Prof. Dr. Lush Susaj/ Politikat e gabuar nuk mbulohen me demagogji. Toka në mëshirën e erozionit, kripërzimit dhe moçalizimit

996
Sigal

 

 

Thelbi i mashtrimeve qëndron në atë që, tjetër thuhet e tjetër bëhet

“Shqipëria punon tokën” dhe një barsoletë e Tef Palushit

 

– Toka është djerrë e në mëshirën e erozionit, kripëzimit dhe moçalizimit

 

 

(Prof. Dr. Lush SUSAJ)

 

Në datat 16 dhe 17 Nëntor 2019, u zhvillua në Tiranë Panairi Bujqësor i emërtuar “Shqipëria punon tokën”. Për të gjithë ata që jetojnë e punojnë në Shqipëri, e që e njohin sado pak situatën aktuale të bujqësisë dhe blegtorisë,e kuptojnë faktin që toka jonë bujqësore nuk punohet dhe administrohet si duhet. Përkundrazi ka kohë që ajo është braktisur nga shërbimet teknologjike, nga masat anti-erozive, nga kadastra funksionale dhe nga legjislacioni që e mbron pjellorinë dhe sipërfaqen fizike të saj. Për këtë arsye, gjatë këtyre ditëve me është kujtuar shume herë një barsoletë e vjetër e Tef Palushit, e cila ka lindur në kohën e diktaturës komuniste në Shkodër. Thuhet që në një ditë të ftohtë e me pak reshje shiu, për të bërë humor, shokët e i janë drejtuar Tef Palushit duke i thënë: “Tef, na thuaj shpejt e shpejt një rrenë shumë të madhe”. Në moment, Tefa u është përgjigjur duke iu thënë: “Me gëzim po shkoj në punë!” dhe është larguar duke qeshur. Kjo barsoletë kujtohet sa herë që njerëzit dëgjojnë për ndonjë nonsens apo rrenë të madhe. Duke u nisur nga emërtimi i përdorur, e që me sa duket është një projekt-propagandë e kopjuar nga Kina, kuptova që përsëri kemi të bëjmë me një rrenë të madhe që duhet besuar. Unë mendoj se, pavarësisht nga arritjet e larta të Kinës dhe Japonisë në fushën e bujqësisë, projektet dhe modeli Kino-Japonez i organizimit të prodhimit bujqësor, i teknologjive bujqësore, i funksionimit të institucioneve, të marketingut dhe të propagandës bujqësore, nuk mund të implementohen e as të përdorën për Shqipërinë. Përdorimi aktual i fjalive dhe termave sensitive sikurse janë “100 fshatrat” apo “Shqipëria punon tokën”, nuk janë asgjë më tepër se sa tymnaja dhe kopertura e radhës që përdorët për të tërhequr vëmendjen nga abuzimet, korrupsioni, pa aftësia dhe situata katastrofë në të cilën ndodhet toka bujqësore, prodhimi bujqësor, punësimi dhe situata shoqërore e demografike e vendit.

Për të kuptuar më mirë këtë realitet të trishtë për lexuesin po sjell ndërmend disa ngjarje dhe fakte të kudogjendura e që tregojnë për të kundërtën e asaj që shkruhet dhe propagandohet.

  • Thelbi i mashtrimeve qëndron në atë që, tjetër thuhet e tjetër bëhet

Edhe në këtë rast, tjetër gjë thuhet e reklamohet e tjetër gjë është ajo që bëhet, ajo që shohim e ajo që zhvillohet kudo në hapësirat tona ekonomike, shoqërore e politike. Sa herë që përpiqem të bëj një analizë sado të vogël mbi burimin dhe shkaqet e këtyre mashtrimeve dhe ngjarjeve, me kujtohet Faik Konica, që shkruante se:“Ne shqiptarët e harrojmë të shkuarën me një frazë të ndyrë “ç’i gris t’ëmën”, dhe biem prapë në grackat e para. Me këtë mentalitet do mos mundim kurrë të bëjmë një shtet serioz. Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se fluturon gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike. Se ç’pret prej një populli që sheh me syt’ e tij vrasje, vjedhje, grabitje e të këqija të tjera dhe duartroket qeverinë kur i thotë ajo që ka qetësi të plotë.… Na thonë se fluturoi gomari… ne e besojmë!”. Në situatën alarmante që është krijuar në terren, askush nuk mund të besoj më në ekzistencën qofte dhe të një përpjekje minimale të administratës dhe të institucionit të Ministrisë së Bujqësisë për ta ruajtur, për ta administruar apo për ta punuar tokën bujqësore që e kemi amanet nga prindërit dhe borxh ndaj brezave që do vinë.

  • Toka është djerrë e në mëshirën e erozionit, kripëzimit dhe moçalizimit

Për shkaqe subjektive që kanë të bëjnë me destruktimin dhe demontimin ligjor, shkencor dhe intelektual të administratës së bujqësisë, nga ku burojnë edhe abuzivizmi, korrupsioni, injoranca, inkompetenca dhe të gjitha politikat e gabuara, toka bujqësore në Shqipëri po shkatërrohet, po braktisët dhe po reduktohet çdo ditë e në mënyrë të frikshme në sipërfaqe dhe në pjellori. Për të gjithë ata që nuk e besojnë këtë realitet të trishtë, do iu lutesha që të bëjnë një vizitë verifikuese një ditore, së paku në rajonet e Ultësirës Perëndimore, nga ku mund të shohin e ta prekin nga afër faktin se si toka jonë bujqësore, duke filluar nga Hani i Hotit në Malësinë e Madhe e deri në Sarandë, është lënë djerrë, pa përkujdesje dhe pa as më të voglin shërbim teknologjik. Toka jonë bujqësore është lënë pa u kultivuar, pa u sistemuar, si dhe pa ujitjen dhe kullimin e domosdoshëm. Ndërsa fondet dhe investimet e adresuara për këto qëllime duket që janë abuzuar, janë vjedhur dhe kanë përfunduar në xhepat e sundimtarëve. Nga shumica e investimeve dhe projekteve në bujqësi kanë mbetur vetëm grumbujt e dosjeve fiktive që nuk u hapën kurrë e që nuk duhen më për asgjë. Të gjithë e shohin se si toka jonë bujqësore, ka vite e vite që është lënë në mëshirë të erozionit, kripëzimit dhe moçalizimit. Janë këto fenomene po gllabërojnë çdo ditë dhjetëra e qindra hektarë të tokës bujqësore, pa përmendur këtu edhe atë reduktimin e madhe të rendimenteve, si p.sh., gruri në Lushnje arriti deri aty ku nuk ishte imagjinuar ndonjëherë, në 25-27 kv/ha. Këto fenomene mund të kuptohen lehtë edhe nga mbushja e shpejtë e shtratit të lumenjve që çdo vit, edhe në ditët e zakonshme me 70-80 mm reshje, dalin nga shtrati dhe përmbytin fushat e mbjella, stallat, serat dhe banesat. Nga mashtrimi dhe sjellja hipokrite ndaj braktisjes dhe dëmtimit të rëndë të tokës bujqësore buron vetëm varfëri, papunësi dhe reduktim i vazhdueshëm i prodhimit bujqësor dhe të ardhurave ekonomike.

  • Politikat e gabuara nuk mbulohen dot as me demagogji dhe as me tezga djathi

Toka bujqësore e Shqipërisë është dëmtuar dhe po braktiset për shkak të politikave të gabuara që veç e veç, e të gjitha së bashku, kanë përgatitur këtë situatë dëshpëruese në bujqësi, në blegtori e në të gjithë ekonominë e vendit. Ky realitet nuk mund të mbulohet as me demagogji, as me kronika televizive, as me emërtime pa sens dhe as me dy ditë shëtitje dhe grumbullim të fermerëve dhe të tezgave të tyre të varfra në qendër të Tiranës. Për shkak të politikave të gabuara e që gjithnjë janë hartuar e zbatuar nga mediokriteti, jashtë debatit shkencor dhe oponencës së mirëfilltë shkencore, duket që tashmë është braktisur, është shembur dhe është eroduar pothuajse e gjithë toka bujqësore e pjerrët e fshatrave kodrinore e malore të vendit. Banorët dhe prodhuesit e këtyre fshatrave e zonave, gabimisht dhe pa asnjë arsye objektive janë lënë jashtë çdo përparësie apo mundësie për t’u mbështetur në përballimin e kostove të prodhimit, të tregtimit dhe të përpunimit të produkteve që mundëson klima, toka dhe tradita e tyre.

  • Toka dhe shkatërrimi i sistemit të kadastrës, legjislacionit dhe monitorimit

E keqja më e madhe në drejtim të ruajtjes dhe të administrimit të tokës bujqësore në Shqipëri duket që është ushqyer nga shkatërrimi real e në dukje i qëllimshëm i kadastrës, legjislacionit, inventarit dhe të gjitha hartave dhe fletoreve zyrtare të zërave kadastralë. Ky shkatërrim duket që është filluar dhe është realizuar duke filluar nga lart poshtë për faktin që në Ministrinë e Bujqësisë, ka kohë që nuk janë më (sepse janë larguar nga politika) mjeshtrit e kadastrës dhe të bonetimit agro-pedologjik të tokave. Madje edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës, fatkeqësisht janë larguar mjeshtrit e tokës dhe duket që aty ka mbetur vetëm një agropedolog, e që padyshim është ndër më të diturit e kësaj bote. Në institucionet tona të bujqësisë në rrethe e prefektura ka kohë që janë larguar agropedologët. Sikur me një dorë të zezë, ka kohë që janë larguar edhe agronomët e pemëtarisë, të vreshtarisë, të ullishtari-agrumeve, të Mbrojtjes së Bimëve, të Perimeve dhe të Bimëve të Arave, pa folur këtu për veterineret e zooteknikët që kanë mbetur shumë pak. Situata e sundimit me injorantë ka arritur deri në atë pikë, ku Lushnja është lënë me 4 apo 6 agronomë. Edhe në bisedat e zhvilluara në panairin e datës 16-17 Nëntor, kishte një mungesë realizmi dhe një kaos të pa nevojshëm. Për blegtorinë dilte e këshillonte një ekonomist që stononte aq shumë për faktin, se nuk kishte punuar asnjë ditë në blegtori, ndërsa për pemëtarinë dhe vreshtarinë ishte thirrur për të folur një veteriner, kurse për blegtorinë dilte një tjetër që nuk ishte as ekonomist dhe as veteriner. Militantët politikë dhe njerëzit me njohuri të mangëta për fushat e caktuara të punës dhe prodhimit, janë shumë më të dëmshëm se analfabetët. Për të gjithë ata që e kanë shkaktuar këtë situatë dramatike, po sjell ndërmend një fakt të vogël, se si në ish-kooperativën e vogël malore e Shëngjergjit të Tropojës ku unë kam punuar, në vitin 1987 ka pasur 6 agronomë me shkollë të lartë, e që për nevojat që kishim për implementimin dhe kontrollin e teknologjive bujqësore, kërkonin shtimin me të tjerë agronomë. Është fare e lehtë për të imagjinuar pasojat që i janë shkaktuar Lushnjes dhe gjithë Shqipërisë nga demontimi i panevojshëm i strukturave monitoruese të teknologjive dhe tregjeve të prodhimeve bujqësore e blegtorale. Me 4 agronomë, nuk mund të përballohet as prodhimi minimal i Ballagatit apo Izgjokajve, pa folur për zonat e tjera. Ka ardhur koha që në vend të shtimit të burgjeve dhe të numrit të policëve, duhet të shtohen agronomët dhe veterinerët, prezenca dhe puna e të cilëve ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e punësimit, të prodhimit e të mirëqenies, e për pasojë edhe në zgjidhjen e shumë problemeve sociale e shoqërore që ka sjellë papunësia dhe lëvizja kaotike e popullsisë.