Prof. Dr. Arben Malaj: Retë e krizës italiane mbi ekonominë shqiptare

720
Sigal

Ciklet e zhvillimit të ekonomisë janë në qendër të analizave të studiuesve dhe politik-bërësve për të njohur risqet për krizat potenciale në të ardhmen e afërt. Aktualisht rreth 70% e një grupi ekonomistësh të përzgjedhur parashikojnë një krizë të re globale brenda vitit 2019, ndërsa për një krizë globale brenda vitit 2020 janë 90% e tyre. Kriza e paralajmëruar për ekonominë italiane (e cila ka pasur rënie të rritjeve ekonomike për dy tremujore të njëpasnjëshme) po ndodh. Italia aktualisht është në recesion. FMN, BB. BQE dhe kompanitë e rating konfirmojnë se Italia ndodhet në një krizë sociale, ekonomike e buxhetore, e cila mund të ndikojë negativisht ekonominë e eurozonës dhe partnerët e saj ekonomikë. Madhësia e krizës, ashpërsia dhe kohëzgjatja e saj nuk janë të lehta për t’u matur saktë, por disa projeksione të treguesve kryesorë si rritja ekonomike, papunësia, deficiti dhe borxhi vërtetojnë përkeqësimin e tyre, pra thellimin e krizës së ekonomisë italiane. Kërkesa e Brukselit për të reduktuar deficitin primar dhe ulur gradualisht borxhin e saj, ndeshi në kundërshtimin e qeverisë së populistëve të majtë dhe djathtë. U krijua një paqartësi dhe pasiguri e rritur për fatin e ekonomisë italiane. Pasiguria e tregjeve të kapitaleve, pasiguria në rritje tek mbajtësit/blerësit e instrumenteve të borxhit publik të Italisë, rrit koston e financimit të ekonomisë së saj, e cila nën peshën e rëndë të borxheve zbret në recesion. Kur rritet deficiti, kur rritet borxhi dhe kur rritet kostoja e tyre atëherë qëndrueshmëria buxhetore përkeqësohet, më shumë para duhet të shkojnë për shërbimin e borxhit, duke ulur mbështetjen për projektet sociale dhe investimet publike efektive, atëherë kriza është një fakt dhe dalja prej saj do të jetë e vështirë dhe do të kërkojë shumë vite.

Njohja nga afër e ecurisë, risqeve dhe sfidave të ekonomisë italiane, është e detyrueshme për shumë faktorë si:

  • atje jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve jashtë Shqipërisë;.
  • është partneri ynë ekonomik më i madh dhe
  • ekonomia italiane rrezikon ta ndikoj ekonominë evropiane më shumë se Greqia.

Rrënjët e kësaj krize në ekonominë italiane janë të vjetra dhe të thella sidomos në cilësinë e dobët të kapitalit human dhe social, (I varfëruar nga cilësia e dobët e investimit në dije dhe ekonominë e dijes), por mungesa e qartësisë dhe përgjegjësisë e qeverive përfshirë edhe këtë aktuale për mos kryerjen e reformave të rëndësishme strukturore, duke mbijetuar me politika e projekte populiste dhe duke injoruar kërkesat dhe rekomandimet e Bankës Qendrore Evropiane dhe të Komisionit Evropian.

Aktualisht dalja nga kriza do të jetë:

  • e kushtueshme, sepse është rritur kostoja e financimit të ekonomisë italiane, ajo është më e lartë se në çdo vend tjetër të eurozonës;
  • e vështirë, sepse masat antikrizë do të prodhojnë kosto sociale të përkohshme, por ambienti politik aktual në Itali dominohet nga populizmi në të cilin çdo dështim qeveritar i mbingarkohet Eurozonës dhe Brukselit. Pra, kjo krizë është ushqim i freskët votash për populistët, euroskeptikët dhe radikalët. Në maj 2019, BE ka zgjedhjet e saj, të cilat mund të ndikojnë ose përcaktojnë edhe të ardhmen e saj. Italia po ashtu përballet me riskun e zgjedhjeve (pa zgjidhje) të përsëritura, të cilat krijojnë pa siguri dhe pa qartësi duke e ndrydhur/vrarë interesin për investimeve dhe në disa grupime shoqërore edhe konsumin;
  • e gjatë, sepse dalja nga kriza do të zgjatë më shumë, sepse çdo paketë antikrizë që duhet të reduktojë burimet e mbijetesës për pjesën e varfër të shoqërisë, çdo shkurtim shpenzimesh për të ulur borxhin që do të kërkojë shkurtim të shpenzimeve sociale do të duhet të shtrihet më gjatë në kohë, sepse përndryshe paketat e ashpra sociale të masave shtrënguese do të përballen më përplasje sociale, çka mund t’i bllokojë ato, duke e zgjatur krizën.

Institucionet ndërkombëtare dhe Banka e Italisë parashikojnë një rënie të thellë të rritjes ekonomike nga 1.5 % në 0.6 % e GDP-së ose 2.5 herë më pak. Kur rritja ekonomike bie, rritet papunësia, rritet deficiti buxhetore dhe borxhi publik. Ndërsa rritja e kostos së borxhit është guri i rëndë në qafën e taksapaguesve. Kanalet nëpërmjet të cilave kriza e Italisë do të godasë vendet partnere dhe ekonominë evropiane janë të ndryshme në strukturën, madhësinë dhe kohëzgjatjen e efekteve te tyre.

Lidhur me vendin tonë kanalet e ndikimit përfshijnë eksport, import, investimeve te huaja direkte, blerje pasuri të patundshme apo blerje aksione në kompani shqiptare. Kanali specifik dhe më i madh është ai i dërgesave të emigrantëve shqiptarë nga Italia në Shqipëri për familjet e tyre apo edhe për investimet e tyre në vendlindje. Këto dërgesa mund të bien, sepse rritja e papunësisë do të prekë edhe emigrantët. Kjo mund të ulë dërgesat nga emigrantët, çka rrit varfërinë në familjet që jetojnë me të ardhurat nga emigracioni, mund të ulë investimet për strehim dhe biznes të vogël të familjarëve apo edhe të vetë emigrantëve në Shqipëri që kanë qenë faktorë të rëndësishëm të rritjes së kërkesës së përgjithshme në ekonominë tonë. Efekti në eksporte që mbetet kanali i dytë më i madh mund të jetë i vogël, pasi kompanitë shqiptare të fasonëve eksportojnë në Itali kryesisht jo për tregun italian, por për eksportet e tyre në tregjet evropiane dhe globale. Kriza mund të ulë investimet e huaja, por në rastin e Italisë ky efekt mund të jetë minimal ose me efekt pozitiv, sepse situata e krizës mund të nxisë më shumë individë dhe biznesmenë të vegjël dhe të mesëm italianë të investojnë në Shqipëri si vendi më i afërt dhe ku ekzistojnë njohjet nëpërmjet emigrantëve. Mund të ketë rritje të importeve për shkak të rënies së çmimeve apo rritjeve të falimentimeve ne biznesin e vogël dhe te mesëm italian (shqiptarët kanë përvojë të blejnë makineri dhe teknologji të kompanive italiane të falimentuara). Studiuesit në Ministrinë e Ekonomisë, dhomat e biznesit, stafet akademike dhe Banka e Shqipërisë duhet të ndërmarrin studime të thelluara duke analizuar edhe recesionin e ekonomisë shqiptare pas krizës globale 2008, ku rritja ekonomike nga 6 % e PPB-së për periudha afatgjata zbriti në 2013 deri në 1% të PBB-së, ndërsa borxhi publik u rrit nga 55% në 72% të PBB-së.