Prof. Dr. Lavdi HASANI/ Reformat emergjente dhe menaxhimi në arsim

683
Sigal

*Universiteti “Eqrem Çabej”

GJIROKASTËR

Duke parë shqetësimet e lindura në drejtim të pranimeve në shkollën e lartë mos vallë funksionimi i maturës së provimeve të lirimit pranë shkollave të mesme si dikur, apo konkurrimi me shtjellim të plotë të pyetjeve me shkrim autentik të nxënësit, duke forcuar dhe modifikuar kontrollin dhe administrimin, do të ishin një prej zgjidhjeve më të mira e më të pranueshme?! Mendojmë se po! Jo më pak, mund të themi se një ndikim mbi agravimin e problematikave në fushën e arsimit ka pasur edhe procesi i aplikimit të një sërë reformash të njëpasnjëshme që pa pritur rezultatet e të parës, iniciohej e dyta, etj.. Kështu jo rrallë ka ndodhur që pa mbyllur ciklin një plan mësimor të aplikohej një tjetër i ndryshuar. Në vend që të merrej një model arsimi (qoftë edhe në arsimin e lartë) në përputhje me nevojat, trashëgiminë, mundësitë social-ekonomike, nevojat dhe traditat e vendit tonë, aplikohej një model shumë i largët në këtë drejtim dhe duhet thënë (ndonjëri) edhe i dështuar qysh në momentin e parë të nisjes në ato vende  ku edhe u modelua. Para se të mbyllej aplikimi (për disa vite radhazi) i sistemit fillor 5-vjeçar, në mënyrë që kjo të shoqërohej edhe me përgatitjen e mësuesit të ri të arsimit fillor në përputhje me këtë ndryshim, duhej bërë edhe “modelimi” profesional (përgatitja) e mësuesve të këtij modeli arsimi fillor 5 vjeçar, ne degët e posaçme të Ciklit Ulët Universitar publik e privat. Kjo, nëse do bëhej, do të kishte mundësuar konkretisht ngjizjen shkencore e kualitative të procesit, eliminimin e inefiçencës së mësuesit e një “listë” problematikash që lindnin nga ky ndryshim, por thjeshtë për maninë “numrin” e reformave në arsim, u kalua në sistemin fillor 6- vjeçar e si rezultat në sistemin e mesëm 3-vjeçar, duke sjellë pamundësi mbulimi profesional të nivelit arsimor në fjalë. Këto fragmentime, konglomerati e “dyndje” problematikash njëherësh të udhëzuara e të përshpejtuara sipas mendimit të “ekspertëve”, përveçse ofruan e krijuan kaos total në proces, “paralizuan” edhe veprimin e specialistëve më të aftë të arsimit në qendër e në bazë, duke i bërë të mos mund të identifikojnë, apo zgjidhin dot problemin më madhor: atë të efektivitetit të shkollimit. P.sh, të ashtuquajturit “ekspertë të arsimit shqiptar”, me shkresa, platforma e urdhra zyrtarë të diktueshëm për zbatim e jo me arsyetim shkencor dhe konkretizues për terrenin arsimor shqiptar, i’u futën shabllonisht procesit të “Bolonjës” me rregulla aq fikse, sa edhe vetë hartuesit e “Bolonjës” nuk i zbatojnë ato 100%. Kujtojmë, që në arsimin e lartë shqiptar, modeli “Bolonja” u kërkua dhe u imponua të zbatohej me “pikë e presje” me “urdhër nga lartë”, kur në fakt shumë shtete në Evropë, as që e kanë parë dhe as e kanë zbatuar aq shabllon sa Shqipëria këtë proces, por ndonjëherë kanë “qëmtuar” vetëm disa pika referimi për zbatim në sistemet e tyre arsimore në përshtatje me realitetin arsimor që kanë. Me zbatimin pa shtrat të modelit “Bolonja”, në IAL (Institucionet e Arsimit të Lartë) në Shqipëri, u mundësua që të instalohen e të zbatohen po verbërisht praktika mësimdhënëse e kualifikimi nga më të ndryshmet, nga të gjithë llojet që krijojnë një veprimtari mësimore totalisht çoroditëse. Madje, dëgjojmë dhe “çudira shqiptare”, që një student, i cili ka kryer studimet e larta për mjekësi, kryen edhe studimet direkte për master në ekonomi. Është si të ndodh p.sh., që një student i cili ka studiuar për degët fizikë, ndërtim, histori, elektronikë, drejtësi, gjeografi e madje edhe letërsi, të kryej master shkencor, apo profesional dhe për… biologji e kimi!! Shtrohet pyetja logjike: Ky “lloj studenti”, që kryen studimet për histori dhe kryen master për biologji p.sh, çfarë do realizojë? Do të pajiset me konceptet bazë biologjike, apo do kryej studimet e thelluara në fushën e biologjisë, të planifikuara në këto programe studimi?! Duke ndeshur realitetin konkret në arsimin shqiptar aktual, në vështrimin, analizën dhe konkluzionin tim, me rezulton plotësisht dhe pa asnjë mëdyshje, bindja shkencore, madje edhe organizative, se në disa raste kjo reformë nuk paska qenë gjë tjetër veçse zëvendësimi i termit “program mësimor”, me termin “curicul”, apo i termit “degë studimi”, me atë “program studimi” etj. Kështu, problematikat janë krijuar e kanë shqetësuar në seri, duke u shndërruar në barriera të zbehjes së rezultateve të kërkuara në arsim (sigurisht dhe në përgatitjen e mësuesit dinjitoz).

Këto problematika, shtohen po të kemi parasysh fragmentizimin e përgatitjes së nxënësve e studentëve, si rezultat i reformave jo të mirë-planifikuara në plane, programe, tekste etj. Siç po konstatojmë dhe po ndeshemi në punën e përditshme, a s’janë jo të pakta shqetësimet lidhur me Altertekstin, që kanë krijuar edhe një debat në qarqet profesionale të të gjithë niveleve të arsimit shqiptar, për mënyrën e konceptimit, servirjen dhe aplikimin e tij. Ky “model” (Alterteksti), ka krijuar një sërë çoroditjesh në punën e mësimdhënësve e drejtuesve të arsimit në bazë në krejt sistemin arsimor parauniversitar, mbasi fituesit e aplikimit, shpesh duket se janë të paragjykuar që në hapin e parë dhe për më tepër, që përzgjedhja e tekstit prej mësuesit të lëndës është haptazi voluntarizëm, ose më saktë është një vetë-krijim “kulti” prej mësuesit, ose për të vënë nxënësit nën influencën e vështirësive para një mësuesi “të fortë”- kur ai zgjedh variantin e tekstit “të vështirë”, ose për të nxjerrë veten nga situatat e disfavorshme e paaftësisë profesionale – kur të mësuesi i dobët, duke përdorur “veton” e përzgjedhjes së tekstit zgjedh atë që ai e quan më të “lehtë”, për ta përdorur atë si mburojë paaftësie.

Duke mos mjaftuar të gjitha këto, ndryshimet në legjislacionin arsimor (parauniversitar e universitar), kanë qenë shumë të shpeshta. Janë prodhuar me shumicë, ligje që mbajnë disa amendime të njëpasnjëshme, udhëzime e vendime të shumta me ndryshime shumë pjesore, që kanë bërë të pamundur procesimin dhe zbatimin normal të tyre, që kanë sjellë konflikte, vakuume, kontradikta e praktika të ndryshme nëpër institucione të ndryshme arsimore për të njëjtat problematika. Kjo ka bërë, që edhe vet qëndrimet e qendrës (ministrisë), për të njëjtin problem, në institucione të ndryshme të IAL-ve publike (Institucionet e Arsimit të Lartë), të kenë qenë të ndryshme! Ka krijuar gjithashtu aplikime të praktikave të parakohshme, pa u krijuar dhe pa u “pjekur” tereni social-kulturor e demokratik i vet shoqërisë tonë, pa u arritur ndërgjegjësimi social i nevojshëm për qëndrimet e reja ndaj obligimeve shoqërore e shtetërore, në kushtet e krijuara nga ndryshimet e sistemit politik në vend, i cili sigurisht nuk gëzonte asnjë vlerë e traditë të tillë në nivel social (jo individësh) në vendin tonë si rezultat i hermetizmit të trashëguar. Kështu p.sh, në arsimin e lartë, në emër të demokratizimit dhe liberalizmit akademik, gati në disa drejtime është kaluar shpesh dhe në anarki. Ne kërkuam të arrijmë dhe shpesh duhet thënë, se i kemi “kaluar” edhe praktikat e shumë vendeve të botës që kanë një përvojë, kulturë, ndërgjegjësim e përgjegjësi “ekselente” në këtë drejtim. Kjo e ka pështjelluar mbarëvajtjen e punëve në IAL (Institucionet e Arsimit të Lartë) shqiptar, si rezultat i shfaqjes dhe futjes në veprim blloqe interesash duke monopolizuar procesin dhe veprimtarinë në arsim. Lobingjet,  të cilat dalin e krijohen si rezultat i abuzimit me proceset e pavarura zgjedhore, bëjnë që grupet e ngushta të profesionistëve të arsimit të bien lehtësisht viktimë e tyre duke u bërë lehtësisht të kontrollueshëm e të manipulueshëm, qartësisht të lexueshëm, duke pasuar me veprime klienteliste, me ulje të kërkesës së llogarisë, me qëndrime liberale, anësi, grupime separatiste, mbijetesë drejtuese lobiste mbi bazën e një koeficienti të panjohur më parë në qëndrimet liberale ndaj detyrës . Shtrohen pyetjet: Ku po shkojmë kështu me këto modele e praktika në arsim? A do të lejohen këto praktika, të jenë ende vepruese, apo do të spastrohen nëpërmjet reformës tashmë të shpallur nga ekipi i ri i ministrisë së Arsimit? A po kthehemi në të keqen e vetvetes? A duhet të shqetësohet e të ndërhyjë edhe një “forcë” vepruese tjetër më e lartë si nivel, apo “dueli”, mënyra e “zgjidhjes” dhe produkti në drejtimin e arsimit do t’u lihet në dorë vetëm palëve të interesit në bazë?! Mendoj se kërkohet një ndërhyrje.