Prof. Dr. Lisen Bashkurti/ Identiteti shqiptar, pa kristianofobi dhe pa islamofobi

606
Identiteti shqiptar është bërë prej shekujsh objekt studimesh, debatesh dhe diskutimesh. Pavarësisht qasjeve të ndryshme dhe në jo pak raste edhe kundërshtuese ndërmjet tyre, qasja më zotëruese dhe më e qëndrueshme ka qenë dhe mbetet se është autokton dhe mjaft autentik në substancën e tij. Autoktonia e shqiptareve lidhet me hapësirat gjeografike të pandryshueshme, por vetëm të tkurrura për arsye historike e gjeopolitika madhore jashtë-shqiptare. Autenticiteti i shqiptareve lidhet me karakteristikat me dalluese nga popujt e tjerë, kryesisht përreth tyre. Gjithnjë e më shumë ka zënë vend teza se thelbi i autenticitetit është simbioza popull-gjeografi-gjuhe-kulture. Ose e thënë në mënyrë me të sintetizuar identiteti shqiptar është “albanianism”, pra shqiptaria. Kohe pas kohe edhe brenda mjediseve tona elitare debati për identitetin shqiptar është nga qasje të skajshme. Madje edhe shkrimtare dhe akademik të shquar si Kadare e Qosja kane debatuar dhe vijojnë të mbrojnë pozitat e tyre nga skaje të papajtueshme. Kryesisht ka qene qasja ndaj konfesioneve të ndryshme brenda identitetit shqiptar. Kadare ka mbrojtur tezen se islamizimi i shqiptarëve ka qenë i dhunshëm, i imponuar e për pasojë i dëmshëm dhe i papajtueshëm me qenien shqiptare. 

Kadare mbron qasjen kristiane dhe antiislame për identitetin shqiptar. Qosja ka mbrojtur tezen se islamizimi i shqiptareve ka qenë i pranuar dhe i natyrshëm për to, për pasojë, sipas Qoses islamizimi ka bërë diferencën midis shqiptarëve dhe sllavëve në rajon. Kjo diferencë, sipas Qoses jo vetëm që nuk e ka dëmtuar qenien shqiptare, por e ka mbrojtur atë nga përballja me barbarinë e drejtpërdrejtë sllave në rajon. Të dy qasjet kanë elemente vërtetësie, racionaliteti dhe dobie për identitetin shqiptar. Sikundër kanë në vetvete edhe elementë të pavërtetë, jo gjithaq racionalë dhe nga këndvështrime të ndryshme, edhe të dëmshme për të sotmen dhe ardhmërinë e identitetit shqiptar. Në limitet e shkrimeve në facebook nuk ka hapësira, mundësi dhe audiencë për thellim. Prandaj do cekim vetëm një aspekt, ku skajshmëria në debatin për identitet provokon probleme me pasoja të rrezikshme për vetë këtë identitet. 

Fjala është për qasjet e skajshme ndaj multikonfesionalitetit krishtero-islamik të identitetit shqiptar. Debatet kundërshtuese konfrontojnë në thelb qenien krishtere me atë islame brenda identitetit shqiptar. Këto debate, duke i konfrontuar këto dy anë konfesionale të të njëjtës qenie shqiptare, me apo pa dashje i bëjmë këto dy anë të harmonizuara brenda identitetit, të konfrontueshme, të papajtueshme, përjashtimore. Konfrontimi, papajtueshmëria dhe përjashtimi prodhojnë në vend të harmonisë FOBI. Mirëpo fobitë brenda një identiteti krijojnë frikë, urrejtje dhe armiqësi brenda të njëjtit popull. Fobitë e krijuara nga debate të pathelluara brenda një identiteti, prodhojnë një kërcenim serioz të vetë bërthamës ekzistenciale të këtij identiteti. Në raste situatash paqësore gjeopolitike dhe gjeokulturore këto debate të skajshme krijojnë shqetësime relative, pa arritur në kriza kërcënuese. Por në situata gjeopolitike dhe gjeokultutore ndërkombëtare të përkeqësuara, këto debate i hedhin benzinë mjedisit të brendshëm, që ndikohet nga konfrontimet ndërkombëtare me baza konfesionale. Krizën e sotme ndërkombëtare po e nxisin edhe fobitë fetare. Kristianofobia në boten islame dhe islamofobia në botën kristiane po rrënojnë themelet e bashkëjetesës midis civilizimeve në nivele globale, duke provokuar tensione, konflikte dhe luftëra, si dhe duke i arsyetuar ato me argumente teologjike. Në këto rrethana ndërkombëtare, identitetet me të kërcënuara janë ato multikonfesionale, të cilat bëhen pjesë e diskurseve fobike kundër kristianëve ose kundër islamëve. 

Duke bartur potencialisht një rrezikshmëri të lartë nga fobitë ndërfetare botërore, identitetet multikonfesionale, midis të cilëve bëjnë pjesë edhe shqiptarët, lypet të jenë të kujdesshëm. Identitetet multikonfesionale janë të ndjeshme ndaj ndikimeve nga jashtë. Formula e ruajtjes se unitetit e kohezionit brenda multikonfesionalitetit shqiptar qëndron tek mënjanimi i fobive me baza fetare. Në realitetin e identitetit shqiptar nuk ka rrënjë as kristianofobia dhe as islamofobia. Ndërsa në individë, grupe e kategori të veçanta ka një ngjallje të frymës fobike me bazë fetare. Kjo frymë fobike po nxitet nga jashtë brenda, nga individë, grupe e kategori të caktuara nga Lindja dhe Perëndimi. Mjedisi rajonal, mjerisht i nxit akoma më keq edhe për shkaqe politike. Identiteti shqiptar është “albanianism”, pra “shqiptarizmi”, i cili ka pranuar për shkaqe të ndryshme dhe me rrugë e mjete të ndryshme brenda qenies se vet kristianizmin dhe islamizmin. Brenda qenies shqiptare këto dy konfesione jetojnë në një harmoni biblike-kuranore të admirueshme. Në rrjedhat historike, këtë simbiozë të identitetit shqiptar e ka bartur dhe transmetuar ndërkombetarisht Nënë Tereza, e cila u Shenjtërua dje. Ky akt do të riktheje identitetin shqiptar në sytë e mbarë njerëzimit. T’i mbrojmë këto vlera brenda shqiptarëve dhe t’i promovojmë ndërkombetarisht në kohën tonë. Bota po ballafaqohet sot me një sfidë, të cilën identiteti shqiptar e ka përballuar mrekullisht ndër shekuj.
Sigal