Prof.Dr. Artan Shyti: Rektori i paligjshëm në Universitetin e Sporteve

234

Letër e hapur për Presidentin e Republikës

 Zoti President,

Në datë 03.10.2016 Ju dekretuat Rektorin e
Universitetit te Sporteve. E bllokuat këtë dekretim për pesë muaj dhe unë, si
kandidati tjetër për rektor, shpresova se do të dëgjonit ankesën tonë për një
proces zgjedhor skandaloz në UST, për shkeljet e rënda të ligjit dhe ndërhyrjen
e paprecedent të individëvë me pushtet në Ministrinë e Arsimit e Sportit, të
cilët deformuan haptazi vullnetin e votuesve në një institucion akademik.
Gjithashtu, ju njoftuam se kandidati për Rektor që Ju dekretuat në 3 Tetor ka
shkelur haptazi Ligjin e Dekriminalizimit, pasi dënimin e tij
  me vendim të Gjykatës së Tiranës më
16.11.1994
   nuk e deklaruar në
Formularin e Vetëdeklarimit, që është
  kërkesë
ligjore e pa negociueshme, për atë që kandidon në detyrën e Rektorit. Kjo mund
të vërtetohet në Formularin e tij të Vetëdeklarimit në uebsajtin e Presidencës
.
 Në zbatim të  Ligjit të 
Dekriminalizimit, ky kandidat , jo vetem që nuk mund të dekretohet por
duhet ndjekur penalisht.
  Atëherë unë kam
të drejtë t’Ju pyes: Përse e dekretuat zoti President? Përse haptazi shkelët një
ligj që Ju vetë e keni dekretuar? Përse firma Juaj për dekretimin e Rektorit
“anulloi” firmën Tuaj për dekretimin e Ligjit të Dekriminalizimit, që u
promovua si arritje e rëndësishme për të luftuar krimin dhe paligshmërinë në
Shqipëri?

Zoti President,

Unë e kuptoj që individë me pushtet në Ministrinë e Arsimit
mund ta shkelin ligjin. I njoh se kush janë, përse e bëjnë. Unë e kuptoj edhe
Ministren e Arsimit e Sportit që “bën veshin shurdh e syrin qorr” ndaj fakteve
që i kemi vënë përpara.  Unë e kuptoj një
gjykatës që autodhunohet profesionalisht e moralisht duke dhënë vendime absurde
të jashtëligjshme. Por,unë nuk mund e nuk dua të pranoj që Presidenca, tempulli
e gardiani i ligjshmërisë i këtij vëndi, të shkelë ligjin. Nuk mund ta pranoj
sepse, nëse ligji shkelet në Presidencë, c’farë mund të presim nga të tjerët!?
Por, unë besoj akoma se, edhe  kur
gjithshka në këtë vend ta pushtojë paligjshmëria e korrupsioni, të paktën,
Presidenti i Republikës duhet e do të mbetet bastion i fundit i ligjit në të. Në
3 Tetor ky besim imi  është lëkundur keqas.
Ndaj, me anë të kësaj letre të hapur, ju kërkoj, të më ktheni shpresën se ky vënd  akoma ka të ardhme, se akoma ja vlen të
investohesh për të, Ju kërkoj që të më bëni të besoj se, të paktën, Presidenti
i Republikës do të mbetët tempulli dhe gardiani i ligjit. Besoj se kjo është
detyra  Juaj institucionale dhe detyrimi
Juaj moral. Në emër të këtij besim që , megjithëse i lëkundur, vazhdon të
egzistojë, po Ju drejtohem publikisht.