Prof. Dr. Bajram Hysa/ Pse tentojnë të ikin shqiptarët?

793
Në botën e sotme njeriu nuk rron vetëm me bukë. Të jesh i varfër nuk do të thotë vetëm të të mungojnë mjetet që duhen për t’u ushqyer, veshur, shkolluar e strehuar mjaftueshëm. Do të thotë gjithashtu të të mungojë minimumi i edukimit dhe formimit, përkujdesjet shëndëtësore, të jesh i papunë, të mos kesh plane për të ardhmen, të mos kesh mundësi të marrësh pjesë në jetën e përditshme, të mos kesh mundësi të zgjedhësh. Dhe pikërisht ata që skanë çfarë të zgjedhin, varfëria mund t’i çojë në veprime të dhunshme, ose drejt emigrimit, me shpresë për të gjetur horizonte dhe perspektiva të reja. Shoqëria shqiptare, ndryshe nga shumë shoqëri simotra postkomuniste, që kanë ecur me ritme galopante, është ende e paurbanizuar; ka analfabetizëm, skamje, krizë ekonomike vicioze dhe mbi të gjitha krizë asfiksuese besimi. Institucionet politike nuk ofrojnë optimizëm e shpresë; ato flasin vetëm për “dekriminalizim”, kur janë vetë një pjesë politikanësh autorët e inkriminimit politik të vendit. Janë të pamjaftueshme përpjekjet e Qeverisë për të pakësuar varfërinë dhe prapambetjen, mënjanimin dhe përjashtimin, degradimin e mjedisit, analfabetizmin, pabarazitë që hasen në marrjen e kujdesit shëndetësor. Të kequshqyerit, mbingarkesat me borxhe, papunësia, pabarazia midis burrave e grave, dallimet befasuese midis pasurisë së skajshme të disave dhe mjerimit të skajshëm të të tjerëve, janë fenomene që askujt nuk i bëjnë përshtypje.
Çelësi i suksesit në luftën ndaj krimit
Ideja se rritja ekonomike është një formë ndryshimi, na kujton se ndryshimi nuk kufizohet asnjëherë vetëm në sferën e jetës ekonomike; ai shtrihet edhe në sferën politike dhe shoqërore. Për autoritet politike që drejtojnë jetën e vendit është thuajse e detyrueshme t’i sjellin lehtësira prodhimit e tregtisë, pasi tregtia konsiderohet se i shërben mirëqënies së përgjithshme. Qeveria e ka për detyrë t’i përkrahë e t’i nxisë ato, e jo t’i mbysë me taksa e shtrëngime absurde. Vetëm kështu njerëzit mund t’i binden vullnetarisht ligjit dhe lufta kundër krimit mund të bëhet më efektive. Një qeveri e aftë ka vlerë në vetvete vetëm kur kontribon në sigurinë e jetës dhe në ngritjen e mirëqënies materiale.
Papunësia endemike
Recensioni ekonomik ku jemi zhytur, nuk është gjë tjetër veçse kosto e pritjeve të parealizuara. Ai ka sjellë zhgënjim pa fund, që ka keqësuar gjendjen e njerëzve. Recensionet sigurisht shkaktojnë ngritjen e papunësisë. Papunësia në Shqipëri është kthyer në problemin më të madh, në problem endemik, por ende nuk ndihet presioni politik institucional për të bërë diçka për të. Njerëzit ndihen të dëshpëruar lidhur me gjetjen e një vendi pune dhe shumica e tyre nuk shohin asnjë ofertë t’u dalë përpara. Shifrat zyrtare të papunësisë asnjëherë nuk kanë qenë të sakta, por ajo lexohet kudo, veçanërisht te të rinjtë që kanë edhe specializime. Qeveria e ndodhur prapa pemëve bën sikur nuk e sheh pyllin dhe jep shifra marramendëse punësimesh, që rezultojnë në ndërmarrje skllavëruese fasonike ose në call center. Ndërkohë masa e të papunëve rritet, me pasoja shkatërruese. Njerëzit, duke ditur se qeveria ka fuqi dhe e ka për detyrë t’i zgjidhë të gjitha gjërat drejt, kanë arritur të besojnë se po mashtrohen, s’e po bëhen viktima, prandaj kërkojnë të ikin. Zyrtarët e zgjedhur ende nuk po e ndiejnë përgjegjësinë e tyre, qoftë edhe për të bërë ca përmirësime të sipërfaqshme dhe afatshkurtra, për të frenuar keqësimin e problemeve.
Mungojnë strategji zhvillimi
Sigurisht në rrethana të tilla duhet të vihen në veprim mënyra dhe zgjidhje ekonomike të një rëndësie sa më të madhe, duhen strategji zhvillimi shoqëror dhe ekonomik, sipas perspektivës së një zhvillimi njerëzor dhe të qëndrueshëm, me premise sa ekonomike, aq dhe etike e social- kulturore, duke luftuar me energji e vullnet për t’ia dalë mbanë, pavarësisht nga kriza ekonomike dhe nga burimet e disponueshme. Zyrtarët aktualë nuk kanë përcaktuar qartë përparësitë e nevojshme në skemat makroekonomike, të përpunuara në bashkëpunim me FMN-në. Përpara se të ndërmerreshin veprime politikisht shtrenguese, siç ishte rritja e çmimit të energjisë dhe e taksave, politika makroekonomike duhej të merrte parasysh, krahas faktorëve politikë, edhe ata ekonomikë. Ministri i Financave duhej të bindtte kryeministrin ose kabinetin e tij për veprimet që duheshin ndërmarrë. Tani ata justifikohen nën zë se FMN i ka detyruar të zbatojnë këtë politike pakënaqësie që është sot. Vetë FMN ka përforcuar këtë përshtypje, duke u përzierë, pa qenë nevoja, në detje të çdo programi, gjë që Banka Botërore e ka bërë me rezervë. Fjala vjen, çdo vend duhet të lejohet të zgjedhë vetë normën e inflacionit dhe të zhvillojë veprimtarinë monetare e fiskale në përputhje me trendin e vet ekonomik, por tek ne kjo është e diktuar. Duke u dhënë pas një politike rekomandimesh, që shpesh bien në kundërshtim me njëra – tjetrën, FMN është larguar nga funksioni i vet kryesor, që lidhet me marrëdhëniet financiare mes anëtarëve të saj. Në rrethanat kur kushtet tregtare të vendit janë përkeqësuar, FMN duhet të bindë qeverinë shqipatre që të mos përqëndrohet te shtrëngimi fiskal, por t’i hapë rrugë projekteve për eksport, import dhe lëvizje të kapitalit, dhe ndikimit të kasaj rrjedhe ndryshimesh në politikë. Aktualisht vendi shpenzon më shumë se sa prodhon. Kështu nuk mund të financohet deficiti i jashtëm. Ky është një rrezik i madh. Rruga e vetme për të kufizuar këtë rrezik është rritja për prodhimet e vendase. Vendi duhet të eksportojë më shumë, për mbuluar një volum të caktuar importesh. Pra, shkurt, duhet të rritet prodhimi për eksport, meqë është në përgjithësi, më pak e kushtueshme të fitosh valutë të huaj në këto rrethana, se sa duke kursyer valutën e huaj, nëpërmjet shkurtimit të prodhimit. Vendi ynë ka mundësi të kthehet në një vend eksportues, si për shembull i produkteve bujqësore, minerare, bimëve industriale e farmaceutike, artizanatit etj. Qeveritarët tanë, çuditërisht, janë tipikisht gjithmonë optimistë për të rivendosur ekuilibrin në ekonomi, ndonëse rolet janë përmbysur me kohë e me vakt dhe nuk shihet ndonjë shpresë në horizont. Vendi ka borxhe të mëdha, të cilat nuk mund të përballohen me këtë ritëm të zhvillimit ekonomik; bankat kanë frenuar huatë, nuk shihet asnjë vërshim i kapitalit të huaj, ashtu siç ishte parashikuar. 
Kushtet teknike kundër stanjacionit
Ekonomistët priren ta trajtojnë këtë stanjacion ekonomik si një çështje që kërkon disa kushte teknike. Qeveria duhet të bëjë përpjekje për të lehtësuar prodhimin dhe tregtinë, për të mbrojtur me forcë të drejtat e pronësisë, që janë thelbësore për investimet dhe tregtinë; duhet të garantojë zbatimin e marrëveshjeve tregtare e sipërmarrëse, të investojë për ndërtimin e kanaleve kulluese e vaditëse, rehabilitimin e rrugëve, për zbatimin e rregullave të konkurrencës, për funksionimin e sistemit të arsimit, për shëndetin dhe investimet në spitale dhe, mbi të gjitha, për krijimin e një sistemi gjyqësor efikas për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në sferën sociale, ekonomike e politike. Në vend nuk duhet të sundojë monopoli i përdorimit social të dhunës psikologjike, që është karakteristika më themelore e jetës politike, ndërkohë që qytetari i thjeshtë ndihet i pambrojtur.
E drejta për të ardhmen
Mjaft politikane i bien fyellit kundër arsyes; zbukurojnë fjalimet politike , molepsin mjediset intelektuale, pushtojnë sheshet elektorale. Ndërkohë njerëzit e dëshpëruar vazhdojnë të ikin në mënyrë të pashmangshme. Ndaj është e ngutshme të dilet nga gjendja e vetëkënaqësisë, nga ky qëndrim pasiv i patolerueshëm ndaj mjerimit e vuajtjeve të mijëra qënieve njerëzore. Të drejtat e njeriut shqiptar i përkasin trashëgimisë së përbashkët të shoqërisë shqiptare, ndaj mbi këtë bazë duhet të mbështetet solidariteti, kushti i domosdoshëm për realizimin e plotë të fatit të çdo individi. Solidaritet me ata që janë nevojtarë, me popullsinë fshatare, me gratë e fëmijët që shpesh i nënshtrohen një diskriminimi të padurueshëm dhe mbi të cilët rëndon pasha e traditave shekullore kulturore. Varfëria, varësia kulturore, shkencore e teknologjike, rastet e mënjanimit dhe përjashtimit, ndikojnë në fatin e shumicës dërmuese të popullsisë, në fatin tonë të përbashkët drejt vlerave universale eurpiane të mirëqënies dhe civilizimit.
Sigal