Prof. Dr. Arben Malaj: Politika fiskale ekspansioniste përballë risqeve potenciale. Leksioni social i krizave është parandalimi i tyre

837
Sigal

Politika fiskale ekspansioniste përballë risqeve potenciale

Leksioni më i mirë i të gjitha krizave është parandalimi i tyre

Rrezikohemi të provohet shqetësimi se rritja me borxhe është joproduktive, duke kaluar në situatë të vështirë ekonomike dhe sociale

Vendi ka hyrë në rrugën e rritjeve ekonomike më të larta, papunësia ka trend rënës, deficiti dhe borxhi publik është në ulje, kostoja e tyre është në nivelet më të ulëta historike. A është kjo situata kur ekspertët theksojnë se “çatia rregullohet në ditë me diell”, nëse po, çfarë duhet të rregullojmë? Duhet të mbajmë parasysh se ekspertët e analizës së ekonomisë globale po studiojnë me kujdes hijet e një krize të re globale. Buxheti 2019 është një instrument i rëndësishëm i politikave ekonomike, jo për analizën e shifrave, por për politikat sektoriale që mbështet dhe përputhjen e tij me strategjinë e zhvillimit të integruar të vendit, ku qëndrueshmëria e financave publike është një parakusht i rëndësishëm.


Bashkëpunimi me Bankën e Shqipërisë, harmonizimi i politikave monetare e fiskale, qartësimi i politikave dhe reformave strukturore prioritare është i domosdoshëm për agjentët e tjerë ekonomikë, vendas dhe të huaj, duke synuar lehtësimin e vendimmarrjeve të tyre. Debati për efektin e politikave të taksave dhe politikave fiskale ekspansioniste është sot në qendër të debateve akademike dhe politikëbërëse. Së fundmi, profesori i çmimit “Nobel” për ekonominë, Edmund Phepls, botoi një artikull me titullin “The Fantasy of Fiscal Stimulus”, ( https://www.wsj.com/articles/the-fantasy-of-fiscal-stimulus-1540852299 ) ku argumenton se politikat e deficiteve të mëdha, në përpjekje për të stimuluar ekonominë dhe për të ulur papunësinë, rezultojnë të paprovuara në studimet e historisë së aplikimit të tyre. Kjo nënkupton se deficitet e mëdha kolaudojnë joproduktive, nuk i arrijnë objektivat dhe në afatmesëm dhe afatgjatë mund të prodhojnë efekte negative. E theksova këtë debat midis studiuesve dhe politikëbërësve, sepse aktualisht, në vendin tonë, i është dhënë prioritet investimeve fizike nëpërmjet paketës 1 miliard, e cila mund të shkojë deri në 3 miliardë. Në afatshkurtër synohet:

  • të rritet kërkesa agregate e ekonomisë;
  • të kemi një rritje ekonomike më të lartë dhe
  • papunësi më të ulët, objektiva thelbësore këto për çdo qeveri.

Këto investime do të financohen nga vetë investitorët, pra kemi një borxh që duhet paguar, edhe pse ai është i shtrirë në kohë. Kjo nuk bën dallim nga obligacionet afatgjata të borxhit publik. P.sh., qeveria merr borxh për 7 apo 10 vite dhe i paguan proporcionalisht në çdo vit. Ligji Nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, kërkon që çdo premtim për investime apo shpenzime buxhetore në avancë për t’u paguar në të ardhmen duhet të jetë i regjistruar, sepse ajo duhet paguar sipas marrëveshjes dypalëshe. Kjo ndihmon njohjen e çdo detyrimi, në mënyrë që të parashikohen në buxhetet respektive dhe të reduktojnë riskun e krizës së borxheve të papaguara, të cilat mund të dëmtojnë rritjen ekonomike, siç ndodhi në vitin 2013, ku shuma e tyre u vlerësua në rreth 5% të PBB-së dhe vendi kërkoi ndihmë imediate nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, sepse rritja ekonomike po zbriste në 1% të PBB-së nga mbi 4% aktualisht.

Ku do të fokusohen këto investime publike

Momenti i dytë – ku do të fokusohen këto investime publike? Problemi që ka vendi ynë është që popullsia e tij po reduktohet në nivel të konsiderueshëm, ndërsa investimet tona publike për rrugët po konsiderohen prioritare. Një argument për këtë fokus mund të jetë për flukset e ardhshme turistike, por turizmi është një industri komplekse, e cila nuk kushtëzohet vetëm nga infrastruktura fizike. Argumenti është rasti i Greqisë, e cila e modernizoi një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës së saj me fondet e buta të BE-së, por kjo nuk i mjaftoi, sepse ekonomia greke kishte probleme të rënda strukturore. Ndoshta shembulli pozitiv është Mali i Zi, i cili e rriti fluksin e turizmit, kjo edhe për shkak të avantazheve historike dhe në mënyrë graduale investoi për infrastrukturën e tij. Në këtë aspekt duhen analizuar edhe largimet e konsiderueshme nga vendi ynë, fluks të cilin nuk mund ta ndalim duke i penalizuar, por duke e bërë më të mirë mundësinë e tyre për të jetuar në vendin tonë, marrim prioritet investimet në arsimim, duke filluar nga ai parashkollor dhe investimet për shëndetësinë në çdo zonë të vendit, investimet për dritat në çdo kohë dhe me cilësi, furnizimin me ujë kudo, me cilësi dhe kohë të gjatë, investimet për ujërat e zeza dhe mbetjet, investimet për infrastrukturën rurale, shumë e rëndësishme për të nxitur zhvillimin dhe për të luftuar varfërinë në këto zona. Projekti “100 fshatra” mund të ishte një investim i zgjuar mund të përshpejtohet në kohë dhe të zgjerohet me valën e dytë dhe të tretë të fshatrave të përfshirë. Pra, nëpërmjet politikave dhe investimeve respektive, duhen ofruar, përmirësuar dhe garantuar shërbimet dhe funksionet publike imediate në çdo pjesë të vendit, duke filluar me ato investime ku efekti zinxhir është më i shpejtë dhe në një komunitet përfitues më të madh. Përzgjedhja e kujdesshme e investimeve publike, pavarësisht nga format e nënkontraktimit të tyre është një përgjegjësi e madhe për efektshmërinë e politikave ekonomike dhe përdorimin me përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe efikasitet të lartë të burimeve tona financuese, të cilat janë kryesisht nga taksat.

Shqetësimet

Shqetësimi ynë si studiues të ekonomisë bazohet edhe në përvojat jopozitive të vendeve të tjera, ku mungesa e ekspertizës së nevojshme profesionale në përzgjedhjen, negocimin dhe monitorimin e tyre krijon risqe potenciale për cilësinë teknike dhe për kostot e panjohura që mund të rrisin koston e projektit, rëndojnë taksapaguesit dhe vështirësojnë stabilitetin e financave publike. Vendi ynë ka ende të ardhura buxhetore modeste rreth 28% e PBB-së, ndërsa rritja e burimeve të të ardhurave rezulton e vështirë. Deficiti i skemës së fondeve special, ku përfshihen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, është rreth 81 miliardë lekë, ndërsa të gjitha investimet publike në buxhet janë 88 miliardë lekë, ato me burime të brendshme janë rreth 55 miliardë lekë. Pra deficiti i kësaj skeme është sa 92% e investimeve totale nga buxheti dhe rreth 147% e investimeve me burime të brendshme. Ky problem i financave tona nuk është i ri, por ai nuk duhet të ndiqet me shumë kujdes, sepse më vonë do të jetë më i shtrenjtë dhe më i vështirë ngushtimi i kësaj diference, apo i kësaj grope të thellë financimi i këtij deficiti. Mbështetja buxhetore për arsimin dhe shëndetësinë është në nivelet historike rreth 3% e PBB-së. Investimet publike mbetem afërsisht në nivele historike mesatare 4.5-5% e PBB-së, rritja e tyre duhet të vijë sidomos nga përfitimi i financimeve me kosto të ulët të infrastrukturës, sidomos ato brenda iniciativave rajonale, nga BE dhe donatorë potencialë bilateralë. Në rast të kundërt, përfitimet teorike të rritjes me çdo kusht të investimeve infrastrukturore nuk do të ndihen në realitetin tonë ekonomik dhe risku për një situatë të vështirë të qëndrueshmërisë së financave publike, mund të jetë i lartë. Rrezikohemi të provohet shqetësimi se rritja me borxhe është joproduktive, duke kaluar në situatë të vështirë ekonomike dhe sociale.

 Risqet potenciale janë zgjeruar

Analiza e risqeve potenciale në vendin tonë duket se është zgjeruar, këtu mund të përfshijmë:

(i) rritje me ritme të shpejta të borxheve potenciale, përfshirë edhe detyrimet ndaj PPP-ve në fushën e infrastrukturës fizike;
(ii) zhvillimet negative demografike po reduktojnë popullsinë aktive për punë;
(iii) mbarimi jo vonë i politikave me norma të ulëta interesi që mund të rrisë koston e borxhit publik dhe borxhit të financimit të ekonomisë në tërësi – sot ato janë në nivelet më të ulëta historike;
(iv) luhatjet e kurseve të këmbimit – niveli i borxhit të huaj dhe shërbimi i tij;
(v) kriza e vendeve partnere nga vijnë të ardhurat në trajtën e remitancave, Investimeve të Huaja Direkte dhe ku destinohen eksportet tona. Aktualisht ndiqet me shqetësim kriza potenciale e Italisë, që është partneri ynë tregtar më i madh.

Leksioni më i mirë i të gjitha krizave është parandalimi i tyre, duke e bërë ekonominë më konkurruese, dinamike dhe të aftë për të absorbuar goditjet e jashtme në tregjet monetare dhe financiare. Investimi në ekonominë e dijes, ristrukturimi i ekonomisë drejt sektorëve më produktivë janë investimi më i mirë për të ardhmen tonë në një ambient ekonomik global dhe evropian, me shumë pasiguri dhe pa qartësi.