Prof. Dr. Lavdi HASANI/ Profesioni shpërfillur i mësuesit dhe shkaqet e krizës në arsimin e lartë

831
Sigal

*Universiteti “Eqrem Çabej”

Gjirokastër

 Me fillimin e proceseve demokratike, lindi nevoja për realizimin e një sërë reformash, ndër të cilat veçanërisht dhe ato në sistemin tonë arsimor. Por sot afro 22 vite pas këtyre ndryshimeve, duke evidentuar e gjykuar zhvillimet në arsim nën optikën e gjithë kësaj periudhe demokratizuese, vërejmë se krahas arritjeve që vijnë nga vetë hapësirat që krijohen në këtë sistem të ri, në një masë të gjerë, në arsim po thellohet përditë një krizë që ka sjell jo vetëm ringjalljen e analfabetizmit në radhët e arsimit parauniversitar nga njëra anë, por edhe prodhimin e diplomave krejt të pavlefshme, të akorduara nga arsimi universitar, nga ana tjetër. Kjo krizë shfaqet më e theksuar e më problematike në sektorin e arsimit, në profesionin e mësuesit, ku sot tregu i punës vuan së shumti për kontingjente kualitative, pasi nuk gjenden dot mësues cilësor sidomos për disiplinat e shkencave matematike e atyre të natyrës. Por përse duhet të ndodhte kështu, kur realisht hapësira liberale e krijuar në sektorin e arsimit, duhet të shërbente si premisë prosperiteti e jo si hapësirë abuzive regresi?! Ja cilat mendoj unë si drejtues dhe mësimdhënës i arsimit të lartë, se janë disa ndër gjithë shkaqet, ndaj të cilëve duhet kthyer e ndalur urejntisht vëmendja vepruese, reformuese në këtë drejtim.

– Pesha ekonomiko-sociale në rënie e profesionit të mësuesit.

– Preferencat në rënie të maturantëve e studentëve cilësorë për profesionin e mësuesit, duke rendur pas atyre që sot quhen si profesione të reja, elitë, me “fytyrë” suportesh ekonomike ndoshta edhe më me zë, në tregun e punës.

– Kuptimi dhe mënyrat e pranimeve në arsimin e lartë me efekte në rënien e cilësisë së përgatitjes së kuadrit të ri.

– Mosmarrja në konsideratë e mendimit që vjen nga baza aplikuese, por rrumbullakosja e  këtyre konsideratave, rreth një vlere të dëshiruar të iniciuesit të procesit.

– Ndryshimet në reformat e realizuara në mes të rrugës së tyre, duke kaluar nga një strategji në tjetrën pa u konkluduar e pa nxjerrë konkluzionet, vlerat dhe përfundimet e duhura prej saj.

– Kalimi në qëndrime ekstreme, në modelet e zgjedhura nga përfaqësues jo profesionistë të fushës së arsimit, duke mos lidhur traditën dhe nevojat apo nivelin zhvillimor social-ekonomik të vendit, me modelin e zgjedhur.

– Reformat e pastandartizuara në sistem, në plan-programe (curricula) apo në tekste,

– Përfshirja në reforma të përshpejtuara pa një traditë apo bazë, qoftë ajo dhe si përvojë botërore.

– Ndryshimet e parakohshme pa një shtrat social-kulturor e profesional, i një pjese të legjislacionit, sidomos të atij në arsimin e lartë (si ai i autonomisë funksionale në këtë nivel arsimor).

– Hapja e shkollave të larta universitare pa kritere arsimore shkencore por vetëm si biznes i investitorëve, duke mundësuar konkurrencën fiktive ndër diplomantë të profesioneve të ndryshme.

– Mungesa e një kontrolli sistematik e konkret në sistemin arsimor nga strukturat eprore qendrore mbi arsimin në bazë, gjë që siç po tregon koha, do të kishin mundësuar eliminimin e shfaqjes së shumë të metave e dobësive në sistemin tonë arsimor, si në atë parauniversitar dhe në atë universitar.

– Arsimi si një cikël i mbyllur është goditur në hallkën kryesore, prej së cilës varen gjithë të tjerat në formën e një “feet-back”-u negative, aq sa tashmë edhe ushtrimi i profesioni të mësuesit nga ata që diplomohen në këtë sektor, po bëhet gjithmonë e më i vështirë si rezultat i cilësisë së produktit në këtë fushë. Po t’i shohim e analizojmë një nga një këta faktorë, do të shohim se pak a shumë, të gjithë kanë sjellë e krijuar riskun e tyre negative në këtë proces, por disa prej tyre, ata që janë të lidhur më së shumti me  politikat e ndjekura në fushën e arsimit, mbajnë peshën më kryesore. Rënia e peshës ekonomiko-sociale e profesionit të mësuesit, mendojmë se ka pasur efektin e saj, por kjo mund të jetë e justifikuar vetëm për fillimet e proceseve demokratike në vendin tone, pasi profesioni i mësuesit ngeli si profesioni më i papaguar. Sigurisht që, një gjë e tillë nuk mund të stimulonte kandidatë elitë që të zgjidhnin për të vazhduar studimet në profesionet e mësuesisë. Por përse një gjë e tillë vazhdon edhe sot?! Sot mund të themi, se profesioni i mësuesit, për nivelin ekonomik aktual të shoqërisë tonë, mund të quhet se “ka pagesë të pranueshme” krahasuar njëkohësisht edhe me disa profesione të tjera në vend. Por atëherë përse ky profesion ende sot nuk lakmohet, nuk përqafohet por shpërfillet e braktiset nga grupet e studentëve cilësorë? Mos kjo, ka të bëjë me atë që sot gjithkush rend drejt profesioneve “elitë “ në tregun e punës? Kjo vjen sa nga mosndërgjegjësimi i të rinjve se një profesion mund të duket “elitar” në pamje, por ai nuk mund të ketë tregun e punës që ka profesioni që kemi marrë në analizë. Kështu, mund të preferosh juridikun apo shkencat sociale. Por, cili është tregu i punës sot për juristin apo për punonjësin social në raport me produktin e tyre dhe me atë të mësuesit, që përfaqëson grupin më të madh të administratës civile shtetërore në vend, duke njohur dhe faktin, që  një pjesë e konsiderueshme e atyre që punojnë sot në këtë sektor janë të rekrutuar aty, thjesht nga nevoja dhe jo nga merita e tyre profesionale për atë vend pune (kujtojmë që në shkollat e zonave rurale në rolin e mësuesit, kemi veterinerë, zooteknikë, me arsim të mesëm të përgjithshëm bujqësore etj.). Jo më kot ironizojnë publikisht, se në vendin tonë tashmë në çdo 3 vetë, dy janë jurist e një ekonomist dhe prapë drejtësia, ekonomia, financat, policia lakmohen!.

Kjo ka çuar dhe në një handikap tjetër në administratën publike të vendit. Kështu, për të përligjur specialitetet e reja (këtë produkt të arsimit të lartë), janë planifikuar vende pune të sforcuara e me kosto ekonomike në organikat shtetërore, por realisht pa vlera praktike të nevojshme rentabile. Por edhe pse një gjë e tillë ka ndodhur e shumë syresh konkurrojnë jo ndershmërisht në tregun e punës (fjala treg pune, në Shqipëri kuptohet blerje vendesh pune), duke ngelur diplomat reale “në stol”, duke krijuar boshllëk drejt profesionit të mësuesit prej maturantëve e studentëve elitarë. Ngelemi përsëri në të njëjtin “miell” dhe po “gatuajmë” po të njëjtën “bukë”. Mos vallë fajin e kanë metodat e pranimeve në arsimin e lartë?!  Mendojmë se një gjë e tillë, ka një peshë specifike të konsiderueshme në këtë proces. Por kjo ka qenë përherë një politikë shtetërore e ndjekur, pa marrë në konsideratë deviacionet që sillte çdo metodë e përdorur. Bëheshin konkurrime pranimi të profilizuara pranë shkollave të larta, me shtjellim pyetjesh për një total prej 3-4 orësh kohe. Vërtet, pas disa kohësh u shfaqën tendenca fiktiviteti, por studenti që s’kishte njohuri bazë të mjaftueshme, kurrsesi nuk mund të realizonte detyrën e të fitonte konkurrimin. Në këtë rast, në vend të punohej për masa kontrolli efiçente efektive në arsimin parauniversitar,  duke mundësuar e realizuar kontrolle alternative të detyrave të  sekretuara nga njëri institucion i arsimit të lartë tek tjetri, etj., etj., lindi  ideja e testeve.  Mendoj, se kjo jo vetëm nuk e përmirësoi situatën, por e çorientoi edhe më tej atë, pasi çdo pyetje kishte katër alternativa. Për 100 pyetjet e testit, kishte mundësi që duke rrethuar automatikisht njërën prej alternativave të përgjigjes (abc apo d), propabilisht siguroje jo më pak se 20 pikë. Pranimi në arsimin e lartë bëhej fillimisht me fitimin e minimalisht 30 pikëve, por  më pas zbriti në 15 pikë dhe bile së fundi edhe në pesë pikë e kështu, në mënyrë absurde zyrtare prej kupolës së arsimit shtetëror, testi quhej “i logjikshëm”?!!!!!  Edhe një nxënës i ciklit të ulët (shkollës fillore), po të udhëzohej të rrethonte gjithkund të njëjtën alternativë përgjigjeje (p.sh: vetëm atë a), ai do fitonte automatikisht pikët kufi, të kërkuara prej një procesi konkurrimi për pranimin në arsimin e lartë. Mund të quhet ky një test logjik pranimi në shkollën e lartë, kur ka kapacitet kontrolli aftësive, sa të një nxënësi filloreje? U kalua në testin me penalizim me 300 pikë (100 pyetje me nga 3 pikë), por nga ana tjetër ndryshoi “steak”. Shpallej fituesi edhe me minus 15 pikë?! Si mund të quhesh fitues i një detyre testi pranimi universitar, kur nuk ke kryer të paktën gjysmën e saj?!! Pa folur pastaj për odisenë e familjarëve apo shfaqjet groteske të zhvillimit të këtyre konkurseve në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.   Kjo hapi portën e shkollës së lartë për një kontingjent maturantësh e më pas studentësh (sidomos në degët e mësuesisë), që automatikisht kur të futeshin në profesion, do të prodhonin produktin që ne posedojmë dhe që sot po e ndeshim me rënie të cilësisë së prurjeve në arsimin e mesëm e të lartë, me stigmatizim në shifra alarmante të analfabetizmit, me shërbime publike, që lënë për të dëshiruar si në planin shkresor e atë faktik etj..

Siç dukej fryma e këtij “reformimi”(abuzime fiktiviteti), ka qenë që zonat e influencës të përqendroheshin në një dorë në qendër. Sot testimi bëhet i përqendruar nëpër shkollat bazë dhe po shohim përsëri procese abortive. Tezat vijnë të hapura direkt nga përfaqësuesit përgjegjës shtetërorë të mbikëqyrjes së këtij procesi e të plotësuara e të gatshme për palën e interesit të lidhur me aferat korruptive. Më i paafti del më cilësori. Ai zgjedh dhe profesionin më të preferuar. Produkti final është ky: përgatitja formale e fiktive e një nëpunësi, “specialisti”, apo punonjësi me arsim të lartë që nuk është efiçent e kualitativ për tregun real të punës dhe për shërbimin cilësor të aktivitetit ku rekrutohet si në zyra, prodhim, shkencë, arsim, drejtim shërbimesh.