Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Fantazma e ksenofobive po vërtitet mbi botë

164

 

 

Gazeta Telegraf/


Shume është shkruar, folur e treguar për
“Murin e Madh Kinez”. Gjithashtu, jashtëzakonisht shumë është shkruar,
folur e treguar edhe për “Murin e Berlinit”. Nuk janë thjeshte rrëfime
të së kaluarës, në ditët tona historia po përsëritet. Njerëzimi po përjeton një
krizë të thellë . Nuk ka më vend të sigurt në botë .

Në ditët tona po shohim shtrëngime telash
kufitare në Maqedoni, vendosje rrathë telash me gjemba në Hungari, ndërtime
muresh betoni me rrymë elektrike në Izrael, ndërtime gardhesh me tela në
kufijtë e Norvegjisë me Rusinë, ndjejmë ulërima vdekjesh në detin Mesdhe,
dëgjojmë thirrje për ndërtime barrierash ndarëse fizike me Meksikën në fushatën
presidenciale në SHBA…. 

 Akoma më sfidante janë fushatat referendare. Britanikët
vendosën më votë për Brexit. Parti populiste në Itali e Holandë kërkojnë dalje
nga BE. Forca nacionaliste në France kërcenojnë akoma me seriozisht ekzistencën
e BE. Me stuhi nga brenda dhe nga jashtë po përballet edhe Kancelaria Merkel
dhe partia e saj CDU. Aleanca për Gjermaninë kërkon politika antiemigrim dhe
egoistike ndaj BE, duke kërkuar një orientim me Euro-Rus të Gjermanisë.
Filozofia e etërve themelues të BE, Mone, Shuman, Gaspar e Adenauer po
përballet me një fryme që po dominohet nga populizmi, nacionalizmi dhe
ekstremizmi. 

 Në bazat e populizmit, nacionalizmit dhe
ekstremizmit qëndrojnë ksenofobitë . Çfarë përbejnë Ksenofobitë në thelbin
e tyre të përbashkët, në filozofinë e tyre politike dhe në fushën e tyre
psikosociale? Janë tre dukuri shumë të vjetra dhe tejet të thella ksenofobike
në formimin filozofik dhe psikosocial të popujve: FRIKA, URREJTJA,
ARMIQESIA. 

 

Këto tre dukuri filozofike e ndjesore janë
përkundër të huajës, të ndryshmes, të panjohurës. Rrënjët e ksenofobisë kanë karakter
politik, nacional, racor, fetar, kulturor e social-ekonomik. Produkti i tyre
final është lufta midis njerëzve, komuniteteve, popujve, kombeve, racave, feve
dhe kategorive të ndryshme ekonomike dhe sociale.

 

Në shkencat moderne dukuritë e frikës,
urrejtjes dhe armiqësisë ndaj të huajës, të ndryshmes, të panjohurës përbejnë
definicionin e termit KSENOFOBI. Mbi ndjesitë e ksenofobisë në kohe të lashta,
në kohë moderne dhe në ato postmoderne bashkëkohore ngrihen filozofi të
caktuara politike, kryesisht ato që udhëhiqen nga bazat ekstremiste, fanatike,
nacionaliste, raciste, segregacioniste dhe separatiste të çdo lloji. 

 

Në një kohë që trendet zhvillimore shkojnë
pashmangësisht drejt hapjes së mendjeve e shoqërive, kufijve dhe tregjeve,
informimit e komunikimit; kur integrimet nuk janë me teori, por realitete; kur
globalizmi është një universalizim i marrëdhënieve të mbarë botës- Ksenofobitë
e nxitin njeriun, komunitetet, kombet e kulturat drejt të kundërtës. 
Ksenofobitë janë antirendi modern botëror.
Ksenofobitë janë antikultura bashkëkohorë. Ksenofobitë janë e kundërta e
civilizimit modern. Ksenofobitë janë prodhuese konfliktesh të çdo lloji, që
minojnë paqen, sigurinë, demokracinë dhe prosperitetit. 

 

Në kohët tona rendet pas materializmit, pas
kapitalizimit të çdo gjëje, pas financave e tregjeve, pas shumë e shumë gjërave
të prekshme, të pëlqyeshme, të shikueshme e të shijshme. Natyrisht edhe këto
kërkojnë vëmendjen e vet….

 

Por mbi gjithçka tjetër në botën e sotme
kërkohet vëmendje prioritare në nivele individuale, komunitare, nacionale dhe
globale për parandalimin, menaxhimin dhe shuarjen e konflikteve me baza
KSENOFOBIKE. 

 Ksenofobitë janë muret më rezistente të
frikës, urrejtjes dhe armiqësisë ndërmjet popujve. E përsa kohë marrëdhëniet
ndërkombëtare janë parasegjithash “people to people relations”, pra
marrëdhënie midis popujsh, Ksenofobitë janë varrmihësit e këtyre
marrëdhënieve. 

 Në Ballkan Ksenofobitë nuk janë shuajtur
aspak. Ato qëndrojnë në gjendje latente dhe shpërthejnë herë pas herë.
Shpërthimet ksenofobike shpalosen nga stadiumet e futbollit, në spektakle
artistike, në qëndrimet ndaj emigranteve, në sjelljet ndaj të huajve nëpër
burgje, në shkollat multietnike, deri të partitë politike dhe lëvizjet
referendare separatiste. 
 

Në Greqi, Maqedoni, Serbi, Bosnje &
Hercegovinë vërehen mjaft ksenofobi me baza etnike, politike e fetare. në
Shqipëri ka kryesisht ksenofobi në baza etnike. Ndërsa në Kosove ka ksenofobi
me baza etnike dhe fetare. në përgjithësi politika dhe diplomacia Ballkanike,
shkollat e institucionet fetare, shoqëria civile dhe kultura në këtë rajon ia
kanë lënë spontanitetit luftën kundër ksenofobive. Prandaj paqja e siguria në
Ballkan ngelen të brishta.

 Në Evropë ngritja e populizmit dhe e
nacionalizmit po prodhon ksenofobi raciste dhe fetare kundër emigracionit që
vjen nga Lindja e Mesme, ksenofobi nacionaliste kundër integrimit të vendeve të
Ballkanit Perëndimore në BE, po nxit ksenofobi islamofobe kundër integrimit të
Turqisë në BE dhe kundër popujve myslimane përgjithësisht.

Edhe ShBA-të janë prekur nga valët e ngritura
të ksenofobive, në fushatën presidenciale pati mjaft ide, deklarata e retorike
ksenofobike, me karakteristika nacionaliste kundër popujve spanjisht-foles,
pati ksenofobi raciste kundër popujve me ngjyrë, sikundër pati edhe islamofobi.
Kryesisht këto ksenofobi dalluan retorikën e kandidatit republikan, Donald
Trump.

 Në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme ka
një gjallërim të frikshëm të ksenofobive nacionaliste siç janë arabofobitë,
antisemitizmi dhe turkofobia. Ndërsa ka marrë përmasa shqetësuese rusofobia
kryesisht në Europë dhe Azi. 

 

Në nivele globale kanë gjallërim islamofobia
kryesisht në Perëndim, ka rritje amerikanofobia në vendet islamike e myslimane,
vërehet thellim i ksenofobive me karakter kulturor në Azi, kryesisht sinofobia,
apo i ksenofobive me baza social-ekonomike në Afrikë dhe Amerikë Latine. 

 

Ringjallja e ksenofobive në rendin e sotëm
botëror tregon se bota përjeton një pasiguri shumë të madhe. Duke patur
Ksenofobitë ndër shkaqet kryesore të krizës globale, do thotë se në kohën tonëe
janë tronditur marrëdhëniet midis njerëzve, komuniteteve, kombeve, popujve,
racave, besimeve fetare. 

 

Ndërkohë, thellimi i diferencimit
ekonomik dhe shtresimit social midis të pasurve dhe të varfërve, midis
Lindjes dhe Perëndimit si dhe midis Veriut dhe Jugut ka rritur Ksenofobitë me
baza ekonomike e sociale kudo në botë, duke gërryer themelet e brendshme të
sistemeve politike, ekonomike dhe shoqërore. 

Është koha që politika ndërkombëtare dhe
diplomacia botërore të vendosin prioritet të tyre luftën kundër ksenofobie të
çdo lloji dhe kudo ku ato shfaqen. Synimi të jetë parandalimi i ksenofobive
sepse rrënojnë marrëdhëniet njerëzore. Po u rrënuan marrëdhëniet njerëzore do
jetë shumë e vështire që paqja dhe siguria globale të kontrollohen. Nëse
situatat toksikohen nga Ksenofobitë mbi to dalin rryma filozofike, alternativa
politike dhe lëvizje shoqërore që prodhojnë vetëm kriza, konflikte dhe
luftëra. 

Parandalimi dhe reduktimi deri në eliminim i
ksenofobive të kohës tonë kërkon instrumente ligjor kombëtar e ndërkombëtar,
mjete politike, gjuhë e aftësi diplomatike, argumente ideologjike e kulturore,
zhvillim të demokracisë dhe drejtësi ekonomike e sociale. 

 Po
nuk u veprua energjikisht me këto mjete, rrugë e mënyra nuk është për t’u
çuditur që një ditë fantazma që shohim të sillet mbi botë – fantazma e
ksenofobive-të futet në shtëpitë tona. Atëherë do jetë shumë vonë. Lufta do
trokasë në portat e njerëzimit. Historia do përsëritë veten…