Prof. Dr. Lavdi Hasani*/ Matura Shtetërore dhe dilemat lidhur me gjuhën e huaj

771
Sigal

Matura shtetërore, zëvendësoi provimet e pjekurisë, që zhvilloheshin më herët në shkollat e mesme të vendit tonë. Ky ndryshim themelor, ndonëse sot me shumë problematika dhe pa efektivitetin afatgjatë të kërkuar prej tij, u realizua nën influencën e disa faktorëve kryesor ndër të cilët, do të përmendnim:

a- Rritjen e cilësisë së nivelit përmbyllës të studimeve të nivelit të mesëm me qëllim garantimin e cilësisë së kontingjenteve që do të kryenin studimet e larta.

b- Eliminimin e fiktivitetit që mund të buronte nga vlerësimet e realizuara nga stafe apo shkolla të ndryshme me mjaftë diversitet cilësor.

c- Realizimin e një farë unifikimi në vlerësimin sa më të saktë të nxënësve mbi bazën e nënshtrimit të tyre ndaj të njëjtës mënyrë testimi, ndaj të njëjtit test vlerësimi me përgjigje të unifikuara e me standarde të përzgjedhura nga grupe cilësore realizuese të këtij procesi.

d- Harmonizimin e preferencës më aftësitë e individit duke i  konsideruar sa e si duhet raportet e këtyre dy elementëve apo edhe të vetë prirjeve dhe interesave diverse të tyre.

e- Sigurimin e një të ardhme cilësore më të mirë të arsimit të lartë në vend në veçanti  e të gjithë niveleve arsimore në tërësi.

f- Eliminimin e fiktivitetit dhe ndikimeve në përzgjedhjen e drejtimit të studimeve nga ana e kandidatit

g- Përgatitjen e nxënësve, për një të ardhme më evropiane në veçanti e më ndërkombëtare në tërësi, etj.

Pa përmendur ndoshta edhe shumë e shumë arsye të tjera, por duke marrë shkas vetëm nga faktori i fundit, që nga këto kontingjente do të përgatiten intelektualët e ardhshëm europian në vend, në provimet  e maturës shtetërorë u përfshi edhe provimi i detyrueshëm i gjuhës së huaj. Deri këtu mjaftë mirë, por ç’shihet më tej?! Nga gjuhët e huaja që zhvilloheshin në shkollat tona dikur dominonte Rusishtja dhe kryesisht në qytete edhe Anglishtja apo Frëngjishtja. Kështu, nisur nga zhvillimet e reja, Rusishtja u zëvendësua totalisht nga Anglishtja. Më tej nga një gjuhë e huaj në shkolla filluan të përfshiheshin në programet e tyre edhe dy  gjuhë  të huaja. Edhe një gjë e tillë nuk do të quhet e gabuar, por tendencat që u vërejtën dhe mënyra e qëllimi që çuan deri këtu pa dyshim që nuk duken bindëse. Na kujtohet fare mire, kur politikanë të lartë, duke qenë dashamirës të Frankofonisë dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe, argumentuan se meqenëse Shqipëria po përfshihet në vendet Frankofone duhet të futet në shkolla si gjuhë e dytë edhe frëngjishtja. Ky nuk qe një argument  i qëndrueshëm dhe vet kjo praktikë e çoi  këtë proces në një farë “kolapsi”. Dhe kjo sepse s’kaloi shumë kohë dhe po nga politika, mbi bazën e masivitetit njohës dhe popullaritetit që gëzon gjuha italiane në vendin tonë, vjen propozimi  që në shkolla duhet të futet edhe gjuha Italiane?! Po kështu ndodhi edhe me Gjermanishten si gjuhë e njohur më rrallë nga shqipofonët. Kështu situate po bëhej konfuze, por edhe politikës s’po “guxohej” t’i dilej përball nga ana e dikasterit të arsimit. Por nga ana tjetër edhe kjo e shkretë shkollë sa ngarkesë do të mbante? U gjet një zgjidhje: njëra gjuhë do jetë e parë, Anglishtja apo Frëngjishtja apo Italishtja, etj., kurse gjuha tjetër do të vendosej si gjuhë e dytë. Në disa shkolla si gjuhë e dytë u vendos Anglishtja, në disa Frëngjishtja, kurse në disa të tjera Italishtja apo Gjermanishtja etj., sipas alternimit përkatës. Po sikur kjo praktikë, me nuanca politike, të kishte vazhduar me përfshirjen e vendit tonë si anëtare e Konferencës së Vendeve Islamike, apo me afrimitetet në planin ekonomik me Kinën apo dikë tjetër ç’do të bëhej?! A nuk është mirë që një brez i ardhshëm të njoh sa më shumë gjuhë dhe aq më tepër nga ato të ashtuquajtura “të rralla” ?! Por mendojmë se këto s’janë të gjitha obligacione të arsimit 9-vjeçar apo atij të mesëm. Njeriu është i lirë të mësoj tërë jetën, konform interesave, kë gjuhë të huaj që dëshiron, që e lidh atë më interesa pune dhe ekonomike, apo që ai i ka pasion apo prirje për t’i njohur ato. Ky pështjellim u bë evident edhe në qëndrimet më të fundit të dikasterit të arsimit (MAS) që brenda një harku kohor prej jo më shumë se tre muajsh e ka ndryshuar opinionin dhe qëndrimin e saj tri herë lidhur me provimin e gjuhës së huaj të përfshirë në maturën shtetërore. Duke ditur se këta profesionistë të ardhshëm (nxënësit në fjalë) kanë interesa dhe prirje të ndryshme ata jo gjithmonë kanë zgjedhur si të parë gjuhën që dëshirojnë. Shumë syresh kanë dashur si gjuhë të parë një tjetër por duke qenë se shkolla (klasa), ku ai studion bënte si të parë tjetër gjuhë ai ka qenë i detyruar t’i nënshtrohej situatës. Ndërkohë s’duhet harruar se nisur nga investimi familjar apo dëshira e fëmijës, shumë syresh ndjekin kurse të të tjera gjuhëve të huaja nga ajo që ka të detyrueshme si të parë klasa, ku përfshihet fëmija. Në ndonjë (apo shumë) raste një gjë e tillë është bërë thjesht në mënyrë mekanike, krahas të tjerash edhe për të mundësuar normat mësimore të një sërë mësuesish të përgatitur për këto gjuhë. Kështu së fundmi mbërrijmë në atë që nxënësi duhet të jap si provim të detyruar atë gjuhë të huaj që ka bërë si gjuhë të parë. Por fëmija nuk e ka zgjedhur atë me dëshirë, siç u shpjeguam më sipër dhe nuk e ka me aq  pasion. Për këtë arsye, nxënësi  edhe zgjedh drejtimin e shkencave shoqëror  apo atyre natyrore që të maksimalizojë efektin meritë-preferencë për të ardhmen e tij në jetë dhe në funksion të shoqërisë. Kështu përse nxënësi të mos zgjedhë që të japë atë gjuhë të huaj që ka më të preferuar dhe me të cilën ai lidh edhe perspektivën e studimeve apo kualifikimeve të tij të ardhshme?! Jo çdo gjuhë e parë e huaj, përveç Anglishtes, e cila justifikon qenien me ndërkombëtarizimin e saj, por edhe mundësinë më të madhe përsa i përket literaturës që mund të shfrytëzojmë, e justifikon të jetë e tillë. Atëherë është fare e thjeshtë. Që t’ju vijmë në ndihmë të gjitha opsioneve, edhe nxënësve, edhe cilësisë, edhe efektivitetit, edhe të ardhmes edhe binomit meritë-preferencë pse të realizojmë këtë lançim: “Nxënësit japin provim si gjuhë të huaj të detyruar të maturës shtetërore njërën nga gjuhët e mëposhtme; Anglisht, Frëngjisht, Italisht apo Gjermanisht”. Kështu, jo vetëm nuk pështjellohet problemi, por edhe gjejnë zgjidhjen e dëshiruar të gjithë biodiversitetet njerëzore të lindura apo të afeksuara të nxënësve, duke e bërë kështu këtë sistem më efektiv, më të hapur dhe më të qëndrueshëm. Në këtë mënyrë edhe pozicionet dikasteriale ngelen më realiste e më të qëndrueshme ndaj praktikave të përditshme.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti “Eqrem Çabej” – Gjirokastër