Prof. Dr. Arben Malaj: Ministri Kotzias ka të drejtë. Nacionalizmi i sëmurë e kthen Greqinë në krizë dhe paqja e vonuar e Rajonit

805
Sigal

Prof. Dr Arben Malaj

Lektor i Integrimit Evropian

President i Institutit për Politika publike dhe Mirëqeverisje; [email protected]

Sondazhet për zgjedhjet e ardhshme në Greqi paralajmërojnë se, Siryza mund të paguajë një kosto politike për reformat e vështira, ndërsa Qirjako Mitsotaqis mund të jetë kryeministri i ardhshëm i Greqisë. Fakti që lideri i opozitës greke në vështirësi, edhe të trashëguara, për të qenë i suksesshëm, ka preferuar pozicionin e një nacionalisti deri në bllokimin e integrimit evropian të Shqipërisë, është një lajm i keq për sfidat aktuale dhe të ardhshme të Greqisë. Arritja e një fitoreje të qëndrueshme përballë situatave të paqëndrueshme sociale e politike të Greqisë, ndoshta e “justifikon” euro-skepticizmin, populizmin dhe nacionalizmin e sëmurë të disa përfaqësuesve të partive radikale greke, por nacionalizmi dhe radikalizmi nuk duhet të përdoren si “kali i betejës” së fitores elektorale të Qirjako Micotaqisit. Një nga shkaqet e dështimit të Greqisë dhe kostove të rënda sociale që pagoi populli grek gjatë krizës së 2008-s vlerësohet se është edhe modeli i qeverisjes së saj nga dinastitë politike të familjeve të mëdha, si Karamanlis, Papandreu dhe Micotaqis. Ky zhgënjim është i fortë dhe u ka kushtuar jo pak partive të vjetra politike greke. Zhgënjimi favorizoi lindjen e partive të reja si Siryza në Greqi, “Pese yjet” në Itali, në Spanjë, Portugali, por edhe në vende si Gjermania, Austria, Hungaria ku zhgënjimet sociale favorizuan partitë euro-skeptike deri edhe ato radikale. Greqia aktualisht ka shenja pozitive të daljes nga kriza shumëdimensionale. Kjo u bë e mundur nga mbështetjet specifike, të jashtëzakonshme dhe të konsiderueshme që u dhanë nga Trojka. Por arritjet në stabilitetin e financave publike janë shumë të brishta dhe mund të dëmtohen lehtë, nëse konkurrimi politik në Greqi do të ushqejë fitoren e populistëve, euro-skeptikëve dhe radikalëve. Justifikimi i radikalizmit politik në shërbim të një fitoreje politike për të qeverisur ndryshe Greqinë, mund ta bëjë më të vështirë qeverisjen e ardhshme të Neo demokratëve. Jo vetëm në Greqi kredibiliteti publik i politikës në tërësi është i cenuar rëndë, por Greqia i ka sfidat më të vështira se vendet e tjera. Qirjako Micotaqisin e kam takuar drejtpërdrejtë vetëm një herë në një takim të Bankës Botërore, kur ai punonte në zyrën e saj në Kosovë. Vlerësimi i kolegëve, jo vetëm grekë, ishte se Qirjako ishte një koleg i mirë-arsimuar dhe mendje hapur. Ai e ka këtë avantazh dhe nuk duhet ta humbasë, pasi Qirjako për suksesin e tij si kryeministër i ardhshëm i Greqisë ka, veç sfidave ekonomike edhe pengesa të mëdha jo vetëm politike.

Së pari, atë do ta bashkëshoqërojë hija e faktit që vjen nga një dinasti politike.

Nëse do t’i mungojnë sukseset reale në jetë e përditshme të popullit grek, prejardhja nga një dinasti politike do t’i bëhet penguese. Reformat strukturore për modernizimin e ekonomisë së një vendi në fillimin e tyre prodhojnë kosto sociale, ndërsa përfitimet e qëndrueshme vijnë jo menjëherë. Sukseset shpesh kërkojnë kohë, kjo krijon mospërputhje me ciklet politike. Pra, siç po ndodh me Macron, mundet që në dy vitet e para të qeverisjes edhe Qirjakos t’i mungojnë sukseset dhe zhgënjimi do të jetë më i madh, imponues dhe pengues. Kjo u konstatua edhe tek rasti i George Papandreut, i cili ishte pasues i dinastisë së familjes së tij, por që e bashkëshoqëroi perceptimi publik grek, se ai kurrë nuk mund të ishte kryeministri që i duhej Greqisë, sepse, sipas tyre, ishte shumë i butë, ishte rritur jashtë Greqisë, nuk fliste mirë greqisht dhe nuk pasqyronte “agresivitetin e natyrshëm” të një lideri grek apo ballkanik.

Së dyti, pas krizës globale të 2008-s Qirjako Micotaqis nuk mund ta këtë avantazh mirë arsimimin e tij për rreth 9 vite në SHBA, sepse kriza identifikoi si faktorë të krijimit të saj dhe të pasojave të rënda sociale, pikërisht njerëzit e arsimuar në universitetet më të mira në botë. Edhe projekti i investimit për arsimim më të mirë të fëmijëve të liderëve në vende të ndryshme të botës për të influencuar dhe eksportuar në këto vende, vlerat më të mira të një demokracie funksionale dhe të një modeli ekonomik modern, kanë rezultuar jo të suksesshme. Kjo, sepse edhe pse të mirë arsimuar pasuesit e dinastive politike në situata krize të vendeve të tyre, kanë përligjur dështimet e prindërve dhe kalimin e tyre nga demokracia në demokraturë, madje deri në diktatura vrastare, siç ndodhi ne Lindjen e Mesme. Është koha që Qirjako, si kryeministri i ardhshëm i Greqisë të qartësojë profilin dhe kontributin e tij në zhvillimet politike të Greqisë dhe të Ballkanit. Nëse do të zgjedhë modelin e një lidershipi të bazuar tek nacionalizmi radikal, rrezikon të jetë një statistikë dështimi në historinë e Greqisë, duke dëmtuar, së pari vendin e tij, por duke dëmtuar qoftë edhe përkohësisht perspektivën euro-atlantike të Ballkanit. Greqia nuk duhet të jetë shteti që krijon probleme, por shteti që lehtëson dhe zgjidh problemet e trashëguara në nivel bilateral dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor, pse jo edhe me Turqinë. Greqia duhet të jetë frymëzuese e vlerave më të mira të demokracisë, Me politika dhe angazhime konkrete Greqia duhet të jetë prodhuese edhe ruajtëse e paqes dhe e stabilitetit në Rajonin tonë. Greqia duhet të mbështesë dhe përshpejtojë integrimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga zgjidhja e krizës me FYROM/Maqedoninë. Lidershipi politik i Greqisë, pavarësisht përfaqësimit partiak, duhet ta ruajë me fanatizëm si pjesë të kontributeve të saj modernizuese, vizionin dhe kontributin konkret në Konferencën e Selanikut 2003, ku u deklarua dhe u dha garanci për perspektivën evropiane të të gjithë Rajonit. Greqia nuk mund të zhvillohet dhe të përparojë duke krijuar grindje, pengesa dhe vonesa integruese dhe modernizuese të gjithë vendeve rreth saj. Greqia nuk duhet të harrojë se Rajoni ynë e ka arritur me shumë vështirësi dhe më vonë se gjithë të tjerët paqen, e cila është parakusht për një mirëqenie të prekshme. Edhe zhvillimet aktuale globale po vërtetojnë se qëndrimet bllokuese, efektet zinxhir të eksportimit dhe importimit të krizave rajonale e globale e bëjnë çdo arritje të paqes të brishtë, pengojnë rritjen e mirëqenies pa të cilën edhe paqja bëhet e brishtë dhe e paqëndrueshme. Ky është risk real dhe në rritje për Ballkanin Perëndimor. Në aspektin bilateral lidershipi politik në Greqi duhet të ndalë dhe të mos lejojë mbështetjen publike ndaj incidenteve që në shume rastet e ndodhura kohët e fundit, kanë qenë jo të rastësishme. Eliminimi tyre nuk arrihet me angazhim të forcave policore apo ushtarake, por me sukseset e përbashkëta, siç e ndërtuan menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, bashkëpunimin, harmoninë, paqen dhe modernizimin e tyre vendet “armike” evropiane. Lidershipi i Greqisë dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të inspirohet dhe ndjekë modelin e liderëve që e themeluan dhe e bënë të suksesshëm projektin e Evropës së Bashkuar. Komuniteti i madh i shqiptarëve, punëtorë, të etur për dije dhe sakrifica për një jetë më të mirë dhe minoriteti grek në Shqipëri, janë kolonat e dy anëve të urës që mund dhe duhet të lehtësojë bashkë-udhëtimin midis dy vendeve tona nëpërmjet kontributeve pozitive të këtyre komuniteteve. Le të shpresojmë që mesazhet publike të ish-ministrave të jashtëm të Greqisë, Pangallos dhe Kotzias, mesazhet paqe-mbështetëse të shumë personaliteteve të kulturës dhe artit në Greqi, mesazhet e akademikëve mendje-hapur dhe politikanet progresistë – të materializohen në politikën e jashtme greke dhe në trendin e kontributeve të Greqisë për sfidat e Ballkanit Perëndimor.