Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Demilitarizimi- sfidë e Serbisë drejt BE

698

Demilitarizimi-
sfidë e Serbisë drejt BE

 

Prof. Dr.
Lisen Bashkurti

 

Në rrugëtimin
e saj drejt BE, Serbia po bën përpjekje të sforcuara. Ka më shumë retorike sesa
reforma reale. E kaluara e afërt është kudo e pranishme. Ajo përbën një tërësi
sfidash me të cilat Serbia do të përballet për një kohë të gjatë. Ndërmjet këtyre
sfidave më e vështira duket të jetë demilitarizimi i shtetit, i popullsisë dhe
i pakicave Serbe.

 

 

1.     
Ushtria

 

Militarizmi
është pjesë qenësore e shtet-formimit Serb. Politika e forcës ka qenë dominuese
mbi forcën e politikës në Beograd. Qysh në themelimin e vet si shtet dhe në tërë
fazat e zhvillimit të saj, Serbia ka qenë një shtet militar. Ushtria në Serbi
ka qenë pjesa më e rëndësishme, më e fuqishme dhe madje edhe me vendimmarrëse në
momentet më kruciale të historisë politike të vendit. Ushtria Serbe dhe
komponentët e lartë të saj ndikuan politikën e brendshme, por edhe politikën e
jashtme të Serbisë. Në politikën e brendshme ushtria përcaktoi sistemin politik
unitarist militar dhe doktrinën politike nacional-shoviniste. Ushtria
instaloi establishmente ushtarake edhe në komunitetet etnike Serbe përreth Serbisë
dhe anë e mbanë Jugosllavisë. As fuqia shumëvjeçare e Titos dhe as presioni i vazhdueshëm
i federalistëve Kroato-Sllovenë nuk e ndryshuan dot këtë tipar të ushtrisë
Serbe në sistemin politik dhe doktrinën politike të saj.

Ushtria
Serbe ka themeluar, ruajtur dhe zhvilluar në mënyrë konstante orientimin
gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Serbisë drejt Rusisë. Çdo përpjekje e komponentëve
dhe individëve të veçantë për të devijuar nga prioritizimi Rus ka ndeshur në
rezistencë të fortë dhe madje edhe në ndëshkim nga ushtria Serbe. Edhe në kohën
tonë Serbia vazhdon në nivele shtetërore t’i kushtojë rëndësi të madhe dhe
buxhet të konsiderueshëm militarizimit. Duke qenë një buxhet militar shumë më
tepër sesa nevojat mbrojtëse të Serbisë ky përbën një kërcënim real për fqinjët
dhe mbarë Rajonin. Mbas viteve 2000 Serbia u angazhua të qëndronte neutrale nga
pikëpamja strategjike. Por, pavarësisht angazhimit të saj për të qëndruar
strategjikisht neutrale, e vërteta është se vitet e fundit Serbia e ka shkelur
neutralitetin me dy këmbët. Serbia ka lidhur pakt strategjik me Rusinë, po
realizon projekte dhe stërvitje të përbashkëta me të si dhe po blen armë prej
saj.

 

 

2.
Strukturat militare paralele

 

Krahas
ushtrisë formale militarizimi i Serbisë karakterizon edhe struktura të errëta të
shoqërisë Serbe. Këto struktura janë krijuar qysh nga mesi i Shekullit të 19-të
dhe kanë vijuar të mbeten si institucione militare paralele deri në ditët
tona. Të njohura herë si cerna ruka
(dora e zezë) e here me emra të tjerë, këto struktura militare të errëta
paralele herë janë ngritur dhe herë janë ulur, por kurrë nuk janë zhdukur. Ato
veprojnë atje ku nuk vepron dot shteti ose ku do të fshihet shteti, por nga
efektet e tyre duket që kanë qenë dhe mbeten pjesë integrale e interesave shtetërore
të Serbisë. Vetëm taktikat kanë ndryshuar. Nga këto struktura të errëta
militare Serbe  janë ndërmarrë operacione ushtarake kryesisht sekrete në
gjithë ish-Jugosllavinë. Edhe eliminimet e liderëve të njohur nga Obrenoviç e
deri te Gjingjic janë bërë nga këto struktura. Edhe kërcënimet e ditëve tona si
ato kundër Vuçiçit në Beograd dhe të Gjukanoviçit në Mal të Zi janë vepër e këtyre
strukturave të errëta militare Serbe. Edhe vrasja e akademikëve Fehmi Agani dhe
Ukshin Hoti në Kosove janë kryer nga këto struktura.

 

 

3.
Popullsi e armatosur

 

Militarizimi
si tipar i Serbisë karakterizon edhe shoqërinë Serbe në tërësi. Nga burime
mediatike të besueshme mësohet, se popullsia Serbe është e dyta ne bote për nga
zotërimi i armatimit në duart e saj. Kemi të bëjmë pra me një popullsi
militariste. Kjo përbën rrezikshmëri të lartë brenda dhe jashtë Serbisë. Duke pasur
parasysh politiken manipulative të  Serbisë me pakicat e saj përreth, në
Bosnje&Hercegovinë, Kosove dhe Mal të Zi armatosja e popullsisë Serbe përbën
një kërcënim shume serioz edhe për këto shtete.  Shumë ngjarje që kanë
ndodhur këtë vit përreth Serbisë kanë te njëjtat shkaqe dhe të njëjtat faktorë
veprues Serb. Organizimi i referendumit në Bosnjë&Hercegovinë në 2016,
bllokimi i Veriut të Kosovës dhe përpjekja për ndarje de facto me mure si dhe tentativa për grusht shteti në Mal të Zi
mbas zgjedhjeve politike të vjeshtës së këtij viti-dëshmojnë qartësisht se
strukturat e errëta ushtarake Serbe mbështeten dhe bashkëpunojnë me komunitetet
etnike Serbe të armatosura deri në dhembë. 

 

 

4. Aleancë
me Rusët

 

Ushtria
Serbe, strukturat e errëta militare të saj si dhe vetë popullsia e armatosur, përfshirë
edhe komunitetet etnike serbe në shtetet përreth duket të përbëjnë aleatët më të
fortë dhe më të qëndrueshëm të Rusisë në Ballkan. Këto faktorë militare qëndrojnë
si “minë me sahat”, të gatshme për t’u përdorur në çdo moment për
interesa Serbo-Ruse në Ballkan. Rusia i mban gjallë këto struktura edhe në
Ukrainë, në Gjeorgji, në Azerbajxhan…Këtë model ndjek në rrethanat Ballkanike
edhe Serbia. Mungesa e demilitarizimit të shtetit Serb, mos eliminimi i
strukturave militare të errëta paralele brenda tij, mos ç’armatimi i popullit në
përgjithësi si dhe i komuniteteve etnike Serbe në shtetet përreth saj, siç janë
Bosnja&Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi,  përbëjnë kërcënim shumë
serioz për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. 

 

 

5. Armiqësi
për fqinjët

 

Militarizimi
i Serbisë është proces kryekëput i kundërt me demokratizimin e marrëdhënieve ndërmjet
shteteve të Ballkanit Perëndimor. Politikat e zgjerimit të BE nëpërmjet fqinjësisë
së mirë nuk respektohen nga Serbia. Për Serbinë fqinjësia e mirë është vetëm
retorikë. Treguesit e militarizimit të shtetit, strukturat militare të errëta
paralele, popullsia e armatosur dhe komunitetet etnike përreth të militarizuara
nuk prodhojnë kurrsesi fqinjësi të mirë. Ato dëshmojnë se e kaluara dominon
edhe sot Serbinë dhe politikën e saj. Militarizimi i Serbisë vjen kryesisht nga
dy burime: nga mungesa demilitarizimit mbas luftërave në Jugosllavi si dhe nga
Rusia. Mbas luftërave Serbia nuk iu nënshtrua regjimit të kontrollit të armëve
të OSBE dhe as nuk ndërmori veprime demilitarizuese. Përkundrazi armët e
municionet iu lanë popullsisë, strukturave të errëta dhe pakicave etnike serbe
kudo në Ballkan. Kësaj mbarsjeje militare të luftërave në ish-Jugosllavi i është
shtuar vitet e fundit ndikimi dhe veprimi strategjik Rus. Ushtria Serbe,
strukturat e errëta militare paralele, popullsia e armatosur si dhe komunitetet
etnike të militarizuara në shtetet përreth Serbisë përbëjnë aleatët më të qëndrueshëm
dhe besnikë të Rusisë në Ballkan. Politika bivektoriale Euro-Ruse e Serbisë
mbështetet para së gjithash te militarizimi i kësaj të fundit. Kjo politike
bivektoriale e militatizuar dëshmon edhe për një tjetër pengesë për integrimin
e Serbisë në BE, sikundër përbën një sfidë serioze për paqen dhe sigurinë në
Ballkanin Perëndimor.

Sigal