Prof. Dr. Lisen Bashkurti/ Qeverisja ‘memece’ krijon mosbindje popullore

554
Ngjarja që sapo ndodhi në Mushtisht të Kosovës është nga më të rëndat e këtyre viteve të pavarësisë. Ajo nxori në dukje një prej aspekteve më të brishta të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, pikërisht marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro-serbe. Përse ndodhi një ballafaqim i tillë? Kurrsesi nuk do mendoja se qytetarët e Kosovës kundërshtojnë ardhjen e serbëve të thjeshtë e të ndershëm që janë larguar nga Kosova nga frika e luftës, pa bërë asnjë krim, gjenocid, dhunim apo bastisje të shqiptarëve dhe pronave të tyre. Qytetaret e Mushtishtit janë viktimë e territ informativ dhe komunikues nga ana e Qeverisë së Kosovës. 

Në përgjithësi qeveria e Kosovës është memece me qytetarët e vet. Edhe për çështje me interes të madh kombëtar dhe për ato me ndjeshmëri të lartë qytetare, qeveria e Kosovës nuk informon paraprakisht opinionin publik dhe nuk komunikon me qytetarët në mënyrë permanente dhe interaktive. Qeveria e Kosovës i vendos qytetaret e saj gjithnjë përpara faktit të kryer. Kjo sjellje antidemokratike ka rrënuar besimin midis popullit dhe politikës, midis qytetarëve dhe institucioneve të shtetit. Edhe në rastin e Mushtishtit, qeveria e Kosovës nuk ka informuar publikun kosovar dhe atë të Mushtishtit për rikthimin e serbëve, për listat e tyre, për verifikimet e bëra për qëndrimet e secilit përpara dhe gjatë luftës dhe çdo hollësi tjetër që lypet të dinë qytetarët e Kosovës dhe banorët e Mushtishtit. Të vënë përballë një qeverie memece, qytetarët bëhen të shurdhër. Si të tillë ata nuk respektojnë me liderët e vet dhe kalojnë në mosbindje qytetare. Ne këto rrethana deklaratat e liderëve të Kosovës, se “rikthimi i serbeve në pronat e tyre është e drejtë shtetërore” janë të vonuara, të pamjaftueshme dhe aspak bindëse për qytetarët e Kosovës.

 Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të pyesin drejtuesit e qeverisë e të shtetit të Kosovës: A janë të gjithë të barabartë përpara ligjit në Republikën e Kosovës? A janë Konventat Ndërkombëtare të vlefshme për Kosovën dhe për Serbinë? A njeh dhe kërkon respektimin e parimit ndërkombëtar të reciprocitetit në negociatat me Serbinë, qeveria e Kosovës? Çfarë është bërë për rikthimin e shqiptarëve në Veriun e Mitrovicës dhe të tjerëve në Luginën e Preshevës? Çfarë është bërë për shqiptarët e humbur e të rrëmbyer forcërisht përpara dhe gjatë luftës nga Serbia? A i ka të verifikuara qeveria listat e atyre serbëve që duan të rikthehen në Kosovë? A duhet që edhe Vuçiç e Nikoliç të përulen e të vendosin lule te varret e mijëra shqiptareve të vrarë padrejtësisht, në shtëpitë e vatrat e tyre, ashtu siç po përulet dhe vendos lule Presidenti i Kosovës tek ato fare pak serb të viktimizuar gjatë luftës në Kosovë? A duhet për gjithë këto çështje të mëdha të ketë informim e komunikim të Qeverisë me qytetarët e Kosovës? Këto pyetje nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje, nga të gjitha qeveritë e Kosovës, tash tetë vjet pavarësi. Qeveritë janë treguar memece me popullin e Kosovës. E prandaj populli i Kosovës po bëhet gjithnjë e më shurdh, e i pabindur për të dëgjuar qeveritarët e shtetarët e vet. Edhe në politikë ka vlerë shprehja popullore “çfarë mbjell do korrësh”. Nëse populli kalon në mosbindje civile shkaqet lypet të kërkohen tek keqqeverisja ose te qeverisja pa parime demokratike. Ndër këto parime demokratike, transparenca dhe informim-komunikimi publik janë ndër më themeloret. Në qeverisjen në Kosovë duket se janë parimet më të munguara.
Sigal