fakultetet kanë personel akademik të mjaftueshëm në numër, me përvojën dhe kualifikimin e nevojshëm akademik si dhe kapacitete të tjera (laboratorë, etj.) për të realizuar me cilësi të lartë kualifikimin didaktik dhe shkencor të mësuesve. Nuk duhet të harrojmë se zhvillimi dhe modernizimi i kurrikulave të kualifikimit të vazhduar të mësuesve, kërkon një korpus pedagogjik të mjaftueshëm që garanton një ‘minimum kritik akademik’ për të konceptuar dhe realizuar module dhe praktika të reja që janë pjesë e kësaj kurrikule.

Meqenëse, zbatimi i ligjit të ri për aspektet e kualifikimit të vazhduar filloi në vitin 2013 dhe shpenzimet nuk mund të përballoheshin plotësisht nga buxheti, u gjykua që procesi të fillojw me një tarifë prej 1500 lekësh, me synim uljen ose heqjen e saj në vitet pasardhëse, përmes shtimit të një fondi për trajnimin e mësuesve në buxhetin e universiteteve publike. Qeveria nuk akordoi asnjë shtesë as në buxhetin e vitit 2014 dhe as në atë të vitit 2015 për trajnimin e mësuesve pranë fakulteteve të mësuesisë të universiteteve publike.

Në kuadër të reformës së studimeve universitare në fushën e mësuesisë, fakultetet e mësuesisë të universiteteve publike dhe private filluan të krijojnë departamentet e reja që do të organizonin dhe koordinonin (I) kualifikimin e vazhduar të mësuesve, (II) praktikën mësimore të studentëve të mësuesisë, dhe (III) bashkëpunimin midis fakulteteve, shkollave (të arsimit bazë dhe të mesëm) dhe shoqatave/rrjeteve profesionale të mësuesve.

Roli parësor i fakulteteve të mësuesisë në kualifikimin e vazhduar të mësuesve është shumë i rëndësishëm edhe për vetë fakultetet, sepse ato duhet të jenë në korent të zhvillimeve që ndodhin në sistemin arsimor parauniversitar. E thënë ndryshe, fakultetet marrin ‘ushqimin’ e përditshëm nga shkollat, që janë laboratorët ku konceptohen dhe eksperimentohen metodat e reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Gjatë periudhës së tranzicionit ndodhi një shkëputje e fakulteteve të mësuesisë nga shkollat, nxënësit dhe mësuesit. Kualifikimi i vazhduar kishte kaluar tërësisht në duart e agjencive private. Fakultetet e mësuesisë nuk kishin ndjekur nga afër reformat dhe ndryshimet në kurrikulat e arsimit parauniversitar, ccka bëri që edhe kurrikulat e studimeve universitare në mësuesi të mos mbështeteshin në realitetin e ndryshuar të shkollës.

Bashkëpunimi i ngushtë i fakulteteve të mësuesisë me mësuesit e shkollave është i domosdoshëm për modernizimin e kurrikulave, si të arsimit parauniversitar ashtu edhe të programeve universitare të mësuesisë. Mësuesit mund të japin një ndihmesë të madhe në diskutimin e kurrikulave universitare, mbi bazën e të cilave do të përgatiten mësuesit e rinj. Nga ana tjetër, mësuesit e shkollave janë edhe udhëheqësit e praktikës mësimore dhe asaj profesionale të mësuesve të rinj, përpara diplomimit dhe Provimit të Shtetit. Pedagogët e fakulteteve të mësuesisë duhet të marrin pjesë aktivisht në hartimin e kurrikulave të arsimit parauniversitar. Cilësia e teksteve mësimore mund të rritet vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë midis mësuesve dhe pedagogëve më të mirë të vendit.

Këto ishin vetëm disa aspekte për të treguar se kualifikimi i vazhduar i mësuesve duhet të jetë pjesë integrale e jetës akademike të fakulteteve të mësuesisë. Në politikat e sotme arsimore, ky funksion njihet edhe si ‘misioni i tretë’ i fakulteteve të mësuesisë, përkrah mësimdhënies (misioni i parë) dhe kërkimit shkencor (misioni i dytë).

Zhvillimi i mëtejshëm i departamenteve të kualifikimit të vazhduar të mësuesve pranë fakulteteve të mësuesisë është jetik për lidhjen e fakulteteve me shkollat. Fakultetet e mësuesisë duhet të kenë dyert e hapura për mësuesit. Teknologjia e informacionit dhe komunikimit ka krijuar mundësi të pakufizuara për fuqizimin e bashkëpunimit midis fakulteteve dhe shkollave, mësuesve dhe nxënësve.

Parë në këtë këndvështrim, injorimi i rolit parësor të fakulteteve të mësuesisë në kualifikimin e vazhduar të mësuesve sjell pasoja të rënda negative, si për arsimin parauniversitar ashtu edhe për atë universitar, sepse ai dëmton kualifikimin e mësuesve, shkëput fakultetet e mësuesisë nga shkollat, mësuesit dhe nxënësit si dhe nuk shfrytëzon efektet sinergjike të bashkëpunimit midis mësuesve dhe pedagogëve, për rritjen e cilësisë së kurrikulave, teksteve dhe modernizimin e metodave të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Që këtu kuptohet qartë se asnjë agjenci private nuk mund të krahasohet me një fakultet mësuesie për cilësinë e kualifikimit të vazhduar të mësuesve.

Qeveria ka paralajmëruar një testim të të gjithë mësuesve të punësuar në sistemin arsimor parauniversitar. Ky testim bie ndesh me kuadrin ligjor në fuqi. Ligji në fuqi parashikon 3 ditë trajnim në vit. Nëse ai bëhet me cilësi të lartë, është plotësisht i mjaftueshëm për të përditësuar dijet, jo vetëm në këndvështrimin didaktik, por edhe atë shkencor. Këtë model zbatojnë edhe vendet e zhvilluara. Nevojat për trajnimin e mësuesve janë shumë të mëdha. Ato mund të përballohen mjaft mirë nëse shfrytëzohen kapacitetet e fakulteteve të mësuesisë. Nëse qeveria e ka seriozisht rritjen e cilësisë së kualifikimit të mësuesve, është e domosdoshme që të mbështeten me burime njerëzore dhe buxhet fakultetet e mësuesisë të universiteteve publike.