Prof. Dr. Ismet Elezi/ “Papagajtë e politikës”, leksion i dobishëm për politikanët tanë

499
Sigal

Mendim për librin “Papagajtë e politikës” të prof. dr. Ago Nezha

Faleminderit shumë prof. dr. Ago Nezhës, që më dhuroi librin e tij “Papagajtë e politikës”, shoqëruar me fjalët miqësore ndaj meje.

Që në fillim dëshiroj të theksoj se, pavarësisht nga titulli i librit, që nuk të lë shije të mirë, unë e lexova me interes. Përmbajtja e tij teoriko – shkencore në formën e një minienciklopedie me shumë zëra mund të përmblidhet në një leksion të dobishëm për politikanët tanë.

Mendoj se libri paraqet interes edhe për lexuesit e tjerë, për opinionin shoqëror, i cili dëshiron e shpreson të mos ketë më “papagaj të politikës”, por politikanë me dinjitet njerëzor, me kulturë politike, që të udhëhiqen nga ideale të larta në shërbim të atdheut, të mirëqenies së popullit e të interesave kombëtare.

Me këtë libër, ku janë përmbledhur shkrimet e analizat e bëra gjatë njëzet vjetësh, prof. Dr. Ago Nezha paraqitet si analist politik, me vlera etiko-morale, kulturore, profesionale e kombëtare.

Libri përbëhet nga pesë pjesë, që përshkohen nga ide, të cilat synojnë të ndriçojnë mendjen e politikanëve tanë “për një politikë ndryshe, më të mirë, më rezultative, një politikë të bazuar në moral, larg interesave meskine dhe retorikave makiaveliste të luftës për pushtet me çdo çmim e çdo mjet”.

Në këtë shkrim nuk kam për qëllim të bëj recensionin e librit, sepse vlerësimet paraqiten në parathënie me kompetencë e nivel të lartë teorik nga mendimtari dhe politikani i mirënjohur prof. dr. Servet Pëllumbi, por do prek disa çështje që më lanë përshtypje të thellë.

Në libër pasqyrohen idealet e larta që karakterizojnë personalitetin e prof. dr. Ago Nezhës, dashuria për atdheun, për popullin, ideali kombëtar, që shfaqet me tërë forcën e tij në atë pjesë të librit kushtuar mbrojtjes se integritetit tokësor e detar të Shqipërisë, sidomos çështjes madhore të fitores historike të pavarësisë së Kosovës nga pushtimi serb, çështjes çame, që ende mbetet e pazgjidhur nga politika shqiptare dhe deri te mbrojtja e paprekshmërisë së integritetit të Himarës, si pjesë e pandarë e Labërisë. Që këtej autori u drejtohet politikanëve që në çdo rast e kurdoherë të venë në krye këto ideale dhe jo interesat personale apo partiake.

Karakteristikë tjetër themelore e librit është se në të shpaloset horizonti i gjerë kulturor i prof. dr. Ago Nezhës, që fillon me mbrojtjen e kulturës e gjuhës shqipe nga politikanët. Ideologu i madh i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri ka thënë: “Shqiptarët flasin një nga gjuhët më të vjetra e më të bukura të dheut”.

Mirëpo, këto mësime i kanë braktisur krejtësisht politikanët tanë, prandaj autori në një varg shkrimesh analizon me shembuj konkretë se si e sa po keqpërdoret leksiku i gjuhës shqipe nga politikanët, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë dhe shtetarët e tjerë, se sa fyerje e fjalë poshtëruese përdoren nga politikanët, aq sa njerëzit preferojnë të mbyllin televizorët e të mos dëgjojnë debatet në seancat e Kuvendit. Këto nuk janë teprime që përshkruhen në çdo roman, por janë argumentuar me fakte dhe bëhet apel politikanëve të respektojnë e mbrojnë gjuhën e kulturuar shqipe, sepse kështu mbrojnë edhe dinjitetin e tyre personal e të shtetit që përfaqësojnë.

Horizonti i gjerë kulturor i autorit të librit shfaqet në mënyrë të dukshme edhe në trajtimin e problemeve që lidhen me zhvillimin e forcimin e demokracisë, të shtetit të së drejtës, me të drejtën e pronës (ku vihet në dukje ligji antikushtetues 7501 për tokën – si burim konfliktesh sociale).

Më tutje paraqiten sfidat me të cilat ndeshemi dhe jepen opinione e rekomandimet për kapërcimin e tyre.

Vëmendje të veçantë, sipas autorit meriton t’i kushtohet nga politikanët tanë zgjedhjeve të lira, të barabarta e të ndershme, duke mënjanuar ato dukuri negative që janë konstatuar në të kaluarën e për të cilat politikanët kanë përgjegjësi t’i tejkalojnë, që të arrihen standardet evropiane. Me këtë rast kritikohet edhe një lloj nënshtrimi i politikanëve tanë ndaj të huajve.

Horizonti i gjerë kulturor i autorit të librit duket haptazi në analizën e argumentuar dhe rekomandimet që propozon për përmirësimin e gjendjes së drejtësisë në Shqipëri, rolit negativ që luajnë politikanët ndaj saj dhe masat që mund të merren për të fituar besimin e popullit.

Në këtë leksion për politikanët sqarohen bukur dilemat e partive, tenderat e teserave dhe sidomos për komunikimin e bashkëpunimin e tyre me njëra tjetrën në interes të popullit e të Atdheut, si dhe për domosdoshmërinë e dialogut me njerëzit, me komunitetin për qeverisjen demokratike të vendit.

Në këtë kuadër, në libër tërhiqet vëmendja ndaj rolit të madh që mund të luajë masmedia dhe se si mund të bëhet ajo më e pavarur nga politika.

Horizonti politik i autorit shtrihet në hapësira të tjera të gjera, si për luftimin e korrupsionit, fenomenit negativ që ka prekur rëndë sistemin politik, sistemin e administratës, sistemin e drejtësisë etj., duke rekomanduar edhe masat për parandalimin e luftimin e tij.

Jo më pak vlerë kanë opinionet e tij për politikanët që të ruajnë e vënë në veprim ndjenjat e humanizmit e të solidaritetit, në ndihmë të njerëzve në nevojë, jo thjesht në funksion të fushatave elektorale, por si pjesë e politikës liberale demokratike. Për një shtet me dinjitet, që aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian, autori thotë, se është detyrë e tij të mbrojë simbolet kombëtare, që nga flamuri kombëtar e gjithë trashëgimia kulturore.

Prof. dr. Ago Nezha në tërë shkrimet e tij ka përdorur me mjeshtëri metodën historike duke ndjekur në dinamikë politikën shqiptare gjatë periudhës së pluralizmit politik, dhe duke vënë në dukje me objektivitet shkencor arritjet pozitive, gabimet e të metat, si dhe shkaqet e tyre. Ky përgjithësim shërben si leksion për ata politikanë që duan të quhen të tillë.

Krahas metodës historike, autori ka përdorur metodën krahasuese për disa aspekte të politikës shqiptare. Për këtë është referuar në disa raste edhe politikës së para viteve 90-të, duke vënë në dukje dallimin, por njëkohësisht edhe trashëgiminë e së kaluarës që ndikon shpesh  mbi politikën aktuale. Në mënyrë të veçantë kjo duket në politikën konfliktuale si trashëgimi e luftës së klasave si dhe në prirjet për të ringjallur  “Partinë-shtet”.

Me shumë aftësi profesionale si analist politik, autori përdor edhe metodën e analizës e të sintezës, duke vënë në dukje se mjaft vlera të mëdha të popullit tonë janë zëvendësuar me antivlera, nga virtytet u kalua në vese, duke vënë mbi të gjitha interesat personale pasurore e karrieriste.

Me këtë libër, prof. dr. Ago Nezha paraqitet si analist politik, pjesëmarrës aktiv në jetën politike e shoqërore, kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”. Kundërkonformist, si një intelektual i vërtetë, sipas përcaktimit të bërë nga sociologu i njohur francez Zhan Pol Sartri.

Analizat, opinionet e rekomandimet e tij, duke iu referuar edhe mendimit filozofik, sipas mendimit tim, janë një leksion i dobishëm për politikanët tanë për mjekimin e disa plagëve kronike të politikës shqiptare.

I uroj autorit prof.dr. Ago Nezhës shëndet, suksese në veprimtaritë e tij dhe botime të reja.