Prof. Dr. Lisen Bashkurti/ Media sociale, Ballkani dhe diplomacia publike

839
Sigal

Prof. Dr. Lisen Bashkurti

 

Një tymnajë vërtitet në kokat e
njerëzve

Të vërteta të pathëna dhe gënjeshtra të padëgjuara. Transparencë e lakuriqtë
dhe hipokrizi e anonimtë. Trimëri prapa frëngjive dhe mençuri pas vakti. Djaj që
dalin nga shishja e shtiren si engjëj. Engjëj që prangosën për të mos dalë kurrë
të lirë. Gojë të shqyera, që kafshojnë pa dhëmbë. Dhëmbë të mprehtë që s’kanë
gojë ku të rrinë. Njerëz që shpalosin foto pa identitet. Identitete që dalin pa
foto. Këto ndjesi shkojnë e vijnë nga rrjetet sociale. Rrjete plot dritë-hije.
Rrugë me shumë kalime, në mesin e të cilave pa hartën e mençurisë mund të
humbasësh fillin e jetës.

Media sociale, ndryshim i shoqërisë

Rrjetet sociale po ndryshojnë idetë, dëshirat dhe nevojat e njerëzve. Ato
kanë sjellë gjithë njerëzimin në duart tona. Ato e kanë bërë botën sa një
portokall. Ato po shndërrojnë doktrinën e globalizmit në një realitet të
pakthyeshëm. Sasia e informacionit është e pakrahasueshme me pak vite më parë.
Larmia e informacionit është e pafund. Dinamika e informacionit është marramendëse.
Njerëzimi është përballë një revolucioni të vërtetë. Por përballë një
revolucioni asimetrik. Asimetrinë e revolucionit të rrjeteve sociale, tendencën
e tij, kahet e lëvizjes dhe të zhvillimit, impaktet kontradiktore nuk diktohen gjithaq
nga informacioni që vjen nga këto rrjete, por më së shumti nga niveli
obserbues, analitik, seleksionues dhe interpretues i individit, grupeve sociale
dhe mbarë shoqërisë. Shoqëria Ballkanike vjen mbas një periudhe të gjatë
indoktrinimi komunist të centralizuar nga lart-poshtë, nga një kulturë
relativisht e ulët dhe izolim nga qytetërimi Perëndimor. Përballja e shoqërisë
Ballkanike me revolucionin informativ të rrjeteve sociale po sjellë një
tronditje të thellë ideologjike, politike, ekonomike, sociale, kulturore,
morale e shpirtërore. Të tëra së bashku kanë prodhuar një furtunë të vërtetë,
fundin dhe pasojat e së cilës askush nuk I parashikon. Për popujt e Ballkanit
media sociale përkoi me periudhën e tranzicionit demokratik, pra me demokracinë
parlamentare, pluralizmin politik, lirinë e të drejtat e njeriut, ekonominë e
tregut të lirë dhe hapjen drejt integrimeve euro-atlantike. Në këtë fazë
prematurë media sociale hyri furishëm në realitetin Ballkanik. E papërgatitur për
këtë stuhi informim-komunikimi, shoqëria Ballkanikë u përfshi në kaos. Në
Ballkan të vërtetat baltosen, ndërsa mashtrimet ndriçohen. Vlerat sulmohen, ndërsa
antivlerat lartësohen. Identiteti kërcënohet, ndërkohë që snobizmit i hapet
rrugë. Intelektualiteti shantazhohet, ndërkohë që mediokriteti legjitimohet. Të
diturit heshtin nën kërcënim mbijetues, ndërkohë injorantët lektorojnë kudo.
Humaniteti dhe iluminiteti qëndrojnë gjithnjë e më larg lidershipeve, që
ngrihen e lulëzojnë mbi pellgjet e krimit, korrupsionit e trafiqeve të
paligjshme.

Ballkani i vetëkërcënuar

Rrjetet sociale janë kanale me shumë burime dhe rrugë me shumë kalime. Janë
dominuese dhe të pacensurueshme. E vërteta dhe gënjeshtra, autentikja dhe plagjiatura,
inspiruesja dhe provokativja, e arsyeshmja dhe lajthitja, e dobishmja dhe rrënuesja,
e drejta dhe e padrejta, njerëzorja dhe kriminalja, bamirësia dhe abuzimi, mirënjohja
dhe mosmirënjohja-kryqëzohen pambarimisht, duke krijuar piramida informacioni
kaotik në mendjet e individit dhe të mbarë shoqërisë. Ka më shumë dilema se
kurrë. Ka më shumë kaos se asnjëherë. Duket sikur rrjetet sociale në Ballkan po
prodhojnë djallin. Në të vërtetë ato vetëm e kanë nxjerrë djallin Ballkanik nga
shishja. Pasi në Ballkan edhe engjëlli, edhe djalli flenë bashkë tek i gjalli.
Duket sikur rrjetet sociale po krijojnë anarki. Në fakt ato po zbulojnë anarkinë
në kokat dhe dëshirat e njeriut dhe njerëzimit në Gadishullin Ballkanik. Duket
sikur rrjetet sociale po krijojnë shthurje morale. Në fakt vetëm po e zhveshin
lakuriq moralin e shtirur të politikes dominuese të Ballkanit. Duket sikur po rrënojnë
të vërtetën. Në fakt e vërteta që kur ka lindur është sfiduar nga gënjeshtra
legjendare e popujve Ballkanik. Duket sikur të gjithë po i shtyjnë popujt e Ballkanit
drejt “pranverave arabe”. Në fakt popujt e Ballkanit po ecim vetë pa
e ditur mirë drejt “stuhive të një rendi të ri botëror”. Në shoqëritë
Ballkanike po ndodh revolucion. Por jo revolucion klasik. Është revolucion
mental e kulturor. të pasuri e të varfrit, të diturit dhe injorantët, shumicat
dhe pakicat, të rinjtë dhe të moshuarit, meshkujt dhe femrat, të pushtetshmit
dhe të dobëtit, entuziastët dhe depresivët-të gjithë janë të barabartë vetëm përballë
rrjeteve sociale. Për kondeguencë të gjithë në Ballkan ndjehen të çmuar dhe të diskriminuar
njëkohësisht. Popujt në shoqërinë Ballkanike po marrin informacion më shumë
sesa kanë formim. Po u rritet oreksi më shumë sesa kanë dhëmbë. Pra, shkalla e
rrezikut është rritur. Parandalimi është i dobët. Reagimi kontradiktor. Vetëm
rritja e sensit selektues mund të bëjë median sociale mentalisht dhe shpirtërisht
të shëndetshme në këtë cep të botës.

Si çdo revolucion social

A mund të mënjanohet ky revolucion informativ. Asesi jo. Ai vetëm mund të
sfidohet. Dhe sfida nuk përballët nga jashtë brenda, por nga brenda jashtë.
Globalizmi nuk është rendje mbas gjithësisë, por ardhja e gjithësisë brenda
nesh. Mediat sociale janë të reja. Ato kanë krijuar një mal me iluzione
kontradiktore. Duket sikur e keqja ka kapluar njerëzimin, por në fakt njerëzimi
vetëm po e zbulon atë. Duket sikur gënjeshtra po varros të vërtetat, por në
fakt të vërtetat po mësohen më shumë se kurrë. Duket sikur të fuqishmit po
shtypin të dobëtit, por në të vërtetë të dobëtit janë në të fuqishëm së asnjëherë
dhe të fuqishmit janë me të dobët se kurrë. Fuqia dhe dobësia tanimë varen nga
fjala e shprehja e saj. Rrjetet sociale po lenë pas mjetet e tjera të
komunikimit. Legjitimiteti i çdo gjëje është në provë të përhershme.
Transparenca po tejkalon çdo cak limitues. Përgjegjshmëria po shndërrohet në
tipar individual. Participimi I CD njërit në punët e gjithkujt po ndodh më shumë
se kurrë. Në fund të fundit revolucioni informativ I rrjeteve sociale po dëshmon
se njerëzimi në tërësi dhe shoqëritë Ballkanike në veçanti paskan vuajtur më
shumë për informacion se sa për bukë dhe liri. Në Ballkan aktualisht të gjithë
popujt ndjehen mirë dhe keq njëkohësisht. Ndjehen të vlerësuar dhe të fyer. Të
mbrojtur dhe të kërcënuar. Por të gjithë ndjehen me të gjallë se kurrë. Të
gjithë ndjehen se janë pjesë e kësaj bote. Përmes medias sociale njerëzit shndërrohet
në foto me selfie. Selfiet bëhen njerëz me fjale. Ëndrrat bëhen realitete dhe
realitetet endura. Virtualitëti behet mënyre jetese. Jetesa përjetohet përmes
virtualitetit. Të gjithë njerëzit në Ballkan jetojnë në dy gjendje: në realitetin
vulgar dhe në atë virtual. Atë që nuk e realizojnë në realitet e realizojnë në
virtualitet. Realja dhe virtualja ndërveprojnë brenda shoqërive Ballkanike deri
në pa kufij midis tyre. Ky është revolucioni asimetrik i informacionit të
rrjeteve sociale. Njerëzimi ka gjetur atë që ka kërkuar. Njerëzimi ka kërkuar
atë që ka gjetur. Pra, njerëzimi është kthyer tek vetvetja. Asimetria e
revolucionit të informacionit të rrjeteve sociale ka rrëzuar muret brenda
njeriut dhe njerëzimit.

Revolucion i paradokseve

Mbas një periudhe shumë të gjatë ksenofobie komunikatiive, sot ballkanasit
flasin më pak, por komunikojnë më shumë me njëri-tjetrin. Ballkanasit janë të
heshtur, por më shumë aktivë. Janë të mbyllur në vetvete, por më të hapur para
botës. Fatin e këtij revolucioni të medias sociale do ta përcaktojë beteja
midis të vërtetës dhe të pavërtetës. Në thelb është revolucioni më i madh
kulturor në historinë e njerëzimit. Nga ky revolucion e ardhmja i përket shoqërive
të kulturuara. Prandaj shoqëritë Ballkanike më shumë së për çdo gjë tjetër ka
nevojë për kulturë. Përndryshe Ballkanin jo larg e kërcënon një kaos i paparashikueshëm
dhe tjetërsim i pashmangshëm. Në këtë revolucion social njerëzimi po futet në
një arenë plot dritë-hije dhe në një rrugë me shumë kalime. Nevojitet përdorimi
i ndriçimit të brendshëm për të ndarë dritën nga hija dhe për të naviguar me
busullën e mençurisë. Përndryshe lehtësisht dhe pa u ndjerë mund të humbet
filli i jetës.

Diplomacia Ballkanike, Evropa
dhe SHBA

 

Në Ballkan diplomacia qëndron larg medias sociale, si djalli nga temjani. E
kjo ka shumë arsye. Në Ballkan politika në tërësi ende nuk konsiderohet si
interes publik, por oligarkik. Çështjet publike nuk komunikohen publikisht, por
në mënyrë konspirative. Politika e jashtme në Ballkan mbetet akoma në hije sallonesh
të errëta. Në këtë mjedis social, politik, ballkanik, diplomacia konsiderohet
si luks i të privilegjuarve larg çështjeve publike, marrëdhënieve publike dhe
komunikimit publik. Në Ballkan klubet politike të larta e përdorin, e shpërdorin
dhe e abuzojnë diplomacinë si instrument manipulimi ndërkombëtar për të mbuluar
dështimet e brendshme, për të falsifikuar të vërtetat përpara audiencës ndërkombëtare
dhe për të zgjatur agoninë e popujve të tyre. Në Ballkan nuk ka diplomaci
publike dhe aq më pak diplomaci mediash sociale. Diplomatet sillen si murgjer gojëmbyllur
përballë komunikimit publik. Kamera, mikrofoni dhe sidomos mediat sociale
konsiderohen “molle e ndaluar” për diplomatet Ballkanike. Përballë kësaj
diplomacie gojëkyçur popujt Ballkanik ngrenë vete legjendat e tyre urbane
informative. Por këto legjenda urbane Ballkanike duke u ngritur mbi terrin e
komunikimit të munguar të diplomacisë publike, mbushen me mitet, përrallat,
legjendat e se kaluarës plot konspiracion Dhe konflikte. Dhe është normale kur
e sotmja diplomatike hesht përpallë publikut atëherë e kaluara ringrihet brenda
popujve. Thellohet kështu hendeku midis diplomacisë dhe popujve. Kërcënohen
bisedimet, dialogu e negociatat. Ngrihen, bllokohen dhe dështojnë marrëveshjet
e firmosura. Ballkani i rikthehet traditës se vjetër…asaj të “Fuqisë se
barotit”… Duket qartazi se Ballkani është gati t’i rikthehet diplomacisë
tradicionale që prodhoi luftëra Ballkanike dhe mbështeti dy luftëra botërore. Ndërkohë
duket gjithashtu qarte se edhe diplomacia Evropiane po sillet me Ballkanin
ashtu sikundër u soll ne Shekullin e 19-te. Diplomacia Evropiane lëviz mbi dy
shina që here qëndrojnë paralelisht dhe here kryqëzohen me njëra-tjetrën, por
pa arritur asnjëherë që të unifikohet ne qasjet ndaj Ballkanit. Diplomacia
Evropiane ngrihet mbi dyzimin midis diplomacisë tradicionale të shteteve
individuale dhe diplomacisë integruese të BE. Ne këtë dualitet ndërfuten me makiavelizëm
diplomacitë Ballkanike. Evropa dhe Ballkani po luajnë si macja me miun. Me skepticizëm,
frikë, pa sinqeritet dhe pa padituri… Falë diplomacisë publike amerikane që shpërndan
here pas here mjegullën Europiano-Ballkanike dhe ushqen popujt e Ballkanit me
shprese, qartësi dhe besim. Mesa shihet Ballkani ka nevojë shumë të madhe dhe
afatgjatë për praninë dhe rolin e diplomacisë në SHBA, që është nëna e diplomacisë
publike në kohet tona. Diplomacia e SHBA vijon të jetë shumë hapa përpara diplomacisë
botërore. E kjo përparësi, falë informimit e komunikimit me mbarë qytetarët e
botës jo vetëm me median audio-vizive dhe të shkruar, por edhe nëpërmjet medias
sociale. Media sociale e ka bërë diplomacinë publike të SHBA të depërtojë tek çdo
individ i kësaj bote të madhe.