Prof. Dr. Bajram Hysa/ Testim mjekesh apo “deus ex machina”?

862
Sigal

“Testimet e mjekëve”, tjetër skandal në ministrinë e Beqajt

E kam ndjekur me interes debatin që ka shpërthyer pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për të testuar mjekët dhe infermierët. Pa dashur të atakoj nismën e dikasterit, desha të shpreh shkurtimisht disa mendime, me bindjen se në mjekësi, më tepër se pushteti politik, ndikon dhe komandon pushteti profesional medikal dhe ai farmaceutik e teknologjik. Kur flitet për situatën në mjekësi veprimet duhet të jene globalisht të orientuara, dhe në të njëjtën kohë të mbështetura në realitetin dhe mundësitë e së tashmes. Sigurisht që shërbimi mjekësor në vendin tonë nuk është në parametrat që kërkohen. Shpesh ka mjaft konfuzion dhe vërehen paaftësi. Por kjo situatë nuk mund të ndryshojë nëpërmjet një provimi, qoftë dhe për efekt “fotografimi të gjendjes”, duke synuar të arrihet e paarritshmja.  Zgjidhjet janë gati, po t’i referohemi vendeve të zhvilluara. Dhe nuk ka asnjë sekret; dy janë primare: liria e mendimit dhe kërkimi shkencor.

Jo “tabula rasa”

Duhet pasur parasysh se mjekësia shqiptare nuk fillon nga tabula rasa. Është një plejadë e tërë mjekësh dhe infermierësh që ka kontribute të jashtëzakonshme në mjekësinë shqiptare dhe kanë punuar në kushte mjaft të vështira. Madje kanë pranuar ta ushtrojnë këtë profesion fisnik në vendin e tyre, edhe kur joshja ndërkombëtare për ta nuk ka munguar. Pra, kur flasim për mjekët, duhet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një pasuri të madhe kombëtare dhe është fat që kemi ende mendje të zgjuara që nuk janë përfshirë në shterjen e trurit dhe ikjen e tij nga Shqipëria. Mohimi, apo vënia në dyshim e këtyre kontributeve në vite, duke u kërkuar atyre të kalojnë nëpër teste amatoreske, mund të kontribuojnë drejt katastrofës së sistemit mjekësor shqiptar.

Pse anashkalohet kërkimi shkencor?

Para se të testojmë mjekët me provime burokratike, (pavarësisht nga debati nëse janë të ligjshme apo jo këto testime) duhet t’i dedikohemi kërkimit shkencor. Me provime rutinë bëjmë një “prapakthehu” dhe jo një veprim korrektues, që t’i shërbejë realisht kërkimit shkencor dhe zhvillimit të demokracisë. Me forma të tilla ndryshimi është i pamundur. Tregu na ka mësuar se para se të bëhen testime duhen bërë investime në teknologji dhe në fushën e kërkimit shkencor, dhe atëherë fitimi merret shumë shpejt. Fitimet në sektorin mjekësor nuk llogariten me javë e me ditë. E theksoj, problemet nuk zgjidhen thjesht me një provim, që do të ishte një deus ex machina. Nëse operohet kështu, sistemi mjekësor do të ngurosej e mpihej nga frika e së ardhmes. Edhe për sistemin mjekësor duhet të ekzistojë një strategji shkencore arsimore, të përpunohen programe afatmesme dhe afatgjata. Jo thjesht programe qeveritare, por kombëtare, për të mirën e përbashkët. Politikbërësit duhet të këshillohen me stafet shkencore mjekësore, me grupet e interesit, deri te mjekët e thjeshtë, për të ndarë së bashku përgjegjësinë për të ardhmen e mjekësisë shqiptare. Të mos harrojmë që jetojmë në një sistem konkurrence që kërkon aftësi dhe cilësi. Mjekët dhe pedagogët e mjekësisë e kanë për detyrë t’i nxisin këto aftësi, në bashkëpunim me qendrat studimore dhe ato të zhvillimit teknologjik si dhe me sektorin prodhues, përmes rrjeteve kombëtare dhe ndërkombëtare e përmes binjakëzimeve. Por nuk duhet harruar se gjetja e rrugëve të kërkimit shkencor, përveçse kërkon një kureshtje intelektuale, kërkon para së gjithash fonde të mjaftueshme.

Mësimi i vjetër i Heraklitit

Konfuzioni dhe pasiguria, që shpesh vihet re  në mjekësinë tonë, nuk zhduket me provime e testime, nuk zhduket domosdoshmërisht as me marrjen e shumë njohurive, përderisa pasiguria është përbërës themelor i prirjeve të sistemeve të ndërlikuara. Dhe mjekësia është më e ndërlikuara nga të gjitha. Po të perifrazonim Heraklitin, do të shpreheshim se në shkencën mjekësore “gjithçka rrjedh dhe asgjë nuk ndalon”. Kjo do të thotë se pedagogu që jep mësim në një fakultet mjekësie duhet papushim t’u mbushë mendjen studentëve se për asgjë nuk jemi shumë të sigurt, prandaj më mirë të heshtim përderisa të arrijmë një kuptim të plotë të gjithçkaje. Në tërësi, shkencat mjekësore në botë evoluojnë nga viti në vit, koncepte dhe metoda të reja gjithnjë më moderne futen në përdorim. Këto natyrisht e çojnë hapa përpara sistemin, dhe kjo është një e mirë e madhe, por ka një të keqe jo të vogël, sepse modernizimi dhe automatizimi i proceseve e largojnë mjekun nga kontakti me të sëmurin, shkurtojnë kohën e domosdoshme të komunikimit, të informimit të studimit nga afër të të sëmurit, për ta bërë atë bashkëpjesëmarrës në vendimmarrje për shëndetin dhe jetën e tij, ç’ka është thelbësore në procesin e marrëdhënieve mjek-pacient.

Vendi i punës, institucion kulturor

Ka shume mendime se me këtë provim rrezikohen vendet e punës. As kjo logjikë nuk mund të pranohet, sepse do ishte kryekëput antikushtetuese. Vendi i punës së një intelektuali, aq më tepër i një mjeku, është një institucion kulturor që, pavarësisht ndryshimeve teknologjike,  pasqyron një kuptim sa vjen e më të lartë të përpjekjes për të ndihmuar njerëzit. Por kjo liri me të cilën jemi mësuar ta shohim këtë profesion të nderuar, mund të shndërrohet në pasivitet dhe në izolim intelektual, nëse dita e punës së një mjeku do të standardizohej nga ndikimi qeveritar, ndikime që mund të zëvendësojnë mendimet dhe kreativitetin e tij. Për t’i bërë ballë proceseve të kohës, zgjidhja nuk janë testimet por përdorimi i mjeteve shkencore dhe teknologjisë që kemi në dispozicion. Të gjitha këto ndryshime në kulturë përfshijnë një proces të vazhdueshëm të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Për t’u kujdesur për të tjerët, gjithçka varet nga të mësuarit dhe praktikat direkte.

Misioni i dështuar i UMT-së

Të mos harrojmë që jetojmë në një sistem konkurrence që kërkon aftësi dhe cilësi. Mjekët dhe pedagogët e mjekësisë e kanë për detyrë t’i nxisin këto aftësi, në bashkëpunim me qendrat studimore dhe ato të zhvillimit teknologjik, si dhe me sektorin prodhues, përmes rrjeteve kombëtare dhe ndërkombëtare  e përmes binjakëzimeve. Universiteti mjekësor duhet të përmbushë misionin e tij, të jetë institucioni më i përparuar i cili t’u paraprijë çështjeve të mjekësisë. Ai duhet të mësohet të ndërmarrë iniciativa. Por deri tani mjerisht ai nuk  e ka kryer dot këtë funksion, pavarësisht stafit të mrekullueshëm të profesoratit të fakulteteve. QSUT , ashtu siç ka shkëlqyer për shumë vite Fakulteti i Mjekësisë, duhet të shërbejë si një qendër e përhershme e kërkimit shkencor, e formimit mjekësor dhe intelektual. Lajtmotivi shkencor akademik i universitetit duhet të mbetet niveli i lartë cilësor i mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, bashkëpunimi i ngushtë, jo vetëm mes disiplinave dhe departamenteve, por edhe bashkëpunimi dhe përgjegjësitë  për të mos shpërdoruar asetet e mrekullueshme akademike dhe pedagogjike që ka krijuar fakulteti i Mjekësisë.  Në përfundim të këtij refleksioni mendoj se  ata qe menaxhojnë sot shëndetësinë shqiptare, duhet t’i lënë pozat dhe së bashku me komunitetin e mjekëve dhe grupet e interesit, të përpunohen strategji për të ecur në rrugën e duhur. Të gjithë e urrejmë fatalizmin dhe indiferencën, por duhet të besojmë se sistemi i vlerave për të cilat zhvillohet shkenca dhe arsimi, janë  vlera reale me kuptime konkrete në jetën tonë të përditshme. Ato nuk janë reklama e parulla që na tregojnë se cilët janë njerëzit e ditur apo të paditur, të ndershëm apo të korruptuar, që ngjajnë të vlefshëm në dukje.

SOM

Në tërësi, shkencat mjekësore në botë evoluojnë nga viti në vit, koncepte dhe metoda të reja gjithnjë më moderne futen në përdorim. Këto natyrisht e çojnë hapa përpara sistemin, dhe kjo është një e mirë e madhe, por ka një të keqe jo të vogël, sepse modernizimi dhe automatizimi i proceseve e largojnë mjekun nga kontakti me të sëmurin, shkurtojnë kohën e domosdoshme të komunikimit, të informimit të studimit nga afër të të sëmurit, për ta bërë atë bashkëpjesëmarrës në vendimmarrje për shëndetin dhe jetën e tij, ç’ka është thelbësore në procesin e marrëdhënieve mjek-pacient